Ora e ndalur e Shqipërisë!
Romeo Gurakuqi
Pas Reformës në Drejtësi, publiku në Shqipëri ka pritur reformimin e të gjithë sistemit kushtetues, por prej dy vjetësh propozimi është arkivuar dhe ora e transformimit të përshtatshëm është ndalur.
Prej shkurtit të vitit 2017, e tërë jeta politike dhe shoqërore gjendet nën peshën e një dore të fortë kontrolli, që kulmon institucionalisht në figurën e një njeriu të vetëm, që është njëkohësisht kryeministër i vendit, kryetar i një partie thelbësisht komuniste në strukturën shoqërore dhe organizative, është ndërtues dhe komandues i skenarëve vepruese në Parlament, është menaxher i shpërndarjes abuzive të të gjithë buxhetit të shtetit në rrafsh territori dhe individësh, është dispeçeri kryesor i sistemit të blerjes së votave nga netëork-u i skuadrave speciale elektorale të socialistëve, është programues i plotësimit të regjistrave të aplikimit për të hyrë në sistemin e Drejtësisë së Re, dhe prej një viti edhe kryeprokuror e kryepolic de facto i vendit.
Shumëkush kujton se ai është dora dhe mendja e vetmuar dhe e mjeruar e PS-së, por bindja ime është se Edi Rama është personi “i duhur” i një grupi familjesh të ndërlidhura me regjimin hoxhist, i organizatës së fshehtë të ish-oficerëve të Sigurimit, që i shpëtuan ndëshkimit të shtetit ligjor në vitin 1991; është zëdhënësi i një numri sipërmarrësish të sajuar, që prej disa vitesh kontrollojnë ekonominë, financat dhe sistemin e pastrimit të parave nëpër skutat e errëta të këtij vendi me shtet të dobët. Përndryshe, partia që ai drejton prej vitesh me metodat e spiunëve të diktaturës, përfundimisht nuk ka më asnjë mundësi reformimi drejt një partie socialdemokrate, sikurse me gjasë kishte dhënë sinjale në një kohë të parë, reflektimi fillestar të spikatshëm.
Pyetja që bëhet është kjo: Ku është ndalur Shqipëria? Ajo në fakt është ndalur në derën fundore të Ballkanit Perëndimor, pa arritur të hyjë në Evropë, për shkak se është e penguar në kryerjen e reformimit që nevojitet për një vend me pamjaftueshmëri zhvillimore nga një bashkësi e stërholluar interesash ilegale, që përdor politikën dhe institucionet për synime krejtësisht private. Prej së paku dy vjetësh vendi është peng i ndaljes dhe futjes në arkivin e pengmarrësve të shtetit, të projektit të shndërrimit të republikës së korruptuar parlamentare, në një republikë të mirëfilltë demokratike, me kontroll të balancuar pushtetesh, me president të zgjedhur nga populli dhe deputetë elitarë të përzgjedhur me kritere strikte profesionale dhe me shkollime realisht të certifikuara. Projekti i reformimit të Republikës u vendos, për fat të keq nënsulm, jo vetëm nga pushtetmbajtësit e Rilindjes Komuniste, por edhe nga “Zemërthyerit” që jargaviteshin për të hyrë në politikë me lëpirje dhe sharje nga dera e prapme e Parlamentit.
Në vend që reformimi i saktë i republikës të shndërrohej në paradigmën e ditës së klasës politike, një histeri e tërë inajetësh dhe të korruptuesish e ktheu të gjithë përpjekjen modeste për reformim të sistemit kushtetues dhe politik në objekt prozhmimi dhe talljeje. Shumë interesa prisheshin në kënetën politike të Tiranës. Një dukuri kjo e njoftur dhe e përsëritur në historinë moderne të këtij vendi, ku dallaveraxhinjtë mbajnë vendin e parë në kazanin e kryeqytetit të zënë me forcë dhe dinakëri. Dhe siç ndodh rëndom pas çdo “ofensive” si kjo, reformuesit tërhiqen mbasi nuk kanë kohën dhe durimin me u përballë me histerinë e turmave të pabindura. Në vend të startit të reformave rrënjësore ngadhënjyen delenxhinjtë e modelit ramist, që thyen në besë popullin dhe negociatorët amerikanë të majit 2017, duke blerë pushtetin, duke zgjeruar kapjen e të gjitha institucioneve dhe duke fshirë në mënyrë të qëllimtë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.
Dhuna e institucionale e pushtetit të kontrolluar tashmë nga jakobinistët provincialë, të vendosur përkrah zyrës së kryeministrit dhe kryeparlamentarit, në bashkëshoqërim të marrëzisë së tyre sovjetike, prodhoi në mënyrë logjike zvogëlimin në zero të hapësirës së opozitës demokratike për kundërveprim brendainstitucional. Fasada e pluralizmit ra një ditë kur opozita vendosi të dorëzojë mandatet, jo për t’i bërë qejfin “urithëve” të kazanit politik, që janë ripërtërirë dhe kanë ndërruar kostum me shpresën se mos harrohen, por si një nevojë, që çdo iluzion për bashkëshoqërim të pavullnetshëm me të keqen të bjerë njëherë e mirë si një akt i fundit paqësor për çmontimin e maskës parlamentare të regjimit të neopunistëve. Jemi në fund të një shtegu pa krye me një popull të demoralizuar, me një përfaqësi të shkatërruar, demokraci në kolaps, por me një Kryeministër “krenar”, që kërkon të bindë popullin që brenda lukunisë së pushtetmbajtësve është vetëm ai, “këlyshi” i rritur ndershëm.
Thelbi i gjithë krizës së sotme është i lidhur me shkatërrimin e përshpejtuar të sistemit shtetëror nga babëzia dhe ligësia e grupit të gënjeshtarëve dhe shtrembëruesve të Rilindjes. Zgjidhja paqësore e krizës së rënies së Parlamentit dhe e qeverisë së kapur në flagrancë në vjedhje pushteti dhe paraje publike ka si konditë të panegociueshme largimin e ideatorit të projektit të çmendur të zhbalancimit të Republikës dhe bashkëpunëtorëve të tij të drejtpërdrejtë në krim. Por ky është një hap i parë, që nuk mund të ketë sukses pa fshirë tërësisht gjithë “filozofinë” e rrëmbyesve dhe hajdutëve, që zhvatën shtetin nga oborri i maskarenjve të pushtetit, shkatërruan lirinë dhe vendosën popullin në ikje.
Zgjidhja e krizës vështirësohet nga disa faktorë, ku spikasin posaçërisht dy prej tyre: 1. Ideatori i gjithë zhbalancimit ndërinstitucional është njëkohësisht kryetari legal i mazhorancës uzurpatore dhe, teorikisht, faktori pretendues negociator i ndërmjetësve, gjë që komprometon gjithë zgjidhjen e krizës dhe ndot plotësisht horizontin dhe perspektivën e një korrigjimi strukturor të sistemit. 2. Ky person zotëron karakteristika të veçanta, të instransigjencës komunikative, të mungesës së qartësisë së autoanalizës, të paragjykimit të ligët ndaj shqiptarëve, që nuk bëjnë pjesë në vathën e kopesë së tij të të bindurve të verbër. Kjo e vështirëson shumë gjetjen e rrugës tranzitive të vendit të rënë në llum dhe të mbërritur në zgripin e fundosjes.
Kryeministri, nga njëra anë, nuk mund të jetë personazhi i pranueshëm për opozitën. Nga ana tjetër, PS-ja nuk ka zotërinj të tjerë konkurrencialë dhe zhvendosës të të pandërgjegjshmëve që bashkëshoqërojnë “liderin suprem”; PS-ja nuk ka në sistemin e vet të brendshëm institucional një përfaqësi legjitime të palidhur më personazhin në fjalë, që të ketë tagrin për t’u ulur në një tavolinë pune ndërmjetësish, që duhet për të shmangur ballafaqimin që i troket në derë një populli fatkeq dhe të shumëvuajtur. Ca njerëz vullnetmirë shohin zotin Pandeli Majko sërish si një figurë tranzitive për të shmangur hallakatjen pas marrëzisë qëndrestare të rilindjes. Që zoti Majko mund të ishte njeriu më i pranueshëm prej socialistëve për të ndalur përplasjen fatale, që po troket te dera, kjo nuk ka dyshim. Por në gjykimin tim, ai nuk e ka mundësinë praktike të shfaqet sipër skifterëve të korruptuar të oborrit të mëkatarëve dhe nuk besoj se vizioni i tij për daljen nga kriza i kap stekat e nevojshme për të përmbyllur thellësisht korrigjimin e sistemit dhe vendosjen e Shqipërisë në balancë administrative.
Ndaj, pyetjet që bëhen sot janë: Cili është politikani i duhur i ndërmjetëm, që mund të arrijë “ta lexojë” dramën ku ndodhemi dhe të kuptojë se çfarë kërkohet për të dalë prej saj? A do të fokusohemi sërish vetëm në bërjen e disa makijazheve për të kapërcyer rrëmujën e radhës për të amortizuar shpërthimin e përplasjes që është në derë, apo do të angazhohemi seriozisht për ndërtimin e një sistemi të ri kushtetues dhe politik, që do të lërë pas, njëherë e mirë, Republikën e korrupsionit, të veseve të politikanëve, të pandëshkueshmërisë së mëkatarëve të regjimit të vjetër punist?
Në qoftë se duam të zgjidhim krizën paqësisht është e nevojshme të përkufizohet me emrin e vërtetë esenca e pushtetit të sotëm si një pushtet i blerë nga një shtab politik, që dirigjohet nga Kryeministri çehrevrarë i vendit, koha e të cilit tashmë ka marrë fund. Në qoftë se edhe pas vitesh skandalesh të njëpasnjëshme fshijmë me një të rënë të lapsit këtë vërtetë, që nuk ka qytetar shqiptar që nuk e di, atëherë rrethi i krizës dhe kostoja e zgjidhjes së saj do të vijë në mënyrë marramendëse, duke u zgjeruar dhe ky vend do të shndërrohet në një “fushë të mjerimit”. Përpjekja e paautorizuar për të shpjeguar përkufizimin e termave “dialog” dhe “negociata” me subjektin e veprës penale të vjedhjes së pushtetit është po aq qesharake sa të thuash se ministri i Brendshëm nuk mban përgjegjësi për respektimin e manualit të përdorimit të gazit lotsjellës nga Policia e Shtetit në një shesh të aprovuar për proteste.
Largimi nga Parlamenti nuk ishte zgjedhja e dëshiruar nga opozita, por një lëvizje e imponuar ndaj saj, nga një pushtet i korruptuar dhe antikombëtar, që mahisej çdo ditë me arbitraritet, arrogancë dhe orgjira, nën vëzhgimin indiferent të burokracisë evropiane, që vetëm fotografon një model special të demokracisë fasadë. Indiferenca ndaj asaj që po ndodh këto ditë do të thotë që kriza të ecë në hullinë ramiste të shpëtimit të “dinastisë” së tij politike dhe financiare, e cila po kap çdo sektor të jetës së këtij vendi. /Zëri/