Ilir Levonja: Dava jevgjiti…
1) Nëse vendi im do kishte ndjeshmërinë e duhur, për të qënë pjesë e Europës… do ta kishte zbythur menjëherë ministrin e brendshëm, jo për implikimin e vëllait në aferat dhe trafikun e drogës, por thjesht për këtë ngjarjen e Korçës, ku humbi jetën në qelitë e para burgimit një i ri njëzetëeshtatëvjeçar. Po vendi im, vendi ynë, ne…, nuk e duam Europën. Nuk duam as veten. Nuk dimë se çfarë duam. Ndaj statistikat kanë të drejtë të parashikojnë se në dhjetëvjeçarët e ardhshëm do të jemi më pak se një milion banorë. Ku sigurisht më të suksesshimit, me pjellorët etj, do jenë baronët e studiove televizive, me kulturën dhe fjalorin e tyre të çmuar të gjirizeve të derrave etj.
2) Duhet të ketë qënë pranvera e vitit 2014 kur një i ri shqiptar humb jetën në një nga burgjet e Greqisë. Për shkak të torturave nga gardianët. E më pas ndodhi dhe skandali që trupi i tij, i njohur me emrin Ilia Kareli erdhi në Shqipëri, por i mungonte zemra. Ne u indinjuam të gjithë. Pati një reagim total aq sa me të vërtetë zelli i shqiptarit kish një nerv europiani të kulluar. Pati një reagim të fortë edhe nga shoqëria civile greke, shtypi etj. Aq sa ngjarja e shëmtuar solli edhe një varg shkarkimesh nga administrata deri në ndjekje penale. Pra, në Greqi vepruan ose lëvizën vendit vet grekërit për shqiptarët. Kurse në Shqipëri, nuk ndodh asgjë, asgjë…, pasi studiot, përgjegjësia civile, dikasteret, qeveriu të tërë, notojnë në vulgaritetin e tyre, një paradigmë sociale, e lagu apo nuk e lagu. Në fund të fundit, një jevgjit vdiq. Na shkon për sojin racist që kemi. Dhe kaq. Shëndeti i Edi Ramës.
3) Shoqëria jonë në kohën e diktaturës ishte tmerrësisht e ndjeshme. Të çonte e të internonte me çfarë kishe e ku i kishe. Mjaft që çuni i xhajës të kish shprehur simpati ta zëmë për Italinë. Mjaft që kushëriri i katërmbëdhjetë të kish tentuar të kalonte kufirin. Se ne ta lëronim nënën me prag shtëpie. Pastaj të sillnim llanxhat tek porta dhe të degdisnim në Gjazë dhe Bedat pa pyetur shumë e pa verifikuar asgjë. Sikur gjithë jetën tënde të kishe qënë i zemëruar me çunin e xhajës, faji ishte pse e kishe gjak dhe pikë. Sot km i vendit i thotë një gazetareje që pyet pronarin për vëllain e tij. I thotë shoqërisë, që, nuk japim më ushqim për ujqit e çakenjtë. Pagova diku dhe më thanë që është manipulim. Nuk e di se si mund të presësh reforma nga nje shtetar, i cili bën drejtësi me porosi dhe është vet ai i pari, që vret me duart e tia institucionet, ato të cilat kanë humbur përfundimisht besimin shqiptarët. Po kjo është Shqipëria jonë, vendi i paradoksit dhe memories që ndizet e fiket me një gotë uji.
4) Qershori është muaji ku shqiptarët presin lajmin e madh, hapjen e negociatave. Të jeni të bindur katëricëpirisht, se po u dha kjo mundësi, nuk është arritje qeveritare. Por ajo që bota po plotëson vendimemarrjen e saj në lidhje me Shqipërinë dhe rajonin. Po të ishin reformat, vetingu, etj. Shumë shpejt Shqipëria do rezultojë, a rezultonte, një vend jo vetëm pa drejtësi, siç është rasti me gjykatën kushtetuese që nuk ka tagrin e vendimmarrjes, për mungesë numrash, nga vetingu, por edhe pa qeveri, pa opozitë, pa elementin e studiove. Dhe ky do të ishte një nga pastrimet më të mëdha, pasi shumë syresh janë një kontigjen i tërë i informalitetit, megjithatë kanë vila, makina të shtrenjta, që sigurisht paga dhe honorarët e studiove nuk do u dilnin as për një apartament një dhomë e guzhinë. Dhe ajo më regresivja, të drejtën morale për të kanalizuar gjithçka vitale në jetën e një shoqërie. Të lumtur që darkë më darkë po shkatërrojnë me qejf e me dëshirë.
5) Me kushtet që ndodhet vendi…, opozita sot ka arritur në një përfundim. Daljen në rrugë për largimin nga detyra të ministrit të brendshëm. Në fakt duhej të ndodhte nga përgjegjësia civile e individit, siç ndodh rëndom në një vend perëndimor. Nuk ndodh asesi në Shqipërinë tonë. Në këto vite opozitarizmi janë një sërë emrash dhe aktivitetesh të paligjshme…, që për shkak të denoncimit opozitar rezultuan të vërteta. Si rasti i ish ministrit Beqja, deputetit Kokëdhima, bashkiakut të Kavajës, deputetit të Lezhës dhe Pukës. Ndaj është e pa pranueshme për opozitën. Apo për një opozitë të vërtetë, vetëm kjo kërkesë. Sidomos pas humbjes së jetës në qelitë e para burgimit të një të riu, baba i tre fëmijëve. Një opozitë e vërtetë, nuk mjaftohet me kaq, por me rrëzimin e qeverisë. Kjo mund të ndodhi…, mjafton që ato mandate të zhubravitura e të përfoluara aq e aq shumë, t’i vërvisni masivisht dhe kaq. Dhe duhet ta bëni një orë e më parë nëse vërtetë e doni vendin tuaj. Kush opozitar mban akoma mandatin, nuk është i tillë, por pjesë e lojës së qeverisë.
6) M’u dhimbs e gjitha, theqafja jonë, suksesi drejt rrënimit…, pamja e atij funerali protestë nga Korça. Krejt i braktisur, aq më tepër kur studiot në masivitet i japin një vëmendje të tepruar partnerëve të luftës për pushtet. Por është pikërisht ky, treguesi i theqafjes së shoqërisë sime. Nga ana tjetër një rracizëm që akoma nuk është terur ndër ne. Dhe që e luftojmë me tërbim tek të tjerët. Kurrsesi tek vetja. Një funeral që kalonte syve të kafeneve, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Në fakt ai që përcillej ishte njeriu, me të gjitha gjëmat e tia. Kurse sehirxhinjtë, jevgjitët e vertetë të shoqërisë. Ose ata vet që e përdorin këtë poronom për të shtrydhur deri epshin e fundit. Regresi jonë.