Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Tefta Sala

Në luftë me shpirtin më në fund

Ndjenjat më ngatërrohen mëngësh, e unë
nxehem nervash si ajo xhezvja e kafesë teke
që nuk duron të zihet, por dëshiron të derdhet
sa më shpejt në filxhan.
E më pas vras mendjen, ku isha mbrëmë kur nata
po çmendej britmash duke bërë dashuri me veten?
Asnjë përgjigje nga vetja, sepse dihet…unë natën iki
iki fushash poetike…e kthehem në mëngjes
për t’u zënë me ndjenjat që gjithmonë kërkojnë
pushtet tek unë, por unë kurrë nuk ua plotësoj këtë
privilegj.
E prap më ndodh…gjithmonë më ndodh të acarohem
të rrebelohem pa e ditur arsyen.
Kuptoj që jam në luftë me shpirtin

Më në fund.
Dorëzohem.

 

Ikjet janë të trishta

Ikjet janë të trishta, si ajo kafeja e hidhur e vdekjes.
Edhe ajo iku, pa kthyer kokën pas, duke lënë
një re të dendur ikjesh të mbledhura ndër vite.
Ikjet janë të pakthyeshme kur motiv kanë epshin
e rutinës, monotonisë pa themel.
Ajo iku, sepse diçka e tërhiqte për të ikur larg,
për të gjetur një qiell të vetëm, një pyll të vetëm,
një botë të vetme…botën e saj.

 

Ti je e tëra një hënë e artë

Kot mërzitesh: – Më tha lypësi plak.
Shihmë sa i lumtur jam unë.
Kam që mbrëmë pa ngrënë.
Ti je e tëra një hënë e artë
me një buzëqeshje të zbehtë,
që nuk ta fsheh bukurinë e ashpër.
Ktheju shpirtit tënd të pasur.
Mos lejo të ta hanë hajnat.
Siç bënë me mua një shekull më parë.

Please follow and like us: