Sadik Bejko: Vdekja është një
Njeri vënë në shenjë, mbyllur në rreth,
Në fyt të zgjidhet e të mblidhet një lak
Me dy vdekjet e tua shkon mbi-e-nën-tokë
Me vdekjen në shpirt, me vdekjen në gjak..
Zbret në minierë nën peshën e territ
Në ujin e zi, llurbë, djersë e ankth.
Dhe aty në dilemë për dy vdekjet e tua:
Zgjedh vdekjen në shpirt, a vdekjen në gjak?
Hidhesh me përbuzje në gjakosje e gjymtim,
Rrezikun prek me duar, i thua: hajde,
Lot symbyllur me terrin, me minierën,
Se ta fundon shpirtin humnerë më e madhe.
Ç’rrebelim i kotë ky ndaj vetes, ndaj gjakut tënd
Njeri rrugëhumbur pa shteg, pa majë.
Dhe njerëzit ty të largohen si besimtarët shtriganit,
Të ikin si nga një qytet nën murtajë.
Njeri i futur në shenjë, dhe ti i shmang njerëzit,
Këdo të afrohet e sheh si prangë, a si lak.
I vetëm në greminën më të thellë ke rënë
Pa dritë në sy, me shkëmbin në bark.
Ç’hakmarrje kjo; t’i turresh gjakut tënd?
Apo të tremb vdekja tjetër që ndjek pa zë?
Vallë dy vdekje prek, dy gremina të përballen,
Apo një është vdekja, vetëm një?