A po afrohet Erdogan me Putin si reagim ndaj kërcënimit amerikan?
Shqetësimi i aleatëve
Analistët sugjerojnë se qasja gjithnjë e më e ashpër e Uashingtonit ndaj Ankarasë lidhur me çështjen e pastorit Brunson, mund të shpjegohet pjesërisht me shqetësimet më të gjera lidhur me besnikërinë e Turqisë ndaj aleatëve të saj perëndimorë. Kërcënimi i zotit Trump për sanksione mund të jetë një mundësi për presidentin e Rusisë Vladimir Putin. “Nuk e përjashtoj mundësinë që Putini po i shet Erdoganit një lloj garancie për siguri, përkundrejt zemërimit amerikan”, thotë analisti politik Atilla Yesilada i “Global Source Partners”. “Putin ka gjithçka për të cilën ka nevojë Turqia, përveç parave. Dhe Turqia ka nevojë të dëshpëruar për fonde të huaja. Por vetëm Perëndimi mund t’i japë kredi”. Kongresi amerikan i vetëdijshëm për varësinë e fortë të ekonomisë turke ndaj huamarrjes së huaj, po kërcënon me masa për të kufizuar aftësinë e Turqisë për të marrë hua. Ekspertët gjithashtu vënë në dyshim nëse zoti Putini ka vërtet interes të thellojë më tej marrëdhëniet me Ankaranë. “Nuk mendoj se Moska dëshiron ta ketë Turqinë më pranë se kaq”, thotë ish-diplomati Selcen. “Për ta mjafton loja për ta mbajtur NATO-n të dobët, për ta mbajtur Turqinë me një këmbë në Perëndim dhe një në Lindje, sepse nuk është në interesin e presidentit Putin që Turqia të jetë e varur sikurse Bjellorusia. Le të kujtojmë që ekonomia ruse është më e vogël se ajo e Kalifornisë. Rusia nuk mund të mbajë barrën e Turqisë. Madje as të Sirisë”. Turqia dhe Rusia kanë qenë historikisht rivalë rajonalë. “Turqia i ka balancuar gjithnjë marrëdhëniet e saj mes Perëndimit dhe Lindjes”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Huseyin Bagci i universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara. “Turqia i di kufizimet e bashkëpunimit me Rusinë”.
Siria si katalizator
Një këshilltar i presidentit Erdogan, që foli në kushte anonimiteti, theksoi muajin e kaluar se Ankaraja mbetet e përkushtuar ndaj aleancave të saj perëndimore dhe se marrëdhëniet me Rusinë bazohen tek domosdoshmëria e zgjidhjes së luftës civile në Siri dhe tregtia. Bashkëpunimi i Ankarasë me Moskën lidhur me Sirinë përballet me tendosje në rritje. Zyrtarët turq akuzojnë Rusinë për mos respektimin e një marrëveshje për të krijuar zonat pa konflikt, ku një armëpushim do të mbronte rebelët sirianë. Zonat u krijuan si pjesë e atij që njihet si “Procesi i Astana-s” në kuadër të të cilit Irani, Turqia dhe Rusia bashkëpunojnë për të zgjidhur luftën siriane. Pjesa më e madhe e zemërimit të Ankarasë, lidhet me atë që forcat e regjimit sirian të mbështetura nga forcat ajrore ruse janë duke e tejkaluar gradualisht zonat pa konflikt. Presidenti Erdogan është zotuar të mbrojë zonën e fundit kryesore në Idlib, në kufirin me Turqinë. Takimi i së hënës në Soçi i zyrtarëve turk, iranianë dhe rusë pritet të përqëndrohet në të ardhmen e enklavës së Idlib-it. Takimi i nivelit të lartë në Helsinki mes zotit Putin dhe zotit Trump gjatë muajit korrik mund t’i tendosë edhe më tej lidhjet turko-ruse. “Në Helsinki u zhvillua një takim prej katër orësh. Kishte thelb! Ekziston tashmë baza për një marrëveshje përfundimtare politike lidhur me Sirinë”, thotë ish-diplomati turk Selçen. “Presidenti Trump, më shumë se Presidenti Barak Obama, është i gatshëm t’ia dorëzojë Sirinë Presidentit Bashar Assad, sapo IS-isi të jetë mundur”, thotë zoti Selcen. Sipas tij kjo tregon se “Moska dhe SHBA-ja mund të bien dakord mbi Sirinë, duke lënë jashtë Turqinë”./VOA