Bedri Blloshmi: Kutia e Pandorës në Librazhd
Sekreti jeton vetëm në errësirë
Lufta civile vëlla-vrasëse gjatë vitit 1943-1944 në Shqipëri, në vitin 1945 do të intensifikohej më shumë nga terroristët komunistë që ripushtuan vendin. Me zjarr e me plumba vazhdoi shkatërrimi i plotë i klasës së përmbysur nga orteku i pamëshirshëm i historisë. Terrori i kuq, veç vrasjeve, zhdukjeve, burgosjeve e internimeve të familjeve më në zë, një pjesë e tyre i ndihmoi këta katilë bythëgrisur dhe ata ua shpërblyen me gjak duke u vrarë njerëzit e familjes, pasi nuk e donin dhe e urrenin komunizmin. Sigurimi gjakatar i Shtetit kërkonte të futej në çdo familje për t’i rekrutuar si bashkëpuntorë, informatorë, rezidentë me qëllim që t’i kontrollonin dhe përçanin që të mblidhnin informata për të gjithë ata që ishin në arrati apo kundërshtonin regjmin vrasës. Gjatë gërmimit tim në bodrumet e errëta që mbanin erë igrasi, myk e gjak në dosjet voluminoze të sajuara dhe komplet fiktive midis shumë arkave të rretheve të ndryshme gjeta një arkë prej hekuri, e kyçur, mbuluar me pluhur me mbishkrimin me bojë të kuqe B.P. (bashkëpunëtorët) rrethi Librazhd.
Për momentin shtanga. M’u drodh trupi, pata një dridhje në të gjithë trupin, gati rashë në tokë, por për fat munda të mbështetes pas murit. Koka m’u var në gjoks, m’u bë se ndjeva, përshpërima, një zhumë e lehtë, zëra shumë të largët jashtë arkave, disa shkresurina të hedhura në tokë filluan të lëviznin e dukej sikur më thonin: “Hë, mblidhe veten, merri këto shkresurina të gjakosura, lexoji dhe i shpërnda që të merret vesh se çfarë ka ndodhur në rrethin e Librazhdit dhe si kanë vepruar komunistët dhe Sigurimi për ta shkatërruar përfundimisht, burgosur, vrarë e varfëruar këtë popull”.
Disa shkresurina të shpërndara në dysheme filluan të lëviznin lehtë duke krijuar një zhaurimë me pëshpërima, por nuk kuptoja asgjë çfarë po ndodhte në këtë dhomë plot me arka metalike të mbuluara nga pluhuri i kohës, të kyçura secila me nga një dryn të ndryshkur. Ato kishin brenda raportime, intriga, sajime, dëshmi e shpifje për ata që ishin planifikuar për t’u arrestuar e vrarë.
U ngrita me shumë vështirësi, iu afrova arkës metalike dhe e vështrova se si mund të hapej. Pashë përreth mos gjendej ndonjë shufër hekuri apo çfarëdolloj mjeti, sqepar apo çekiç, por kurrsesi agjë nuk të zinte syri.
U përula, kapa kapakun e llamarinës me të dyja duart që u palos me lehtësi aq sa mund të merrej gjithçka gjendej brenda saj.
Nxorra disa shkresa ku lexoheshin emra ushtarësh, kartela të internuarish, propozime të tjera për t’u bërë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, disa shkresa të firmosura nga operativë ku thoshnin se x ushtar apo fshatar të ndërpresë bashkëpunimin se “është djegur”. Llahtari e vërtetë, jetë njerëzish që ishin akuzuar pa asnjë faj, por që kishin plotësuar planin ditor, javor, mujor, vjetor të krijimit të “armiqve të klasës”.
Më pas më zuri dora një bllok të madh me faqe formati ku lexohej:
“Sekret” EKZ. Nr.1352 Grupi II-III.
Më poshtë vazhdonte:
Historiku i Sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Librazhdit.
1943-1975.
Daktilografoi: Nazif Fezollari (2 kopje).
Shkruar: Gjon Premalaj.
Redaktuar: Gjon Premalaj.
Librazhd, korrik 1978.
- Rrethin shkencor
Sekretari Kryetari
GjonPremalaj Pëllumb Ekmekçiu/
(Firma) (Firma)
Kryetari i Degës të Punëve të Brendëshme
Merdar Hasa (Firma)
Nuk dua të zgjatem në lidhje me këtë material të Sigurimit të Shtetit e bandës kriminale komuniste. Nëse do të shikoni dosjen e zezë të Librazhdit, me siguri do të habiteni për “bëmat” e këtyre vrasësve në rrethin tonë. Të gjitha familjet që ata mendonin se nuk ishin dakord e nuk pranonin të spiunonin fillonin t’u ngrinin kurthe e intriga, t’i provokonin e më pas t’iu hidhnin hekurat. Sigurimi e dinte më së miri se askush nuk do të pranonte kolektivizimin dhe marrjen e pasurisë së tundshmë apo të patundshme. Dhe këtë mospranim e kërkonte te “armiku i klasës”, tek të cilësuar “kulakë”, si nxitës që mund të bënin njerëz të pakënaqur. Të paktën për rrethin e Librazhdit kanë qenë me dhjetëra kryefamiljarë që janë detyruar t’i japin fund vetes nga torturat që iu bëheshin në Degën e Punëve të Brendshme që të pranonin të futeshin në kooperativë. Kur i lëshonin, u thoshnin: “Shko në shtëpi, mendohu edhe një herë, prano se po të thirrën përsëri të pret burgu”.
Sa e sa burra u detyruan të arratisen, të lënë familjet e tyre pa bukë, në mjerim, në dorën e terroristëve komunistë, po ashtu futeshin në burg, ndërsa disa i detyronin të hidhnin litarin në manin përpara shtëpisë e të varnin veten.
Në rastet kur këta persona liroheshin për të shkuar në shtëpi nuk mund ta bënin pa firmosur për kolektivizimin. Ka patur shumë raste që njerëzit vetvareshin kur dëgjonin se në fshatrat e ndryshme ishin bërë arrestime për ata që nuk pranonin. Terrori vazhdonte me pagimin e taksave dhe tepricat brenda një afati kohor shumë të shkurtër. Nuk mund të lë pa përmendur një rast, më tragjikun në fshatin Bërzeshtë.
Strukturat komuniste krijonin vazhdimisht një gjendje terrori të vërtetë në çdo familje që kundërshtonte. Nga mospërballimi i torturave, taksave apo tatimeve të dyfishta ato shtoheshin disa fish nëse nuk i shlyeje për 24 orë. Në këto kushte, ngaqë nuk kishin mundësi ‘t’i lanin’ detyrimet, detyroheshin t’i jepnin fund jetës apo të mbyteshin në lumin e Shkumbinit.
Ja pra ky ishte komunizmi që u propogandua dhe u praktikua nga këta terroristë për 50 vjet rresht duke derdhur gjak e çuar popullin në mjerim, përçarje e mundësisht çdo familje duhet të kishte një spiun. Lexoni dosjen e Librazhdit dhe do të shikoni se sa pseudonime do të gjeni, sa spiunë e informatorë, madje disa edhe me emrat e vërtetë. Ky është një material vrastar e përçarës në të gjitha fshtarat e Librazhdit. Këtu del e vërteta e vërteta se çfarë kurthesh ngrinte Sigurimi i Shtetit dhe si donte ta kishte gjithë zonën nën thundrën e hekurt e në mjerim. Pra duhet lexuar ky material për t’u informuar se çfarë ka ndodhur më këtë popull të shumëvuajtur, që nuk e mbushi asnjëherë barkun as me bukë misri, duhet parë se si është futur përçarja dhe se si u vranë, u burgosën dhe u internuan mijë shqiptarë të pafajshëm.
Nuk mund të anashkaloj një nga tragjeditë e shumta të ndodhura në fshatin tim, Bërzeshtë. Brenda terrorit të përgjithshëm në të gjithë vendin, në Bërzeshtë vazhdonte dhuna për të futur të gjitha familjet në të famshmen kooperativë. Që do të thoshte të dorëzoje me dëshirë çfarëdolloj pasurie që kishe, megjithëse shumë fshatarë nuk kishin asgjë pas shpirtit.
Në veri të fshatit Bërzeshtë është një lagje e madhe me njerëz me ngjyrë. Një nga këto familjet kishte 3-4 shqerra (qingja), të cilët duhet të dorëzoheshin në kooperativë sepse nuk lejohej prona private. Kjo familje kishte një djalë shofer që punonte në sektorin e hekur-nikelit në Pishkash. Mbasi e thirrën në zyrat e fshatit i thanë se duhet tua mbushësh mendjen prindërve që t’i dorëzojnë qingjat, ndryshe do të vimë t’i marrim me forcë dhe ti do të largojmë si shofer nga puna. Mbas disa ditësh kryesia e kooperativës shkon tek kjo familje dhe ua merr shqerrat me forcë. Nëna e shoferit qante dhe ulërinte. Për këtë që i ndodhi ajo i drejtohet sekretarit të partisë se “po m’i morët shqerrat, unë do mbyten më Shkumbin”. Mirëpo drejtuesit e partisë nuk u tërhoqën nga vendimi, morën shqerrat e i dërguan te stallat e bagëtive. Mbrapa tyre vinte edhe çanorja duke sharë e shkulur flokët, me këmbë të gjakosura pas ishte zbathur. Ajo vazhdoi rrugën drejt lumit, mbërriti te pasarela (ura), hidhet në lumë e mbytet. U deshën dy javë kërkime dhe më në fund e gjetën gjysën e trupit në afërsi të qytetit të Peqinit, se gjysma tjetër ishte zhdukur ga dallgët e lumit. Ja pra ky ishte vetëm një nga shembujt e krimeve të Partisë Komuniste saqe edhe njerëzit em ngjyrë i detyronte të mbytshin.