Albspirit

Media/News/Publishing

Një manual diplomatik për aleancën strategjike të shtetit shqiptar

Prof.as.Dr. Hasan BELLO

Akademia e Shkencave

Instituti i Historisë

 

 

 

 

Ambasador Shaban Murati është një personalitet i njohur jo vetëm për karrierën e gjatë dhe detyrat shtetërore, por edhe për kontributin si analist i zhvillimeve ndërkombëtare në shtypin shqiptar dhe, veçanërisht për trajtimin e tyre nga këndvështrimi i interesave tona kombëtare.

Për dekada me radhë ai ka qenë dhe mbetet një zë eminent i diplomacisë shqiptare. Ajo që bën diferencën mes tij dhe diplomatëve të tjerë që kanë shërbyer në MPJ dhe trupin tonë diplomatik është se ai ka disa cilësi,si: profesionalizmi, integriteti nga partitë politike, duke vendosur në radhë të parë interesat shtetërore dhe ato kombëtare e mbi të gjitha, ai është autorë i disa librave me analiza, refleksione dhe prognoza diplomatike.

Një nga këta libra është edhe “Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”, i cili është fokusuar posaçërisht në kontekstin rajonal të marrëdhënieve dhe aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Për mua si historian i cili ka studiuar marrëdhëniet shqiptaro-turke në periudhën e pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar në vitet 20-30-të, por edhe pas vitit 1944, në këtë libër ka mjaft informacione, të cilat plotësojnë mozaikun e raporteve mes dy vendeve. Prandaj parë nga ky këndvështrim, libri në fjalë, jo vetëm sot, por edhe në të ardhmen do të jetë një burim referencial për të kuptuar dhe shkruar mbi marrëdhëniet shqiptaro-turke. Kjo edhe për një arsye tjetër, sepse analizat e bëra në këtë libër janë shkruar në kohë reale, duke përcjellë te lexuesi kontekstin politik, diplomatik, ekonomik, apo gjendjen psikologjike dhe emocionale. Të gjitha këto karakteristika që përmendëm më sipër, ne si historianë e kemi të vështirë t`i perceptojmë nga gjuha e ftohtë e dokumenteve arkivore. Në këtë aspekt, libri do t`i shërbejë historianëve dhe studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomatëve, analistëve të shtypit dhe MPJ si një manual për të kuptuar trajektoren e marrëdhënieve Shqipëri-Turqi; interesat e përbashkëta; intereferimin e palëve të treta në raportet mes dy vendeve etj.

Për nënpunësit e MPJ dhe politikanët shqiptarë që përpunojnë dhe drejtojnë politikën e jashtme të shtetit shqiptar, në librin e Ambasador Shaban Muratit ka shumë definicione, të cilat duhet të merren në konsideratë. Kjo për shkak se shteti dhe politika e jashtme ka dhe duhet të ketë 1) kontunitet dhe, 2) koherencë. Në fakt këto janë dhe dy pikat më të dobëta të rrugëtimit të shtetit dhe kombit shqiptar që nga viti 1912.

Duke u nisur nga këto premisa autori ka theksuar në formë postulati se “Karakteri dhe interesi i aleancës strategjike nuk lidhet me format e regjimeve politike në një periudhë të caktuar në të dyja vendet dhe as me emrat e përveçëm, që drejtojnë qeveritë dhe shtetet. Eshtë një konstruksion i politikës së jashtme dhe marrëdhënie e interesit strategjik afatgjatë, pavarësisht kontributit që jep njëri apo tjetri personalitet në periudha të caktuara historike në dobi të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe”. Në fakt kjo më kujtoi një gabim të shtetit shqiptar pas viti 1944, kur Enver Hoxha dha urdhër për të dëbuar sekretarin e legatës turke nga Tirana. Këtë nuk e kishin bërë as italianët kur pushtuan Shqipërinë, të cilët maksimumi që bënë ishte presioni mbi legatën turke që të dorëzonte Mehdi Frashërin e strehuar atje, për shkak të fjalimeve që ai kishte mbajtur në Radio-Tirana kundër Italisë. Por, nuk e kishin bërë as gjermanët. Megjithëse Turqia gjatë LDB nuk e njohu pushtimin e Shqipërisë dhe vazhdoi të njihte sovranitetin e shtetit shqiptar, qeverinë e Mbretit Zog në ekzil dhe përfaqësuesit e saj.

