Mehmetali Rexhepi: Frederik Rreshpja
mos e lyp te vetja urinë e Tij
përderisa vjell nga krupa
mos e kërko te etja
derisa në frymën tënde gromësijnë
të gazuarat flluska
mos ia gjurmo lartësitë e borës
kallinjtë e dhimbjes Tij
shkundur tej fletores
nuk ngjiten dot tek hënë e Tij
as vjeshta verdhoshe
as anijet kozmike
Ai atje kishte prore një mike
finoken metaforike
ndoshta mëton t`ia prekësh (f)loçkat e vargut kristalor
katarakteve të larta dhimbja ortek me borë
asnjë digë ndesh detit Tij
Ai ngjitej mbi të kaltrën çati
syshqiponjë nga e Tija lartësi
nën kravatën e bardhë
sakaq
pa kobrën kutullaç
mbi një zemër shkëmbi
zvarritej e kruspullohej
gjithaq
sa t`i thahej helmi
në durimin e Tij
po deshe provo të hysh labirinteve
kështjellës së një rebeli
për t`ia gjetur thesarin e dhimbjeve
pos Files
zbehtësi e hënës
dhe hiles
pa sytë e Tij mos e mësyj atë vetmi
pa zjarrin e Tij mos e ndez asnjë shkëndijë
të jesh i sojit Frederik
e t`i thuash jetës ik
se donte atë që nuk deshi ai
t`ia flakësh nga qafa ngërthimit
me pështymë të kuqe medaljonin e kapitullimit
të jesh një Frederik Rreshpja
dhimbja do të thoshte mirë se të gjeta
eremit mes të xhindosurve të paudhë
poezia arkitekturë e pa pushtuar
një ure të pa rrënuar
e shpinte në purpur
si i mbëltoje gjymtyrët Tua në gur
kokrrat e vargut ndanë grilave të tiranit
me prangat në duar
në çdo cep Tëndin kishte hyrë nata
dhe nuk shkëmbeje varg për pranga
ç`kishin të Tijat shkarravina
nuk i qasej dot stina
më afër se vdekjen veshte këmishën
të fismen e jetës dhe grishjen
Gjilan, gusht 2018