Cikël poetik nga Emine S. Hoti
Autorja banon në Norvegji
Çast
Nëse s’i hedh në letër në çast,
Mendimet ikin si zogjtë, fluturojnë,
S’mundemi jo, t’i rikrijojmë përsëri,
Se t’tjera gjëra shpirtin na trazojnë.
Xhevahiri më i ndritshëm
Për të mirën e vajzave e motrave tona,
T’i respektojmë ato si qenie njerëzore,
T’i ngremë sa me lart dhe t’i vlerësojmë,
Xhevahiret më të ndritshme t’kësaj bote!
Ka dhe dallgë e stuhi
Për të qenë i përgatitur në jetë,
Parashiko se ç’mund të ndodhë,
Mendo se ka dhe dallgë e stuhi,
Jeta çdo çast na vë në sprovë.
Mos u ngut
Natyra ka përplasje e befasi,
Ka erëra,acar por dhe bukuri,
Ndonjëherë në ditë të qeta,
E mbush qiellin me re e stuhi.
Sigurisht që vijnë dhe rrufetë,
Që të godasin atje ku se pret,
Miku im, duro e mos u ngut,
Mendoji gjërat më qetë…
Kurajë
Kur ke përpara një dallgë të lartë,
Mos u tërhiq, përballoje me guxim,
Tjetrën do ta kalosh edhe më lehtë,
Sepse e para të ka sprovuar,miku im.
Zemra të pastra, themele të forta
Nëse do që të jesh njeri i fjalës e i besës,
Mos e kthe si moti gëzofin nga fryn era,
Çiltërsinë, sinqeritetin t`i pranojnë kudo,
Me zemra të pastra përballohet jeta.
Era në sekondë e ndërron drejtimin,
Njeriu s’duhet të ketë rrënjët t’dobëta,
Të mos lëkundet si varka në suferinë,
Të qëndroj si burrë, si themelet e forta.
Kam dëshirë
Dëshiroj të mos shoh askënd të nënshtruar,
Askënd të gjunjëzuar dhe askënd të varfër,
Askënd t’sëmurë dhe askënd pa bukë e ujë,
Askush të mos vuaj nën këtë qiell të pastër.
Dua t`i shohë njerëzit si dallëndyshet në pranverë,
Si lulet që çelin në marsin e begatë dhe të lulëzuar,
Si rrezet e diellit që ngrohin tokën e na gjallërojnë,
Kështu t’i shohë popujt të lumtur dhe të bashkuar.