Politika personale që ndoqi Enver Hoxha dhe regjimi komunist në raport me Turqinë i kushtoi atij disa vite bisedime dhe tratativa për t`i rivendosur ato. Prandaj autori nga përvoja e tij e gjatë në fushën e diplomacisë dhe politikës së jashtme ka nënvizuar se aleancat strategjike dhe raportet mes shtetit shqiptar me shtetet e tjera nuk janë dhe nuk duhen ndërtuar mbi bazën e raporteve personale të drejtuesve të përkohshëm. Për fatin tonë të keq, ka ndodhur e kundërta. Kjo bën edhe diferencën e lidershipit tonë politik me homologët e tyre në shtetet fqinjë. Mungesa e koherencës në politikën tonë të jashtme ka qenë disa herë objekt i analizave të Ambasador Shaban Muratit.

Sipas autorit, Turqia është një aleat i nevojshëm dhe i natyrshëm i faktorit shqiptar në rajon në ekuilibrat e forcës dhe në përballimin e sfidave gjeopolitike të së ardhmes. Edhe personalisht mendoj të njëjtën gjë, kur shikoj se skemat dhe boshtet diplomatike në Ballkan nuk kanë ndryshuar për më tepër se një shekull. Për mendimin tim ka momente në të shkuarën që shtetet fqinjë janë treguar më të suksesshme për ta inkuadruar Turqinë në planet e tyre politiko-diplomatike, që nëse do të realizoheshin do ta vinin në pikëpyetje ekzistencën e kombit shqiptar. Me këtë kam parasysh Konferencën e Lozanës në vitin 1923 për shkëmbimin e popullisë mes Turqisë dhe Greqisë; Konventën Turko-Jugosllave të vitit 1938 dhe marrëveshjen e xhentëlmenëve Tito-Kypryly në vitin 1953. Nuk dua të bëj retrospektivën e këtyre çështjeve, thjesht dua të nënvizoj atë që del dhe nga libri se politikanët shqiptarë duhet të tregohen më të kujdesshëm ndaj intrigave diplomatike ballkanike, që përpiqen ta devijojnë shtetin dhe diplomacinë tonë nga rruga e interesit të vet jetik.

Në këtë libër autori me ftohtësi dhe racionalitin e një  kirurguka trajtuar edhe çështje të nxehta e të padeklaruara publikisht më parë, siç është ndikimi i strukturës demografike (religjoze)i shoqërisë shqiptare në përcaktimin se kush duhet të jetë aleat strategjik i shtetit shqiptar.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë trajtuar jo vetëm në kontekstin ballkanik. Ambasador Shaban Muratitka analizuar edhe raportet e Turqisë me Izraelin, Moskën, BE etj dhe mënyrën sesi ato reflektohen në planin rajonal, direkt apo indirekt në marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë.

Diplomacia ekonomike dhe interesat e Turqisë në raport me Rusinë, BE, Ballkanin etj përbëjnë një këndvështrim interesant, çka tregon se autori është një vëzhgues konseguent e njohës i mirë këtyre çështjeve.

Në këtë libër ka dhe polemika, të cilat ndërthuren me analiza serioze për probleme specifike. Një prej tyre është edhe ajo me titull “Greqisë po i çahet thesi i minoriteteve”, i cili tregon hipokrizinë dhe dispropocionin e kërkesave që shteti ynë fqinj bën për minoritetin e tij brenda nesh dhe nga ana tjetër bën të kundërtën me pakicat e veta.

Për të gjitha këto arsye që u përmendën përciptazi libri i Ambasador Shaban Muratit meriton të bëhet pjesë e bibliotekave të çdo lexuesi e studiuesi që kërkon të dijë më tepër për busullën e diplomacisë dhe mbi të gjitha për interesat diplomatike të shtetit shqiptar.

Please follow and like us: