Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Izet Shehu

Nimfa

Sytë ngjyrë manushaqe,
Vetullat si hën’ e ngrënë,
Pak purpur ndezur mbi faqe,
Nga ç’yllnajë mbi tokë ke rënë?

Bëj të prek e s’të prek dot,
Shket si nimfa në përralla.
Kaq e bukur… Zot, o Zot,
Më shkaktove veç andralla!

Më magjepsi bukuria,
Shkrepëtiu e m’i lbyri sytë,
Më la pas ëndrra të ngrira,
Më la pas buzëqeshjen shytë.

Sytë ngjyrë manushaqe,
Flokët larë me rreze hëne.
Krejt e beftë si nimfë m’u shfaqe,
Dhe u trete pas një ëndrre…

 

Të pambrojtur

 

Jemi të pambrojtur si fijet e barit,
Kur të duan na shkelin,
Kur të duan na falin,

Jemi rreze prej dritës së diellit,
Jemi rreze prej dritës së hënës,
Vuajmë kthetrat e skifterit,
Vuajmë robërinë e këngës.

Jemi pluhur e dritë pluhuri
Duan na fshijnë e s’duan s’na fshijnë.
Vuajmë sulmet e të marrit,
Vuajmë luzmën me gjarpërinj.

Jemi të pambrojtur si fijet e barit
Vuajmë prej zhegut,
Vuajmë prej acarit.

 

Moj shkabonj’ e vjetër

Kokën e shkumbëzon në qiellin e kaltër,
Këmbët i lan në detrat blu.
Këtu e kemi Ferrin dhe Parajsën,
Këngët dhe dhimbjet
I kemi këtu.

Kokën mbështjellë me trishtimin e e reve,
Gjunjët përplasur me dallgët e egra.
Këtu i kemi dasmat dhe gjëmat,
Këtu përballim
Djaj dhe kuçedra.
Ky vend hyjnor është zemra jonë,
S’e ndërrojmë me askënd tjetër.
Ngado vemi
Ngado shkojmë,
Na shëron ky truall i vjetër.

* * *

Ballin stolisur me yje,
Këmbët shkumbëzuar në detra.
Prehje s’të gjetën flatra dhe kthetra

Sa e shuan një zjarr,
E ndez një tjetër,
Na hëngre të gjallë, moj shkabonj’ e vjetër!

 

Emblema ime

Ku është Emblema ime?
Toka ime,
Fisi im?
Bërë copa e thërrime,
Ndaj thërras e jap kushtrim.

Ku është Emblema ime?
Trup e shpirt e gjymtuar
Mjaft me përralla
Dhe premtime,
Ky mashtrim na ka kushtuar.

Ku është Emblema ime
Tempulli i të vdekurve
Dhe i të gjallëve?
Vëllai im, bjeru borive,
Mbaje nderin e të parëve!

Ku është Emblema ime
Shqip u flas a më dëgjoni?
Shihni si zemra më dridhet
Po më çahet kraharori.

 

Këto anë

Këto anë,
Me këmbë i kam shkelur,
I kam shkelur me dorë në fëmijëri.
Në kujtesën time më kanë ngelur
Pyll i vogël, kodra me qershi.

Kush e preu pyllin,
Kush e preu?
Po qershitë kush i shkuli fare?
Po skifteri, që një cinkë shqeu,
Cinkën bukuroshe këngëtare?

Puplat ngjyra –ngjyra u shpërndanë,
Ranë si flutura tek lëndina.
Pse më dhemb zemra,
Kur shkel këto anë,
Këto anë të trishta dhe të mira.

Zogun,
Që me këngë në gojë
Copë e çikë e bëri skifteri.
Sa të jem gjallë s’e harroj
Puplat e rëna si petale nga qielli.

Këto anë,
I ruaj thellë në zemër,
Ma ka ënda t’i quaj viset e mia
Cinka, fluturim e ndezi këngën.
Dehur në lulëzim vallëzon qershia.

Please follow and like us: