Albspirit

Media/News/Publishing

Jordan Jorgji: Mbi qasjen e Greqisë në negociatat me Maqedoninë

Rritja e kontakteve diplomatike kohët e fundit midis Athinës nga njëra anë dhe Shkupit e Tiranës nga ana tjetër mund të sjellin këtë vit mbylljen e një sërë problemesh dypalëshe, të cilat përbëjnë prej shumë kohësh kratere të heshtura tensioni në Ballkan. Problemi kryesor me karakter rajonal është ai i emrit të IRJ të Maqedonisë dhe si rezultat marrëdhëniet e saj me aktorë globalë, si Bashkimi Evropian, OKB dhe NATO. Nëse do të analizojmë politikën e jashtme greke në çështjen e emrit nevojitet të veçohen të paktën katër kolona kryesore.

Kolona e parë lidhet me kontekstin historik të cilit grekët i mëshojnë më së shumti. Për ta Maqedonia e antikitetit përbën pjesë të pandarë e themelore të civilizimit grek, me kulminacion periudhën e Aleksandrit të Madh. Ardhja dhe shkrirja e Perandorisë Osmane shekuj më vonë, ndikoi në “ndarjen” e krahinës së Maqedonisë antike në tre vilajete kryesore, atij të Selanikut, të Monastirit dhe të Kosovës. Ky proces vazhdoi më tej me krijimin dhe konsolidimin e shteteve-kombe në shekullin e 19-të dhe 20-të, ku molla e ndaluar u bë themelimi i Republikës Popullore të Maqedonisë në vitin 1945 si një nga gjashtë republikat federale të Jugosllavisë. Si rrjedhojë, ndërtimi i identitetit kombëtar të këtij vendi gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, por edhe pas saj, forcoi ndërgjegjen kolektive të banorëve në lidhje me pjesën e tyre të historisë, ku kjo e fundit vendosej tashme përballë antikitetit të referuar nga Grekët

Kolona e dytë është rezultat i kontributit akademik që ka dhënë inteligjenca tek të dyja vendet. Nëse në Shkup pedagogët i kanë mëshuar ndërtimit të identitetit kombëtar, ose nën-kombëtar në rastin e Jugosllavisë, në vendin fqinj ekzistonte një situatë tjetër për një periudhë pothuajse dyshekullore. Kështu, kryesisht gjatë shekullit të 19-të dhe atij të 20-të Grekët i kundërviheshin identitetit bullgar si “armiku” kryesor dhe irredentist që kërkonte të shtrihej deri në brigjet e Selanikut. Vetëm pas viteve 1990 dhe kryesisht pas hyrjes së Bullgarisë në Bashkimin Evropian shënjestra e inteligjencës greke u zhvendos nga Bullgaria tek ajo që njihet sot si IRJ e Maqedonisë.

Kolona e tretë përbëhet nga retorika politike. Qeverisja dhjetëvjeçare e Nikola Gruevskit në Shkup kombinoi retorikën e politikës së brendshme nga njëra anë me mitizimin e Maqedonisë antike si pjesë e identitetit kolektiv të këtij vendi nga ana tjetër. Kështu, pamë vendosjen e emrit dhe figurës së Aleksandrit të Madh në aeroportin e Shkupit, por edhe mbushjen e shesheve me statuja dhe emra rrugësh.

Përdorimi i mitit në politikën e brendshme duket se po ndryshon sot tek lidershipi i ri dhe kjo vihet re në gatishmërinë që po tregon kryeministri Zoran Zaev për uljen e karakterit nacionalist të politikës së brendshme në favor të negociatave me Greqinë, ndonëse me koston e dobësimit të popullaritetit të tij tek votuesit. Nga ana tjetër e kufirit, politika greke e ka më të vështirë ndërmarrjen e hapave politikë që prekin identitetin e opinionit publik grek, sepse ky i fundit në pjesën më të madhe të tij vazhdon ti mëshojë historisë së antikitetit dhe nuk pranon të përditësohet me realitetin që ekziston aktualisht. Manifestimet gjigante të Grekëve në Selanik dhe Athinë, edhe pse indirekt shprehin pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisjes dhe masave shtrënguese financiare, nuk ndihmojnë në kapërcimin e problemeve të vjetra në rajon dhe paralelisht mund t’i hedhin benzinë nacionalizmit të vendeve të tjera të Ballkanit. Ngatërrimi i politikës së jashtme me atë të brendshme e komplikon akoma më shumë çështjen e emrit dhe negociatat dypalëshe.

Kolona e katërt dhe me një rëndësi primare në analizë lidhet me koniukturat globale dhe ato që vihen re në rajonin e Ballkanit e Mesdheut. Dobësia e brendshme që po tregon sot Bashkimi Evropian po i lë vendin ndikimit të forcave të tjera në Ballkan, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina. Destabiliteti i Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe mungesa e shtetit të së drejtës në Shqipëri, shihet nga Athina si shqetësim për aspiratën evropiane të këtyre vendeve. Si rrjedhojë, politika e jashtme greke kërkon të mbyllë sa më parë probleme dypalëshe me Shkupin dhe Tiranën, duke e bërë më të lehtë integrimin e tyre në NATO dhe Bashkimin Evropian. Megjithatë, vonesat e mundshme në zgjidhjen e problemeve të vjetra mund të fusin në lojë aktorë të tjerë dhe për pasojë të dobësojnë lidhjet e vendeve të Ballkanit perëndimor me Brukselin. Zgjidhja e përkohshme që iu dha konfliktit të çështjes së emrit në vitin 1995 me ndërmjetësimin e diplomacisë amerikane, apo veto-ja kolektive e shtatë vendeve në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, duket se do të pasohet nga një marrëveshje e re midis Athinës dhe Shkupit. Propozimi për një emër të përbërë, me karakter gjeografik dhe “erga omnes” synohet të mbyllë një herë e mirë konfliktin e emrit, gjithmonë në kushtet e paqes dhe normalitetit në Ballkan dhe Evropë.

Please follow and like us: