Albspirit

Media/News/Publishing

Veton Surroi: Vendimet strategjike të Thaçit

Si kontribuoi Kosova në Harvard dhe ENA me konceptin administrativ të quajtur “moucatteque”?

1.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të themelohen gjatë këtij viti dhe askush nuk do të mundë ta pengojë qoftë ndonjë faktor brenda apo nga faktorët jashtë Kosovës”, qe i vendosur Hashim Thaçi në qershor të këtij viti. Tre muaj më herët kishte befasuar çdokënd me një projektligj për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Në momentin kur nuk e priste kush, të mësuar se pa SHBA-në nuk mund të bëhej një lëvizje kaq e rëndësishme sikur është themelimi i Ushtrisë së Kosovës, Hashim Thaçi nxori kartën e tij brilante, Projektligjin. Atë e morën në duar ekspertë të NATO-s në Bruksel dhe u mahnitën. Ishte një projektligj i veçuar që përfshinte që të gjitha, mandej edhe thirrjen “ndal!” që duhej ta bënte roja e objekteve ushtarake kur dikush i afrohet rrethojës.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, përfshirë edhe ato që nuk e kanë njohur Kosovën, e thirrën Hashim Thaçin për t’i uruar. Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg u nis për në Prishtinë personalisht për të shprehur kënaqësi me iniciativën për Projektligjin për FAK-un. “Ky është një shembull se si një vend i vogël si Kosova ndërton partneritet me NATO-n, pa pritur ndonjë sinjal e konsultime paraprake. Në shekullin XXI ka më pak nevojë për konsultime, e më shumë veprime si ky i presidentit Thaçi që të marrë vendime krye më vete”.

2.

Hashim Thaçi dinte se vetëm kështu, kokë më vete, mund të bëhen gjërat. E kishte mësuar në Rambouillet, kur u tha anëtarëve të Delegacionit të Kosovës, se po gabonin duke dashur ta nënshkruanin Marrëveshjen, se me këtë fëmijët e tyre do ta mësonin anglishten. Ai refuzoi ta nënshkruante, duke u shpjeguar të gjithëve, përfshirë edhe ambasadorin Hill, se SHBA-ja në të vërtetë ka ndërmend që Rambouillet të dështojë në mënyrë që të shënohet dështimi në Francë e të organizohet një konferencë tjetër në Dayton.

Amerikanët e dëgjuan Hashim Thaçin. E bombarduan Serbinë, duke parë se Kosova nuk po nënshkruan.

Dhe e dëgjuan sërish pas çlirimit. Ai tha që duhej pasur moratorium për statusin e Kosovës; amerikanët e kuptuan se duhej ta bënin pavarësinë, meqë kosovarët e prirë nga Hashim Thaçi nuk po e donin.

Porositë duhej t’i dëgjonin edhe evropianët. Amerikanë e evropianë së bashku do të gdhijnë më 2011 me shpalljen e Hashim Thaçit se Kosova do të bëhej anëtare e NATO-s brenda një viti, ndërsa qytetarët e saj do të udhëtojnë pa viza brenda 15 muajsh.

Së bashku me Islandën, deri në themelim të FAK-ut, Kosova u bë shtet anëtar i NATO-s pa ushtri. Dyqind mijë kosovarë të shpërndarë në Evropë, e me punë të gjetur, pas liberalizimit të vizave, u dërgonin para familjeve, Partisë dhe ndonjë dhuratë Hashim Thaçit që u mundësoi të fillonin një jetë të re. Dimër pas dimri do të shikonin xhirimet televizive të sirianëve e afganëve që përpiqeshin të hynin në BE kah kufiri serb-hungarez dhe do ta shpallnin veten të lumtur me fatin që patën.

Dhe, sikur amerikanët e evropianët, edhe kosovarët e Serbia duhej t’i dëgjonin porositë e Hashim Thaçit, kur shpalli se do të marrë pjesë në dialogun e Brukselit. Në të, që në ditën e parë Serbia pranoi insistimin e Thaçit që po zhvillohen negociatat mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në pajtim të plotë me mendimin e GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Në fund të këtyre negociatave Serbia gdhiu edhe me një kufi të NATO-s: pas Hungarisë, Rumanisë e Malit të Zi kufi i ri i NATO-s ishte në Merdar e Zubin- Potok.

3.

Kosova hyri si shembull në fakultetet e njohura për administrim publik. Në mungesë të përkthimit, shprehja shqipe “m’u ka tekë” u bë koncepti moucatteque – emër për vendimet e befta dhe të pakonsultuara që i merr lideri e që shpien përpara.

Studiues nga Harvardi dhe shkolla prestigjioze ENA nga Parisi, që formuluan së bashku konceptin “moucatteque”, analizuan vendimet e Hashim Thaçit që dy miliardë euro të parave publike t’i investojë në autostrada. Sikur vendimet në Rambouillet, për hyrje në NATO, liberalizim të vizave, edhe vendimet për autostradë ishin të marra me guximin e liderit që kujtdo që pyet për arsyen e vendimit i thotë, në fund, “se m’u ka tekë”.

Njëri prej studiuesve, që u angazhua më vonë edhe për shkrimin e biografisë së Thaçit, shpjegoi se “moucatteque” krijon efekte pozitive në një shoqëri edhe atëherë kur perceptimi është negativ. Si shembull ai mori korrupsionin: nëse 30 për qind e kontratave të autostradave janë korruptuese, atëherë kjo i bie që 600 milionë euro janë në dispozicion për riinvestim, e këto më së lehti mund të shihen në vrullin e ndërtimeve të objekteve banesore e komerciale.

4.

Qe e kuptueshme, pra, që të premten e fundit, para festës së Krishtlindjes, Hashim Thaçi të ndërmerrte iniciativën, së bashku me dy kryetarët e koalicionit qeverisës, që Kuvendi i Kosovës brenda pasdites të anulonte Ligjin e Gjykatës Speciale, të cilin ai e kishte sjellë në Kuvend para dy vjetësh duke kërkuar veç e veç prej deputetëve ta votonin.

Hashim Thaçi i mblodhi dhe u shpjegoi ambasadorëve të vendeve të Quintit se ua dinte hallet. Dinte se shtetet e tyre ballafaqohen me sfida serioze: Amerika me vitin e parë të qeverisjes së presidentit Trump, Britania me Brexitin, Franca me islamin radikal, Gjermania me mungesën e Qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare, Italia me krizën e refugjatëve afrikanë… Dhe se ai kishte ndërmarrë hapin që do t’i çlironte ata edhe prej një brenge. Kosova nuk do të kishte më ligj për Gjykatë Speciale, por do ta mbante në Kushtetutë, dhe kështu vendi do të ishte bashkëpunues me Këshillin e Evropës, i cili kërkoi që të themelohet kjo Gjykatë, por njëkohësisht që ajo të mos jetë funksionale. Meqë funksionimi i Gjykatës është i paraparë me Kushtetutë, Hashim Thaçi shpjegoi se lëndët e prokurorëve Williamson e Schwendiman duhej t’i dorëzoheshin Prokurorisë së Përgjithshme të Kosovës, ndërsa gjykimet do t’i bënte seksioni i veçantë i Gjykatës, i cili merret me anëtarët e Vetëvendosjes.

5.

Më 1 janar të vitit 2018, Hashim Thaçi do të deklarojë se e çliroi vendin dhe e pavarësoi, siguroi njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB, qytetarëve të vet u dha lëvizje të lirë në BE, e anëtarësoi vendin në NATO dhe më 2018 edhe në BE – ashtu siç e meriton një shtet i cili merret si shembull i administrimit të mirë, rritjes marramendëse ekonomike dhe sundimit të ligjit.

Disa prej ambasadorëve e pyetën se a ishte i gatshëm ta eksportonte këtë model, duke udhëtuar personalisht jashtë vendit për një kohë./Koha.net

Please follow and like us: