Prof. Abas Ermenji: Turqit dhe Beteja e Kosovës
Turqit Osmanllinj u ngritën mbi gërmadhat e Turqve Selxhukë, në qendër t’Anadollit, me princin Osman, i cili i dha emrin dinastisë, dhe formuan në fillim të shekullit XIV një shtet feudalo-ushtarak të fuqishëm. Figurë energjike, Osmani, duke përfituar nga çthurja e Perandorisë Bizantine, i pushtoi zotërimet e kësaj n’Azinë e Vogël dhe e vendosi kryeqytetin e tij në Brusë. Pasardhësi i Osmanit, Sulltan Orhani, krijoi trupin e jeniçerëvet (që do të thotë ushtëri e re) dhe repartet e kalorësisë së lehtë. I formuar në luftë, shteti turk i dha kujdesin më të madh ushtërisë dhe, në pak kohë u bë fuqia ushtarake m’e forta në botën e atëhershme.
Duke përfituar nga anarkia që mbretëronte në Ballkan, Turqit kapërcyen Dardanelet më 1354 dhe pushtuan Thrakën lindore. Dhjetë vjet më vonë, e shpërngulën kryeqytetin e tyre nga Brusa dhe e vendosën n’Adrianopojë (ose Edërne, siç e quajtën ata). Gjendja e përzjerë e Ballkanit paraqitej siç duhej për ndërhyrjet dhe fitimet e Turqvet. Perandoria Bizantine ishte rrethuar dhe mbyllur në Kostandinopojë; Perandoria serbe e Dushanit ishte copëtuar në principata të pavarura, gjithmonë në grindje midis tyre. Shpeshëherë këto principata s’e kishin për gjëkafshë që të kërkonin ndihmën e Turqve kundër njëra-tjetrës. Nga shtetet e Perëndimit, Venetiku dhe Mbretëria e Napolit, në kundërshtim interesash ndërmjet tyre, përpiqeshin të zotëronin bregdetin e Adriatikut. Turqit dijtën t’i shfrytëzonin këto përçarje dhe t’i thyenin kundërshtarët e tyre njërin pas tjetrit. Pasi dërrmuan qëndresën e parë të Serbëve në betejën e lumit Marica, Turqit e pushtuan edhe Maqedoninë. Kjo gjendje i shqetësoi më në fund feudalët ballkanas, të cilët u bashkuan me kralin Lazar të Serbisë në një kryqëzatë të përgjithshme kundër Turqvet. N’atë lidhje merrnin pjesë edhe Shqiptarët me princat Gjergji II Balsha, Theodori II Muzaka, ndoshta edhe një Gjergj Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut. Ushtëria e krishtere u ndesh me Turqit në fushën e Kosovës, më 1389, dhe u thye plotësisht. Mbetën të vrarë n’atë luftë Sulltan Murati I dhe krali Lazar i Serbisë. Pat mjaft të vrarë edhe prej Shqiptarëvet. Kjo është beteja e famshme e Kosovës të cilën Serbët e kanë përvetësuar në legjendat dhe këngët popullore të tyre. Kurse në të vërtetë ushtëria e krishtere ishte një kryqëzatë ku merrnin pjesë jo vetëm Serbët, por edhe Shqiptarë, Bosnjakë, Bullgarë, Rumunë, Hungarezë dhe Polakë.
Pas luftës së Kosovës, Turqit, me Sulltan Bajazit Jilldërimin, i vazhduan përparimet e tyre në Ballkan; pushtuan Thesalinë, nga juga, Bullgarinë, nga veriu, dhe arritën gjer në Vllahi. Duke përdorur Shkupin dhe Manastirin si baza ushtarake, ata nisën një varg shpeditash kundër Shqipërisë, ndërmjet vjetëvet 1393-1396, dhe e shkelën pothuajse të gjithë vendin. Disa nga princat shqiptarë shpejtuan të merren vesh me ta duke e njohur Sulltanin si kryezot. Të tjerët, me hir a me pahir, u shtruan përkohësisht nën grushtin e Bajazit Jilldërimit. Por në të vërtetën, deri në fund të shekullit XIV dhe në fillimin e të XV-it, Shqipëria vazhdoi të qeverisej prej krerëvet vendas, të cilët herë i shtrohëshin Sulltanit e herë jo, sipas gjendjes dhe rrethanavet. Pas disfatës që pësoi Sulltan Bajaziti n’Anadoll, më 1402, ku u mund dhe u zu rob prej Timurlengut, dhe pas luftës që plasi ndërmjet djemve të tij për çështjen e fronit, krerët shqiptarë u ngritën përsëri, duke pandehur se Turqia po shkatërrohej, dhe u bënë zotër të pavarur nëpër krahinat e tyre. Por kjo mungesë e ndërhyrjes turke në Shqipëri nuk vazhdoi shumë. Sepse më 1413, djali m’i madh i Bajazitit, Mehmeti I, pasi i zhduku njërin pas tjetrit vëllezërit e tjerë, e bëri përsëri bashkimin e Perandorisë. Më 1415, Turqit rifilluan vendosjen e autoritetit të tyre në Shqipëri. Po n’atë vit iu muarën Krujën Thopiajvet; më 1417 zunë Beratin, Vlorën dhe Kaninën, më1419 zunë Gjirokastrën, dhe pak vjet më vonë plotësuan pushtimin e të gjithë Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe, disa nga krerët aty këtu patën filluar të këthehëshin myslimanë për të ruajtur pozitat e tyre, por populli i tërë qëndronte i krishter.
Fuqia turke erdhi duke u shtuar, aq sa u bë një rrezik jo vetëm për Ballkanin po edhe për gjithë Evropën. Më 1453, Sulltan Mehemti II pushtoi Kostandinopojën, duke i dhënë fund Perandorisë bizantine, edhe e nguli aty kryeqytetin e tij, në vendin kyç ku bashkohen Evropa me Azinë. Në shekullin e pastajmë, ushtëritë turke arritën tek portat e Vienës.
Si shpjegohet kjo ngritje e shpejtë e Perandorisë Otomane, e cila mundi të zëvendësojë Bizantin e vjetër?
Sepse n’atë kohë feudalizmi, i përhapur prej Kryqëzatavet, e kishte thërrmuar Ballkanin në shumë zotërime e principata që luftonin vazhdimisht ndërmjet tyre. Fshatarët ishin kthyer në bujq-robër, kurse qytetet e kishin humbur forcën, shkëlqimin dhe rolin drejtonjës të dikurshëm qyshse patën rënë nën shfrytëzimin e Venetikut dhe të republikave të tjera tregëtare të Perëndimit. Perandoria bizantine, e shkallmuar, e kalbësyer, kishte mbetur si një hije. N’Evropën perëndimore nuk ishin formuar akoma monarkitë e mëdha. Regjimi feudal nuk kishte asnjë pështetje në masat popullore, të cilat përbëheshin prej bujq-robërve. Antagonizmi fetar ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, ndërmjet Romës dhe Bizantit, i mbante të ndara këto dy botë nga njëra tjetra. Ushtëritë e princave feudalë përbëheshin ose prej merçenarësh, ose prej bujq-robërish të cilët s’i shtynte asnjë enthusiazëm; dhe kalorësitë e rënda të tyre, ngarkuar me hekurishte si në Kohën e Mesme, nuk kishin shpejtësi lëvizjeje dhe manevrimi. Por mbi të gjitha, kësaj bote kaotike i mungonte bashkimi, i mungonte renditja e fuqivet dhe e mjetevet në një plan vepërimi të përbashkët.
Kur flasim sot për qytetërimin evropian t’asaj kohe, mendojmë rilindjen e artevet dhe jetën e rafinuar t’oborrevet princore. Por nuk na shkon asfare nëpër mend se Kanuni i Lek Dukagjinit ishte m’i lartë nga legjislacioni i Evropës s’atëhershme (edhe gjer në kohën e Revolucionit frëng), ku masat fshatare e popullore ndodhëshin në gjendje skllavërie. Aristokracia kishte të gjitha të drejtat; kurse një katundar, për vjedhjen më të vogël, mund të dënohej me vdekje dhe varej nëqoftëse ashtu donte i zoti i tokës. Edhe pas Revolucionit Frëng, në një shtet të Gjermanisë qe dënuar me vdekje dhe varur një shërbëtore, e paditur se gjoja i kishte vjedhur zonjës së saj një ibrik çaji t’ergjendtë. Ibriku se ku kishte rënë dhe u gjet pas disa ditësh, por shërbëtorja nuk u ngjall më. Inkuizicioni, në disa vende, vazhdonte të digjte njerëz të gjallë edhe gjer në shekullin XVIII. Kush nuk i di gjyqet dhe burgjet e tmerrshme të Venetikut kundër atyre që paditëshin me letra anonime të hedhura në kutinë famëkeqe, e quajtur goja e luanit? Kush nuk e ka kënduar romanxin e Manzoni-t, Të Fejuarit?
Perandoria Otomane u ngrit si një shtet feudalo-ushtarak dhe theokratik, ngushtësisht i lidhur rreth një figure qendrore: rreth Sulltanit. Populli dhe ushtëria, të fanatizuar në fenë islame, e adhuronin Sulltanin si përfaqësonjësin e Zotit në tokë. Mendimi i përhapur se gjoja Turqit ishin të barabartë n’atë kohë në krahasim me Perëndimin, është një legjendë. Si organizim ushtarak e shtetëror, si legjislacion, si barasi të drejtash ndërmjet gjithë Myslimanëvet ose edhe të Krishterëvet që pranonin fenë islame, si klasë eprore e hapur për të tërë ata që tregonin zotësi, pa dallim rrënje a origjine, regjimi otoman i asaj kohe qëndronte më lartë nga sistemi i Evropës perëndimore. Forcën e ushtërisë turke e përbënin jeniçerët dhe kalorësia e lehtë. Trupi i jeniçerëvet formohej prej ushtarësh zakonisht të rrëmbyer që fëmijë ose të zënë rob shumë të rinj nër popuj të krishterë, dhe pastaj fanatizuar, rritur e regjur në mjeshtërinë e armëvet. Sulmet e tyre ishin të tërbuara dhe besnikëria ndaj Sulltanit dëftehej e patundur. Kalorësia turke ishte e lehtë, e shpejtë në lëvizjet dhe sulmonjëse, siç e tregonte edhe emri i saj: akinxhi. Këto dy forca goditëse shoqëroheshin prej trupash të tjera të shumta dhe prej artilerisë së rëndë që vlente për të shembur fortesat. Edhe organizimi shtetëror i Turqvet, n’atë kohë, ishte m’i përparuar se sa tek popujt e Perëndimit. Ata regjistronin me kujdes vendet, popullsinë, dhe iu siguronin një farë mprojtjeje e qetësie masavet fshatare e qytetare që iu nënshtroheshin pa luftë. Kundrejt anarkisë që mbretëronte në Ballkan, ata vinin një farë rregulli nëpër vendet e pushtuara duke lënë të lira fenë, zakonet dhe organizimin komunal të krahinavet. Në parim, të gjitha tokat i përkisnin Sulltanit dhe të gjithë ata që i nënshtrohëshin autoritetit të tij duhej të gëzonin mprojtjen e ligjit. Prandaj në regjimin otoman nuk kishte bujq-robër pas mënyrës së feudalizmit ballkanik ose perëndimor. Përpara pushtimit turk, në tërë sinisinë e Ballkanit, përveç Shqipërisë, masat fshatare ishin bujq-robër, sidomos në Serbi dhe në Bullgari. Klasë borgjeze nuk kishte, veçse një feudalizëm të kalbur që shfrytëzonte fshtarësinë. Prandaj Turqit nuk gjetën qëndresë të fortë tek ata popuj, të cilët ishin më mirë nën autoritetin e Sulltanit se sa nën atë të feudalëve vendas. Këto rrethana i dhanë dorë shtrirjes së pushtetit otoman. Turqit tregohëshin shumë t’egër kundrejt popujvet që iu qëndronin me armë, si në Shqipëri për shembull, ku patën bërë vrasje, presje, djegie, skllavërime e shkretime të hatashme. Për këtë kishin edhe një arësye tjetër: Shqipëria ishte ura ndërlidhëse e Perëndimit dhe e katolicizmit, armiku numër një i Osmanllinjvet. Por mbi popujt e nënshtruar Turqit mbanin një sundim sidomos ushtarak dhe, përveç mbledhjes së taksavet, ndërhynin fare pak në punët e brendëshme të tyre. Klasa sundonjëse turke nuk ishte një rreth i mbyllur si aristokracia e Perëndimit. Kushdo që tregonte zotësi, mund t’arrinte në shkallët më të larta të Perandorisë. Shembuj si ai i Ballaban Pashës, i cili ishte i biri i një bariu nga Mati, ka me mijëra në historinë e Turqisë. Masat fshatare e popullore gëzonin një farë gjendjeje juridike, të cilën nuk e kishin në botën e Perëndimit.
Qëndresa e rreptë e Shqiptarëvet kundër Turqvet shpjegohet prej arësyes se malësorët shqiptarë ishin të lirë dhe rregullohëshin pak a shumë sipas zakonevet që përmblidhen në Kanunin e Lek Dukagjinit. Klasa e feudalëve të Shqipërisë, e dalë vetë nga fshatarësia, kishte një karakter patriarkal dhe ishte e lidhur më ngushtë me masat e gjera të popullit. Edhe nëpër fushat shumica e fshatarëvet ishin të lirë. Bujq-robër kishte sidomos nëpër krahinat që ndodheshin nën sundimin e Venetikut. Qytetarët, tregtarë e zejtarë, mbanin liritë e tyre, veçanërisht n’ato qytete ku nuk kishte ngulur thonjtë Republika e Shën-Markut. Kjo gjendje shoqërore e shpjegon pjesërisht epopenë e Skënderbeut, i cili nuk do të kishte mundur ndoshta të bënte një qëndresë t’atillë sikur të mos kish pasur pështetjen e masavet fshatare e qytetare.