Viron Kona: E fshehta e princeshës Donikë…
Tregim
“Dhëndëri si dielli ndriste,
Edhe nuseja që prunë,
Porsi hëna vetëtinte…”,
Naim Frashëri
1.
Sapo zbritën nga anija, ata ngarkuan bagazhet në tri karroca dhe u nisën drejt vendit ku do të strehoheshin, diku në një banesë dykatëshe të Salentos. Princeshë Donika mbante shtrënguar pas vetes birin 13 vjeçar Gjonin dhe shihte herë-herë peizazhin që shpalosej tej dritares së karrocës. S`ishte e vështirë të dalloje në qëndrimin dhe sidomos në sytë e saj një dëshpërim të thellë, ku ndihej ankthi dhe pasiguria për të ardhmen. Në Arbëri kishte qenë zonjë dhe princeshë e respektuar nga mijëra e mijëra njerëz, që, të bashkuar rreth Gjergjit të saj të shtrenjtë, ia kishin arritur ta mbronin atdheun me luftime të pandërprera, me sakrifica të panumërta për 25 vjet rresht. Ishte një liri me çmim të lartë, ashtu siç është gjithnjë liria. Djemuria shkonin në beteja, shumë binin dëshmorë në sheshin e luftës, zona të tëra digjeshin e shkatërroheshin, por Arbëria jetonte. Pas çdo beteje, ajo dilte më e fortë, më e fuqishme, si “dheu, që zhuritet, por bari mbin përsëri!” Ishin të shumta ditët që Donika i kalonte mes familjeve që kishin humbur bijtë apo që ishin djegur e masakruar nga armiku i egër. U gjendej pranë, lutej bashkë me ta, i ndihmonte me ç`të mundej, teksa atyre njerëzve të thjeshtë u gëzoheshin sytë dhe u ngrohej zemra sapo e shihnin, i merrnin duart dhe ia mbulonin me të puthura, duke i shprehur dashuri dhe besnikëri të pakufishme…
2.
Po binte mbrëmja kur befas karrocat ndaluan. Kalorësit që i shoqëronin, arbër dhe napolitanë, u zbritën kuajve dhe u afruan te karroca e parë.
-Mbërritëm princeshë,-tha njëri nga kalorësit napolitan. Ishte ende pranverë, 23 maj 1468. Përpara tyre ngrihej një godinë dykatëshe, vërtetë disi e vjetër, por dallonte që ishte një shtëpi fisnikësh, edhe nga përmasat, nga mjeshtëria e ndërtimit dhe nga pajisjet luksoze. Në hyrje, një shkallë guri, dera, dritare dhe ballkone të mëdhenj. Oborr ishte i gjerë me kopsht me lule e pemë, diku në një kënd hapej një pus dhe gjithçka ishte rrethuar me mur guri. Gjelbërimi kishte mbuluar natyrën përreth, kurse ajri i freskët plot aromë rrëshqiste ëmbël mbi kodrat dhe luginat plot me ullinj. Ishte një aromë e njohur për Donikën. Nga aty, afro 72 kilometra larg ishte Vlora dhe Kanina, vendlindja e saj. I ndante vetëm zona detare që quhej kanali i Otrantos. Kur ishte e vogël, ajo dilte në lartësinë më të madhe të kalasë së Kaninës dhe pyeste të atin se çfarë vendi ndodhej andej larg. Ai i thoshte se, andej nga lindte dielli, vinin pushtuesit osmanë, me të cilët luftonin prej vitesh. Kurse, nga perëndonte dielli, përtej ishullit të Sazanit, ai i
thoshte se, ato kohë, kishin miq që i donin dhe i respektonin. Ishin këta miq, që po i mirëprisnin e me të cilët Gjergji i saj kishte lidhur besë…
Dy gra vendase u dolën përpara dhe, duke i bërë nderimet e rastit princeshës, e udhëhoqën drejt hyrjes së banesës dykatëshe. Shpejt u gjendën brenda një një salloni të madh me kanape dhe poltrona anash. Ishte i zbukuruar me afreske, i pajisur me një vatër të madhe me oxhak të gjerë. Duke qenë se ishte mbrëmje, salloni ndriçohej nga qirinj dylli të vendosur në shandanë argjendi. Mes pikturave dhe afreskeve, Donikës i ra në sy edhe një pikturë me ngjyra të ndezura, ku shfaqeshin përballë njëri-tjetrit hipur në kuaj Gjergji dhe mbreti Ferdinant i Napolit. Që në shikimin e parë, dukej që ishin dy miq të mirë dhe aleat të sinqertë. Kurse në vazhdim ndodhej edhe një portret i Gjergjit, i veshur me uniformën e shkëlqyer luftarake, vepër e ndonjë piktori napolitan, e vendosur aty posaçërisht, si shenjë miqësie.
-Çlodhuni princeshë,-i tha njëra nga gratë dhe ndërsa Donika me Gjonin u ulën në njërin nga poltronët, gruaja solli një pjatancë të madhe argjendi me gota me ujë dhe me shurup, si dhe një kanistër të vogël të mbushur me fruta, fiq, dardhë, mollë, qershi.
Ndërkaq kalorësit napolitanë, së bashku me ata shqiptarë dhe shoqëruesit, kishin shkarkuar plaçkat nga karrocat.
-Sonte do t`i futim të gjitha plaçkat në sallonin e madh dhe nëpër dhomat e katit të parë,-tha njëra nga gratë, kurse nesër që në mëngjes fillojmë dhe i sistemojmë siç do të dëshironi ju princeshë. Kurse dhomat për të fjetur sonte, edhe për ju, edhe për princin e ri, por edhe për të tjerët që kanë ardhur me ju, janë të gjitha gati.
Princeshë Donika i falënderoj me përzemërsi. Dukej që gratë vendase dhe kalorësit shoqërues, kishin marrë porosi t`i prisnin sa më mirë.
-Sa i rëndë ky sënduk,-tha njëri nga kalorësit. Ku t`i vendosim këta dy sëndukët, zonjë?
-Ah, sëndukët! Mund t`i lini në sallon.
Kalorësit e mbartën me mundim, veçanërisht njërin nga sëndukët. Herë-herë ndalonin, fshin djersët, ndërkohë që vrisnin mendjen të gjenin se ç`kishte brenda tij. Sënduku tjetër ishte më i lehtë, por, të dy, ishin të mbyllur me kyçe të mëdhenj, gjë që tregonte se brenda tyre kishte sende me vlerë. Me siguri flori dhe argjend.
-Për një kohë do të qëndroni te kjo shtëpi,-i tha princeshë Donikës ai që ishte kalorësi i parë. -Mbreti Ferdinant tha se së shpejti do t`ju thërresë në pallatin e tij në Napoli. Gjithsesi, për sa kohë që do të banoni këtu, nuk do t`ju mungojë asgjë. Do t`i keni të gjitha, edhe ushqimet, edhe kushtet e jetesës. Gratë me të cilat u takuat, do të qëndrojnë me ju. Janë banore të kësaj zone, kështu që mund t`u kërkoni atyre çfarëdo që ju nevojitet.
Kalorësi heshti një çast dhe vazhdoi:
-Këtu në Salento ju duan shumë zonjë, dëshirojmë ta dini këtë.
-Faleminderit!-tha princesha.
-Nëse keni dhe ndonjë kërkesë të veçantë, na e thoni?
-Po,-tha Donika,-e kam një kërkesë. Do dëshiroja të kisha këtu rreth 40 enë ose vazo balte, ja, si këto,-shpjegoi ajo dhe u tregoi një enë balte ku ishin mbjellë lule. –Por, dëshiroj që në secilën prej vazove, të vizatohet shqiponja e flamurit tonë. Mund të më plotësohet kjo kërkesë?
-Po,-tha kalorësi,-këtu kemi një nga poçeritë më të mira të krahinës dhe do t`i porositim që sot. Do të dojë pak kohë vetëm pikturimi i shqiponjës, por në Salento ka mjeshtër të vërtetë, që e njohin mirë stemën e flamurit tuaj. E gjithë kjo zonë i është mirënjohës Arbërisë fqinje dhe zotit tuaj të madh Skënderbej. Por, shumë mirënjohës i jemi edhe ne. Kemi luftuar krah për krah me Gjergj Kastriotin 7 vjet më parë kundër armiqve, që kërkonin të pushtonin mbretërinë tonë.
-Ju keni luftuar përkrahë Gjergjit?-e pyeti me kureshtje princeshë Donika.
-Po, kemi luftuar në Barleta, por edhe jemi entuziazmuar nga mënyra sesi ai drejtonte ushtrinë, duke u vënë gjithnjë vetë në ballë të luftës. Siç dihet, Skënderbeu erdhi këtu në vitin 1461 në krye të 3000 mijë luftëtarëve dhe zbarkoi në Barleta, atje ku gjendej i rrethuar mbreti Ferdinant. Me sulmet e tij të njëpasnjëshme, ai i detyroi forcat kundërshtare të tërhiqeshin nga rrethimi në panik dhe të merrnin arratinë. Në shenjë mirënjohje, mbreti Ferdinant i caktoi një shpërblim të përvitshëm dhe i dhuroi disa feude në Monte Sant Angelos dhe në San Xhovani Rotondo. Janë këto prona, që do të
trashëgoni ju, familja dhe fisi juaj këtu në Itali. Princesha mbante vesh me vëmendje fjalët e kalorësit.
-Më vjen mirë për këto që po dëgjoj nga ju,-i tha ajo përzemërsisht.
-Gjergj Kastrioti nuk është vetëm hero i vendit tuaj,-tha napolitani,-ai është edhe yni.
Rrallë lindin në botë gjeneralë dhe luftëtarë si ai. Këtë e di Napoli, Roma dhe e tërë Italia. -Pas një heshtje të shkurtër, kalorësi vijoi: -Të gjithë e kanë marrë vesh ardhjen tuaj, kështu që, duke filluar nga dita e nesërme, do të keni vizita të shumta. Fjalët e kalorësit napolitan ishin si një balsam për dhimbjen shpirtërore të princeshës dhe të tjerëve. Njeriu, ndihet mirë kur sheh se e duan dhe e respektojnë në çaste të vështira.
-Na gëzuan shumë fjalët tuaja,-tha princeshë Donika.- Në Krujën tonë thuhet shpesh se: “Burimi i mirë duket në thatësirë!”- Ta dini, edhe ne ju duam shumë! -Heshti një çast dhe duke ndërruar bisedë,tha:
-Shpenzimet për vazot e baltës do t`i paguaj unë, ju lutem mos nguroni të më thoni sesa do të kushtojnë.
-Oh, jo princeshë! Ne kemi porosi që t`ju plotësojmë çdo kërkesë,-tha kalorësi,-Sa për shpenzimet, ato janë të Mbretërisë. E, me që ra fjala, mbreti ka caktuar për juve një pension prej 1000 dukatesh…
Ndërsa kalorësit u larguan, princesha thirri gratë, ato italiane dhe arbërore dhe në drejtimin e saj nisën të sistemonin plaçkat në korridore e dhoma. Aty nga fundi i darkës ajo u drejtua nga dhoma e saj. I biri i shkoi pas. Ajo u ulë në një poltron të madh dhe befas u shkreh në vaj.
-Mos qaj, o nënë! Ti nuk je vetëm këtu, më ke edhe mua. Unë do të kujdesem gjithë jetën për ty…
-E di, o bir, e di, por e ndjej shumë të rëndë këtë ikje, -tha ajo duke psherëtirë, -askush nga ne nuk e ka të lehtë. Jemi larguar nga vatani, o bir dhe këtej e tutje do të jemi syrgjyn në dhe` të huaj. Gjithçka të dashur, e kemi lënë atje. Nuk e di a do të kthehemi ndonjëherë…
-Këtu jemi te miqtë tanë të mirë, o nënë. Babai kishte shumë besim te mbreti Ferdinant.
-Po, o bir, edhe unë kam shumë besim, e njoh mikpritjen e tyre, por prapë s`jemi në atdheun tonë, ndaj dhe u ndjeva një çast e dobët…Kur të vijë koha, do të flasim me mbretin Ferdinant edhe për sistemimin e familjeve të tjera arbërore që do të vijnë në Salento apo në Itali. Osmanët janë të egër, o bir, ata janë betuar që të na zhdukin si komb dhe si racë. Edhe gjuhën, edhe historinë duan të na e zhdukin…Sigurisht që nuk do t`ia arrijnë dot, por ama shumë njerëz do të marrin arratinë…Neve na bie detyrë të kujdesemi për strehimin e tyre…
3.
Nata kaloi shpejt përmes ëndrrave të zymta, kurse e nesërmja erdhi me një diell të bukur dhe të ndritshëm. Sapo dolën në oborr, ata panë një radhë vazosh prej balte. Tek të gjitha dallohej shqiponja e flamurit. Pranë, qëndronte njëri nga poçarët italian. -Oh, ju i paskeni bërë gati të gjitha! Po, si arritët t`i përgatitni kaq shpejt?,-pyeti me kureshtje princesha,-mendova se pikturimi i shqiponjës do të zgjaste disa ditë!
-Kemi punuar gjatë natës,-tha italiani.-Për juve zonjë dhe për të nderuar kujtimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ne bëjmë gjithçka,-tha ai dhe shtoi:-Gjergj Kastrioti me trimat arbëror, erdhën këtu nga Arbëria dhe na çliruan nga armiqtë tanë, kurse kjo që po bëjmë ne është fare e vogël. Por, jemi kureshtar të dimë, përse i doni gjithë këto vazo, kur oborrin ne e kemi kompletuar me plotë të tilla, madje, ngaqë dimë se ju i doni shumë lulet, kemi sjellë nga llojet më të bukura që kemi në Itali.
Princesha buzëqeshi dhe urdhëroi t`i sillnin të dy sëndukët e mbyllur me kyçe të mëdhenj. Ja, erdhi rasti që ata më në fund të mësonin se ç`kishin brenda ata sëndukë dhe se ç`kishte ndërmend të bënte princeshë Donika me ato vazo balte.
Princesha hapi dhe ngriti kapakun e sëndukut të parë. Të gjithë mbërthyen vështrimin brenda sëndukut dhe u befasuan. Ai ishte i mbushur i tëri me dhe`. E përse duhej tërë ai dhe`? Pastaj, i sjellë nga Arbëria! Pse, pak dhe` kishte aty në Itali?!
-Tani, le të mbushim vazot e baltës me dheun që ndodhet në këtë sënduk, -urdhëroi princesha të gjithë sa ishin aty. Edhe vet nisi të mbushte njërën nga vazot e mëdha.
-Ta mbush edhe unë një vazo? – tha Gjoni.
-Po, o bir, edhe ti.
Pasi i mbushën me dhe` të gjitha vazot e mëdha dhe të vogla, princesha u afrua te sënduku tjetër. E hapi edhe atë, nën vështrimin e të gjithëve. Sënduku ishte plot e përplot me qese të mbushura me diçka, që ata ende nuk po e kuptonin. Princesha shpjegoi:
-Në këto qese, kam sjellë fara nga të gjitha lulet që ne kemi pasur në kopshtin e pallatit tonë në Krujë, në Arbëri. Do t`i mbjellin të gjitha në këto saksi dhe vazo balte, që farat të rriten e të bëhen lule, ashtu si në kopshtin tonë…Kështu, ne do ta ndjemë më pranë atdheun…Ja shikoni, këtu kemi karafila. Janë lule magjike. Kemi karafila të kuq, të verdhë, të bardhë, ngjyrë vjollcë, me lara….Ju kujtohet, ne i mbillnim edhe në bahçe, edhe në kopshte, por edhe në ballkonet e shtëpive…Janë lule shumë të përhapura në vendin tonë. Edhe në Kaninë i mbillnim. Mëma i kishte merak. E dini si e kanë emrin
shkencor? Dianthus, nga “Dios”-perëndi, dhe “anthos”-lule, që do të thotë “Lulja e perëndisë”. Karafilat mbillen në pranverë, por dhe tani nuk është vonë. Të mos harrojmë t`i spërkatim me ujë. Mbillen dhe me degëza. Disa nga këto lule janë edhe për të pastruar ajrin e shtëpisë, kështu që disa vazo do t`i vendosim edhe brenda dhomave dhe veçanërisht në sallon që të vijë gjithnjë erë e mirë. Ja, këtu kemi fikus, kemi krizantema, kemi fik deti…Fik deti pashë edhe këtu kur po vinim, por këta tanët janë ndryshe, janë nga…Arbëria. Ja dhe agulicja, që i thonë ndryshe “lule pranvere”, pastaj është dhe kjo angjelika bukuroshe; ja dhe bari i bletës, që rritet shumë në Krujë…Pa shikoni këto lulet e tjera: begonia, bozhuri, gladiola…Kurse këto këtu janë bimë të çmuara: çaji i malit, rigoni, gjineshtra, dhiozma, mërsina, mëllaga, nenexhiku, rozmarina, mareja-koçimarja, xina…Kur isha e vogël, i mblidhja me motrat dhe nënën në luginat dhe kodrat e Kaninës, në vendlindjen time. Ja dhe dafina, veronika, vjollca ose manushaqja, dredhëza e malit, jargavani, kaktusi, kamomili, kulpra e egër që bëhet shumë në Krujë; livanda, luledele, luledielli, lule lepuri, lulëkuqja… Pastaj majdanozi, manushaqja, manxurana, selinoja. Eh, ç`lule dhe bimë të bukura ka Arbëria! Edhe të parët tanë, ilirët, i donin shumë bimët dhe lulet, por ata dinin edhe të shëronin sëmundjet me to. Përdornin veçanërisht: kamomilin, lule blirin, lule balsamin. Po këtë e gjeni dot se çfarë është? Është sanza. Mbreti ilir Genti ka qenë shumë i interesuar për këtë bimë, sepse kjo ka fuqi shëruese. Është barishtore, rritet në zonat malore të vendit tonë. Lëngu i saj është vërtet i hidhur, por e mbron trupin e njeriut nga sëmundje të ndryshme. Kjo bimë ka marrë emrin e mbretit tonë ilir dhe në të gjithë botën quhet Gentiana…Gjergji im e përmendte shpesh herë me nderim të madh mbretin Gent. Kurse, këtu përpara shtëpisë sonë të re, do të mbjellim limonë, portokaj, mandarina, ullinj…Edhe këtu ka shumë, por unë kam sjellë disa fidanë nga Kanina. Sigurisht kam sjellë edhe fidanë të Elbasanit, të Beratit, të Çamërisë, të Krujës, të Tiranës, të Lezhës…Ah, për pak harrova, kemi dhe zambakët, të bardhë, blu, të verdhë…Kurse, në këtë saksinë e madhe do të mbjellim borzilok dhe do ta vendosim pranë dhomës sime të gjumit. Dëshiroj ta ndjejë vazhdimisht erën e borzilokut. Ne i themi edhe “erzë magjike” ose “mbretëresha e erëzave”, është ilaç i vërtetë. Të parët tanë e përdornin borzilokun për të thurur kurora, por edhe si simbol të paqes, harmonisë dhe lumturisë.
Në disa vende është bimë e shenjtë. Gjergji e donte shumë borzilokun. Mbaj mend që, gjatë gjithë jetës sonë bashkëshortore, ai këmbëngulte që te ballkoni pranë dhomës së gjumit, të mos mungonte asnjëherë saksia me borzilok. Por, edhe mëma e madhe Vojsavë, e donte borzilokun, ajo kujdesej shumë për lulet. Por, eh, ç`them! E kush nuk i do lulet! Hë, si mendoni? Nuk ju duket se kemi një Arbëri të vogël këtu?
—————————————
1). Andronika (Donika) Kastrioti, bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti. Lindi në vitin 1428 në Kaninë të Vlorës. Lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin Skënderbeun kur ishte 23 vjeçe, në vitin 1451.
2). Pas vdekjes së Skënderbeut Donika u shpall regjent i të birit Gjonit, trashëgimtarit legjitim të Skënderbeut. E ndodhur në kushte kur nuk e ushtronte dot funksionin e saj, sepse turqit kërcënonin seriozisht shtetin shqiptar, Donika u largua me Gjonin e ri 13 vjeçar në Itali, në mbretërinë e Napolit. Fillimisht u vendosën në brigjet Salente, më 23 maj të vitit 1468. Më 27 gusht 1468 u zhvendos drejt Napolit në feudet që mbreti Ferdinant ia kishte dhuruar Gjergj Kastriotit. Konsiderohej princesha e Shqipërisë (Arbërisë së atëhershme). Kurse i biri, Gjoni u integrua në radhët e fisnikëve…
3. Në vitet 1460-1462 Skënderbeu ndërmori një ekspeditë ushtarake në Itali, në ndihmë të aleatit të tij Ferdinantit të Napolit, sundimi i të cilit kërcënohej nga dinastia anzhuine. (Përpara se te vinte vetë, në shtator te vitit 1460 ai dërgoi ne Itali grupin e parë të luftëtarëve të drejtuar nga nipi i tij, Kojko Balsha). Që nga viti 1443, Skënderbeu kishte lidhur aleancë me disa monarkë të Eurpës e, sidomos me Alfonsin e V të Aragonit, sundues i Sicilisë dhe i Napolit. Në vitin 1458 Alfonsi vdiq, duke lënë në fronin napolitan djalin e tij të paligjshëm Ferdinantin. Francezi Rene d`Anjou, duka i Anzhuinëve, pretendonte të merrte fronin. Ky konflikt mori përmasa të mëdha ushtarake dhe rrezikonte seriozisht fronin e Ferdinantit. Në këtë kohë
Skënderbeu nisi ekspeditën ushtarake, duke i ardhur në ndihmë Ferdinantit dhe duke triumfuar mbi armiqtë e tij në disa beteja të njëpasnjëshme.
4). Pas fillimit të luftërave italiane 1494 Donika Kastriotit iu desh të largohej nga Napoli. Në janar të vitit 1501 ajo shoqëroi Nënën Mbretëreshë Giovana e III për në Spanjë. Atëherë ishte 73 vjeçe. Shoqërohej dhe nga i nipi 15 vjeçar Alonso Kastrioti. Donika vdiq në vitin 1505, është varrosur në kishën e “Trinisë së Shenjtë” në Valenca të Spanjës.