Kardiologë të njohur shqiptarë dhe italianë, konkluzione të përbashkëta për insufiçencën kardiake akute dhe kronike
Halil Rama
Insufiçienca kardiake shkakton vdekje më shumë se çdo formë kanceri.
Kardiologë të njohur shqiptarë dhe disa profesorë italianë, lektorë në Universitetin e Lecces, arrijnë në
konkluzione të përbashkëta për mjekimin e insufiçiencës kardiake akute dhe kronike. Duke vlerësuar
Insufiçencën kardiake si një patologji globale e cila shkakton vdekje edhe më shumë se çdo formë
kanceri, ku pjesa më e madhe e pacientëve janë nën 65 vjeç, kardiologët shqiptarë dhe italianë diskutuan
dje gjërësisht për këtë patologji në Workshop-in që organizoi Shërbimi i Kardiologjisë në QSUT, në
bashkëpunim me Autoritetin Rajonal të Leçes. Ky Workshop i Telemedicinal QSUT “Nënë Tereza”, nën
drejtimin e Prof.Asc Franco Pisano dhe Prof.Dr.Petrit Bara, ishte një risi sepse nëpërmjet një
videokonferencë u lidhën me rrethet e vendit, Kosovën dhe Maqedoninë.
Profesorët italianë Stefano Sabato, Franco Pisano, Luigi Perrone dhe Paolo di Paolo – lektorë të
Universitetit të Lecces dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm me diskutimet dhe përvojën e tyre për
insufiçiencën kardiake.
Duke folur në hapje të këtij Workshop-i, me temë: “Modeli i integruar i menaxhimit të pacientëve me
isufiçiensë kardiake: Diagnostika dhe trajtimi”, Prof.dr.Bara,ndër të tjera u shpreh për përdorimin e
Defibrillatorëve të Implantuar që reduktojnë ndjeshëm vdekjen e papritur, por që sipas tij edhe kjo nuk e
redukton progresin e insufiçiencës kardiake. Bazuar në statistikën vërtetë të frikshme, sipas së cilës 50
përqind e pacientëve me insufiçiencë kardiake bëjnë vdekje të papritur, dr.Bara, si një nga kardiologët më
të mirë të vendit argumentoi bindshëm domosdoshmërinë e përdorimit të Defibrillatorëve të Implantuar.
Me mjaftë interes u ndoq nga pjesëmarrësit vendas e të huaj në këtë veprimtyari të rëndësishme edhe
referati që mbajti Prof.Dr.Petrit Bara me temë “Terapia Sinkronizuese si avantazh në uljen e mortalitetit
në insufiçiencën kardiake.
Personalitete të tjera të kardiologjisë, si Prof.Asc Sokol Myftiu e Dr.Bernard Shehu, referuan me mjaftë
kompetencë e profesionalizëm për diagnozën dhe trajtimin e insufiçencës kardiake akute dhe kronike si
dhe për Terapitë e fundit në insufiçencën kardiake kronike dhe ACE-I si terapi parandaluese në
përshkallëzimin e insufiçencës kardiake.
Konkluzionet e kardiologëve shqiptarë u vlerësuan pozitivisht edhe nga Prof.Asc Franko Pisano, FESC.
Prof.Asc Sokol Myftiu vlerësoi Udhëzuesin “Diagnoza dhe mjekimi i insufiçiencës kardiake akute dhe
kronike si një dokument të bazuar në evidenca të sakta. Ai evidentoi si risi të këtij Udhëzuesi
identifikimin e një termi të ri për pacientët me IK dhe FE 40-49 përqind (HfmrEF), identifikim ky që do
të stimulojë kërkimet për karakteristikat, fizpatologjinë dhe mjekimin e kësaj popullate. Dr.Myftiu dha
rekomandime të qarta për kriteret diagnostikuese për insufiçiencën kardiake me FE të reduktuar,
mesatarisht të reduktuar dhe FE të ruajtur, rekomandime këto që synojnë prevenimin dhe shtyrjen e
zhvillimit të insufiçencës kardiake ose prevenimin e vdekjes para fillimit të spimptomave. Sipas Dr.Sokol
Myftiut, ky dokument është në konsensus i një Task Force dhe Komitetit të ESC për udhëzuesit praktikë.
Dr.Benard Shehu foli për Lisinoprilin që siguron përfitime simptomatike në pacientët me insufiçencë
kardiake congestive. Duke u ndalur në Studimin ATLAS, Dr.Shehu tha se ky studim tregoi se doza të
larta të lisinoprilit reduktonin në mënyrë të ndjeshme rrezikun e pikës përfundimtare të kombinuar të
morbiditetit dhe vdekshmërisë në krahasim me doza të ulëta të barit. Për dr.Bernbard Shehun “Lisinopril
është të paktën aq efektiv dhe gjithashtu tolerohet si anëtarë të tjerë të klasës ACE inhibitor për trajtimin e
dështimit të zemrës congestive.
Një kontribut të jashtëzakonshëm me diskutimet dhe përvojën e tyre dhanë: Prof.Dr.Baboçi, Prof.dr.Bara,
Prof.dr.Myftiu, dr.Mirela Hasani, Ejona Cauli si dhe Dr.Benard Shehu. Përvoja dhe konkluzionet e tyre
për sa i përket insufiçencës kardiake u vlerësuan edhe nga kolegët italianë, profesorë në Universitetin e
Lecces.
Insufiçenca kardiake është një sëmundje e rëndë gjatë së cilës zemra është e dobët dhe nuk mund të
dërgojë mjaftueshëm gjak në të gjithë trupin, e cila rezulton në një trup i cili nuk merr sasinë e nevojshme
të oksigjenit dhe lëndëve ushqyese për të punuar normalisht. Dhe përderisa gjaku dhe oksigjeni nuk janë
në nivele të mjaftueshme për të ushqyer muskujt dhe organet e trupit, muskujt lodhen dhe si rrjedhojë
pacienti me insufiçiencë kardiake lodhet shumë lehtë.
Në të njëjtën kohë, trupi nuk kthen gjak në nivele të mjaftueshme drejt zemrës sepse është duke pritur për
një “tërheqje të madhe” që nuk vjen asnjëherë. Kështu që gjaku mblidhet në vena, duke pritur që të
rikthehet në zemër. Presioni aty rritet, rrjedhimisht lëngjet dalin tek indet përreth, kryesisht tek këmbët
dhe beli. Lëngu mblidhet gjithashtu në mushkëri sepse nuk e ka të lehtë të kthehet tek pjesa e majtë e
zemrës dhe shkakton kongjestion në mushkëri dhe gulçim. Këto pra janë edhe simptomat kryesore të
insufiçiencës kardiake. Trupi përpiqet ta menaxhojë situatën duke bërë disa përshtatje, por e menaxhon
atë vetëm për një kohë të shkurtër. Në fund, këto përpjekje të organizmit jo vetëm që nuk ndihmojnë por
çojnë drejt vetë-shkatërrimit.