Albspirit

Media/News/Publishing

Eric Faye: Stinë e mërzitshme në Olymp

Stinë e mërzitshme në Olimp
Tragjedia e Prometeut dhe e një grupi Hyjnish 

Bërthama e kësaj drame është proza e shkurtër “Prometeu”, shkruar dhe botuar në vitin 1967. Më vonë, në vitin 1990, motivi i njëjtë është shtjelluar më gjerë në prozën trilogjike me të njëjtin titull, botuar në përmbledhjen “Ëndrra mashtruese”
Drama “Stinë e mërzitshme në Olimp”, e vetmja pjesë teatrale e Kadaresë, shkruar në Paris, më 1996, realizimi i një dëshire të vjetër të autorit për të rindërtuar të plotë një nga tragjeditë e humbura greke. Tragjedia e zgjedhur është trilogjia e “Prometeut” të Eskilit, prej së cilës, pas humbjes së pjesës së parë dhe të tretë, ka mbetur vetëm e dyta “Prometeu i lidhur”.

erik-faye-e1510403666898.jpg

*Eric Faye

Në fillim, ëndrra e shkrimtarit ishte të rindërtonte trilogjinë e gjymtuar të veprës eskiliane. Interes të veçantë për të përbënte një nga figurat madhore të mitologjisë, Prometeu. Pikërisht kjo figurë e frymëzoi që më 1967-ën të shkruante një tregim “kushtuar gjithë revolucionarëve të vërtetë të botës”. Në dy faqet e këtij tregimi shohim një Promethe të braktisur, në shkëmbin e tij të Kaukazit, me shpretkën që i është ënjtur së tepërmi, ngaqë shkaba nuk vjen më ta çukitë me sqepin e saj.

Shpretka e fryrë po i zë frymën e titani gati po vdes. Por, shpendi grabitqar shfaqet më në fund dhe, bashkë me dhimbjen që i shkakton me sqep, shpëton dhe jetën e robit të tij, duke e torturuar përsëri. Më pas, del një tregim më i plotë gati dhjetë faqësh, i ndarë në tri pjesë, që, bashkë me skicën e vitit 1967, përfshin gjithçka dihet për mitin. Me këtë tekst, të përfunduar më 1990, zbulojmë frytin e gati pesëmbëdhjetë vjetëve reflektimi, që do të jetë dhe fillimi i rikonstruksionit të trilogjisë. Deri këtu jemi gjithnjë në amzën e prozës. Kalimi në pjesë teatrale do të presë edhe pesëmbëdhjetë vjet të tjerë. Ndërkohë, Kadareja do të shkruajë një parathënie të gjatë për veprat e Eskilit dhe do të përkthejë edhe “Orestia”-n e tij. Më 1996, ai i kthehet një lloji të ri të shkruari dhe, në katër muaj, kompozon të parën e, deri tani, të vetmen pjesë teatrale të tij. Ideja e të shkruarit për skenën i kishte shkuar ndër mend në vitet shtatëdhjetë, në kohën kur mendja e tij ishte pushtuar nga tema e kokave të prera. Por ky projekt kishte mbetur i pakryer dhe “Kamarja e turpit” doli në dritë në formën e një romani. “Stinë e mëzitshme në Olimp”, ky kantier i madh arkeologjik letrar, e rimerr dhe e pasuron legjendën e Prometheut, zhvillon personazhe të tjera, duke respektuar frymën e tij. Kemi kështu një materie që autori e ka mbrujtur, ndërkaq në kohën e egër të regjimit stalinist më 1967, Shqipëria shpall revolucionin e vet kulturor dhe ndalon fenë), një materie që e përpunoi gjatë po këtij regjimi vite më vonë, përpara se t’i jepte firmën përfundimtare, pas rënies së komunizmit.
Cili qe ky Promethe në anën lindore të Perdes së Hekurt? Në qoftë se lëvizjet revolucionare në luftën për pushtet shihnin tek ai çliruesin e njerëzimit, regjimet komuniste ushqenin një lloj mosbesimi ndaj tij, ngaqë ai mishëronte për ta frymën e rrebelimit. Ata do të pëlqenin, me siguri, Spartakun, i cili nuk çliron të gjithë njerëzit, por vetëm klasën e vet, atë të skllevërve. Kadareja, nga ana e tij, e mban titanin për një figurë dualiste, revolucionare dhe konservatore, njëkohësisht. Revolucionare ngaqë ai vjedh zjarrin për t’ua dhuruar njerzve; konservatore, ngaqë i kundërvihet projektit të Zeusit, që do t’i zëvendësojë ata me një rracë të re. Prometheu kërkon të mbrojë njeriun e përjetshëm dhe është kjo arsyeja që shkrimtari lidhet me këtë figurë të mitologjisë, sa kohë që ai shihte Shqipërinë që po “zhbëhej” para syve të tij dhe një njeri i ri po shfaqej. Duke ruajtur tërë përmasat, mund të themi se, sipas mënyrës së vet, shkrimtari po bënte një luftë të ngjashme me atë të titanit. Duke evokuar një Shqipëri të përjetshme, ai përgjigjej të ruante vlerat e arritura të qytetërimit të saj, ashtu sikurse duke rikonstruktuar, sipas mënyrës së vet, një trilogjie, përpiqej të restauronte një kryevepër të pasurisë intelektuale të njerëzimit. Një zgjedhje nga më koherentet në tërë veprën që ky shkrimtar ka pas vetes, në të cilën qëndrojnë pranë e pranë, madje, ndeshen me njëri-tjetrin kampi i obskurantizmit me përkrahësit e Dritës. Mjafton të përmendim këtu vetëm veç një shembull, atë të murgut Gjon te “Ura me tri harqe”, fryma promethejane e të cilit mbështetet mbi të vërtetën dhe moralin, përballë forcave të errëta, që nuk ngurojnë të mashtrojnë e të vrasin për të arritur pikësynimet e tyre.
Nuk është hera e parë në historinë e letërsisë që një autor mer për bazë materien e këtij miti. Në shekullin e dytë para Krishtit, autori latin Lucius Accius, i cili pëlqeu të imitonte tragjedinë e sivëllezërve të tij grekë, u pri, nga figura e titanit Promethe. Lucien de Samosate, në fillimet e erës sonë mori përsëri këtë figurë, por në mënyren satirike. Ndër shkrimtarët modernë, Volteri e rishqyrtoi atë te “Pandora” e tij, Calderon de la Barca te Etatuja e “Prometheut” e kështu me radhë, gjermanët e anglezët që nga Wieland te Gëte e nga Bajroni te Shelly e që prej këtij të fundit kemi një dramë me katër akte “Prometheu i çliruar”. Ajo që Kadareja i ka shtuar këtij miti është pikëshikimi politik, ajo përkohshmëri origjinale, në sajë të së cilës titani kapërcen shekujt dhe zbulon epigonin, “imituesin” e vet, këtë kodër të Jeruzalemit, vuan gjithashtu, po aq, nga ajo që ka bërë për njerëzit. Kjo përqasje nuk është diçka e re. Prometheu i Shelly-it , shikonte, ndërkaq, në larginë një njeri tek gozhdohej në kryq. Ky vizion është gjithashtu i nevojshëm për Kadarenë, Prometheu i të cilit ka veshur rrobën e avokatit të njerëzimit sa kohë që Krishti për të bën më shumë figurën e revolucionarit, që i propozon njeriut rrugën që duhet të bëjë për t’u përmirësuar. Pra rruga është e skicuar, Kadareja shpjegon parimin e një “kthimi të përjetshëm” në histori. Pjesa e tij teatrale shpaloset nga antikiteti deri në ditët tona, duke na treguar se si një mit përsëritet. Në këtë vepër me gjetje të habitshme ai përmbledh gjithë aventurën njerëzore, të parë në dritën e mitologjisë, që, nga një figurë sinkretike, lind një Promethe krishtik, dëshmitar i frymës emancipuese të të gjitha epokave e regjimeve të ndryshme. Kjo tablo përshkruhet në një përkohshmëri të dyfishtë: një kohë që kalon shpejt për njerëzit dhe një kohë që rrjedh pambarimisht ngadalë për banorët e Olympit. Kemi këtu përsëri një mënyrë veprimi kadareane, të përdorur edhe në një vepër tjetër të  tij, te “Përbindëshi” dhe në një tjetër vend të hershëm të mitologjisë: Troja dhe kampi i grekëve. Kadareja na jep këtu gjithë përmasat e lirisë së tij prej krijuesi. Ai kontrollon me kujdes të madh, jo vetëm rubinetat e rrjedhjes së kohës, por edhe tri zonat e mëdha të Perandorisë së tij krijuese: sipërfaqen tokësore, mbi të cilën Prometheu është mbërthyer dhe ku njerëzit po qytetërohen; nëntokën, vendbanimin e zotit të Ferrit, pra themelet e botës, ku është hedhur titani; dhe qiellin, përmes të cilit qarkullojnë pareshtur perënditë dhe shkabat, që shkojnë deri në lartësitë e Olympit. Por, në këtë qiell klasik është futur një nocion i ri, me një kurorë misteri, ai i një Qendre, instancë e lartë, për të cilën s’dihet asgjë, por së cilës i binden të gjithë, duke filluar nga vetë Zeusi… Është urdhri i prerë i Qendrës, që e bën atë të nxjerrë një dekret për ringjalljen e Krishtit. Është Qendra ajo që i dërgon fjalë Olympit për ta hedhur poshtë dënimin e Prometheut. Eshtë prapë ajo që thërret në mbledhje Zeusin, ashtu sikurse Moska dikur u bënte thirrje për mbledhje shefave të partive motra. Kemi, këshiu, një kat të ri në hierarkinë e fuqive superiore, diku në kozmos, si për të ngritur statusin e një vrime të humbur të një province të quajtur Tokë. Lexuesi, nga ana e tij, do të ngrejë edhe ai hamendjet e veta. Nëse Olympi ka këtu karakteristikat e “bllokut”, lagjes së dikurshme në qendër të Tiranës, rezervuar nomenklaturës, mund t’i kuturisim e t’i shohim në këtë qendër enigmatike Romën e degraduar nga komunizmi (Moskën apo Pekinin, sipas luhatjeve të politikës). Hipotezë e pagoditur, natyrisht, por që mbështetet në paralelen e vendosur këtu midis Zeusit dhe tiranëve (eseja për Eskilin, nga  kjo pikëpamje, është bindëse). Olympi ka gjithë atmosferën e komploteve, në të cilat qenë zhytur Kremlini dhe të tjerë pallate të kuq. Atje dëgjojmë të flitet për “ëndrra mashtruese”, që mund të pärkthehen me fjalën “ideologji”, dëgjojmë të flitet për helme, për internime, shkarkime nga puna dhe për Hadesin, këtë burg të errët, në të cilin është hedhur titani. Dhe gjithë kësaj i shtohet një klimë plot sekrete dhe paranojë: Zeusi do me çdo kusht të zbulojë sekretin, që kujton se vetëm Prometheu e di. Në shkëmbin ku rri i lidhur, ai i dërgon titanit emisarët e vet, për ta bërë të flasë, sa kohë që shkaba e torturon. Sipas versionit të Eskilit, Zeusi arrin të marrë vesh prej të burgosurit të  vet që ai s’duhet të martohet me Tetisin, sepse djali që do të lindë nga kjo lidhje do të komplotojë për ta rrizuar mbretin e zotave. Kadareja jep një shpjegim tjetër të sekretit: Sipas tij, Zeusi, si çdo tiran, po i bin gropën vetes. Këtë zbulim ka bërë Prometheu dhe ky është sekreti i tij.
Zeusi ndihet i kërcënuar nga një komplot dhe “çështja Promethe” para pajtimit mes atyre të  dyve, është procesi i parë politik i historisë. Edhe pse e ka pushuar luftën me zotin madhor, Prometheu prapë  nuk ndihet i qetë. Tashmë, i liruar nga prangat, ai merr pjesë në një shpërthim nuklear dhe aty e kupton se ç’ka bërë qenia njerëzore me zjarrin që ai u fali. Që nga ai çast, mendja e tij fillon të torturohet nga dyshimi, që është po kaq i dhimbshëm, sa edhe, çukitja e dikurshme e sqepit të shkabës. Fati i Prometheut ka për të qenë gjithmonë brengosja e tij për njerëzit. Ky është dhe vazhdimi i mitit të shtjelluar në “Stinë e mërzitshme në Olymp”. Cilatdo qofshin krimet dhe fajet e kryera nga njerëzimi, titani s’do të heqë dori nga roli i tij si avokat mbrojtës për ta: “… e ndjej se kurrë nga njerëzit unë s’do të ndahem. Mallkim për ta s’do të nxjerr, as klithmë pendimi”, thotë ai në monologun final. Në  fund të  fundit, ashtu si eseja për Eskilin është, pak a shumë, një pasqyrim i fatit të Kadaresë, këto mendime për Prometheun modern shkojnë drejt një refleksioni për rolin e artistit e të shkrimtarit, që, nëpërmjet veprës së vet, i jep pasqyrë njeriut të përjetshëm dhe i ruan kujtesën, përballë atyre që duan ta nënshtrojnë e ta fusin nëpër kallëpe. “Dhe mos harro, ne të kemi ngritur në Olymp, ne të rrëzojmë në humnerë”, i thotë Zeusi Prometheut në tablonë e katërt të kësaj drame. Janë pak a shumë fjalët që tha Ramiz Alia për Kadarenë, në kohën që regjimi dënoi romanin e tij “Pallati i Ëndrrave”, fjalë këto që ai i përmend në librin e tij “Pesha e kryqit”.

Ajo që i korrespondon “Prometheut të lidhur” të Eskilit është futur në tablonë e shtatë e të tetë të “Stinë e mërzitshme në Olymp”. Pjesën tjetër Kadareja e ka rikonstruktuar, duke u nisur nga tradita e trashëguar e Hesiodit me veprën e tij “Punët dhe ditët”. Shkrimtari ka ruajtur këtë variant të legjendës, në dëm të Platonit, që e ka bërë Prometheun babain e të gjitha rracave. Duke ruajtur stilin e Eskilit, ai i ka shtuar kësaj drame sensin e vet hokatar dhe anakronizmin, që, ndërkaq, e ka të pranishëm edhe te “Përbindëshi” e që kontraston me dashje me tragjiken e pastër, për të shkuar drejt “tragjedisë mahitëse”.

Është pikërisht ky stil, që bën edhe veçantinë e jashtëzakonshme të kësaj trilogjie, e cila s’është e rikonstruktuar, por, gjithashtu, e mbi të gjitha e modernizuar. 

 

‾‾*Eric Faye është shkrimtar dhe analist i njohur francez.
Please follow and like us: