Poezi nga Mimoza Pulaj
Pragu pa mur
Sa herë më ke puthur i dashur?
Aq shumë sa fillimi…s’kujtohet
e të pafundme puthjet ngjajnë.
Të ëmbla, si zemra jote, e të vërteta, si ti, si une.
A s’nisën atë ditë që linda?
E shpresoj të mbarojnë me mua.
S’mund të humbasësh një gjë bashkënatyrale
pa humbur veten, si thua?
E nëse në një tjetër univers do të takoheshim
përsëri,
me puthje a s’do më mbuloje?Ashtu si di ti?
A të kujtohet rruga jonë?
Kur perëndimin e diellit ndiqja
me këngët e Battistit në buzë,
sa me pasion më puthje, i heshtur…i heshtur,
me zemrën në dridhje, si unë.
A s’ish e ngrohtë dhe në dimër
ajo rrugë e mbushur me gur?
Dy më të medhenjtë, qe puthjet numëronin,
a s’dukeshin si pragu i shtëpisë sonë?
I madh, i hapur…pa mur.
Pasqyrat e shpirtit 2012.
Egoistët
Bosh pa ëndrra e pasione,
ajo, në mënyrën
që ai do,
jeton.
Dhe e kënaqur është
me dëshirën
për të qenë
e rëndësishme,
per t’u ndjerë
e nevojshme
në ekzistencën e të dyve.
Duart, këmbët, trupin
por dhe trurin
ia jep atij.
Që
nuk di te dojë
sepse nuk di te japë.
Egoizmin
firmosin
të dy.
Ai mbi vijë të drejtë
e mbi të shtrembër ajo.
Pasqyrat e shpirtit 2012.