Luan Rama: Kolltuku i agonisë së Molierit
(Në vazhdë të “Impresione parisiane”)
Shumë vite më parë, kur aktori franko-shqiptar Rexhep Mitrovica interpretonte « Hamletin » në teatrin e Komedisë Franceze ku ishte « pensionaire », pra titull që pak aktorë e kishin në Francë, ne një nga pushimet e tragjedisë, në « Galerinë e Busteve », bashkë me një mikun tim shqiptar iu drejtova cepit ku ndodhej një kolltuk. Tjetri u habit që shkova drejt atij kolltuku të veçuar, të vjetër, aty këtu i ngrënë nga koha duke mbajtur kështu gjurmët e shekujve të kaluar.
– Ky është kolltuku ku interpretonte Molieri në shfaqjen e fundit të tij, kolltuku ku dhe nisi agonia e tij, – i thashë.
Ishte vërtet diçka emocionuese të gjendeshe para atij kolltuku, që dëshmonte jo vetëm se ishte një kolltuk i një aktori dhe komediani të madh por edhe pse, meqë Molier ishte përpëlitur aty per të mbaruar gjer në fund shfaqjen e “I sëmuri imagjinar” (“Le Malade imaginaire”), ai kolltuk ishte kthyer në një lloj simboli i përpjekjeve të mëdha që bën një artist i skenës, ku jeta e tij është e ngjizur dhe në simbiozë të jashtëzakonshme me teatrin, skenën, publikun. Pas pushimit ne u kthyem përsëri në sallë, por ishte e vështirë të shkëputeshe nga ato emocione që të krijonte ai kolltuk.
Ç’kishte ndodhur me Molierin atë mbrëmje të 17 shkurtit të vitit 1673, kur i drobitur nga puna e madhe me teatrin, aktrimin, organizimin dhe drejtimin e trupit, ai e kishte tejet të vështirë, madje të pamundur interpretimin në skenë, në një kohë që turbekulozi që po e brente prej shumë kohësh dukej se tani po i jepte goditjen fatale. Shumë prej miqve të tij, madje dhe gruaja e tij Armande, aktore gjithashtu, iu lutën ta ndërprente shfaqjen e pjesës dhe të prisnin përmirësimin e tij, por ai u kishte thënë: «Si të mos luaj?… Po puntorët e skenës, njerëzit e teatrit, ato pesëdhjetë familje që presin paratë që të ushqehen dhe të kenë bukën e gojës, ku ti lë?… Jo, e pamundur… shkojmë, sot do të luajë, sido që të jetë!”
Në këtë kohë, Jean Poquelin, i lindur më 1622 në Paris dhe i quajtur më pas Molier, ishte në kulmin e gjenisë së tij dhe një nga artistët favoritë të mbretit Louis XIV, me të cilin njihej mirë dhe shumë herë i thirrur nga ai, për të interpretuar në Versajë apo në Saint-Germain-en-Lai, shfaqjet e tij. Biri i një tapicieri, i dashuruar që në adoleshencë me botën magjike të teatrit, Molier kishte arritur pas interpretimesh të shumta të krijonte më në fund trupën e tij. Komeditë e tij si “Shkolla e grave”, “Mizantropi” dhe veçanërisht “Tartufi” kishin gjetur një pritje të jashtëzakonshme edhe pse “Tartufi” disa herë ishte ndaluar nga çenzura, por më në fund “Mbreti Diell” (Le Roi Soleil) siç e quanin në këtë kohë, e kishte lejuar atë. Krahas mbretit ishin dhe princat Conti dhe Condé, ata që e mbështetën në karrierën e tij artistike, të mbushur me shumë ngjarje, veçanërisht me dashuritë e tij me të gjitha aktoret e trupës së tij teatrale. Molier ishte një burrë i adhurueshëm, xhentil, gazmor, romantic dhe një aktor i magjishëm që rrallë mund t’i rezistoje hireve të tij.
Atë pasdite, Molierin e kishin marrë me karrocë dhe e kishin çuar drejt teatrit, skenës. Nuk do të interpretonte në këmbë, meqë fuqitë po e linin dhe ai kërkoi tii vinin kolltukun ku rrinte në lozhën e tij, atë kolltuk lëkure ku përgatiste makiazhin dhe përgatitej të hynte në skenë. Perdet ishin mbyllur dhe që para ngritjes së tyre në skenë, Molier u ul dhe do të thoshte tekstin e tij. Ngado në Paris por dhe të huaj që kalonin nga Parisi, kërkonin të shikonin gjeniun e teatrit francez por dhe komedianin e guximshëm, ku në temat e tij sociale bënte kritika të ashpra veçanërisht ndaj aristokracisë, klerikëve si dhe veseve të vet njeriut, kopracëve, hipokritëve, xhambazëve, ziliqarëve, mashtruesve, horrave…. Kështu shfaqja e asaj mbrëmje filloi dhe pas tri pjesëve të para, ku Molieri me vështirësi vazhdonte të thoshte tekstin e tij, aty nga fundi, ai po ndjente gjithnjë e më shumë vështirësi në diksionin dhe fjalët, pasi shpesh, goja i mbushej me gjak dhe vështirë ta çonte interpretimin deri në fund. Madje një çast ai kishte mbetur si i ngrirë me sytë e ngulitur në hapësirë, ku partneret prisnin tekstin e tij por ai veç heshti. Atëherë sufleri përpiqej t’i kujtonte fjalët pa ditur se në ç’gjendjet të tmerrshme ndodhej aktori i famshëm. E megjithatë, pas një pauze të gjatë, më në fund ai foli. Ishin frazat e tij të fundit dhe pas pak shfaqja mbaroi. Molieri, pështetur në shpinën e kolltukut, gjithnjë me gjakun që i mblidhej në gojë dhe që duhej ta gëlltiste, pështeti kokën të prehej. Donte të flinte, ndërkohë që duartrokitjet e pareshtura dhe thirrjet që i bënin për të dalë në skenë, gradualisht filluan të zbeheshin gjersa më në fund u shuan. Ishte një lloj paqeje sikur të kishte krahët e ëngjëllit dhe të ngjitej në qiell, edhe pse gjithnjë dyshonte në ekzistencën e Zotit. Askush nga spektatorit nuk mund ta imagjinonte se aktori i tyre i parapëlqyer i 30 pjesëve teatrale, në moshën 51 vjeçare, ishte në agoninë e tij, atje, para syve të tyre, duke interpretuar gjer në forcat e fundit të trupit dhe të shpirtit.
Pas shfaqjes, kur perdet ranë, njerëzit e tij dhe Armanda nxituan ta marrin dhe ta çojnë menjëherë drejt shtëpisë aty pranë. E ngjitën në dhomë dhe e shtrinë, por ai gjithnjë pështynte gjak, gjersa një moment, shkulma e gjakut e mbyti dhe e la pa frymë. Molieri po vdiste dhe me sy të hapët ai po shikonte tashmë veç një errësirë dhe shandanët e artë të skenës.
Që nga ajo kohë, me ngritjen e teatrit të ri «La Comedie Française», kolltuku i Molierit është aty, dëshmi e një kohe dhe e një arti që nuk venitetet dhe pse shekujt shkojnë, ndërkohë që shtëpia e tij është gjithnjë aty pesëdhjetë metra më tutje, në Rue Rchelieu, ku ndodhet dhe busti i tij. Dritaret e shtëpisë Molière shohin ende dritaret ku vdiq një tjetër gjigand i madh i mendimit francez, filozofi Diderot.
Një kolltuk, një teatër, një jetë pasionante, e ethshme dhe vepra me të cilën të gjithë ne jemi mësuar ta ndjekim në skenë. Artistët vazhdojnë të jetojnë përtej vdekjes së tyre veç perms artit!