Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Buçpapaj: Skënderbeizmi ynë

 

 

 

Skënderbeizmi nuk ekziston si term. Ndërsa si fjalë po e përdor unë për herë të parë.

Shqiptarët e duan Skënderbeun deri në adhurim, e vlerësojnë deri në kult. Po të tjerët a e vlerësojnë sa e meriton heroin tonë më të lavdishëm dhe më të shquar kombëtar? Kjo, mendoj unë, është pyetja e parë që meriton t’ia bëjmë vetes.

Fjalori Enciklopedik Britanik ia kushton këto fjali:

“Skënderbegu – Gjergj Kastrioti (1405-1468). Udhëheqës shqiptar. Bir i princit të Matit, ai u dha në moshë të re peng te sulltani turk. Ai shërbeu në ushtrinë turke dhe iu dha emri Skënder e grada bej. Më 1444 ai e braktisi shërbimin turk dhe iu bashkua vendasve të tij shqiptarë kundër turqve; duke organizuar një lidhje të princave shqiptar, ai u zgjodh kryekomandant. Më 1444-1466 ai i zbrapsi 13 mësymje turke; triumfi i tij ndaj ushtrive të Muratit II më 1450 e bëri atë hero në botën Perëndimore. Pas vdekjes së tij, sidoqoftë, Shqipëria shpejt u bë pjesë e perandorisë Otomane. Skënderbeu nderohet si hero kombëtar i Shqipërisë.”

(Skanderbeg /’skän-der-,beg/ orig. Gjergj Kastrioti (1405-1468). Albanian leader. Son of the princ of Emathia, he was given early as a hostage to the Turkish sultan. He served in the Turkish army and was given the name Iskander and the rank of bey. In 1444 he abandoned the Turkish service and joined his Albanian countrymen against the Turks; organizing a league of Albanian princes, he was elected commander in chief. In 1444-66 he repulsed 13 Turkish invasions; his defeat of Murad II’ armies in 1450 made him a hero in the Western world. After his death, however, Albania soon became part of the Ottoman empire. Skanderg is regarded as the national hero of Albania).

Këto janë shtatë fjalitë që e përcaktojnë në të vërtetë vendin që i është dhënë zyrtarisht Skënderbeut në historinë botërore. Tek lexon zërat e plotë në enciklopeditë perëndimore, kupton se, përveç hollësive më të shumta, në thelb asgjë nuk ndryshon, për më shumë apo për më pak, përfshirë edhe gabimet historike që nuk mungojnë, në vlerësimin ndaj figurës së Skënderbeut. Ndonëse i pranuar si hero edhe i botës perëndimore, tekstet për të nuk shoqërohen me fotografinë e tij, çka ndodh vetëm me figurat e rendit të parë.

Historia jonë përballë miteve të fqinjëve tanë

Sipas interpretimit të tillë, Skënderbeu bëri jehonë në botën Perëndimore e u mbajt si hero vetëm për disfatën që ua shkaktoi ushtrive të Muratit II më 1450.

Tek lexon zërat Skënderbeu, Shqipëria, Perandoria Otomane, Turqia e tjerë, del se enciklopeditë perëndimore vlerësojnë disa faktorë pengues dhe dobësues të Perandorisë Otomane si lufta e Timurit e vitit 1402, shkatërrimi i flotës otomane më 1571 në Betejën e Lepantos, humbja e forcave otomane në rrethimin e Vjenës më 1683, luftërat Ruso-Turke të Shekullit XVIII, luftërat me Austrinë dhe Poloninë. Këto zhvillime dhe korrupsioni e shthurja e brendshme ishin, sipas enciklopedive, faktorët që e shndërruan Turqinë në “të sëmurën e Evropës”, dhe çuan në humbjen e territoreve të pushtuara prej saj në Evropë, Afrikë dhe Azi, pra në rënien dhe shpërbërjen përfundimtare të Perandorisë Otomane që daton në vitin 1922.

Si ndodhi që atdheu i Skënderbeut të copëtohej nga Fuqitë e Mëdha të Evropës në dobi të fqinjve të saj? Edhe kjo pjesë e mbetur, madje, ishte vendosur nga po këto fuqi më 1914 t’iu ndahej fqinjëve tanë në njërën anë dhe në anën tjetër të Adriatikut. Vetëm Presidenti Uillson dhe Amerika e shpëtuan shtetin e sotëm të Shqipërisë nga kthetrat e “mirënjohësve” të Skënderbeut, të cilët donin ta fshinin nga harta vendin e shqiponjave. Ky vizion i mbrapshtë i Evropës Plakë, duke krijuar me tokat tona Greqinë e Madhe e Serbinë e Madhe, i prishi përfundimisht ekuilibret gjeopolitike në gadishull dhe kontinent.

Fqinjët serbë u shpërblyen për mitin e tyre të Betejës së humbur të Kosovës, të vitit 1389. E zhvilluar më 13 deri më 28 qershor 1389, kjo betejë, siç e tregon edhe emri i saj, ndodhi në territorin shqiptar dhe shqiptarët ishin një pjesë e rëndësishme e koalicionit ballkanik. U humb pikërisht nga prijësit e atëhershëm serbë, të cilët u shitën tek Otomanët për hir të një vasaliteti të favorshëm ndaj turqve. Edhe beteja e dytë e konsideruar vendimtare, si përpjekja e fundit e madhe e kryqtarëve për ta çliruar Ballkanin nga turqit, u zhvillua mes vllahohungarezëve dhe turqve, duke u fituar nga këta të fundit.

Historiografia jonë ka heshtur për Betejën e Kosovës duke ia falur kështu Serbisë një kapitull në historinë e raporteve të gadishullit e të vetë Evropës me Perandorinë Otomane. Në vitin 1989 Serbia e Millosheviçit shënoi bujshëm në Kosovë, në tokën tonë 600 vjetorin e kësaj beteje. Aty, para syve të Evropës së sotme, shpalli moton hitleriane “ku ka serbë, është Serbi”. Në emër të kësaj beteje të humbur, ku vendi i tij gjoja u flijua për Evropën, kryekasapi i Ballkanit ndërmori vargun e masakrave dhe barbarive, me të cilat diskreditoi rëndë Evropën, i pengoi dhe vonoi në mënyrë vendimtare proceset integruese evropiane e perëndimore të pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke kryer genocid në zemër të Evropës ndaj popujve të mirëfilltë evropianë siç janë kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët.

Heshtja e historiografisë sonë, ulja zërit atje ku duhet ngritur zëri, janë pjesë e kapitullimit të saj përballë miteve të fqinjëve tanë në dobi të vetën dhe në dëm të shqiptarëve. Duke mos qenë pjesë e tryezave politike, diplomatike e shkencore, fqinjët tanë, politika e tyre, diplomacia e tyre bënë sa mundën për t’i përdorur mitet e tyre si histori dhe këtë në kurriz të historisë sonë, për ta shndërruar kështu në bumerang atë që e kemi të vetmin thesar, historinë tonë, histori mijëravjeçare e ilirëve, arbërve dhe e shqiptarëve të sotëm.

Në këtë kontekst, fqinjët tanë iu kanë dhënë të gatshme historiografive perëndimore falsifikime të rolit tonë në Perandorinë Otomane. Ashtu si gjatë Perandorisë Romake e asaj Bizantine, ishte e natyrshme që ne të kishim rolin tonë edhe në Perandorinë Otomane. Kjo nuk do të thotë se fqinjët tanë e kursyen rolin e tyre në shërbim të saj. Elitat ekonomike, financiare, diplomatike dhe ushtarake të Perandorisë ishin ballkanase, kryesisht shqiptare, serbe dhe greke. Këtë e konfirmon edhe historiografia e sotme turke, edhe historiografitë e sotme perëndimore. Perandorisë i shërbyen të krishterët dhe myslimanët e saj, i shërbyen edhe të krishterët e myslimanët shqiptarë.

Historiografia, politika dhe diplomacia e fqinjëve dhe e aleatëve të tyre manipulon me faktin se ne mund të jemi myslimanizuar më shumë se fqinjët tanë. Dhe këtë e paskemi përdorur kundër fqinjëve tanë. Sipas kësaj teorie, kjo e ka ligjëruar gjithë atë që ka ndodhur nga periudha në prag të Kongresit të Berlinit e deri sot. Shpërnguljet e mëdha masive të shqiptarëve, genocidi sistematik, deri mohimi i autoktonisë sonë u mbështet mbi mëtimin e fqinjëve se po shpërngulej, po shfarosej një popull mysliman joevropian, një popull joautokton vendi i të cilit është në Azi, në Afrikë, në Australi dhe kudo tjetër, por jo në atdheun e tyre në Evropë.

Të ashtuquajturat bëmat tona ndaj fqinjëve në kuadrin e Perandorisë Otomane janë krejtësisht të trilluara, krejtësisht të padokumentuara. Është i vërtetë dhe i dokumentuar kundërshtimi ynë i pareshtur ndaj Perandorisë, është e vërtetë dhe e dokumentuar përpjekja jonë dhe prirja jonë për të krijuar aleanca me të gjithë fqinjët tanë për të dalë së bashku nga zgjedha e Perandorisë. Janë të vërteta dhe të dokumentuara përpjekjet e fqinjëve tanë për t’i përdorur aleancat ndërmjet tyre dhe me fuqitë e huaja mbështetëse në dëmin fatal ndaj shqiptarëve.

 

Simboli i bashkimit dhe unitetit nuk mund të shndërrohet në mollë sherri midis të krishterëve e myslimanëve dhe në mjet të përçarjes

 

Skënderbeu në historinë tonë dhe në konstitucionin tonë është një figurë me integritet absolutisht të pacënueshëm. Teksa lehtësohet nga pesha e legjendës, teksa bëhet më real dhe më njerëzor, më tokësor Skënderbeu bëhet më i plotë, më tërësor, më i dobishëm për çështjen tonë kombëtare, përfshirë përmasën e integrimeve tona të brendshme dhe perëndimore.

Nga koha kur unë, për shembull, kam filluar të njihem me figurën e Skënderbeut përfytyrimi individual dhe kolektiv i shqiptarëve ndaj tij ka ndryshuar jo pak. Është thënë se Skënderbeu u muar peng në oborrin e sulltanit kur ai ishte 6 vjeçar. Në fakt Skënderbeu shkoi në Stamboll në moshën e rekrutimit ushtarak, sipas sistemit të jeniçerëve. Enciklopeditë shkruajnë: “Jeniçerët ishin trupa elite të perandorisë Otomane nga fundit i shekullit XIV deri në vitin 1826. Ushtarët e saj kryehere ishin të krishterë ballkanas të cilët ishin të konvertuar nëpërmjet synetit. Rregullat strikte të fillimit, më vonë të braktisura, detyronin beqarinë. Në vitin 1826 ata ngritën krye për të mos pranuar reformimin perëndimor të ushtrisë dhe të gjithë u vranë kur Sulltan Mahmuti II i bombardoi kazermat e tyre dhe i ekzekutoi të mbijetuarit”.

Të udhëhequr nga Skënderbeu dhe të frymëzuar nga shembulli i tij, shqiptarët e mbërthyen Perandorinë Otomane në terrenin e tyre nga viti 1444 deri në vitin 1479, pra edhe 11 vjet pas vdekjes së kryekomandantit të tyre. Pra, plot 35 vjet. Vetëm pas rënies së Shkodrës, qytetit të fundit të rëndësishëm të pushtuar nga otomanët, ushtrive turke iu liruan duart për të ndërmarrë beteja të fuqishme në Mesdhe apo në veri të Gadishullit Ilirik drejt Evropës Qendrore. Kjo periudhë e Shekullit XV e përcaktoi edhe traditën e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe perandorisë. Edhe kur shqiptarët ishin shumicë krishtere, edhe kur u bënë shumicë myslimane, kryengritjet, mosbindjet, sfidat e tyre ndaj perandorisë Otomane nuk reshtën asnjëherë, ndonëse kryesisht të vetmuara, pa aleanca të brendshme a të jashtme, herë të tjera në aleanca fatkeqe.

Në kapërcyell të Shekujve XVII-XVIII shqiptarët patën pashallëqe të cilat ishin në njëfarë mënyre shtetet e para që iu shkëputën në një periudhë të konsiderueshme pushtetit të Portës së Lartë. Pashallëku i Madh i Janinës (1787-1822) u shtri gati në gjithë jugun shqiptar. Pashallëku i Beratit (1761-1810) u shtri nga Berati deri në Elbasan. Pashallëku i Madh i Shkodrës (1771-1831) u shtri nga veriperëndimi shqiptar deri në Manastir.

Ishin myslimanë të gjithë krerët shqiptarë të cilët u bënë viktima të Masakrës së Manastirit të vitit 1830, ku u vranë dhe u varën rreth 1 000 veta dhe rreth 500 të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm.

Pjesë të tëra të hapësirës shqiptare nuk u qeverisën asnjëherë nga Perandoria, por u vetëqeverisën mbi bazën e kanuneve të tyre shqiptare.

Si rezultat, gjatë pushtimit disashekullor otoman, arriti të ruhet e pacënuar substanca shqiptare, gjuha, gjaku, familja, marrëdhëniet ndërnjerëzore, ndërfamiljare, ndërkrahinore, ndërfetare, u forcuan institucionet e besës, bujarisë, mikpritjes e tjerë. Mbi të gjitha, Kodi i Familjes mbeti krejtësisht shqiptar.

Shqiptarët nga kjo perandori dolën me tri praktika fetare. Ata do të ishin të vetmit në ish Perandorinë Bizantine dhe atë Otomane që ruajtën edhe praktikën fetare katolike, pra, edhe përmasën e tyre perëndimore gati dymijëvjeçare.

Shqiptarët trashëguan nga Perandoria Otomane një prapambetje të madhe. Të gjithë popujt dhe kombet e perandorisë, edhe vetë turqit, trashëguan një prapambetje të madhe. Por shqiptarët, krahasuar me fqinjët, të cilët u nxuarën nga aleatët e tyre shumë më herët nga zgjedha turke, trashëguan një prapambetje të gjithanshme.

Skënderbeu në kuadrin e doktrinës sonë kombëtare mund të jetë vetëm frymëzues i bashkimit të shqiptarëve. Ai nuk i përket vetëm vendlindjes së tij, nuk i përket vetëm krahinës së prejardhjes së familjes së tij, nuk i përket vetëm një praktike fetare të caktuar, ai është i përbashkëti kryesor i shqiptarëve në të gjitha këto përkatësi. Asnjë figurë tjetër në themel të kombeve të mëdha nuk i përmban ato të dhëna e ato të tipare që ka Skënderbeu, duke u shndërruar përfundimisht në përcaktues të fatit të atdheut dhe të kombit të vet. Rilindja Kombëtare Shqiptare, brezi gjenial intelekual që ndërtoi vizionin e saj, mu për këtë arsye u mbështet tek Skënderbeu, tek trashëgimia e tij luftarake fitimtare për ta bërë Shqipërinë dhe për t’i bërë shqiptarët.

Jeronim De Rada, i pari, e personifikonte Skënderbeun me shekullin e tij, me shekullin e shqiptarëve, kur shkruante poemën e famshme epike ‘Skënderbeu i pafat’ (Skanderbegu i pafanë). Shekulli i Madh i shqiptarëve ishte Shekulli i Pafat i shqiptarëve. Rilindasit deshën që Shekullin e Skënderbeut ta rikthenin qindra vjet më vonë. Shpresa e vizionarëve të mëdhenj të kombit u mbajt e gjallë se, në mos Shekulli XIX, patjetër Shekulli XX do të ishte Shekulli i Shqiptarëve. Naim Frashëri tek “Historia e Skënderbeut” e shikon atë si shpëtimtarin e mëmëdheut. Faik Konica kur risillte flamurin e Skënderbeut këtë shpresonte. Fan Noli kur shkruante poezinë për flamurin e Skënderbeut si pajtues i Islamit me Krishterimin, këtë donte. Kadare, kur thotë “një emër Gjergj e kish si Diellin,/tjetrin si Hënën, Skënderbe”, këtë do.

 

Folklorizimi i figurës së Skënderbeut

 

Diktatura komuniste u përpoq të manipulonte me figurën e Skënderbeut dhe të epokës së Skënderbeut. Sipas këtij manipulimi, shqiptarët po i rijetonin këtë figurë dhe këtë epokë tek udhëheqësi i tyre komunist dhe tek “epoka” komuniste, si një shembull tjetër i përkryer i qëndresës ndaj supërfuqive të kohës. Falë dëshirës për të mitizuar Enver Hoxhën dhe “epokën e tij”, famtirësisht, u investua për ta ndriçuar deri diku figurën dhe epokën e Skënderbeut. Dhe shkenca jonë pati disa arritje në këtë drejtim, sado që ishin të kufizuara për shkak të rrethanave të vetizolimit të vendit edhe në rrafshin shkencor.

Edhe më herët figura e Skënderbeut dhe epoka e tij ishin manipuluar, por komunizmi e shndërroi këtë në manipulim ideologjik. Dhe kjo solli edhe foklorizimin e tyre të tepëruar.

Gjatë komunizmit Skënderbeu nuk mund të ishte frymëzues i bashkimit dhe unitetit ndërshqiptar. Lufta e klasave ishte mjeti i kundërt i skënderbeizmit, ishte përçarje mes shqiptarëve të të gjitha përkatësive.

Folklorizmi përçarës vazhdon edhe në fushatat e pandërprera të pasmonizmit, tashmë edhe me mjete të tjera ideologjike.

Kryesuesit e fushatave orvaten ta shndërrojnë Skënderbeun në tabû për një palë të caktuar të shqiptarëve, sipas tyre, jo të denjë dhe në thelb papajtues me Skënderbeun dhe çfarë përfaqëson ai.

Sipas tyre, meqë turqit paskan një ndjenjë të caktuar për Skënderbeun, edhe myslimanët shqiptarë nuk ka si të mos e kenë të njëjtën ndjenjë për Skënderbeun.

Kjo logjikë do të sillte përfundimin tjetër të gabuar se meqë fqinjët tanë kanë një ndenjë të caktuar për Skënderbeun, edhe shqiptarët e tjerë nuk ka si të mos e kenë të njëjtën ndjenjë për Skënderbeun.

Skënderbeu, në asnjë mënyrë, nuk ka pse të shërbejë si mjet pengues në marrëdhëniet me vendet e tjera.

Turqia moderne nuk e ka shikuar dhe nuk e shikon Skënderbeun si pengesë në marrëdhëniet me shqiptarët. Asnjë bashkëbisedues i niveleve të larta turke, në komunikimet përkatëse me shqiptarët, nuk e ka shprehur ndonjëherë këtë lloj paragjykimi. Marrëdhëniet e mira me Turqinë mund të shërbejnë për të ndriçuar më tej Skënderbeun dhe epokën e tij nëpërmjet arkivave të vendit mik.

Natyrisht, Skënderbeu është një temë e arsyeshme e parapëlqyer në bisedat me zyrtarë ndërkombëtarë. Do pranuar sot, megjithatë, se shpesh në përfytyrimet e tyre, edhe më dashamiret, heroi ynë është njëfarë Vilhelm Teli shqiptar, njëfarë Til Ulenshpigeli shqiptar apo njëfarë Robin Hudi shqiptar. Por heroi ynë nuk është një harkëtar i vetmuar, nuk është një kalorës aventurash, nuk është një bamirës gojëdhënash. Është një ndër gjeneralët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, është një epokë nga më të lavdishmet e të gjitha kohërave, mishërim i heroizmit të njërit prej popujve dhe kombeve evropianë më të hershëm dhe më të martirizuar.

Jehona e veprës heroike të Skënderbeut, siç përmendet në Fjalorin Enciklopedik Britanik, daton nga viti 1450. Figura e Skënderbeut u bë frymëzuese në Evropë për t’i dhënë përgjigje kërcënimit që përbënte kjo perandori për të. Historianë, shkrimtarë, kompozitorë, piktorë të mëdhenj ua kujtuan elitave të vendeve të tyre në Perëndim shembullin e Skënderbeut.

Bajroni ishte i pari që ia rikujtonte Perëndimit modern, ua rikujtonte edhe shqiptarëve figurën frymëzuese të Skënderbeut, ua kujtonte se Shqipëria është vendi ku lindi Skënderi, po edhe Skënderi i dikurshëm, Aleksandri i Madh. Kjo ndodhte në fillim të Shekullit XIX, pikërisht në vitet 1808-1812, kur botohej poema “Childe Harold’s Pilgrimage”, Udhëtimet e djaloshit Harold. Në frymën romantike do ta sillte në qendër të saj këtë figurë edhe letërsia shqiptare e Rilindjes Kombëtare. Kujtesa evropiane, megjithatë, e mori në mënyrën më të mbrapshtë të mundshme porosinë e historisë. Ajo vendosi që atdheu i Skënderbeut, vendi i Shqiponjave, kombi i pasardhësve të Skënderbeut të copëtoheshin pa mëshirë për hir të urive imperialiste të fqinjve tanë.

Riaktualizimi gjoja “antineo-otoman” i Skënderbeut në ditët tona

Pas shpartallimit të Perandorisë Otomane edhe jehona e figurës dhe veprës së Skënderbeut do të largoheshin disi nga vëmendja e politikës në Perëndim. Figura e tij, epoka e tij, historia e atdheut dhe e kombit shqiptar do të lexoheshin në syzet e fqinjve tanë. Nuk do të shpërbleheshin për meritat e tyre, për flijimin e tyre në dobi të Evropës dhe në dëmin e vetes, por si mbartës të një mëkati në të vërtetë të paqenë.

Në ditët e sotme, në kuadrin e gjoja rritjes së ndjeshmërisë ndaj shfaqjes së “neo-otomanizmit” në Turqi, siç konsiderohet ndikimi në rritje i këtij vendi në hapësirat e dikurshme të perandorisë, para së gjithash në Ballkan, përfshirë dhe hapësirat shqiptare, po përjetojmë një riaktualizim të mbrapshtë të figurës së Skënderbeut, në kundërvënie të plotë me epokën e tij, me simbolikën e tij. Është një riaktualizim folklorik që synon ta shndërrojë Skënderbeun në një nga mjetet e përçarjes së shumëfishtë të shqiptarëve në bazë të përkatësive dhe nënpërkatësive të tyre gjeografike, natyrore, ideologjike, shpirtërore e tjerë. Kjo gjoja i intereson integrimit të shqiptarëve në Perëndim, iu intereson aleatëve tanë Perëndimorë. Sipas tyre, futja e kësaj fryme tek shqiptarët do t’i rreshtojë ata në zbrapsjen e ndikimit të sotëm “neo-otoman”, madje, edhe më larg, edhe shumë më larg se kaq. Në fakt, kjo frymë iu intereson të gjithë atyre që duan t’i marrin fajet dhe mëkatet nga sa më larg, gjeografikisht apo historikisht, për t’ua vënë në kurriz shqiptarëve. Kjo iu intereson armiqve të shqiptarëve, por kurrsesi miqve apo aleatëve të shqiptarëve.

Si ata që, nga gjoja pozitat e mbrojtësve të zjarrtë të myslimanizmit, e sulmojnë Skënderbeun, si ata që, nga pozitat e gjoja mbrojtësve të zjarrtë të Skënderbeut, i sulmojnë myslimanët shqiptarë, në fakt janë në pozita antishqiptare. Një ndër të përbashkëtat e tyre është injoranca që ata manifestojnë ndaj temave përkatëse.

