Dyqanxhinjtë e patriotizmit
Në politikë thonë se vota është lakmuesi më i mirë. Që ndan egjrën nga kashta. Mund të biesh dakord me këtë shprehje, por mundet edhe mos të jesh. Në çdo rast, asnjë politikan nuk mund të tërheqë për hunde shoqërinë pafundësisht. Ky është rasti me Shpëtim Idrizin, që pasi u degdis me vota jashtë Parlamentit, së fundmi ka nisur të rihapë dyqanin e patriotizmit në stendat e të cilit shpall patriotë dhe tradhëtarë.
Një ngjarje e sotme në Gjirokastër i ka dhënë shansin Idrizit që të flasë edhe ditën e diel, duke u shprehur se teksa “patriotët” ndalohen të protestojnë në Këlcyrë ku po zhvilloheshin ceremoni për të rënët grekë në luftën italo-greke, një ekstremist që qëlloi me armë ndaj forcave policore në Bularat lejohej të bridhte i lirë në Shqipëri. Me këtë përrallë, entuziasti Idrizi ia hodhi edhe vetes kur doli e bëri zëdhënësin e emocioneve të ndrydhura shqiptare. U përgënjeshtrua shpejt, pasi siç raportohet, ekstremisti grek është vrarë nga forcat e RENEA-s, duke lënë me gisht në gojë zotin Idrizi që pasi ia dhuruan partinë e çështjes çame, bëri çmos që ta çonte në fund.
Zotëria bën mirë që të tregohet – bashkë me patriotët e çquar që ngjallen në kësi rastesh – që të protesojë para Parlamentit për varrezat e grekëve, jo para varrezave. Të shkojë dhe të protestojë edhe para Parlamentit grek për të kërkuar varreza për të rënët e Çamërisë, në mënyrë që edhe nderi për të cilin bërtet të vihet në vend, por edhe ne të shpëtojmë veshët nga kjo llomotitije e bezdisshme që përherë do të na tregojë se kush është patriot, se çfarë bën një patriot, se kush lëfton për mëmëdhenë e të tjera mrrokulla si këto. Jemi vend i vogël dhe në fund të fundit, z. Idrizi nuk duhet të ketë iluzionin e gabuar se e njohin vetëm pëmes konferencave për shtyp./respublica/