Cikël poetik nga Avdush Canaj
HËNA E MËRZITUR
Në zemër të qytetit
i prenë blirët e çelur!
I prenë!
Kuku, nënë!
Zogjtë fluturojnë të trishtuar,
degëve ua fshinë lotët me flatra!
Sikur t`ishte Ali Huruglica
do të hapte të pame 7 ditë
në lagjen e poezisë!
Unë nuk di a do të qetësohem
ndonjë herë
nga kjo barbari e paparë,
nuk di!
Blirë të dashur,
raftë vetëtima mbi atë dorë!
Në dritare të qiellit çdo natë
del hëna e mërzitur
për
ju!
LOTI I YLLIT
Ende pa gëdhirë
mëngjesi,
lulja dënesi
në katin e shtatë!
Vëllain përcolli
n`rrugën e gjatë.
Mbi një degë fiku,
loti i yllit piku.
NDOSHTA, DIKU LARG
Ti që luan me lodra yjesh
në dhomën e ngrohtë,
ndoshta, diku larg, në kasollen me llamarinë,
një zog si ti mërdhin.
Ti që ha drekë
me gjitha të mirat në tryezë,
e, në vend të ujit pi
qumësht zogu,
ndoshta, larg diku, pa verën,
një pëllumb si ti
s`ka me çka të njomë kotheren.
Ti që fle
në shtratin me pupla reshë
e në tavan ke një hënë,
diku larg, ndoshta,
një harabel si ti
te koshi i plehrave gjumi e ka zënë.
NUK PRISH PUNË
Nuk prish punë
shoqe ta kem Norën,
në klasë ndonje ditë
zemra
t’ia puthë dorën.
Mund të na shoh mësuesja
që shpjegon për fiset…
S`bëhet Lufta e Madhe,
bota
nuk përmbyset!
Nuk prish punë,
pas orës
së tretë
t`i them asaj:
Flutur
me xhaketë!
Ajo hidhërimin s`e di fare,
pulëbardhë me mrekulli!
Vetullat i buzëshin:
Zambaku me kollare
është
kështu, si ti!
Dikush mund të flas pas shpinës,
nuk prishë punë,
as më shton siklet,
unë i bie
violinës sime
edhe pa harkun e vet!