Ndue Ukaj: Marshi i marrëzisë
Të marshosh në sheshin Gjergj Kastrioti, Ibrahim Rugova, Nënë Tereza, Zahir Pajaziti, për të mbrojtë kauzën e Erdoganit, është marrëzi e kulluar. Këto lloj turmash pakrye, që gjithmonë i brohorasin barabës, ende besojnë në aziatizmin e tokave shqiptare. Atyre u është ndalë ora e historisë qëmoti.
Mirëpo, duhet të thuhet se kjo turmë e pakrye, nuk përbën mendimin e shumicës së shqiptarëve, dhe as nuk shpreh aspiratat e tij. Përkundrazi, shqiptarët që kanë marshuar në përkrahje të Erdoganit, kanë treguar një fenomen shqetësues: paaftësinë e një pjesë të shqiptarëve, që të lirohen nga zinxhirët e robërisë, ata zinxhirë të robërisë së mendjes, për të çka fliste me pezëm eruditi Faik Konica.
Në demokraci, pa dyshim, e drejta e aktiviteteve të tilla është e garantuar dhe e lejuar, por, në një vend të mbytur në probleme e halle, me tensione të mëdha, të dilet dhe të tregohet sa shumë e duam Erdoganin, është vetëm një marrëzi dhe asgjë më shumë. Sepse kjo “dashni” është hipokrizi e pastër. Për faktin e thjeshtë se, nuk mund të duash tjetrin, më shumë se vetveten.
Çuditërisht, jemi “mësuar” t’ i duam të tjerët, pa u mësuar njëherë ta duam vetveten. Festojmë e ngazëllehemi për fitoret e të tjerëve dhe përbuzim dhe poshtërojmë pafundësisht vetveten.