Ellie Mae O’Hagan: Facebook nuk është më një lojë…
Zbulimi se Cambridge Analytica shfytëzoi të dhënat e 50 milionë profileve në Facebook për të shënjestruar votuesit amerikanë është i frikshëm. Por Cambridge Analytica nuk mund të përdoret si diversion për të neglizhuar të keqin e vërtetë në këtë histori” Facebook.
Është shumë e habitshme sesi Mark Zuckerberg ftohet të japë leksione në Harvard pa asnjë lloj skepticizmi, ndërkohë që kompania e tijrregullon fluksin e informacionit për miliona qenie njerëzore dhe monitoron ndërveprimet mes tyre.
Kemi arritur në një pikë ku një kompani private që nuk jep llogari, administron të dhëna të hollësishme për më shumë se një të katërtën e popullsisë së botës. Zuckerberg dhe kompania e tij i janë shmangur përgjegjësisë për disa kohë. Qeveritë e të gjitha vendeve duhet të bëhen serioze për mënyrën sesi duhet të merren me Facebook.
A janë Facebook dhe Twitter një platform apo publikues? Ky debat pasoi arrestimin e disa trollëve që dërgonin mesazhe kërcënuese aktivistes Caroline Criado-Perez dhe deputetes Stella Creasy.
Facebook konsiderohet thjesht si një kanal informacioni që do të thotë se nuk është përgjegjës për përmbajtjen që shpërndajnë përdoruesit e tij – në të njëjtën mënyrë siç nuk mund të nidqet penalisht Telekomi Britanik kur njerëzit kërcënojnë përmes telefonit.
Në vitin 2014, Iain MacKenzie, një zëdhënës i Facebook shprehej:
“Çdo përmbajtje në Facebook ka të të asociuar një opsion “raportimi” që ia nënshtron atë skuadrës redaktuese për rishikim. Shtuar kësaj, indivdët mund të bllokojnë këdo që po i ngacmon, me garancinë që nuk do të jenë më në gjendje që të ndërveprojnë në të ardhmen. Facebook ndalon sjelljet e këqija përmes një kombinimi të mekanizmave sociale dhe zgjidhjeve teknologjike të përshtatshme për mundësitë e nivelit masiv online”.
Por kompania nuk është e qartë për numrin e moderatorëve që ka punësuar, si punojnë ata dhe si merren vendimet. Ajo ka marrë një qëndrim më të vendosur ndaj përmbajtjes së të djathtës ekstreme, por po u reziston ende shumë përpjekjeve legjislative që synojnë rregullimin e përmbajtjes që shfaqet në të. Se çfarë përmbajtje shohin përdoruesit kjo vendoset nga një algoritëm që mund të ndryshojë pa ndonjë konsultim, përfshirë qeverinë apo biznesin që bazohen te Facebook për të ardhurat – që do të thotë se një pjesë mundet që të hiqet menjëherë nga harta. Në shkurt të vitit 2018 u raportua se një faqe e krijuar prej katër vjetësh – LittleThings – u mbyll brenda natës pasi Facebook vendosi që t’u jepte prioritet postimeve të përdoruesve përkundrejt përmbajtjes së postuar nga botuesit. U humbën 100 vende pune.
Nuk ishte vetëm Facebook shkaku i mbylljes së LittleThings, por ata që punonin në ëebsite thanë se nuk kishte zgjidhje tjetër pas ndryshimit të algoritmit. Ky nuk është shembulli i vetëm: në vitin 2013 një ndryshim në algoritëm përgjysmoi trafikun e një faqeje me përmbajtje virale Upworthy – një veprim nga i cili faqja në fjalë nuk rikuperoi dot më.
Ndikimi nga dominimi i Facebook do të thotë që publikimet duhet në mënyrë konstante të përshtaten me ndryshimet në strategji nga platforma. Kryeredaktori i Wired, Nick Thompson u shpreh së fundmi se ka një frikë se “Facebok ka një çelës gjëkundi që mund të përdoret për të rrëzuar media që fryhen shumë”.
Shumë është folur për “filtrat e flluskave” që krijon Facebook. Është kritikuar për dhënien e prioritetit të përmbajtjes që përdoruesit pëlqejnë – që do të thotë se ka më pak diversitet në lajmet që lexojnë njerëzit – dhe për dështim në gjurmimin e propagandës. Në fakt, ylli i ri i të djathtës ekstreme në Itali, Mateo Slavini, falenderoi Facebook për kontributin në rezultatet e zgjedhjeve të fundit.
E gjitha kjo nga një kompani që në vitin 2016 pagoi 5.1 milionë stërlina si taksë korporate për operacionet e veta në Britani, pavarësisht se fitimet dhe të ardhurat nga shitjet e reklamat ishin katërfishuar. Në dhjetor të vitit 2017, Facebook njoftoi se do të niste rezervimin e të ardhurave nga reklamat në vendet e origjinës së tyre në vend se t’i qarkullonte ato përmes Irlandës, edhe pse siç është raportuar, kjo lëvizje “ka pak gjasa që të çojë në pagesë të shtuar taksash”.
Kjo pavarësisht thirrjeve të Zuckerberg drejtuar qeverive që të nisin të paguajnë një të ardhur bazike për çdo qytetar në përgjigje ndaj automatizimit, që udhëhiqet pjesërisht nga Silicon Valley.
Edhe nëse do të duam të shmangim platformën dhe ruajmë të dhënat tona, nuk është aq e lehtë sa mund të mendohet. Sipas një investitori të hershëm të Facebook, Roger McNamee, kompania përdor teknika të propagandës dhe të aplikuara në kazino për të rritur varësinë te përdoruesit e vet – si p.sh njoftimet konstante dhe shpërblimet e ndryshme.
Duke na peshkuar, Facebook është në gjendje të akumulojë dhe menaxhojë një sasi të jashtëzakonshme të dhënash për ne. Befasuese dhe shqetësuese është pasoja e këtyre të dhënave – profile psikologjik që mund të ndërtojë për përdoruesit bazuar në atë që duket si informacion i padëmshëm. Wolfie Christl, autor i librit “Rrjeti i Kontrollit”, shkruante së fundmi se një patentë e publikuar nga Facebook llogarit kohën e zhvendosjes së njerëzve duke përdorur të dhënat e vendndodhjes përmes aplikacioneve mobile. I përdor mandej këto të dhëna për të bërë ndarjen e përdoruesve në klasa sociale.
Zgjerimi masiv i të dhënave që akumulon Facebook shkon dora dorës me blerjen e konkurentëve. Nick Srnicek, autor i “Kapitalizmi Platformë” thotë se “Facebook po vepron si një monopol klasik: po blen konkurentët si Instagram, po kopjon pa skrupuj rivalë si Snapchat dhe ka madje edhe appsin e vet, Onavo, që njofton për kërcënime të mundshme. E gjitha kjo e kombinuar me një zbërthim të pakontrollueshëm të të dhënave tona që përdoren për të rritur hendekun mes tij si biznes dhe të tjerëve”.
Nëse ExxonMobil do të përpiqej që të imponohej në çdo aspekt të jetës si Facebook, do të kishte patur bashkime lëvizjesh për ta kufizuar ndikimin e tij. Kështu që ndoshta është koha për të filluar ta trajtojmë Facebook për atë që është, një korporatë gjigande shumëkombëshe – sidomos sepse njerëzit me profile në Facebook nuk janë klientë të kompanisë: ata janë produkti që ajo u shet reklamuesve.
The Guardian, përkthimi ResPublica