Vera Kurti: O fjalë…
O fjalë;
a ma dëgjo një fjalë
ti, një bashkësi shkronjash
të cfarëdoshme apo të zgjedhura;
thurur si gjemba dëllenje
apo si kurorë petalesh të trëndafilta
edhe kur kapton nëntë mijë male,
edhe kur kalëron hapsirën me një rreze dielli,
edhe kur u bashkohesh valëve të oqeanit,
edhe kur në gjumë na vjen me ëndrrat…
ti, je e prekshme…
O fjalë,
njërrokëshe a shumë rrokëshe
ti, je shembulli i bukur i kësaj bote
ti, nuk e mat veten me volum shkronjash
as, mburresh me hershmërinë e lindjes
ti, linde prematurë
që kur të lindëte njerëzimi
t’i rrëfeje udhë
dhe prej shekujsh
e mban bashkë, të lidhur
siç mban nëna të voglin për gjiri…
O fjalë…
sa herë takohem me ty
e ëmbël apo e zemëruar
e butë apo e egërsuar,
në ty, shoh;
mendjen ku u linde,
shpirtin ku u gatove
gojën ku u përtype…
se ti,
ke sy të shohësh e buzë të puthësh
zemër të ndjesh e shpirt të qeshësh…
O fjalë;
a ma dëgjon një fjalë;
kur të iki asaj bote
më eja ndonjëherë
siç më vjen nëna në ëndërr
se kur më vjen ti,
më vjen edhe njerëzia
më vjen, dhimbja dhe dashuria…