Ludvig HOLBERG: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, prijësi dhe heroi më i madh në histori
Marrë nga libri “Skënderbeu në vendet nordike” me autorë Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, botim i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, Tiranë 2018.
Dikur, para pushtimit të Konstantinopolit dhe rënies së principatave lindore, qeveriste në Epir një prijës me emrin Gjon Kastrioti, i cili kishte katër djem. Më i riu i tyre quhej Gjergj, heroi, jetën e të cilit do të përshkruaj këtu. Për lindjen e tij thuhet se kanë ngjarë shumë gjëra të çuditshme, nga ku mund të profetizohet emri i madh, që me arritjet e tij do t’i jepte vetes; thuhet gjithashtu se ai lindi me një shenjë në krah, që i ngjante shpatës. Kur sulltani turk Murati pushtoi thuajse të gjitha vendet rreth Greqisë, iu desh edhe Gjon Kastriotit të nënshtrohej dhe të jepte peng birin e tij, Gjergjin, së bashku me të vëllezërit. Murati i bëri ata synet sipas mënyrës turke dhe Gjergjit i dha menjëherë një emër tjetër, pikërisht Skënderbeg, sipas Aleksandrit të Madh, e nga kjo tregohet se çfarë përshtypjeje kishte krijuar Sulltani që në fillim për këtë epirot të ri, dhe nuk gaboi. Pasi Gjergji në fëmijërinë e tij me shpejtësi të admirueshme mësoi shkenca dhe gjuhë të ndryshme, e pikërisht turqisht, arabisht, greqisht, italisht, ilirisht, kur erdhi pak më shumë në moshë, la të kuptonte se kishte dëshirë të madhe për të mësuar edhe ushtrimet ushtarake, dhe kështu i dha Sulltanit sinjale të tilla, saqë ai e bëri menjëherë sanxhakbeg, titull ky që ka vlerë thuajse të barabartë me një pasha. Në moshën 19-vjeçare mori pjesë në luftën në Azi, dhe pas një kohë të shkurtër, iu dha komanda e një ushtrie; kështu iu mundësua të tregonte një guxim e kurajë të atillë, saqë emri i tij u bë i njohur anë e mbanë.
Kur ai pas shumë fitoreve u kthye në Adrianopol, ku ishte selia e sulltanit turk, u organizua një ndeshje krenarie nga një bajloz, që për t’i lënë njerëzit të shihnin fuqinë dhe burrërinë e tij, thirri në dyluftim ndonjë nga njerëzit e afërt të sulltanit. Askush s’kishte dëshirë të ndeshej me këtë bajloz të egër, përjashto Skënderbeun, i cili guxoi të dilte dhe me lehtësi e fitoi këtë betejë të madhe. Pas një kohe të shkurtër, ai ndërmori një fushatë të hapur kundër persianëve kokëfortë dhe në prani të sulltanit i nënshtroi njërin pas tjetrit. Kjo krijoi përshtypje të mirë tek sulltani, saqë ai i besoi drejtimin e luftës kundër të krishterëvve në Hungari dhe Greqi. Në këtë luftë Skënderbeu kundrejt shumicës së kristianëve, miku i të cilëve ishte me zemër, u soll me një përkujdesje të veçantë që t’i kursente sa të mundte, por në atë mënyrë, saqë turqit pothuajse nuk mundën të dyshonin.
Në këtë kohë vdiq babai i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, kështu që Murati mori nën zotërim të gjithë vendin e tij, së bashku me kryeqytetin Krujën, të cilën e rrethoi me roja të përforcuara. Ai arriti në përfundimin se bijtë e të vdekurit nuk mund ta shihnin pa keqardhje ndarjen e tyre nga vendi i trashëguar, prandaj i vrau fshehurazi vëllezërit e Skënderbeut. Vetëm Skënderbeun, pa shërbimin e të cilit nuk mund të bënte, e qetësoi me fjalë të buta, i premtoi vende në Azi me më tepër rëndësi se Epiri, dhe Skënderbeu u duk se u kënaq, për të mos e pësuar si vëllezërit; por ai dyshim i sulltanit që i kishte lindur një herë, nuk mund t’i shuhej përsëri, përkundrazi, i forcohej nga dita në ditë, kështu që vendosi shkatërrimin e tij. Shërbimet e mëdha që kishte bërë dhe përshtypja që kishte krijuar tek luftëtarët, e pengonin sulltanin që të vinte dorë haptazi mbi të, prandaj u mundua me të gjitha mënyrat, nisi ta dërgonte në fushatat më të rrezikshme kundër kristianëve, me shpresë që së shpejti kuraja e tij s’do të guxonte të vazhdonte dhe ai do t’i përfundonte kështu ditët e tij. Ai u sigurua që më së pari të bënte luftë kundër Jorgo Gospodarit të Serbisë. Gjatë kësaj lufte Skënderbeu vëzhgonte cilat ishin mundësitë që të largohej dhe të merrte përsëri pronat e trashëguara, e më pas edhe e bëri këtë gjë.
Mbreti hungarez Vladislaus u përfshi në të njëjtën kohë në luftën e ashpër të Gospodarit dhe bashkë me heroin e guximshëm Huniadin, arriti një fitore të madhe kundër turqve. Thuhet se Skënderbeu qysh përpara betejës kishte patur një marrëveshje të fshehtë për këtë gjë me Huniadin. Disa nga ndjekësit e tij thonë se një arsye e tillë nuk është e bazuar. Por Skënderbeu pas kësaj disfate dhe humbjeje që u kishte sjellë turqve, e vazhdoi misionin e tij të fshehtë dhe e detyroi qatipin e pashait turk, që të hartonte në emër të Sulltanit një ferman për zyrtarët e lartë në Krujë, që ta linin qytetin e Krujës në dorën e tij, pra në duart e Skënderbeut, gjë që edhe ndodhi, dhe kështu Skënderbeu me këtë mënyrë u bë kreu i njërit prej vendeve më të rëndësishme në Epir. Sapo mori pushtetin atje, masakroi të gjithë pushtuesit turq, dhe pastaj, me një shpejtësi të madhe liroi qytetet e tjera të Epirit, kështu që emri turk u shua në Epir. Skënderbeu duket se u tregua i shpejtë dhe syhapët, nuk flinte asnjë natë më shumë se dy orë, ndërkohë që punonte për të sjellë epirotët nën drejtimin e tij.
Kur Sulltani turk mori vesh për dështimin e ushtrisë së tij, dezertimin e Skënderbeut dhe humbjen e Epirit, vendosi menjëherë të hakmerrej dhe nën drejtimin e Ali Pashës krijoi një ushtri të paparë për të dënuar të larguarit dhe për ta detyruar vendin përsëri të binte nën sundimin e tij. Por Skënderbeu nuk u tremb. Me një ushtri jo të madhe epirotësh i doli përballë ushtrisë turke dhe me zotësi të rrallë arriti një fitore të përkryer. 22.000 turq u vranë dhe 2000 të tjerë u zunë robër. Epirotët nga ana e tyre humbën vetëm 120 veta. Kjo humbje e tërboi Sulltanin edhe më shumë; por meqë ai s’mund të hakmerrej menjëherë, u mor me përgatitjet e madha luftarake, që po bëheshin kundër tij në Hungari dhe Poloni, kështu që për një kohë u detyrua t’i linte çështjet epirote mënjanë, në mënyrë që të vepronte me të gjithë fuqinë e tij kundër këtyre armiqve më të mëdhenj.
Hungarezët dhe polakët iu drejtuan për ndihmë Skënderbeut, i cili nuk e hodhi poshtë, në mënyrë që të qëndronin së bashku kundër një armiku të përbashkët, dërgoi rreth 1000 epirotë, dhe kështu edhe vetë u nis për rrugë për të ndihmuar forcat hungareze e polake. Por kur u nis me trupat e tij drejt Serbisë, Gospodar Georgi u mundua ta pengonte për të mos kaluar përmes vendit të tij dhe e mbajti aq gjatë, saqë ai nuk mundi të arrinte në kohën e duhur dhe hungarezëve këtë herë iu desh të luftonin vetëm. U bë beteja e madhe e njohur afër Varnës, përfundimi i së cilës ishte i dhimbshëm për kristianët, ngaqë ushtritë hungareze dhe polake, pas një përleshjeje të madhe e të përgjakshme, u dërrmuan dhe u shpërndanë, kurse vetë mbreti i ri Vladislau u vra në betejë. Skënderbeu e mësoi këtë fatkeqësi, ndërsa ishte ende në kufi me Serbinë, prandaj u zemërua aq shumë me gospodarin, saqë shkatërroi e dogji gjithçka rreth e rrotull në vendin e tij.
Megjithëse turqit arritën një fitore të madhe në Varnë, ajo megjithatë kishte qenë aq e përgjakshme, saqë ata s’e panë veten në gjendje që njëkohësisht të ndërmerrnin një betejë tjetër. Murati e gjeti të arsyeshme të provonte më të mirë ta bindte Skënderbeun përsëri, dhe pak kohë pas Varnës i shkroi një letër atij, ku i numëronte të mirat që kishte bërë për të, e akuzonte për mungesë respekti dhe së fundi i jepte premtime të mëdha, nëse ai do të përulej përsëri. Këtë letër e pasoi veçse një përgjigje e pakëndshme, prej së cilës Sulltani vendosi të niste kundër Epirit së pari një ushtri prej 9000 vetash, fuqia e së cilës nuk ishte dhe aq e konsiderueshme. Por përpjekjet e tij kishin qëllim ta zinin në befasi Skënderbeun, të arrinte që ai të kishte armiq rreth e rrotull, përpara se t’i shkonte lajmi për mbërritjen e tyre. Por ishte Skënderbeu, që gjithmonë rrinte i gatshëm, i cili i sulmoi forcat turke papritur dhe arriti një fitore të përkryer.
Menjëherë pas kësaj u dërgua një ushtri tjetër, e cila s’pati fat më të mirë, përkundrazi ajo u shpartallua rëndë dhe mundi të shpëtonte duke marrë arratinë. Ndër të arratisurit ishte edhe komandanti i saj, Mustafai, i cili i dha Sulltanit këshillën, që për një kohë më mirë të përparonin me kujdes dhe të mjaftoheshin me një forcë të vogël, e cila do pushtonte kufijtë, derisa të vinte rasti për të ndërmarrë diçka të rëndësishme. Kjo gjë u pa e arsyeshme.
Ndërkohë lindi një mosmarrëveshje në mes Skënderbeut dhe Venedikut, që shpërtheu me një luftë të hapur. Në këtë luftë Skënderbu pati të njëjtin fat; pasi ai shkatërroi një ushtri të paparë venecianësh. Por ai nuk e përdori këtë fitore për ndonjë dobi, përkundrazi, bëri marrëveshje me Republikën përsëri, që të përdornin forcat e tyre sa më mirë kundër turqve, dhe qeveria në Venedik e priti këtë me kënaqësi kaq të madhe për sjelljen dhe marrëdhëniet me të, saqë i bëri dhurata të mëdha dhe e lejoi të shkruhej ndërmjet fisnikëve venedikas, diçka që mbahej edhe si provë e madhe nderi. Nga e gjithë ajo mosmarrëveshje që ishte krijuar ndërmjet të krishterëve, udhëheqësi turk Mustafai mendoi të nxirrte disa përfitime dhe prandaj kërkoi lejen nga sulltani për të udhëhequr një luftë tjetër kundër epiriotëve. Kur e kishte marrë lejen, filloi të krijonte një ushtri të re; por as kësaj here nuk pati fat më të mirë se më përpara, pasi 10.000 nga luftëtarët e tij ranë në fushëbetejë dhe ai së bashku me 12 komandantë të tjerë të ushtrisë, ranë në duart e Skënderbeut, kështu që sulltanit iu desh t’i lironte duke paguar para.
E gjithë bota po çuditej ngaqë forcat e Turqisë, që kaq shpesh e kishin tronditur Europën dhe Azinë, po thyheshin nga një provincë e vogël; ky ishte një shembull mjaft i çuditshëm, se çfarë mund të bënin cilësitë dhe zotësitë e një njeriu të vetëm, të një vendi të vogël. Murati e vuri re tani se çfarë rëndësie kishte fakti që Skënderbeu ishte armiku i tij, ndaj dhe vendosi ta drejtonte luftën në një mënyrë tjetër, që s’e kishte bërë më parë. Duke e parë se në personin e Skënderbeut kishte të bënte me të gjithë krishterimin dhe njëkohësisht me Persinë, vendosi se nuk ishte e nevojshme vetëm të krijonte një ushtri të madhe, por edhe ta drejtonte atë vetë.
Prandaj u bënë përgatitje të mëdha dhe masa e të gjithë luftëtarëve turq, që Europa dhe Azia mund të sillnin, duhej të pajisej për të përmbysur një provincë të vogël, të cilën ai më përpara, vetëm me një lëvizje koke e kish mbajtur nën sundim. I gjithë krishterimi u frikësua nga përgatitjet që bëheshin.
Vetëm Skënderbeu, që rrinte ashtu i vetëm, nuk u tremb, por u gatit që të fitonte dhe të bënte një qëndresë të ashpër.
Murati u përgatit që të pushtonte së pari qendrën e rëndësishme Sfetigradin, por të sulmuarit u mbrojtën me një zotësi të pabesueshme, kështu që rreth 1000 turq ranë të vrarë, dhe ndërkohë që rrethimi vazhdonte, Skënderbeu i sulmoi turqit me një ushtri të rrufeshme në një mënyrë tjetër, ndërsa kur një komandant turk, e pikërisht Ferit Pasha, në një ndeshje i kërkoi dyluftim Skënderbeut, ky e rrëzoi atë me një goditje të vetme. Së fundi, kur Murati vërejti se me forcë nuk mund ta merrte qytetin, u mundua që me premtime të mëdha e dhurata të arrinte të kthente disa qytetarë të tij, që të tradhtonin. Përderisa gjenden gjithmonë njerëz të këqij, që flijojnë nder dhe besnikëri për para, një nga ushtarët e Skënderbeut u shit dhe filloi t’i nxiste të tjerët të rebeloheshin, dhe në këtë mënyrë pati mjaft sukses. Ai e dinte se banorët, që përbënin pothuajse shumicën e qytetarëve aty, kishin një bestytni, sipas së cilës më parë vdisnin se të pranoninin të pinin ujin, ku është hedhur diçka e papastër në të. Në qytet kishte vetëm një pus, i cili i furnizonte të gjithë me ujë. Gjatë natës hodhën një qen të ngordhur në të, të cilin e gjetën në mëngjes, dhe kështu u krijua një shqetësim ndërmjet ushtarëve, saqë u ngjall fryma e rebelimit. Komandanti i atjeshëm u frikësua shumë, i grumbulloi ata e u përpoq me një bisedë të argumentuar t’i qetësonte, më pas iu afrua pusit e në praninë e tyre piu një kupë të tërë me ujë, gjë që e pasuan edhe oficerë e njerëz të tjerë. Por ushtarët nuk lëvizën, thanë se më parë vdisnin sesa të pinin atë ujë. Këtu s’kishte asnjë mënyrë tjetër për të shpëtuar veten dhe qytetarët, përveç se të merreshin vesh me sulltanin, gjë që edhe ndodhi dhe qyteti u dorëzua.
Me dorëzimin e qytetit, i biri i sulltanit, Muhameti, e këshilloi të atin, që të mos e mbante fjalën dhe të hakmerrej ndaj banorëve, të cilët i kishin shkaktuar atij një humbje kaq të madhe. Sulltani i vjetër nuk e mbajti fjalën e dhënë. Në mes të atyre që mbetën gjallë ishte edhe tradhtari, i cili u shpërblye shumë; por që u zhduk shumë shpejt më pas dhe s’u pa më. Mendohet se Murati vetë e hoqi qafe. Pas marrjes së Stefigradit, Murati u kthye mbrapsht me të mbeturit në Adrianopol, pasi në këtë ekspeditë kishte përdorur rreth 30.000 veta.
Sapo Murati, së bashku me ushtrinë e tij, u largua nga Epiri dhe vendi u qetësua përsëri, Skënderbeu, pasi s’mund ta duronte pushtimin turk në afërsi, vendosi ta merrte me forcë Sfetigradin. Qyteti u rrethua menjëherë dhe e gjithë mjeshtëria dhe zotësia që mund të merrej me mend u përdor për marrjen e tij; epirotët u turrën si furtunë, të drejtuar nga vetë Skënderbeu, i cili vrau shumë turq me dorën e vet. Por forcat e kalasë dhe qëndresa e banorëve asgjësuan gjithçka, kështu që pas një humbjeje të 500 burrave, u detyrua ta braktiste rrethimin. Por në të vërtetë, ajo që e bëri Skënderbeun të hiqte dorë, ishte marrja e lajmit për ardhjen e një ushtrie tjetër turke. Pra Murati, sapo mori vesh për rrethimin e Sfetigradit, vendosi menjëherë ta mbështeste qytetin, dhe megjithëse e pa që rrethimi u braktis, vazhdoi më tej dhe me një ushtri më të madhe se më parë. U nis vetë drejt Epirit, që të sulmonte qytetin e rëndësishëm, Krujën, ku mbërriti shumë shpejt. Kruja ishte e mbrojtur me një trupë të fortë nën drejtimin e pashoq të Kont Uranit, i cili në këtë rrethim i dha vetes një emër të pavdekshëm. Kjo ishte hera e dytë, që Murati, me masën e gjithë fuqisë së tij, nisej kundër Skënderbeut, gjë që tregonte se me ç’sy e shihte ai këtë burrë. Të gjitha luftërat, që ai kishte bërë më parë kundër persianëve dhe vendeve kristiane, ishin drejtuar vetëm prej gjeneralëve të tij, por këtu, përkundër një dhimbjeje të parë, e quante të nevojshme ta ndiqte personalisht luftën nga afër, megjithëse ishte i vjetër në moshë, me rreth 80 vjet në kurriz. Kur birit të tij Muhametit, heroit me peshë në histori, emrit më domethënës ndër emrat osmanë dhe shpresës së vetme të tij, iu desh të nisej atje, u krijua përshtypja se ata donin të lanin hesapet me të gjithë krishterimin përnjëherë.
Kështu që qyteti i Krujës u rrethua dhe gjithçka që mund të mendohej u përdor për marrjen e tij. Tërbimin me të cilin vazhdoi rrethimi e tregon fakti se vetëm në një mësymje, ranë 8000 turq. Skënderbeu ishte ndërkohë gjithmonë në lëvizje dhe i sulmonte turqit, tashmë në një vend tjetër; ai një herë ishte futur ndërmjet tyre në një mënyrë, që njerëzit e tij e mbanin atë të fshehtë, kështu që nuk ishte çudi, por zotësi e zgjuarsi, që ai u shfaq përsëri, kur Muratit mund t’i ngjante edhe si një kafshë e egër, së cilës nëse mund t’i afroheshe do ta shihje vetem të gllabëroheshe nga egërsia e tij. Por nuk ishte paburrëri për të apo kundrejt armiqve të kristianizmit, që shfaqte këtë egërsi, pasi ai ishte i butë e zemërgjerë nga natyra dhe kishte të gjitha ato cilësi që mund të ketë një udhëheqës, ndryshe nga i biri i vetë sulltanit, Muhameti, i cili pas Skënderbeut ishte heroi më luftëtar në ato kohë, por edhe më i përgjakshëm, si për njerëzit e tij ashtu edhe për armiqtë. Pasi rrethimi kishte zgjatur një kohë të konsiderueshme, dhe ishte derdhur kaq shumë gjak turk, u krijua përshtypja se e gjithë ushtria turke do shkatërrohej. Nga dëshpërimi Murati plak u dobësua shumë dhe nga kjo edhe vdiq. Thuhet se në çastin e fundit, iu hakërrye fatit, që e kishte lënë të jetonte kaq gjatë për të parë të gjitha sukseset e tij të mëparshme, të errësoheshin nga një popull i vogël e i vuajtur, të cilin më parë e kishte përbuzur. I biri i tij Muhameti, nuk e gjeti të këshillueshme ta vazhdonte rrethimin pas vdekjes së tij, prandaj u largua menjëherë dhe u kthye së bashku me të mbijetuarit për në Adrianopol, ku pa asnjë pengesë trashëgoi fronin e të atit dhe është ky Muhamet, ai që i dha fundin Perandorisë së Lindjes dhe pushtoi Kostantinopolin, ku sulltanët turq që nga ajo kohë kanë patur selinë dhe kanë mbajtur tituj perandorësh. Ai ishte pa dyshim më luftëtari prej të gjithë sulltanëve dhe u ngjante (nëse nuk i kalonte të gjithë paraardhësit) në tirani dhe mizori. Por të metat e tij ishin të ndërthurura me shumë cilësi të mëdha; pasi ai ishte i shpejtë, punëtor, i përmbajtur dhe një mbrojtës i zellshëm i së drejtës. Ai kishte njohuri të mëdha për historinë dhe fliste disa gjuhë, si greqisht, persisht dhe arabisht; ishte marrë me dijen e yjeve dhe shkenca të tjera.
Gjëja e parë që bëri pasi hipi në krye të shtetit, i ofroi Skënderbeut paqe me kusht, që ai të mbante tokat e tij dhe t’i jepte një haraç vjetor, ndërsa kur kjo ofertë nuk u pranua nga Skënderbeu, Muhameti krijoi dy ushtri kundër Epirit. E para u drejtua nga Hamzai, por u thye menjëherë dhe vetë drejtuesi i saj ra në duart e Skënderbeut. Ushtria e dytë, e cila u drejtua nga një njeri me emrin Debrea, nuk pati një fat më të mirë, pasi Skënderbeu e vrau me dorën e vet komandantin e saj në betejë dhe pastaj e shpërndau të gjithë ushtrinë. Në të gjitha luftimet, ai kishte synimin që të ndiqte komandantin dhe e kishte zakon të thoshte se kur pritet koka, trupi bie vetë.
Kështu i eci Skënderbeut në fillim të qeverisjes së Muhametit.
Përveç sulltanit, dukej se asnjë s’mund të merrej me këtë njeri të madh, shikimin e të cilit askush s’mund ta trazonte, prandaj sulltani provoi të shfrytëzonte truke e dinakëri. Ndërmjet epirotëve ishte njëri me emrin Moisi, i cili pas Skënderbeut ishte më luftëtari dhe njeriu më me përvojë në shkencën luftarake. Sulltani provoi ta afronte këtë në krah të tij, i premtoi zotërimin e Epirit, nëse ai ikte nga Skënderbeu. Nga ky premtim, ai u verbua dhe që nga ajo kohë, filloi të punonte për rrëzimin e Skënderbeut. Heroi i Epirit kishte kohë që e kishte vendosur së bashku me të krishterët e tjerë, të rrethonte qytetin e rëndësishëm Beratin, dhe donte si zakonisht të kishte Moisiun me vete në këtë fushatë. Por Moisiu, që deshi të përfitonte nga mungesa e tij për të marrë vetë rolin kryesor, gjeti një shkas për të mos u nisur në atë udhëtim, duke u shprehur se qëndrimi i tij ishte i nevojshëm në rast se, gjë që ishte e vërtetë, Muhameti do bënte një përpjekje të re, prandaj Skënderbeu, që s’kishte asnjë dyshim për besnikërinë e tij, e lavdëroi propozimin e tij dhe e la të qëndronte. Pasi u bënë përgatitjet dhe një ushtri e madhe u ngrit në këmbë, Skënderbeu u nis drejt Beratit. Qyteti u sulmua menjëherë e me një hov të madh, saqë mbrojtësit filluan të bisedonin për dorëzim, kërkuan një muaj armëpushim, pas të cilit, nëse asnjë përforcim nuk do t’u vinte, atëherë qyteti do të dorëzohej. Skënderbeu nuk e pranoi këtë ofertë, por u bind nga oficerët e tjerë, që t’u jepte atyre një armëpushim prej 16 ditësh.
Menjëherë u dërguan lajme të shpejta tek Sulltani për ta vënë në dijeni lidhur me armëpushimin. Muhameti, që ndërkohë kishte një ushtri në këmbë, me të cilën ai synonte të nënshtronte Perandorinë Trapezoidale, e la një fushatë të tillë mënjanë dhe e dërgoi ushtrinë drejt Beratit për përforcim, dhe kjo u bë me aq fshehtësi, saqë drejtuesi turk Sebalia u erdhi të krishterëve përballë, para se ata të kishin idenë më të vogël për këtë. Ndodhi një disfatë e vërtetë në atë pjesë të ushtrisë që drejtohej nga Moisiu dhe vetë një trim i rreptë u vra me rreth 1000 kristianë, italianë të shumtit, që Alfonsi, mbreti napolitan i kishte dërguar për të ndihmuar epirotët. Skënderbeu e njerëzit e tij u larguan në errësirë, pasi ai duhej edhe të tërhiqej; ndërsa turqit e kuptuan se nuk duhej të ndiqnin fitoren e tyre dhe t’i jepnin fund problemit me të, por u kënaqën me fitoren ndaj kristianëve dhe e çuan trofenë në kryeqytet.
Skënderbeu vrau në këtë betejë mes tjerash dy komandantë turq me nam, të cilët e sulmuan atë njëkohësisht; por ishte pra, një lloj parandjenje e çuditshme, si ankth që zgjerohej me furi. Kjo ishte hera e parë që ky njeri duhej t’ua linte fitoren armiqve të tij, pasi të krishterët humbën në këtë betejë 5000 veta. Muhameti e vlerësoi këtë, porse megjithëse ushtria u shkatërrua, Skënderbeu nuk ishte thyer përsëri.
Kur lajmi u shpërnda në Epir, i lartpërmenduri Moisi mendoi se ishte koha të fillonte tradhtinë, të cilën kishte kohë që e priste; por pasi nuk mori ndonjë mbështetje të madhe në vend, u detyrua të arratisej, së bashku me pak njerëz, për në Konstantinopol, ku kërkoi një ushtri jo të madhe dhe premtoi se do të nënshtronte Epirin. Muhameti, i cili e dinte se sa pak mund të shpresohej nga tradhtarët, nuk deshi në fillim të bindej; por kur e pa se Moisiu e kishte seriozisht, i besoi atij një ushtri prej 15.000 vetash, me të cilën ai u nis drejt Epirit. Skënderbeu në fillim nuk mundi ta kuptonte se si njeri me të cilin kishte qenë i lidhur me miqësi, ndërsa deri më tash kishte treguar zotësi dhe besnikëri për atdheun e vet, shkoi pa ndonjë arsye dhe u bashkua me armiqtë e krishterimit. Asnjëherë nuk kishte dyshuar, që Moisiu të kishte ndërmend diçka të keqe, por kur së fundi e vuri re se kjo ishte seriozisht, u nis kundër tij me armë në dorë dhe u bë kështu një betejë e përgjakshme, ku Skënderbeu korri një fitore të plotë. Para se të nisej, Moisiu i kishte premtuar Sulltanit se do ta thërriste Skënderbeun në dyluftim, dhe më tej në betejë e tërhoqi atë deri aty; por kur Skënderbeu i doli përballë, ai u tremb aq shumë nga vështrimi i tij, saqë nuk guxoi t’i dilte përpara. Një turk tjetër ishte aq trim në betejë, saqë me shpejtësi e guxim u ndesh me Skënderbeun, që u shtri prapa në shpinë të kalit. Por u ngrit, para se tjetri të mund ndërmerrte diçka tjetër, dhe menjëherë e rrëzoi sulmuesin turk. Pjesa më e madhe e trupave turke u vra në këtë betejë, kështu që Moisiu me 4000 veta, në një gjendje të tmerrshme, i mbushur me hidhërim e turp, u kthye për në Konstantinopol, ku Muhameti vendosi ta ekzekutonte menjëherë; por pasi ai nuk u kishte bërë bisht në betejë të gjitha sfidave që kërkohen nga një drejtues me vlerë dhe ushtarët e mbetur dëshmuan për to, sulltani ia kurseu jetën, por e la të përbuzur dhe të neveritur. Atëherë ky burrë kryelartë filloi të qahej për gjendjen e tij dhe pasi me vështirësi kishte qëndruar në Konstandinopol, u arratis fshehtas prej andej dhe erdhi në Epir përsëri, ra para këmbëve të Skënderbeut, i cili jo vetëm e fali për fajin, por edhe e vuri përsëri në postin e tij.
Pak kohë pasi ndodhi kjo, u njoftua për një dezertim tjetër, që e preku Skënderbeun edhe më shumë në zemër dhe që ngjalli çudinë më të madhe për të gjithë; pikërisht nipi i tij, Hamzai, të cilin e kishte dashur gjithmonë si birin e vet dhe e kishte bërë si pjesëtar të qeverisë së tij, u arratis papritur me gruan dhe fëmijët për në Konstantinopol. Ai mbajti një fjalim të mbushur me akuza kundër xhaxhait të vet dhe përfundimisht premtoi nënshtrimin e Epirit. Forca ushtarake, ku vetëm kalorësia përbënte 50.000 veta, iu besua Isa Pashës dhe me një ushtri të tillë kishte shpresa për përfundimin e luftërave epirote. Skënderbeut, si zakonisht, nuk i mungonte asgjë, që mund t’i shërbente si mbrojtje; pasi ngriti në këmbë një ushtri prej 11.000 vetash, u turr kundër armikut. Kur ushtria turke iu afrua, ai u kthye prapa dhe priti diku larg në tokat e tij, jo nga frika, por për ta bërë armikun sa më të pasigurtë, dhe kjo ndodhi me aq mjeshtëri, sa Hamzai vetë, që i njihte të gjitha trillet luftarake të xhaxhait të vet, nuk dyshoi për gjë tjetër, veçse që gjithë kjo u bë nga frika. Në këtë moment turqit u dehën nga suksesi dhe Isa Pasha, me një solemnitet të madh, e shpalli Hamzanë mbret të Epirit. Por atëherë kur ata ishin më se të sigurtë për fitoren, u shfaq Skënderbeu papritur dhe korri një fitore vendimtare. 30.000 turq u therën dhe të tjetët, së bashku me Isa Pashën ia mbathën. Bashkë me robërit e tjerë ishte edhe Hamzai, për të cilin Skënderbeu u kishte thënë njerëzve të tij të mos e vrisnin.
Kjo fitore ngjalli një gëzim të jashtëzakonshëm në të gjithë vendin dhe trupat hynë ngadhënjimtare në Krujë, ku u sollën edhe robërit. Ndërmjet robërve që u sollën me fitore, ishte edhe Hamzai, i cili me duar lidhur prapa me zinxhirë ecte përmes qytetit; një pamje e çuditshme për banorët, që e kishin parë si burrin më të madh dhe më të ndershëm pas Skënderbeut. Skënderbeu e dërgoi menjeherë tek miku i tij i besueshëm, Alfonsi, mbret i Napolit, që të mund ta burgoste më me siguri në vendin e tij dhe ai u mbajt atje për aq kohë sa jetoi edhe mbreti. Pas vdekjes së Alfonsit, e sollën në Epir dhe e mbyllën në burg në Krujë. U mundua me letra të vazhdueshme të zbuste zemërimin e xhaxhait të vet dhe i premtonte atij, që nëse fitonte lirinë përsëri, do t’i bënte Skënderbeut shërbime po aq të mëdha siç i kishte bërë para se t’i bënte keq. Duhej të veprohej në këtë mënyrë: të lejohej të arratisej nga burgu dhe të shkonte në Konstantinopol, ku kishte të shoqen dhe fëmijët, e të kërkonte përsëri mbrojtjen e Sulltanit. Dhe kur të kishte marrë mëshirën e sulltanit, do të informonte Skënderbeun lidhur me forcat e Perandorisë Turke. Skënderbeu u bind që ta linte Hamzanë të shkonte dhe bëri sikur u frikësua shumë nga arratisja e tij. Hamzai erdhi për herë të dytë në Konstantinopol, ku u prit mjaft mirë; por meqë vdiq shumë pak kohë më pas, thuhet se sulltani e helmoi fshehtas dhe e la të vdiste.
Pasi turqit kishin provuar forcën e Skënderbeut me kaq humbje, provuan tani të kërkonin miqësinë e tij. Por nuk mundën të arrinin në një lidhje të hapur me të; vetëm atëherë, kur iu desh të shkonte për një fushatë lufte në Itali, u bind të bënte me sulltanin një marrëveshje për një vit armëpushim. Pasi u arrit kjo marrëveshje, u nis me një forcë ushtarake për në Napoli, për të mbështetur mbretin e ri Ferdinandin, djalin biologjik të Alfonsit, i cili ishte rrëzuar nga duka i Anzhuit, që kujtonte se kishte më shumë të drejtë për Napolin. I eci fushata aq mirë, saqë shkatërroi tërësisht forcat franceze dhe i solli menjëherë viset napolitane nën zotërim të Ferdinandit dhe kjo ndodhi pikërisht sepse shumë rajone iu dhanë atij për arsye se kishin sigurinë e Skënderbeut, që mbreti nuk do të hakmarrej kundër tyre; gjë që të bën të kuptosh, se çfarë mendimesh të larta kishin njerëzit për ndershmërinë e këtij njeriu. Pasi ai kishte forcuar kurorën e Ferdinandit, u kthyer përsëri në Epir.
Ndërkohë që ishte në Itali, Muhameti u nis në një mësymje të re kundër Epirit, megjithëse gjendja e armëpushimit s’kishte mbaruar ende. Për këtë arsye, ai bëri përgatitje të mëdha me shumë ushtri. Ushtria e parë, e përbërë prej 20.000 vetash, drejtohej nga Sinan Pasha. Por para se sulmi të fillonte, Skënderbeu ishte kthyer. Ai kishte ngritur në këmbë një ushtri prej 8000 burrash dhe papritur, gjatë natës, i sulmoi turqit në befasi dhe me aq shpejtësi, saqë ushtria e tyre në një kohë të shkurtër u përça dhe u shpërnda tërësisht, dhe kjo s’qe e vështrirë, kur komandanti vetë, së bashku me disa të tjerë, u vranë. Pak kohë më pas ai sulmoi një ushtri tjetër turke prej 30.000 vetash, që drejtohej nga Hasan beu, e cila pati të njëjtin fat, pasi pjesa më e madhe u vra ose ia mbathi dhe Hasan beu u dorëzua me të tjerët me dëshirë ose pa dëshirë. Komandanti i tretë turk, Jonuz beu, që nuk e la moralin të binte nga fatkeqësia e të tjerëve, u përpoq gjithashtu të provonte fatin me 18.000 veta. Por askush s’mundi t’i dilte përpara të tmerrshmit Skënderbe; kështu që edhe kjo ushtri e tretë u pre dhe u shkatërrua.
Kjo nuk ngjalli asgjë tjetër veç frikë dhe çudi tek të gjithë njerëzit, më tepër nga fakti se Skënderbeu kishte të bënte me një armik të tillë si Muhameti, i cili kishte nënshtruar perandorinë e dytë me shumë mbretëri dhe ishte njeri prej monarkëve dhe luftëtarëve më të mëdhenj në histori. Askush nuk guxonte më të dilte si prijës në luftërat epirote, pasi emri i Skënderbeut ishte bërë aq i fortë për gjithë monarkinë osmane. Përkundër kësaj, doli një luftëtar i vjetër me emrin Karaz beu, i cili si në kohën e Muratit, ashtu edhe të Muhametit, kishte bërë një emër të mirë. Atij iu besua një ushtri e paparë, me të cilën ai u nis drejt Epirit. Duket se çfarë emri kishte Karaz beu, meqë Skënderbeu thuhet të ketë thënë, se kishte më frikë komandantin se të gjithë ushtrinë. Karaz beu mblodhi 4000 veta si fillim me idenë për të marrë luftëtarë të tjerë gjatë rrugës në Çieri të Maqedonisë, por 4000 vetat u sulmuan dhe u shpërndanë me shpejtësi, pastaj u kthyen menjëherë në Konstantinopol dhe Muhameti nuk u tregua i pamëshirshëm, por e konsideroi si fat kthimin e tij, në krahasim me komandantët e tjerë. Kështu Skënderbeu në një kohë të shkurtër shkatërroi katër ushtri turke të drejtuara nga katër komandantë të ndryshëm; dhe Muhameti e gjeti të këshillueshme të mos e ngacmonte më aq shpesh një burrë, të cilin ai e gjeti të papërkulshëm, por u mundua të fitonte miqësinë e tij me letra tinëzare, nga të cilat Skënderbeu e la veten të bindej, kështu që u vendos paqja në mes tyre. Me këtë paqe, vendet e tjera kristiane, veçanërisht Venediku, ishin të pakënaqura, ndërsa Republika përpiqej ta fuste në luftë përsëri dhe i dërguan një delegacion, pasi të gjitha qeveritë kristiane ishin bashkuar kundër turkut e nuk mundeshin ta shihnin atë vetë, si shpirtin e fuqisë kristiane. Ata shpresonin gjithashtu se në betejat e ardhshme nuk do të rrinte duarkryq pa i ndihmuar. Skënderbeu, i cili ishte i interesuar të vazhdonte paqen me sulltanin, në mënyrë që të pasuronte banorët e vendit të tij dhe të lulëzonte tregun e rrjedhën e jetës në vend. Kështu që vetëm pasi i pa fushatat e ardhshme si luftëra fetare, vendosi ta prishte marrëveshjen e paqes dhe menjëherë sulmoi toka të Sulltanit, ku prèja u bë me përfitim të madh; por, papa Pius II, në të njëjtën kohë me vdekjen, i kishte futur kristianët në grindje, prandaj mosmarrëveshjet u ngjallën si zakonisht ndërmjet tyre, saqë secili u largua për në vendin e vet, duke e lënë Skënderbeun të vetëm. Tashmë Muhameti u çlirua nga ajo frikë, që i kishin kallur të krishterët e bashkuar. Ai i vuri në veprim gjithë mendimet e tij për luftën epirote, ndërsa Skënderbeu nuk u kthye me prènë e madhe, që kishte shpresuar, por gjeti një ushtri turke në vendin e vet. E njëjta ushtri nuk ishte gjë tjetër vetëm një vezullimë, që u duk dhe u zhduk shumë shpejt, u vranë 10.000 njerëz dhe vetë komandanti u kap i gjallë.
Kjo disfatë e re e bëri Muhametin edhe më të tërbuar, kështu që ai menjëherë provoi të gjente një komandant tjetër, i cili të drejtonte luftimet. Askush nuk ishte i gatshëm në atë kohë, vetëm njëri me emrin Ballaban Badera, një epirot me origjinë, i cili që fëmijë kishte qenë në shërbim të turqve dhe ishte i pari që u ngjit në murin e qytetit kur u pushtua Konstantinopoli.
Përvoja e tij me çështjet luftarake si dhe me gjetjet e tij, nuk ishte më e vogël se zotësia e tij, kështu që të gjithë mbanin shpresa se kishin gjetur atë njeri, i cili do t’i jepte fund sundimit të Skënderbeut. Ballabani iu përgjigj në fillim disi këtyre mendimeve që ishin krijuar për të, pasi doli mjaft mirë në betejën e parë, që bëri me Skënderbeun. Këtij të fundit iu desh të tërhiqej, kështu që kësaj here me një qëndresë më të madhe se më përpara, mori në dorën fatin e 8 epirotëve të mëdhenj, ndër ta secili ishte i aftë që të drejtonte një ushtri, por kur guxuan më shumë se të tjerët, ranë në duart e tij. Ndërmjet këtyre të tetëve ishte edhe i mirënjohuri Moisiu, pseudonimi i Perlatit, që kishte treguar zotësi të madhe në rrethimin e Sfetigradit. Ballabani i dërgoi ata në Konstantinopol dhe Muhameti i ropi ata të gjallë, fatkeqësi kjo, që e hodhi gjithë Epirin në pikëllim.
Skënderbeu nuk e la moralin të binte nga kjo fatkeqësi, por i mbushur me dëshirën për hakmarrje, e sulmoi Ballabanin përsëri dhe ia shkatërroi ushtrinë e tij plotësisht. Ballabani vetëm, së bashku me disa të mbijetuar, u kthye për në Konstantinopol. Muhameti në fillim u zemërua shumë, por meqë nuk kishte njerëz më të aftë se po ai njeri për të drejtuar luftën, duket ngaqë ai e njihte vendin më mirë, mblodhi një ushtri të re përsëri për të. U bë sërish një luftim jo shumë larg nga Sfetigradi, ku për një kohë u zhvillua një betejë e ngjashme nga të dy krahët dhe Skënderbeu u tregua aq burrëror dhe i shpejtë, saqë kristianët, por edhe myslimanët e konsideronin atë si dikush, që ishte më tepër se njeri. Epirotët, të cilët ishin të rrahur prej luftërave dhe fitoreve, qëndronin në fushëbetejë si luftëtarë, kështu që asnjë fuqi s’mund t’i lëvizte nga vendi. Në mes të betejës Skënderbeut iu kërkua dyluftim nga një turk i madh me emrin Sulejman, por ky u rrëzua për tokë menjëherë. Kjo ngjalli frikë të madhe ndërmjet turqve, saqë morën arratinë, kështu që vetëm Ballabani me disa shpëtuan.
Kur u kthye në Konstantinopol, ai u mbrojt në mënyrë të atillë, saqë Sulltani u paqësua dhe vendosi ta përdorte përsëri për të njëjtën gjë. Mund të thuhet se ai e kishte përmbushur detyrën e komandantit dhe në këtë, si edhe në dështimet e tjera, nuk mund ta zhvlerësonte askush, as ushtrinë turke, që në raste të tjera e kishin mbajtur veten mirë dhe me zotësi; por askush në këto kohë s’mund t’i dilte përballë Skënderbeut, as venecianët dhe francezët nuk kishin patur një fat më të mirë me këtë hero të papërballueshëm. Ballabani u nis për një fushatë të re dhe tani kishte marrë dorë të lirë prej sulltanit që ta drejtonte ushtrinë si të donte. Ai zgjodhi një numër të madh prej trupave më të mira dhe më të zgjedhura, të cilat i ndau me ortakun e vet Jakupin, kështu që provoi me të dy ushtritë ta sulmonte Skënderbeun njëherësh. Dhe mund të thuhet se heroit të madh iu paraqit një rrezik serioz, që ia kishte sjellë Ballabani. Ballabani arriti i pari me ushtrinë e tij, drejt së cilës Skënderbeu u afrua me një numër të vogël kalorësish, për të zbuluar gjendjen në kampin armik. Por ai u sulmua befasisht gjatë rrugës nga disa turq që e kishin pritur për ta kapur, kështu që pas një rreziku të madh për jetën, ia doli të kthehej prapa vetëm me njërin prej shoqëruesve të tij; të tjerët u vranë të gjithë. Ai e vuri re se i gjithë fati i tij varej nëse mund t’i dilte përpara Ballabanit, para se të vinte ushtria tjetër. U nis menjëherë drejt kundërshtarit dhe e detyroi atë të ndeshej, përkundër vullnetit të vet. Ndeshja ishte e fortë dhe e përgjakshme, kurse Ballabani u përgjigj me jo më pak zotësi sesa kujdes; por ushtria e tij përkundrazi u përça dhe ai me pak veta shpëtoi lëkurën me arratisje. Dhe, siç u bë me dije më pas, komandanti tjetër Jakupi, u turr me ushtrinë e tij për në Epir, shkoi drejt tij dhe u ndesh me të, para se të kishte marrë lajmin për disfatën e Ballabanit. Në këtë betejë Skënderbeu kërkoi vetë komandantin dhe e vrau me dorën e vet, kështu që e gjithë ushtria u shkurajua dhe u arratis. Në këtë mënyrë u shkatërrua plotësisht një ushtri e dyfishtë dhe emri i Skënderbeut dha lëndë për biseda dhe shpresa në të gjitha vendet kristiane.
Kur kjo fatkeqësi i erdhi në vesh Muhametit, ai filloi të frikësohej se reputacioni, që ai deri tani kishte patur, kishte qenë në bazë të sukseseve të tjera, por nuk do të donte nisur prej kësaj fyerjeje të vazhdonte akoma në Epir, që të mos ngjallte përbuzjen e njerëzve të tij; prandaj vendosi që personalisht të bënte një përpjekje të fundit. Tashmë vetë me 200.000 trupa u turr drejt Epirit dhe rrethoi përsëri qytetin e Krujës.
Para se rrethimi të ndodhte, ai bëri edhe një përpjekje tjetër kundër Skënderbeut, duke paguar dy veta, të cilëve u tha ose ta vrisnin atë ose ta mbytnin me helm; por këta të dy nuk u pajtuan me njëri-tjetrin dhe plani i tyre u zbulua e u varën të dy. Pasi kjo përpjekje shkoi bosh, Muhametit iu desh vetë të ushtronte forcën, dhe rrethimi i Krujës vazhdoi me vrull të madh; por të rrethuarit u mbrojtën me jo më pak qëndrueshmëri dhe çdo ditë bënë sulme të mëdha e të suksesshme. Skënderbeu, i cili drejtonte një ushtri të lëvizshme, u ndesh së pari me një krah tjetër të kampit turk dhe shkaktoi aq shumë dëmtime, saqë Muhameti me një pjesë të ushtrisë së tij u nis për në Konstantinopol përsëri, duke e lënë Ballabanin të vazhdonte rrethimin.
Ndërkohë Skënderbeu ndërmori një udhëtim për të marrë përforcime në vende të tjera. Ai erdhi edhe në Romë me të njëjtin qëllim, dhe ndikoi mbi papën që ta merrte çështjen e tij me zell. Pasi kishte bashkuar një numër të paanë trupash ndihme, u kthye për në Epir dhe u përcaktua që të sulmonte turqit përsëri; por rrethimi u hoq menjëherë dhe turqit u larguan nga qyteti dhe vendi, pasi komandant Ballabani vdiq nga një furtunë. Një përfundim të tillë pati edhe kjo fushatë, që ishte më e madhja e të gjithave.
Një numër kronikanësh të ndryshëm të kohës janë marrë me udhëtimin që bëri Skënderbeu duke ikur për në Itali, ndërkohë që Kruja ishte e rrethuar, pasi e quanin atë si princ të dëbuar, meqë e kishte humbur Krujën së bashku me qytetet e tjera. Por autorët më të besueshëm, si Barleti dhe Kalkokondili, thonë se Muhameti ishte po aq i dëshpëruar në këtë fushatë, sa edhe në të tjerat, pasi ai bëri edhe një përpjekje kundër Krujës dhe Durrësit, por iu desh të kthehej përsëri pa arritur asgjë, kështu që fati i mbarë dhe fitoret e Skënderbeut zgjatën deri sa ai vdiq, gjë që ndodhi në vitin l466, në moshën 63-vjeçare, pasi kishte qeverisur 24 vjet rresht.
Vdekja e tij shkaktoi një mjerim dhe piskamë në të gjithë vendin, pasi dihej se nuk ishte forca e vendit, por koka e Skënderbeut, e cila kishte bërë që Epiri të ruante lirinë kaq gjatë. Kur ai ishte në cakun e vdekjes, shtrirë e me temperaturë të lartë, pati një sulm të ri turk. Skënderbeu u hodh përpjetë nga krevati dhe deshi të armatosej përsëri sipas zakonit, por pafuqia nuk e la ta bënte diçka të tillë, prandaj dhe u shtri në krevat e vdiq pak kohë më pas.
Mund të thuhet për këtë burrë, se ishte heroi më i madh në histori, dhe askush, as në historinë e vjetër dhe as në atë të re, nuk mund të krahasohet me të. Pasi asgjë nuk është më madhështore, sesa të shohësh një princ të vogël me një grusht njerëzish të drejtojë luftën kundër dy monarkëve, nga të cilët Persia, Egjipti dhe e gjithë Evropa u drodhën dhe u tmerruan. Ai shkatërroi plotësisht 20 ushtri të fuqishme, shumicën e komandantëve dhe luftëtarëve, që i dolën përballë, i vrau me dorën e vet. Dhe kronikanët e kohës dëshmojnë, se në këto konflikte ai ka vrarë rreth 3000 veta me shpatën e tij, gjë që është më shumë se ç’mund të thuhet për çdo njeri tjetër mbi tokë.
Zotësia dhe burrëria e tij shoqëroheshin nga mëshira dhe butësia. Ai kishte zell të veçantë për besimin kristian dhe kjo duket nga të gjitha letrat e tij, ku ai i jepte vetes titullin: Gjergj Kastrioti, Luftëtari i Krishtit. Historia e tij është historia e Marin Barletit, një epiroti, në 13 vëllime, të cilat unë i kam lexuar me hollësi. I njëjti Barlet dëshmon se, qëkur turqit e pushtuan atë qytet, ku Skënderbeu ishte i varrosur, nxorën eshtrat e tij nga varri, i ndanë copa-copa dhe i përdorën si relike të shenjta, duke i varur rreth qafës e duke kujtuar se fati dhe bekimi do t’i ndiqte më pas.
Për këtë burrë mund të thuhet:
Ai ishte luftëtari, prijësi dhe njëkohësisht heroi më i madh në histori.
Ludwig (Levetid) Holberg, Adskillige store Heltes og berømmelige Maendssear Orientalske og Indianske. Tomus I. Kiøbenhavn, 1739.
Përshtati dhe përktheu shqip nga një danishtja e vjetër gotike, Arben Çokaj.
Marrë nga revista “Lemba”, nr. 2005, Ulqin, f. 11-24 dhe redaktuar.