Këto fushata, pa dyshim, financohen haptas nga fondacione të ndryshme, por edhe fshehtas nga burime të tjera të ndryshme.

Është shumë e qartë se të gjithë këta ua lexojnë edhe nëpër duar, pra jo vetëm nëpër biblioteka, letrat fqinjëve tanë, Akademive të tyre të Shkencave, Institucioneve të tyre shpirtërore, të cilat, ia mohojnë heroit tonë edhe identitetin e përbashkët me ne.

Nëse vizioni dhe misioni i Rlindjes sonë Kombëtare, siç e përmenda më lart, ishte bërja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, misioni dhe deliri i lëvizjes së sotme anti-Rilindje është zhbërja e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe dihet se kujt i leverdis më shumë e kujt më pak ky mision dhe ky delir.

Me një fjalë, skënderbeizmi që sot po manifestojmë ne shqiptarët është fallso, është i rremë, i pasinqertë.

Më 28 nëntor 2017, fillon Viti i Skënderbeut, i shpallur këto ditë në Tiranë. 550 vjetori i vdekjes së Heroit tonë më të shquar e më të lavdishëm Kombëtar, do pranuar, e gjen kombin tonë pa një vizion zyrtar ndaj figurës dhe epokës së tij, ndaj vazhdimësisë së idealeve të tij. Një vizion zyrtar nuk mund të ndërtohet mbi këtë mentalitet që sundon në politikën tonë zyrtare. Ai mund të ndërtohet vetëm nga mendjet vizionare të çliruara nga komplekset e trashëguara të inferioritetit ndaj historiografive antishqiptare.

Skënderbeu nuk mund të vihet në dritë të plotë duke zhytur në muzg pasardhësit e tij, duke njollosur pasardhësit e tij mbi paragjykime të huazuara prej faktorëve antishqiptarë. Skënderbeu nuk mund të lartësohet duke përgjithësuar raste e dukuri të shkëputura në dëm të bashkësisë së caktuar. Skënderbeu dhe kombi shqiptar janë të pandashëm. Ose triumfojnë bashkë, ose fundosen bashkë.

Atje ku mungon shteti ligjor, atje ku mungon sundimi i ligjit, edhe vlera më e pashembullt dhe më origjinale e kombi tonë, harmonia fetare midis tri praktikave fetare të monoteizmit (besimi në një Zot të vetëm), mund të vihen nën goditje, mund të marrin tronditjen që nuk e morën as gjatë periudhës së ateizmit tonë, të kurorëzuar 50 vjet më parë, në vitin 1967.

Viti i Skënderbeut, nuk mund të ndreqë gjithçka, por mund të jetë vendimtar për ta sjellë Skënderbeun në një dritë sa më të plotë të kohës së sotme. Kjo mund të realizohet duke e sjellë në një dritë sa më të plotë bashkëkohore edhe epokën e tij, gjeneralët e tij, bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e tjerë të tyre, gjithë kohën e tij dhe të shqiptarëve.

Vetëm nëpërmjet ndriçimit sa më të plotë e sa më të drejtë të epokës së tij dhe vazhdimësisë së saj gjatë gjthë ekzistencës së Perandorisë Otomane, figura e Skënderbeut do të mund të mbushet me indet dhe me nervat, të cilat i mungojnë në historiografinë e derisotme, në përfytyrimin dhe në vlerësimin real ndaj tij.

Vetëm nëpërmjet imponimit të optikës sonë në leximin dhe kuptimin e historisë sonë e jo nëpërmjet interpretimeve të fqinjëve tanë, ne mund të arrijmë të vëmë në dritë të plotë e të pashtrembërueshme të vërtetën tonë kombëtare.

Dhe kështu do të bëhet realitet profecia rilindase dhe Shekulli XXI do të jetë vërtet Shekulli i shqiptarëve.

Please follow and like us: