Albspirit

Media/News/Publishing

Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar Njeriun

 

Eneida Jaçaj

 

Çfarë përfiton apo humb njeriu nëse pranon realitetin e tij brenda vetes, dhe ta bërtasë me zë të lartë atë që e shqetëson dhe i mban peng ekzistencën e tij? A do të ishte më i çliruar nga “demonët” brenda vetes që e mbajnë si të lidhur me zinxhir, a do të ndihej më i lirë nëse do ta pranonte veten ashtu siç është, me ato ngjarje e ndodhi që i kanë ndryshuar rrjedhën e të menduarit dhe të përjetuarit? A do të përfitojë apo do të humbë nëse e pranon veten mes asaj që është dhe asaj që do të ëndërronte të ishte? A do të çlirohej nga ankthi duke dialoguar dhe komunikuar me veten e të tjerët, për atë që e shqetëson, duke pranuar se jeta është një shfaqje kalimtare dhe asgjë nuk është e përjetshme? Njeriu shpesh herë gjendet para një dileme; të bëhet ai që është, të jetë ai që ka dhe ajo që njeriu përfaqëson në sytë e të tjerëve. Cila nga këto do ta bënte të ndihej më i lumtur dhe i çliruar?

Janë pikëpyetje që dalin nga dy veprat e mëdha të shkrimtarit psikanalist, me origjinë amerikano-hebre, Irvin D. Yalom, Profesor i Psikiatrisë në Universitetin e Standfordit në SHBA, përkatësisht kryevepra “Kur qau Niçja” dhe vepra “Kura e Shopenhaurit”. Këto dy libra kanë në qendër të tyre të përbashktën; psikoterapinë moderne që kanë në thelb dialogun-komunikimin, seancat dëgjimore në grup, ku autori i vendos personazhet e tij në situata të ndryshme bashkëbisedimi, të cilat të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe filozofinë e jetës. Autori, në mënyrë të qëllimtë, sjell emra të mëdhenj të mendimit filozofik dhe psikologjik, në të dyja veprat; Arthur Shopenhahuer, filozof gjerman i njohur për filozofinë e tij pesimiste, por që brenda ka doza realizmi; Fridrih Niçe, një nga filozofët më të shquar gjermanë të shekullit të 19-të. Niçe ka përvetësuar vepra të Shopenhauerit, kanë të dy pothuajse një mendim filozofik pesimist, ndoshta edhe si pasojë e doktrinës se si janë rritur apo edhe sëmundjes që Niçe kishte, ku shpesh herë nën ndikimin e saj, qasja e tij për jetën ka arritur majat e absurditetit; ata njihen si filozofët më të vështirë për t’u kuptuar; si dhe psikanalisti i famshëm, Sigmund Frojd, i cili i ka ardhur shpeshherë në ndihmë shoqërisë.

Kryevepra “Kur qau Niçja” është një dramë dashurie, ku filozofi i madh europian, në kulmin e dëshpërimit të tij, kërkon të bëjë vetëvrasje, pasi ishte i paaftë të gjente një kurë të posaçme, që do ta shpëtonte nga dhimbja e refuzimit të dashurisë. Lu Salome, e cila e ndiente veten fajtore, kërkon Zhozef Brojerin, një nga themeluesit e psikoanalizës, që ta shpëtojë nga vetëvrasja. Brojer përdor kurën eksperimentale të dialogut, bashkëbisedimit, e vetmja mënyrë që e bëri të çlirohet nga ajo e keqe e madhe, që e mundonte prej kohësh. Nga ana tjetër, edhe Brojeri kishte të njëjtin shqetësim, nga i cili ishte mbyllur në vetvete dhe nuk pranonte ta fliste me askënd. Kështu, ata përfundojnë pacientë të njëri-tjetrit, dhe shpëtojnë veten e tyre nga e keqja e madhe. Në dialogjet e zhvilluara mes tyre, Niçja ofronte aspektin filozofik, ndërsa Brojeri atë psikanalitik. Pra, sipas kësaj filozofie, njeriu duhet të pranojë realitetin e tij, duhet të pranojë veten ashtu siç është, dhe të flasë me një mik apo mikeshë për atë që e shqetëson, duke e bërë të ndihet i çliruar, i lirë, në botën e tij. Por, në ditët e sotme, kujt mund t’ia besojmë brengat tona?! Kush do të të kuptonte dhe do të të donte më shumë se sa familja?! Lumturia dhe paqja e kanë burimin te familja, aty njeriu mund të gjejë prehje dhe të prekë lirinë e shpirtit.

Në filozofinë e Niçes, njeriu nuk mund të shqetësohet nga një njeri tjeter, është vetëm vetvetja që mund të të shqetësojë. Niçe përdor një shprehje filozofike “bëhu ai që je”, ku njeriu pranon veten ashtu siç është dhe jo si ai do të donte të dukej para të tjerëve, duke u ndierë në paqe dhe harmoni me “unin” e tij. Apriori, njeriu absolutisht që do të ndihet i lumtur dhe në paqe me veten, duke bërë gjërat që i pëlqejnë atij dhe jo të tjerëve, por kjo shprehje filozofike, e dalë prej mendjeve më absurde, tingëllon paksa kontradiktore, pasi, nëse njeriu do të ndiqte këtë doktrinë, “bëhu ai që je”, nuk do të përparonte në jetë, nuk do ta përmirësonte veten dhe nuk do të bëhej shembulli më i mirë i vetes dhe shoqërisë. Pra, do ta pranonte veten me ato vese dhe dëshira ndrydhëse, duke mos ushtruar kontroll mbi to dhe as nuk do të rritej në aspektin personal dhe profesional.

Ndërsa Shopenhahuer thotë se lumturia rrjedh nga tri burime; ajo që njeriu është, ajo që njeriu ka dhe ajo që njeriu përfaqëson në sytë e të tjerëve. Ai nxit që të përqëndrohemi te e para, pasi për dy të tjerat nuk ka kontroll. Pra, të dy filozofët i përmbahen të njëjtit mendim. Në këtë kuadër, Niçe nuk i beson Zotit, e cilëson atë si një formë për ta mbajtur njeriun në burgun e mendjes, se njeriu duhet të ndihet i lirë dhe se “jeta nuk ka kuptim”!. Absolutisht që njeriu duhet të jetë i lirë, por brenda kornizave të vetëkontrollit, ndërsa jeta e humb kuptimin në momentin që humbasim motivin, ëndrrat dhe iluzionet, që, në fakt, të dy këta filozofë, mbështetës të doktrinës së njëri-tjetrit, nuk kishin ëndrra, por e shihnin jetën bardhë e zi, pa emocion, me dyshim, dhe u endën të vetmuar larg shoqërisë dhe Zotit. Duke mbetur te kuptimi i parë i thënies “bëhu ai që je”, pra shfaqu i vërtetë, sëmundja e njerëzimit e ditëve të sotme, është pikërisht shfaqja apo dukja ndryshe para të tjerëve, ndërsa brenda vetes njeriu vuan duke vepruar në atë mënyrë që t’u pëlqejë të tjerëve. Përpos faktit që dialogu, e folura, është një kurë eksperimentale shumë frytëdhënëse për t’u çliruar nga e keqja e madhe që mban peng shpirtin, na vjen në ndihmë një tjetër mendim filozofik, se jeta është një shfaqje kalimtare që kalon një lum që mbart të gjitha objektet, përvojat dhe të gjitha dëshirat. Njeriu, ndryshe nga kafsha me katër këmbë, mbart me vete kujtimet e së shkuarës, frikën e së ardhmes, që është e instaluar në të pavetëdijshmen e tij, duke e bërë të ndihet i shqetësuar dhe i ngarkuar psikologjikisht. Ekuacionet filozofike dhe psikologjike, janë e vetmja kurë që i kanë dhënë zgjidhje funksionimit të njeriut dhe zhvillimit të botës. Megjithatë, edhe nëse njeriu në jetë nuk do të kishte probleme, do të ishte një jetë pa larmishmëri dhe njerëzit do të shkonin në depresion apo do të varnin veten. Ja se çfarë thotë Shopenhauer: “Puna, meraku, mendimet dhe shqetësimet, sigurisht që janë fati i të gjithëve, gati gjatë gjithë jetës. Por nëse të gjitha dëshirat do të përmbusheshin menjëherë sapo shfaqen, me çfarë do të merreshin njerëzit gjatë gjithë jetës së tyre dhe si do ta zinin kohën? Supozoni sikur raca njerëzore të zhvendosej në utopi, ku çdo gjë do të rritej automatikisht dhe përqark do të fluturonin pëllumba të sapopjekur; ku që të gjithë do të gjenin njeriun e tyre të zemrës dhe nuk do të kishin vështirësi që ta mbanin; atëherë, njerëzit do të vdisnin nga mërzia ose do të varnin veten”.

Nëse te vepra “Kur qau Niçja” kemi të folurën, dialogun, për t’u shëruar nga gjëmimet e shpirtit dhe ndrydhjes së mendimit, te “Kura e Shopenhauer-it” kemi zhvillimin e seancave dëgjimore në grup, të drejtuara nga psikoterapisti Xhulius Hertzfeldi. Pra, numëruesi i përbashkët i të dyja veprave, është dialogu, e folura, kura e vetme që shëron shpirtin e njeriut. Personazhi Xhulius Hertzfeldi, është një psikoterapist i njohur, i cili zbulon se i ka mbetur një vit jetë. Ai vendos që të mos mendojë për sëmundjen, por të vijojë punën si psikoterapist deri në fund të jetës së tij. Në filozofinë e Shopenhauer, njeriu, nëse është i plotësuar dhe ka lënë gjurmë e vepra të mëdha, nuk duhet të ketë frikë nga vdekja dhe as t’i dhimbset vetja se do të largohet nga kjo botë. Madje, ai kur u nda nga jeta, e la me gojë se nuk donte të vendosej as emër dhe asnjë mbishkrim tjetër mbi pllakën e varrit, por la veprën e tij që të fliste për të. Ashtu si Buda që u largua nga pallati i të atit, Shopenhahuer u largua nga familia dhe doli në jetë në moshën 17-vjeçare, duke u përballur me mjerimin, varfërinë, fatkeqësitë, etj, dhe kjo e bëri që ai të kishte një mendim ndryshe për botën, për këtë arsye filozofia e tij është cilësuar pesimiste dhe idhnake.

Personazhi tjetër është Filip Sleiti, ish-pacient i Xhuliusit. Ky i fundit nuk arriti dot ta shëronte Filipin, i cili gjeti shpëtim te kura e Shopenhauerit. Të dy kanë nevojë për njëri-tjetrin. Filipit i duhet Xhuliusi për miratimin e hapave të tij si këshillues filozofik, ndërsa Xhuliusit mësimet e Shopenhauerit. Filipi i bashkohet terapisë në grup, por ai e di shumë mirë se anëtarët e grupit kanë nevojë për filozofinë e Shopenhauerit. Në një bashkëbisedim mes Filpit dhe Xhuliusit, Filipi përdor thëninen e Spinozës, “aspekti i përjetësisë”; ai sugjeronte që ngjarje të përditshme shqetësuese, bëhen më pak të tilla nëse shikohen nga aspekti i përjetësisë. Filipi, gjatë jetës së tij, ishte një “Kazanova”, i obsesionuar pas epshit, ndaj femrave të bukura, të cilat i nënshtronte për aq sa i duheshin dhe më pas i flakte tutje. Ai ishte shumë i varur ndaj këtij obsesioni, saqë kishte prishur miqësira.

Por cila ishte kura e Shopenhauer që e shëroi Filipin? Dëshirat kanë një vullnet të jashtëzakonshëm, kur ato bëhen të zjarrta dhe fiksuese, për ta çuar njeriun drejt veseve të këqija. Janë pikërisht këto dëshira me përmasa katastrofike, që e mbajnë të mbërthyer gjithë jetën e njeriut, mendjen, trupin, në humnerën e të pavetëdijshmes dhe alogjikës. Shopenhauer propozon se njeriu që të shpëtojë nga veset e këqija, duhet të heqë komplet dorë nga dëshirat. Pra, sipas filozofit gjerman, është vullneti që shkakton të gjitha vuajtjet në botë kur ne kërkojmë të kënaqim dëshirat tona. Ai u shty nga vullneti për të kërkuar fundin e vetmisë dhe dëshpërimit të tij përmes marrëdhënieve trupore. Kështu, ky formulim i Shopenhauerit pati efekt te Filipi, i cili u shërua plotësisht duke pranuar të izolohet nga shoqëria dhe pikërisht nga obsesioni seksual. Ndoshta nuk do të ishte rruga më e drejtë që njeriu të izolohej nga shoqëria siç bëri Filipi, pasi ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, për të folur e komunikuar, por njeriu mund të përdorë një taktikë tjetër, duke e bindur arsyen se kjo dëshirë nuk do ta çojë në rrugën e duhur, por, përkundrazi, do hapë probleme duke bërë që jeta e njeriut të vërtitet rreth atij vesi të sëmurë, duke humbur kuptimin e saj. Për mendimin tim, njeriu nuk duhet të heqë dorë nga dëshirat, por duhet t’i kontrollojë ato, nëse bëhen shkak për lindjen e veseve të këqija, që të mbajnë mbërthyer dhe të nxjerrin komplet nga rrjedha e duhur e jetës. Do të mbështesja më së shumti thënien e Sokratit, “Njih veten”, ku njeriu duhet të punojë fort për t’ia njohur vetes ato vese, ato dëshira që e ndrydhin, duke i kaluar në ekspertizën e gjykimit kritik dhe reflektiv, dhe duke i mbajtur nën kontroll. Secili nga ne ka pika të dobëta që bëhen shkak i sjelljes jo të mirë, duke na kufizuar objektivin personal dhe profesional. Pra, filozofia dhe psikologjia, kur ndërveprojnë së bashku, i sjellin shoqërisë zgjidhje afatgjata, të duhura, duke rregulluar sjelljen e njeriut. Edhe dy ekstremet, asnjëherë nuk janë të mira, pasi kthehen në vese. Duhet të gjendet mesi i artë, siç thotë Aristoteli. Një shembull i thjeshtë, nëse ushqehesh pa kufizime dhe pa orare, do të kthehet në një ves që dëmton shëndetin, si rrjedhojë, nuk do të jemi në formën e duhur për t’i shërbyer familjes dhe profesionit. Këto dy vepra gjithsesi janë një thesar për fushën e psikologjisë dhe filozofisë. Secili nga ne mund të nxjerrë mësime të vlefshme dhe të përjetojë dialogun brilant mes bashkëbiseduesve, që të mbërthen aq fort dhe të duket sikur edhe ti bëhesh njësh me ta në biseda. Irvin D.Yalom është një shkrimtar-psikoterapist brilant, i cili është vlerësuar me disa çmime, ku librat e tij përveçse mund të shijohen, u vinë në ndihmë shoqërisë dhe mendjeve të trazuara të botës.

Please follow and like us: