Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Thirrja e udhës

I. Thirrja e udhës

(Kushtuar burrave dhe grave që ndoqën udhët më të paimagjinueshme drejt lirisë e begatisë).

 

Natën në nënkresë tok-tok, tok-tok

më ushtojnë hapa:

Kushtrim! Jam udha, nisuni!

Nismëni gjithmonë nga e para.

 

1.

Dhe symbyllur nisem,

Dhe të përplasem me shkëmb

A të bje drejt në humnerë-

rrugët kështu qëlluan: me hone në gryka fshehur,

makinat – nga ato me rrota në erë.

 

Ulem në ndënjëse drejt, fort,

pa çak, pa bam;

nuk ulem, veten dorëzoj,

kokën time të prerë

e vë te timoni në xham.

Si ta vësh koburen plot

në tëmtha, nisem;

si t’i thuash vetes: tej, tretu në erë,

mollë e pjekur vjeshte,

këputu me gjithë degë.

 

Të blatohem, rrugë:

kalë dheu, mitër nëne

gur vatre, gjethërim shpuzë,

mushkëri, rrënjë

shtrojë, mbulojë,

kupë uji në buzë.

 

2.

Nisem.

S’ jetoj dot pa miqtë:

re, yje, qiell i papërsëritur

shkëmb, hon, pyll, a një hënëz bar…

në çast shuheni, në tjetrin merrni formë

si hukatjet mbi xham.

 

Hapje zemre si shi i ngrohtë;

bisedë e bekuar që rrit eshtrat,

praron e pjek të korra maji,

në dheun tim të brendshëm

plugim i tejdukshëm ajri.

 

3.

Rrugë – plaga jonë e hapur

buzë a shtat femre

përherë e ditur, a e shkallmuar

çuçuritëse, a e trungët

memece a e malluar.

 

…gropa andej, fushëtirë anash

gryka lart, poshtë humnerë

ulen male, ngrihen lugina

diku asgjë…

fill i ndërprerë.

 

4.

Na mbush, na rrit

ne njerëzit hon dhe tunel

hulli e udhëtimit, shpina e rrugës

mbushulli e hapësirës pa kulm e themel.

 

I lemë a na lënë miqtë bukuroshë,

Bota a shtrëngata na dalin kundër-

s’ ka gjë – janë lojë e fatit,

fati dhe preja,

përbindsha deti dhe lundër.

 

5.

E marrim në sy nisjen drejt fatit

sikur nuk jemi prej mishi

sikur nuk vdesim ndonjëherë:

pasione të egra, dërrmuese

rritur, shprazur, tretur në erë.

 

Zgjatëm kërthizën, tërkuzën e djepit tonë

E lidhëm në rrufe, në rreze dielli që ther,

e lamë pas si shtizë të tendosur

… te një urë varur,

harkuar në ylber.

 

I shenjtë

vetëm çasti i nisjes,

vetëm udhëtimi

të tjerat:

udhë … rrokullisje, ngritje…erë.

 

6.

Zog mëngjesi

në skelet kockash nder krahët e mëdhenj

flatra me grimca drite të lëngësht

të mpiksur

si avullimi mbi lumenj.

 

Fli i freskët,

mbi degë të holla kockash

diell, erë dhe vesë veshur-

te koha e pastër,

te çerdhja kthehu prapë,

te gojët e burimeve

çurgojnë cakun ditë as natë.

 

Fli i fluturimit

çelik krahët mprehur

në cipëzën sipër lumit,

kalitur në diell,

kthehu në ciklin e madh,

nga rrethi i mbyllur-

ti fluturim zogu-

ti rrugën çaje, ti, tej e më tej del.

 

Truall rruge i qielltë,

trung i zi asfalti, ebanit, mermer

…fluturim pa cak nëpër botë

në dhera, dete e qiej.

 

7.

Grykë drite pa diell,

kanistër pa formë buke sipër-

fytyrë e tuneltë-

në çurgim pakohësie

në pakufi e ngrirë

flu mbi malet kundra dritës,

paksa zbardhëllirë,

 

Fytyrë e tuneltë, njeri,

eja nisemi.

E qeshura si gotë uji në verë

zbut me përkohësi

ëndrra qendrueshmërie

kur rrota puthet

buzë më buzë me humnerë.

 

8.

Ti, i tunelti, vëlla me mua

si edhe ti i dehur a i marrë,

Ejani, sa rrojmë

tërkuzën e fatit ta tundim, ta shkundim fort.

Te një balonë lart ajo varet,

a në të tjerë litarë.

 

Njerëz koti, të krisur –

mbase nga rraca më e fortë –

besojmë zemrën

në përkohësi,

në pakohësi gatuar

pa shtëpi, pa kuotë.

 

9.

Ndihen hapa… tok tok… hapa,

Kushtrim! Kushtrim!

Nismëni gjithmonë nga e para.

 

Rrugë – e gjatë sa një e shtënë plumbi

në tëmtha,

barabar sa një jetë,

e shtënë në kufinj mishi, toke, ajri

nëntokë, mbi tokë a në det-

nisemi mik, nisemi herët,

një gjurmë, një hap, një vragë,

port …

hon… tunel… a dallgë…

2006

Please follow and like us: