Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet gabimisht në vend të një tjetri
Ai kishte një pamje të jashtme shumë të ngjashme me vrasësin, mbante të njëjtin emër me të dhe ishte pranë skenës së krimit në orën fatale: Carlos DeLuna e pagoi çmimin final dhe u ekzekutua gabimisht në vend të dikujt tjetër në Teksas, në vitin 1989, zbulon një raport i zbardhur së fundmi.
Me gjithë numrin e madh të personave me emrin Carlos në Teksas, DeLuna u dënua me vdekje dhe u ekzekutua vetëm në bazë të informacioneve të dhëna nga një dëshmitar okular, pavarësisht se ishin një sërë shenjash dhe provash që dëshmonin se ai nuk ishte fajtori, thotë profesori i drejtësisë, James Liebman. Liebman dhe pesë nga studentët e tij në Fakultetin e Drejtësisë në Columbia, u morën për gati pesë vjet duke hulumtuar mbi detajet e një çështjeje, që sipas profesorit është “simbol i dështimit të sistemit të drejtësisë”.
DeLuna, 27 vjeç, u dënua me vdekje dhe më pas u ekzekutua, pasi “një hetim të paplotë, i cili padyshim ishte i gjithi një dështim”, thotë Liebman.
DeLuna u akuzua për një ngjarje të ndodhur në vitin 1983, kur një nënë e re ishte vrarë me thikë në një stacion gazi në periferi të Teksasit, ku ajo punonte. 40 minuta pas ngjarjes, Carlos ishte arrestuar i akuzuar për vrasjen, duke u mbështetur vetëm nga informacionet e një dëshmitari okular, i cili kishte pohuar se kishte parë një mashkull hispanik që kishte veshur këmishë të bardhë dhe mbante mustaqe, të vraponte në vendin e ngjarjes. Edhe pse vet të dhënat e dëshmitarit ishin shpesh kontradiktore, kaq u mjaftoi autoriteteve të arrestonin Carlos DeLuna, i cili kalonte në atë kohë në zonën ku ndodhi ngjarja.
“Pas gjykimit nxituar DeLuna u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në 1989. Ndërkohë, vrasësi i vërtetë i gruas së re, Carlos Hernandez, i cili ishte arrestuar pasi kishte vrarë një tjetër grua me të njëjtën thikë, deri ditën kur vdiq në burg nga një sëmundje e mëlçisë, në mënyrë të përsëritur kishte pranuar vrasjen e gruas për të cilën u ekzekutua një person i pafajshëm”, – thotë Liebman.