Albspirit

Media/News/Publishing

Isa Myzyraj: Marrëveshja me Greqinë dhe e drejta ndërkombëtare e detit

 

 

Një deklaratë e Ministrit të Jashtëm grek Kotzias në lidhje me marrëveshjen e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë nxiti mjaft reagime të menjëhershme tek qytetarët shqiptarë.

Ajo që ja vlen të theksohet është reagimi shumë i shpejtë i qytetarëve shqiptarë, ndoshta edhe pa pasur informacionin e nevojshëm në lidhje me këtë marrëveshje.

Të drejtën ndërkombëtare publike, dhe të drejtën ndërkombëtare të detit, unë e kam mësuar që në Universitet, por për shkak të rikthimit të kësaj ҫështje, edhe mua mu desh që t’i rikthehem edhe një herë kapitujve për të drejtën e detit, dhe të shikoja se ҫfarë thotë Konventa e Montego Bay në lidhje me këtë problem mjaft të komplikuar për Shqipërinë.

Në të drejtën ndërkombëtare një ndër disiplinat më të vështira, është e drejta detit, dhe reagimi kaq i shpejtë i shqiptarëve më bën të mendoj se shumë nga ta u revoltuan jo nga njohja e kësaj të drejte, por që dikush doli dhe tha “Shqipëria do i falë detin Greqisë”.

Por, ҫfarë thotë Konventa e OKB mbi detin e njohur ndryshe si Konventa e Montego Bay, e ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me 23 qershor 2003.

Në fillim ҫdokush që merr përsipër të flasë për një ҫështje kaq komplekse dhe të vështirë, duhet të dijë disa koncepte bazë, duhet të dimë se ҫfarë është deti territorial, që sipas konventës:

Deti territorial është pjesa  detit që shtrihet paralelisht gjatë brigjeve  të një shteti, është rripi ujor pranë bregdetit, në të cilin shteti bregdetar ka të drejtë të ushtrojë sovranitetin e tij, dhe këto pjesë konsideron si hapësira territorial të padiskutueshme të një shteti.

Por, ajo që është bërë objekt diskutimi të gjatë në vendin tonë, është pikërisht gjerësia e detit territorial, që është distance midis kufirit të brendshëm dhe kufirit të jashtëm të këtij deti. Vija e kufirit të brendshëm përcaktohet nga vetë shteti në varësi të karakterit topografik të bregdetit të tij, por duke u nënshtruar në parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Gjithashtu, sipas të drejtës ndërkombëtare ekziston edhe zona fqinjë ose zona e puqur, që është ajo zonë e detit të lirë që shtrihet jashtë ujërave territorial në drejtim të detit të hapur me një largësi të caktuar, në të cilën shteti bregdetar mund të ushtrojë një kontroll të domosdoshëm për të parandaluar shkeljen e e rregullave të tij të mbrojtjes doganore, fiskale, mjedisore dhe sanitare.

Zonat  e tilla vendosen me ligje të brendshme të shtetit ose me marrëveshje mes shteteve. Por nuk duhet ngatërruar koncepti, pasi zona e puqur nuk është pjesë e territorit të shtetit bregdetar, por është pjesë e Zonës Ekonomike Ekskluzive.

Konventa e OKB, ka argumentuar se kjo pjesë është pjesë e Zonës Ekonomike Ekskluzive pasi kjo pjesë është jashtë vijës territorial, dhe është jashtë pushtetit sovran të shtetit bregdetar, dhe sa më sipër del që, shtetet e tjera kanë të drejtë të lundrojnë të lirë me të gjitha anijet, qofshin këto tregtare, private, shtetërore apo luftarake, por, nëse shteti bregdetar dyshon në sigurinë e këtyre anijeve ka të drejtë të kontrollit të të gjithë dokumentacionit të anijeve.

Duket se problem kryesor që ka Shqipëria me Greqinë është edhe Zona Ekonomike Ekskluzive, një zonë kjo mjaft e rëndësishme për shtetin shqiptar ashtu dhe për shtetin grek.

