Cikël poetik nga Izet Shehu
HARABELA, HARABELA!
Edhe harabelat flatërojnë së bashku,
Në të njëjtin ajër, mbi të njëjtat lëndina.
Së bashku ulen e ngrihen te parku,
Së bashku struken kur i zë suferina.
Këtë qiri jete e djegin bashkë.
Thërmie cicërimash përcëllojnë në flakë.
A merren vesh së bashku, a flirtojnë së bashku,
Në të njëjtin agim a në të njëjtin muzg?
Harabela, harabela! Shpirtëra të dehur,
S’besoj se e kuptoni fjalën fatale “fund”!
Me flatra e cicërima, me cicërima e flatra.
Mesazhe përcillni hapsirave të kaltra.
Edhe harabelat jetojnë në tufë,
Pa ditur ç’është mllefi, pa njohur pabesinë.
Ulen e ngrihen mbi barin e butë
Shkruajnë me sqep fjalë që as vetë s’i dinë.
Më mirë harabel a bar të jesh më mirë,
Se sa mëkatar, makut e servil!
GJETHET E VERDHA
Nga kavaku madhështor.
Unë me mend kap një yll
Kap një yll
E mbaj në dorë.
Bien gjethe të verdha,
Bien përtokë e në kujtesë.
Gjithë hadistëve u them: erdha,
Gjatë këtu s’mund të mbes.
Bien gjethe të verdha
(Për ta qirinj s’mund të ndez)
Gjithë hadistëve u them: erdha,
Kush atje do të më pres?
Kush do të ma shtrojë krevatin?
Kush do të më bëjë shoqëri?
Vjeshtë, o vjeshtë, shkunde kavakun,
Dorovitna me gjethe flori!
KJO “BOTË E LIRË”
As guri s’paskërka mëshirë,
As shenjti s’qenkërka vërtet shenjt,
Përderisa qëndron i ngrirë
Dhe s’na e thotë një fjalë me mend.
Skifteri s’kërkoka pendesë
Për cinkat e shqyera në erë,
Por sqepin fshin e lan me vesë
Dhe sulet gjithë vërtik e tmerr.
As guri s’paskërka mëshirë,
As shenjti s’qenkërka vërtet shenjt,
Përderisa kjo “botë e lirë”
Me kthetra shqyen kurmin e vet.
FJALË…
Fjalë që pluskojnë në ajrin e kuq,
Mes isos bezdisëse të gjinkallave.
Një kalë gërdallë, i çalë e gërmuq
Trokon mbi kalldrëmet e përrallave.
Kapi në mundsh, fjalët në erë,
Kapërce kapërcyellin e kohës së vjetër!
Secili pak kalë,
Pak gjinkallë, pak mjelmë,
Godet dhe goditet pas shpine në skeptër.
Përse kaq fosile fjalësh në erë?
Përse kaq përpëlitje fluturash të kuqe?
Një kalë trokon…
O zot, përse trokon ky kale,
Mbi kalldrëmet e përrallave që ikin tutje.
MBRËMJA
Sa e beftë zbriti mbrëmja,
Rreth e qark krahët nderi.
Ndizen drita,
Feksin yje,
Çelen ëndrra si ylberi.
Ja, shiko, ngadalë, si bie,
Si merr frymë,
Si flatrat hap,
Larë me rreze,
Nxirë me hije,
Uverturë e manushaqtë.
Mos e lër të shkas aq lehtë,
Pa u ndierë, se s’e gjen më.
Hidh diku
Një gjurmë,
Një mbresë
Bëhu ajër e shkriu me të!
SHTRYDHENI SHPIRTIN TIM!
Merreni,
Merreni po ta doni,
Shtrydheni shpirtin tim!
Nëse s’gjeni lëng limoni
Do të gjeni dashurinë.
Dashurinë për këtë tokë,
Për këta njerëz të rrallë.
Gjeni qoftë një vend në botë,
Që ka kaq dhimbje e mall.
Dhe nuk di kush i ka nëmur,
Këto brigje
Këtë dhe,
Këtë zemër të lënduar,
Që rënkon e nuk di pse.
Merreni,
Merreni,
Shtrydheni këtë shpirt!
Nëse s’gjeni lëng limoni,
Do të gjeni një qiell me dritë.