Albspirit

Media/News/Publishing

Iris Halili: Tekstizmi – një komunikim artificial i individit si unikal


Një ditë vendosa të marr në telefon disa nga mikeshat e mia brenda dhe jashtë Miamit. Fillova t’i bie numrave me rradhë. Ishte një eksperiment të cilin doja ta përdorja për të vërtetuar një hipotezë që kishte kohë që më bluante në kokë: A na ka kthyer vallë tekstizmi në qënie më artificiale e më pak unikale?
Asnjëra nuk iu përgjigj telefonatës sime në moment. Nuk kaluan 30 minuta dhe njëra pas tjetrës filluan të më shkruanin tekstin. Në fakt ato nuk e dinin pse i kisha telefonuar, por të gjitha pak a shumë shkruan njëlloj: “Më ka marrë malli; si je; të kam xhan; kur do shihemi” etj, fraza pak a shumë njëlloj e klishe si këto. Hipoteza nuk kishte nevojë për një eksperiment të dytë. Ajo ishte vërtetuar sërish nga ky moment i thjeshtë: Tekstizmi ka zëvendësur zërin human; komunikimi natyral dhe i gjallë është zëvendësuar me atë artificial!
Çfarë po ndodh me komunikimin tonë, atë njerëzor natyral? Fatkeqësisht atë po e humbim çdo ditë e pa pa kuptuar. Ironia është se falë botës dixhitale dhe rrjeteve sociale ne jemi në kontakt me më shumë njerëz se çkemi qenë ndonjëherë në jetën tonë dhe kjo mbetet pjesa më marramendëse e së gjithës. Paradoksalisht, ndërkohë që kemi rritur numrin e kontakteve kemi humbur komunikimin e gjallë e të ndjerë, atë tërësisht njerëzor. Ne në fakt, gabimisht besojmë të kundërtën, pasi ne tekstojmë çdo ditë qindra fraza dhe komunikojmë mes teksteve dhe mesazheve me qindra njerëz, po në mbrëmje po t’i bëjmë një analizë atyre çka kemi shkruar, mund të vijë një moment që të mos bëjmë dot dallimin e njerit tekst /mesazh prejt tjetrit. Të gjitha kanë një hyrje dhe një përfundim. Pikat e presjet nuk kanë më vlerë pasi janë zëvendësuar me zemrat, lulet, diellin, puthjet etj etj. Për të mos folur për tekstet automatike, që as na lënë të mendojmë por që sistemi i lartë telefonik na i afron të gatshme.
QUO VADIS komunikimi vital? Virtuali duket se ka triumfuar. Nuk dallojmë më zërat e të afërmve. U kemi tekstuar ndër vite, por nuk na ka dalë koha t’u telefonojmë. Vite pa parë dhe folur, zërat harrohen, ngatërrohen dhe me vite edhe ndryshojnë. Për të mos folur për qindra miqësi që i njohim vetëm virtualisht e më të cilët tekstojmë shpesh mes rrjeteve sociale, por që s’u kemi dëgjuar një herë timbrin e zërit!
Tekste me fëmijët, partnerin, kolegët, tekse me miqtë, tekse me kushërinjtë, tekste me restorantet për rezervim, tekse me Uber, tekste me profesorin e dizertacionit të doktoratës që s’ja pashë kurrë fytyrën, teste me parukieren, tekste me estetisten, tekste me vartësin, tekste me shefin, tekste me zyrën e doktorit, tekse me parkimin e makinës… tekste vetëm tekste!
Fakt është që ne nuk mund ta kthejmë realitetin përmbys e të kthehemi prapa në kohë. Fakt është që ne e shijomë këtë komunikim të shpejt e pa stres. Se është i thjeshtë, ndaj është përhapur kaq shumë. Por a është kjo formë komunikimi e shëndetshme për mendjen tone, shpirtin tonë, jetën tonë?
Në tekste ne fshehim shumë nga vetja, ne shkruajmë jo vetvetishëm, jo natyralisht dhe në më të shumtën e rasteve ne censurojmë vetveten. Ne kthehemi në hipokritë: “Ta vë këtë përqafim se po të mos ta vë mikesha do kujtoj se nuk e dua aq shumë; Ja po i shtoj dhe ca lulka nga ato që janë me shumicë (në fakt në realitet as nuk e di se cila lule është e preferuara e shoqes). Ne vetëm tekstojmë e çojmë mesazhe, ashtu shpejt, pa shumë përkushtim ndaj tjetrit dhe duke e kthyer veten në sipërfaqësorë.
Ndërkohë kur ne telefonojmë apo takojmë realisht një mik a mikeshë, të afërm apo koleg, zëri ynë është real, ai është i vërtetë e shumë pak i kontrolluar.
Padashur duke tekstuar ne kemi humbur nga gjenetika njerëzore, prej mishi, gjaku e shpirti që shkruan e flet çka ndjen në moment dhe jo me parulla monotone që i gjen kudo, nga kushdo e për këdo. Robër të teknologjisë dhe mënyrës si e përdorim atë, ne jemi kthyer pak nga pak në qenie artificiale, mekanike, që mendon e ndjen pak e më pak dhe që tekston e çon mesazhe shumë e më shumë.
Njeriu është lindur të flasë e dëgjojë zërin e tij mes veshëve të tij. Njeriu është lindur që mikun apo të afërmin ta përqafojë natyralisht e jo vetëm mes kukullave emoji që kanë të gjitha një fytyrë e një buzëqeshje.
Njeriu është ndërtuar të përcjellë e marrë emocione të ndryshme nga njerëz të ndryshëm e jo të nis e të marrë tekste pothuaj identike. Çdo njeri është krijuar të jetë unik, ndërkohë që koha që jetojmë po e transformon atë në jo të tillë. Duket sikur komunikimi virtual/artificial po vret pak nga pak arketipin e trashëguar e të fuqishëm njerëzor.
Çka duhet të bëjmë që të shpëtojmë veten dhe brezat nga ky komunikim që po na kthen çdo ditë e më tepër në qënie artificiale? Unë mendoj se mbetet tërësisht në dorën tonë të çlirojmë veten nga ky robotizëm që po na e shpërbën po kuptuar gjenetikën. Familjes, miqve, kolegëve le t’ i telefonojmë në vend që t’i tekstojmë. Kur duam një argument, të marrim një vendim apo të shprehim një opinion, më mirë të takohemi apo telefonojmë e jo vetëm të tekstojmë. Tashmë që na ka mposhtur rutina e teksteve ky proces nuk është i lehtë, por ia vlen mundimi pasi është natyral, na ndihmon të shprehet krejt arketipi ynë njerëzor dhe si rezultat ne jemi të çliruar dhe realisht të realizuar. Jemi në familjen tonë njerëzore dhe jo në atë artificiale, jemi krejt vetvetja.
Artificializmi në komunikim na ka shpënë pakuptuar në artficializëm intelektual. Çdo informacion të dijes e duam të shprehet shkurt dhe mundësisht me një paragraf; nëse nuk është i tillë e lëmë pa lexuar që në rresht të dytë. Që të mund të mos bëhemi pre e këtij fenomeni duhet të vendosim të paktën çdo ditë të lexojmë një tekst të gjatë dhe më pas të përpiqemi ta analizojmë, shkurt të vëmë trurin në punë e të mos e dembelizojmë atë me informacion të gatshëm e të shkurtër sikur na ofron komunimi artificial.
Kur të shohim në rrjetet sociale një foto të mikes, apo fëmijës së saj, apo dhe kujtdo të afërmi, të mos çojmë zemrat apo lulkat (sa herë e kam bërë dhe më vjen inat me veten), por të kujtojmë momentet kur jemi parë e të shkruajmë një mesazh të veçantë që e dallon vetë marrëdhëniën tonë. Të ndërtojmë komunikime që mbështeten në kujtesa, momente të veçanta dhe jo nisim mesazhe që nuk kanë ndonjë ndryshim me atë të shkruar para nesh nga dikush tjetër.
Me miqtë e vjetër e të jetës të gjejmë kohë të takohemi apo flasim në telefon e të mos tekstojmë. Në këtë jetë të komunikimit artificial na ndodh të takohemi me ta shumë rrallë dhe vetëm pasi kemi tekstuar ndër vite. Kur jemi përballë na duket sikur kemi një jetë pa u parë. Vërtet kemi tekstuar, por nuk kemi kuptuar sa jemi larguar në natyrë apo interesa. Pra kemi humbur ç’kemi pasur, pasi nuk kemi vazhdur ta mbajmë raportin sikur e kemi pasur; thjesht jemi bërë pre e tekstizmit: të gjithëve mesazhe njëlloj, pa parë kush është përtej.
Nuk ka rëndësi të bëjmë në ditë 100 pëlqime apo 30 urime, le të bëjmë dy, por t’i bëjmë të ndjera. Akoma më bukur të telefonojmë, pasi një urim me zë, sikur edhe 10 sekonda është shumë më i pëlqyer se dhjetra tekste apo emoji. Thjesht të bëjmë opozitën e asaj që na imponon komunikimi rutinë artificial, pasi kështu do shpëtojmë veten por edhe njerëzit rreth e qark, fëmijët tanë, do të shpëtojmë arketipin apo gjenin tonë njerëzor.
Në këtë botë komunikimi virtual, do të duhet patjetër të mbrojmë njeriun, me gjak, shpirt, mish dhe ndjenja njerëzore! Ne nuk mund të ndalojmë super teknologjinë, përkundrazi ne e pranojmë dhe e stimutojmë atë, por ne duhet medoemos ta ruajmë mbi të gjitha njeriun që kemi brenda vetes dhe e vetmja mënyrë për këtë është vetë ndërgjegjësimi dhe vetë edukimi për dëmet që shkakton brenda qenies sonë kjo botë artificiale komunikimi. Duhet patjetër edhe një edukim rigoroz në shkolla me disiplinë të veëantë dhe instruktime të mirëfillta se si duhet trajuar komunikimi virtual dhe sa e kur duhet përdorur ai. Thjesht të veprojmë duke rrëfyer natyrshëm superioritetin tonë njerëzor. Njeriu e krijoi teknologjinë; është po ky njeri që do marrë prej saj aq sa i duhet duke demonstruar edhe një herë superioritetin e papërsërtishëm të tij.