ZEE është hapësira që gjendet jashtë detit territorial dhe përbri tij, dhe i nënshtrohet një regjimi juridik të posaҫëm. ZEE fillon të matet nga vija bazë detare e shtetit, duke ecur në drejtim të detit.

ZEE sipas konventës, përcaktohet si hapësira përtej dhe pranë detit territorial por, që nuk i kalon 200 milje detare.

ZEE është pjesë e detit të hapur, dhe të gjitha shtetet kanë lirinë e lundrimit, e fluturimit mbi të, e vendosjes së kabllove dhe tubacioneve nënujore, si dhe përdorimin e tij në përputhje me regjimin e detit të hapur.

Por, si përcaktohen kufiri  detarë?

Sipas Konventës së Montego Bay, konsiderohen si pjesë të mirëfillta të territorit bregdetar, ujërat e brendshme dhe deti territorial deri në 12 milje detare nga vija bazë, hapësira ajrore mbi to, dhe shtrati i detit dhe nëntoka e tyre. Në këto hapësira zbatohet legjislacioni i brendshëm.

Ndërsa, në hapësirat e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive, shteti ushtron të drejtën sovrane vetëm përsa i përket përdorimit, dhe shfrytëzimit ekskluziv me qëllime ekonomike, kërkim shkencor dhe mbrojtjen e tyre.

Ajo që ka pasur gjithmonë diskutime në botë e së fundmi në Greqi e Shqipëri, është gjerësia territoriale e një shteti.

Debatet ndërkombëtare kanë vazhduar deri në fund të shekullit XX, dhe shkak për këtë debat janë bërë fuqitë e mëdha detare që kërkonin që shtetet të kishin një gjerësi të detit territorial jo më shumë se tre milje detare, por pjesa tjetër kërkonin që kjo gjerësi të ishte 12 milje.

E para që e pranoj gjerësinë 12 milje ishte Franca në vitin 1971 ndërsa SHBA e pranoi në vitin 1988.

Sipas konventës së Montego Bay, norma që e përcakton gjerësinë e detit territorial deri në 12 milje, është një normë e pranuar tanimë nga të gjithë. Por, kjo gjë duhet kuptuar si një shtrirje maksimale që mundë të arrijë deti territorial, por nuk është aspak e detyrueshme.
Shtetet kanë të drejtë të vendosin që të zotërojnë një hapësirë më të vogël territoriale, por në disa raste kjo gjerësi prej 12 miljesh është praktikisht e pamundur që të arrihet, për shkak të hapësirës së vogël detare midis brigjeve të dy shteteve të ndryshme.
Një rast i tillë është edhe, Kanali i Korfuzit, ku as Shqipëria e as Greqia nuk mund të ҫojnë gjerësinë territoriale detare, 12 milje.
Në një rast të tillë kufiri mund të përcaktohet, në bazë të dy parimeve:

Parimi i EKUIDISTANCËS , duke përcaktuar vijën medine e cila duhet të kuptohet si vija që, shënon largësinë e barabartë mes dy brigjeve.
Parimi i EKITESË, që përveҫ distancës duhet llogaritur edhe prania e ishujve, kanali kryesor i lundrueshëm etj.

Për njohuritë që unë kam marrë gjatë formimit tim, dhe sigurisht duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare, marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë, nuk është një marrëveshje vetëm për zgjerim të hapësirave, por është marrëveshje me pretendime ekonomike të mëdha, kjo për shkak të Zonës Ekonomike Ekskluzive që tanimë do të shfrytëzohet nga dy vendet.

Sigurisht, zgjerimi me 12 milje i hapësirës greke përbën një shkelje të konventës, sepse është parashikuar qartë se mes dy shteteve me distancë të vogël detare, nuk mund të përdoret parimi i 12 miljeve detare. Dritare.net

Please follow and like us: