Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Shqipëria, tokë e djegur nga komunizmi

 

Thuhet…që komunizmi nuk ka pasur struktura kriminale dhe që në komunizëm paska pasur idealistë, shërbim sekret që mendonte për vendin, e të tjera përcaktime që i kemi lexuar në revistën “Në shërbim të popullit” prej vitesh si dhe në mjetet e tjera agjitative të asaj kohe. Në këtë plan, mendimet e mia përplasen me ato sa thuhen në lidhje me atë që ka ndodhur në Shqipëri në vitet 1943-1944 dhe 1944-1990.

Kam bindjen se Shqipëria është një tokë e djegur nga krimi komunist dhe qelbi që ai ka lënë në vend duhet pastruar sa më parë. Simbolet komuniste me yje të kuq, data komuniste, emra nëpër shkolla, rrugë, etj, nuk janë gjë tjetër veçse një pisllëk komunist, rusofili e maskuar.
Nga zori, apo një lloj sporti për t’u dukur para europianëve, krimi komunist paraqitet gjithnjë pa emra. Sot vihen re përpjekje që duan ta shikojnë periudhën komuniste si kuriozitet kulturor nëpërmjet përmasës apo formës së ndonjë bunkeri, mbetjes së ndonjë helmete, etj. Nderimin ndaj asaj kohe duan ta çojnë deri te ekspozimi si martirë i klerikëve në bulevard, por pa hequr dorë nga respektimi i persekutorëve.

Asnjë pushtues nuk ka regjistruar të dhëna aq kriminale sa kanë shënuar komunistët me qeverisjen e tyre të mbrapshtë kundër popullit shqiptar. Kanë thyer rekorde të tmerrshme krimesh. Sapo morën pushtetin, në dhjetor 1944 e ndanë Shqipërinë në tri zona pushtimi me qendra në Tiranë, Berat e Shkodër, duke i quajtur krahina ushtarake. Brenda tyre seksionet e mbrojtjes së popullit, në varësi të DMP-së (drejtori e mbrojtjes se popullit), korparmatat e ushtrisë, divizionet e mbrojtjes së popullit dhe qarkorët e PKSH-së. Këto katër organe drejtuan gjenocidin ndaj elementit kundërshtar në këto forma:
-Vrasje
-Burgosje
-Internime
-Djegie shtëpiash
-Vjedhje pasurie
-Vjedhje florinjsh
-Largim nga banesa
-Ndryshim të strukturës sociale të qyteteve e fshatrave.
Të gjitha proceset politike kaluan nëpërmjet Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit dhe organeve të varësisë së saj, duke përdorur vrasjet dhe torturat nga më të rëndat. Në vend erdhi në pushtet një klasë inferiore (e përbërë nga bujq, blegtorë, zanatçinj, etj), e pashkolluar që jo vetëm largoi nga pushteti gjithë elitën intelektuale të Shqipërisë, por e burgosi dhe masakroi atë. Rrallë gjenden shembuj në histori të një përmbysjeje kaq të madhe sociale në të cilën elementi i pashkollë e kriminal të jetë në pushtet dhe ai intelektual të jetë i gjithë në burg, në varre apo jashtë vendit. Kjo masakër e paparë vazhdoi e egër ndaj inteligjencies intensivisht deri në vitin 1951. Pas këtij viti, ndaj të paktëve që ngelën, goditja vijoi me forma të tjera.
Vetëm në Qarkun e Shkodrës, sipas të dhënave të vetë regjimit, këto organe kriminale (në radhë të parë Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit), listuan menjëherë si armiq 14.700 persona. Vetëm nga “operacioni bllokues” në Shkodër midis datave 29 janar deri më 2 shkurt 1945, u krijua një klimë terrori, duke paraburgosur nëpunës, tregtarë, pronarë, punëtorë, studentë, por edhe bujq, etj. Vetëm në Shkodër, deri në shkurt 1945 ishin arrestuar 3.070 persona. Një pjesë e madhe e tyre u liruan brenda vitit 1945, jo për humanizëm, porse regjimi nuk mund të menaxhonte kaq shumë të burgosur. Vetë shefi i krahinës së tretë të Mbrojtjes së Popullit, Zoi Themeli pranonte më 24.3.1945 se akuzat ndaj të arrestuarve ishin në shumicë “krejt të pabaza”, pasi me të tilla mund të akuzohej “krejt populli”. Ai rekomandonte që pushkatimet të bëheshin në grupe prej 18 – 19 vetash, në mënyrë të tregohej se ata (komunistët) nuk kishin frikë prej popullit.
Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit nga dhjetori 1944 e deri në shkurt 1945 arrestoi 4.500 kundërshtarë dhe 516 të tjerë si “strehues e furnizues kriminelësh”. Nga marsi 1945 e deri në shkurt 1946 kjo drejtori arrestoi edhe 601 persona të tjerë.
Me hapjen e kampeve të para tela me gjemba, kjo drejtori internoi 1.275 persona në kampin e Krujës (shumica fëmijë) dhe 900 në Berat (po ashtu shumica fëmijë).
Masakra të spikatura mbeten ato për të nënshtruar popullsinë antikomuniste si në zonën e Malësisë në Shkodër, etj.
Por nuk duhet harruar po ashtu roli antikombëtar i DMP-së kundër misioneve të huaja në Tiranë si ato amerikane dhe britanike, në funksion të rolit mercenar ndaj shërbimeve sekrete jugosllave.
Krimet e DMP-së i ka pranuar edhe vetë Partia Komuniste. Për të ardhur keq është që z.Tare nuk është ngritur as në frymën e plenumit të 11-të të datës 24.9.1948, kohë kur vetë Partia Komuniste dënoi veprimtarinë më të madhe të organeve të Sigurimit të Shtetit deri këtë kohë. Nëse unë do gaboja në përcaktimin se organet e Sigurimit të Shtetit janë strukturë kriminale, të njëjtën gjë ka thënë edhe një prej themeluesve të kësaj arme, Vaskë Koleci në letrën drejtuar Enver Hoxhës më 26.11.1948 thotë se “organet e Sigurimit ishin organe kriminale”, duke theksuar qëndrimin ndaj të arrestuarve, në kontrolle, operacione dhe metodat e përdorura, vrasje ilegale. Të arrestuarit në përgjithësi ishin trajtuar keq, kundër tyre ishin përdorur torturat si rrahja me dru, kamxhik, litar të lagur, telefoni, jeleku, lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë, përdorimi i pincave, etj.
Koleci thotë se ndërtimi institucional i DMP-së filloi në janar 1945 me ardhjen e nënkolonelit jugosllav Miat. Ndërlidhja bëhej me anën e Delo Balilit i cili qëndronte në Beograd, e më pas nëpërmjet Nesti Kerenxhit.
Një tjetër drejtuesi i lartë i këtyre organeve, Vangjo Mitrojorgji tregon torturat ndaj të ndaluarve, brenda “vijës së punës”, duke pohuar tragjikisht se “i arrestuari ose vdiste ose tregonte”, sepse vepronte pandërprerë druri dhe rryma elektrike. “Ishte krijuar një psikozë e tillë që të bëhej garë kush të rrihte më shumë dhe kush përdorte metoda të reja të torturimit”-shkruan Mitrojorgji.
Në një raport të 27.12. 1948 mbi gabimet dhe ndreqjen e tyre, Mihallaq Ziçishti shkruante se puna e Sigurimit deri atë çast ishte në tre elementë: gjurmimin e jashtëm, arrestimet dhe hetimet.
Në komentet e tjera z.Tare shkruan se “arma e kundërzbulimit” paska kontribuar në ndalimin e destabilitetit të Shqipërisë dhe se vetëm në vitet 70-80 qenka kthyer në një armë represive. Ndoshta Auroni ka përshtypjen se është bërë i keq Sigurimi në vitin 1985 e për rrjedhojë edhe në vitin 1986, por kjo nuk është as çështje sigurimi garnizoni e as çështje revistash, por më gjerë se kaq.
Në fakt destabilitet më të madh se ndërtimi i eksperimental i komunizmit dhe mbajtja e një bande vrasësish për 46 vjet në pushtet nuk ka. Nëse komunizmi do kishte rënë p.sh. në vitin 1950, do të ishte si viti 1991 dhe vendi do ecte shumë përpara.
Unë nuk mendoj se në Shqipëri pati ndonjë “brez idealistësh” që ëndërruan një Shqipëri ndryshe, etj, por se ishin një grup shkatërrimtarësh që bënë hi shtetin shqiptar për të ndërtuar eksperimentet sovjetike.

Please follow and like us: