Lazër Stani: Historia ime janë librat e mi
Lazër Stani, shkrimtar, publicist vjen më poshtë në një rrëfim për librat e zemrës, për MapoLetrare.
Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?
Kam lexuar shumë që në fëmijërinë time. Pothuajse të gjithë emrat e njohur të letërsisë botërore, nga klasikët grekë e deri te romancierët e mëdhenj të tre shekujve të fundit. Nuk mund ta përcaktoj se cili është romani më i mirë që kam lexuar në jetën time, por cili është romani më i dashur e them pamëdyshje: “Zorba” i shkrimtarit grek Nikos Kazantzakis. Po përse? Për shpirtin e jashtëzakonshëm, për energjinë jetësore që mbush çdo faqe, për madhështinë dhe përvetshmërinë e njeriut, për inteligjencën dhe fantazinë e pashtershme, për bukurinë dhe marrëzinë e jetës gjithashtu. Më duket sikur në atë libër gjendet shpirti i stërgjyshërve të mi të lashtë.
Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjithë kohërave?
Tregimin më të bukur e kam lexuar vonë dhe jo në gjuhën shqipe: “Gimpel the Fool” (Gimpel Idioti) i shkrimtarit Isaac Bashevis Singer. Por këtu veçoj edhe “Metamorfozën” e Kafkës dhe shumë prej tregimeve të Çehovit. Nga letërsia shqipe, po veçoj dy tregime: “Hanë gjaku” shkruar nga Ernest Koliqi dhe “E madhe është gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit. Tregime modernë dhe mistikë mbi fatin e palexueshëm të njeriut.
Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?
Unë nuk kam patur mundësi t’i lexoj të gjithë librat që botohen. Kështu që çdo veçim emri do të ishte shumë subjektiv dhe i padrejtë. Dhe në këtë vend padrejtësishë nuk dua të shtoj dhe një padrejtësi tjetër.
Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?
Poezi. Nuk besoj se kalon një ditë pa lexuar poezi, qofshin këta autorë shqiptarë apo të huaj. Në tryezën time të shkrimit, gjen gjithmonë libra me poezi. Edhe në këtë çast që po u përgjigjem pyetjeve të kësaj interviste, ngjitur me kompjuterin gjenden dy libra me poezi: Brodsky dhe Quasimodo. Drama lexoj shumë rrallë.
Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?
Librat e politikanëve shqiptarë. Po për fat të mirë janë të zënë e nuk shkruajnë libra.
Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?
Nuk kam një hero apo heroinë të tillë. Njerëzit janë njerëz, nuk janë heronj. Ose ndoshta mua nuk më ka takuar të jetoj në kohë heroike.
Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj?
Lexues i babëzitur. Lexoja gjithçka. Letërsi, libra historie, libra me informacion shkencor, madje edhe librin “Dimë të hamë, a dimë të ushqehemi?” të Prof. Aleko Xoxës.
Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?
Romani i parë serioz që kam lexuar ka qenë “Ushtari i Mirë Shvjek”. Pastaj “Makbethi” i Shekspirit. Makbethin pothuajse e mësova përmendësh dhe ia recitoja nënës time. Po ashtu edhe shumë pasazhe nga Ushtari i Mirë Shvejk, të cilat i ritregoja me pasion të zjarrtë. Në shkollë të mesme lexova klasikët e përkthyer në gjuhën shqipe nga Balzaku te Tolstoi. Ama kurrë nuk kam lexuar letërsi për fëmijë. Si fëmijë nuk më sillte kush libra dhe kur u bëra dy-trembëdhjetë vjeç, i thoja vetes burrë, i zgjidhja vetë librat. Dhe zgjidhja librat e të mëdhenjve.
A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?
Jo ndonjë telash kushedi. Në shkollë të mesme, se kush më kishte akuzuar se unë nuk lexoja letërsinë tonë, por lexoja vetëm libra të vjetër, libra të kohëve të shkuara. Atëkohë vërtetë lexoja letërsinë klasike greke dhe autorë të njohur të rilindjes europiane. Bënë një mbledhje dhe më qortuan në organizatën e rinisë. Por e kalova paq, gjysmë me humor atë idiotësi kulturore që atëherë ishte kthyer në normë.
Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai.
Nuk besoj se ka një libër të tillë, por librat sigurisht kanë patur ndikimin e vet. Unë nuk mund ta përfytyroj veten se çfarë do të isha pa librat që kam lexuar. Natyrisht, për shkak të rrethanave në të cilat u rritëm, shumë gjëra na erdhën me vonesë në jetë, mes tyre edhe librat. Biblën, për shembull, e kam lexuar së pari pas vitit 1990.
Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?
Nuk mund t’i ndaj librat e mi. Por “Kohë për Nuse” ndoshta është më i plotë si libër.
Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?
“Rrugë pa krye”, të Lazër Stanit. Po më mirë edhe atë të mos e lexojë.
Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?
Darkat nuk i pëlqej me shkrimtarët, por me miqtë. Miqtë nuk është e thënë të jenë shkrimtarë. Mund të kenë profesione të ndryshme, mund të jenë mjekë, agronomë, inxhinierë, veterinerë, kompozitorë, ç’rëndësi ka. Ama nuk kam për ta harruar një drekë me poetin rus Andrei Voznesensky në Moskë në vitin 1993.
Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë?
Nuk kam një libër të tillë. Si lexues, them se gjithmonë kam qenë një lexues i mirë. Ka shumë libra të suksesshëm e të vlerësuar në botë që mua nuk më kanë pëlqyer dhe nuk i kam lexuar. Por nuk ndjej keqardhje për këtë.
A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?
Ka shumë libra të tillë, të cilët i braktis që në faqet e para. Mjafton të lexosh disa faqe për të kuptuar nëse një libër është i lexueshëm ose jo. Leximi është akt kënaqësie, jo punë angari që duhet hequr qafe. Ama në rini i kam braktisur që në faqet e para dy libra që ishin shumë në modë dhe shumë të kërkuara nga lexuesi në atë kohë: “Zonjën Bovari” të Gustave Flaubert dhe “Ana Karenina” të Lev Tolstoit. Janë libra të rëndësishëm të dy, që kanë një vend nderi në letërsinë botërore, por unë kështu jam lindur. Nuk i kam duruar kurrë librat sentimentalë, të mbytur në drama dhe përdëllime dashurie. Që katërmbëdhjetë vjeç e pata kuptuar se dashuritë janë më jetëshkurtëra se njerëzit dhe se dashuria është vetëm një kontekst në jetë.
Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?
Askush. Historia ime janë librat e mi. Të tjerat janë shumë personale.
Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?
Nuk mjafton koha që t’u rikthehesh librave që i ke lexuar njëherë. Por librat me poezi i lexoj dhe rilexoj gjithmonë. Dhe ndonjë tregim të veçantë gjithashtu. Romaneve u rikthehem rrallë. Para disa ditësh vendosa të rilexoj disa nga poetët tanë si Fatos Arapi, Azem Shkreli, Martin Camaj, Xhevahir Spahiu, Frederik Rreshpja, Bardhyl Londo, Visar Zhiti e ndonjë tjetër. Dhe vërejta një fakt interesant: rileximi i tanishëm është krejt i ndryshëm nga ai lexim që iu kam bërë njëzet apo tridhjetë vite me parë. Është një lexim i ri. Librat janë po ata, por me siguri kam ndryshuar unë.
Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?
Dy libra të Stephen Hawking: “A brief history of time” dhe “The theory of everything”. Si dhe librin “Biocentrism: How Life and Consciousness are the Keys to Understanding the True Nature of the Universe” nga Robert Lanza e Bob Berman. Por mbase m’i dhuron dikush për ditëlindje.