Rushi Xhaferi, sfidat e misionit të mësimdhënies ne Kanada dhe një urim për kolegët
MONTREAL – KANADA Prej mbarimit të studimeve universitare, Rushi Xhaferi jeton në Montreal. Prej shumë kohësh ai është profesor i gjuhës frënge në metropolin e Quebec. Pas mbarimit të disa kualifikimeve mbi edukimin, Xhaferi do të na rrëfejë sot eksperiencën e tij si profesionist në fushën e edukimit. Në një intervistë për Albanian Montreal Press, profesori i gjuhës frënge do të na tregojë pak më shumë mbi ecejaket e një suksesi në Kanada.
Ju jeni një mësues me një eksperiencë të konsiderueshme punë, mësues prej 11 vitesh në Kanada, çfarë mund të na thoni sot për këtë rrugëtim të gjatë në shërbim të dijes?
Ishte krejt rastësi që përfundova si mësues. Kur ndërmora studimet në gjuhën frënge, kërkoja me shumë një diplomë sesa një profesion. Në vitin e tretë të fakultetit u bë një ndarje midis studentëve: mësuesi, specialist i gjuhës dhe përkthim. Është e tmershme se studentët më pak të “mirë” u kualifikuan në specializimin mësuesi. Kjo tregon edhe rëndësinë (ose mungesën e rëndësisë) që institucionet i japin ketij profesioni. Ky realitet qëndron edhe në Montreal. Janë shumë shpesh studentët që konsiderohen më të “dobtit” që drejtohen në degën mësuesi. Fillimet në vitet e para ishin sa të vështira, por edhe formues. Çdo ditë ndërroja shkollë në të gjitha cepat e Montrealit. Si zëvendësues, mund të them që kam dhënë mësim në çdo shkollë të qytetit. Kam pasur sa ditë të mrekullueshme edhe të vështira. Integrimi si imigrant është i vështirë, por si mësues është thelbësor sepse njohja e vendit pritës është kriteri i parë për ushtrimin e profesionit. Me vonë mora statusin e përkohshem, ëndrra e çdo imigranti. Punë e sigurt në funksionin publik. Ndoshta edhe pranga të arta. 11 vitet e fundit, kam qënë mësues i gjuhës frënge në klasat me nxënës imigrantë që mësojnë gjuhën. Kënaqësia gjatë viteve ka qëndruar në faktin se këta nxënës për një vit kanë mësuar një gjuhë sa të vështirë aq edhe të bukur (jo sa shqipja) për t’u integruar në një vend sa të ftohtë dhe mikpritës. Nëpër vite, si mësues në Montreal, rruga ka qenë komplekse dhe profesioni ka pasur momente të vështira nga shumë vendime te qeverisë (edhe këtu politikanët ngelen politikanë), por mbi të gjitha një mësues duhet të mbetet mësues (dhe jo llogaritar që justifikon mungesat e fondeve për këtë apo atë arsye). Nuk je mësues që në ditën e parë në një klasë. Pedagogjia është cilësia që ka mësuesi për të ndihmuar çdo nxënës në rrugën e tij drejt dijes. Është më e lehtë ta thuash sesa ta bësh. Është akoma më e lehtë ta shkruash. Është e komplikuar ta praktikosh. E rëndësishme është të kesh dëshirën të tejkalohesh në profesionin si mësues.
Çfarë ndryshimi vëreni tek brezat pasi ju keni patur mundësinë të njiheni me shumë prej tyre?
Si mund të motivosh një nxënës me një shkumës në dorë kur në dorën e tij gjendet një telefon inteligjent? Pyetja mund të lind çfarë është dija në 2019? Kur ke gjithe botën në një aparat telefoni dhe kur të telefonosh është pjesa më e komplikuar, si mësues duhet te bësh disa pyetje mbi profesionin që po ushtron dhe të shikosh se çfarë rëndësie ke në një botë të tillë. Nxënësit imigrantë janë shumë të respektuar se vijnë nga jashtë. Por kam pasur raste të jap mësim edhe tek nxënësit “vendali”. Ky brez ka një kohë përqëndrimi prej disa sekondash, domethenë e humb vëmendjen shumë shpejt. Është brezi. Shkumësi, qoftë edhe me ngjyra, është arkaik. Teknologjia është e pranishme edhe pse ajo na ndihmon në shumë fusha, nuk duhet të na gënjejë se është zgjidhja e çdo problemi. Sepse fjalia dhe kryefjala nuk kanë ndryshuar. Zgjedhimi është po ai dhe drejtshkrimi nuk ka pasur ndryshim të madh. Leximi është aktivitet i cili të hap horizontet, qoftë në fletë libri konkret apo në një iPad. Kjo teknologji bën pjesë në ADN e brezave të rinj dhe brezat e rinj nuk janë më pak të zgjuar se brezat e tjerë edhe pse studime tregojnë se QI (Quotient Intelectuel) mesatar ka rënë në shekullin e fundit. Megjithatë, çdo brez ka qenë gjithmonë i shqetësuar për të ardhmen e brezit te ri. Budallallëk ose xhelozi për shkak të humbjes së rinisë? Por nëse në mendojmë se brezat e rinj janë më pak të “mençur”, kemi përgjegjësinë për t’i edukuar dhe mësuar që të jenë më të mirë se brezi i kaluar. Por xhelozia e gjeneratave i bën njerëzit ordinerë. Si mësues, ne kemi detyren për ta çuar këtë botë më tej.
Përveç jush, ju e ndani profesionin tuaj gjithashtu edhe me bashkëshorten tuaj. Si është jeta e një çifti mësuesish, a i ndani bashkë shqëtësimet e profesionit tuaj?
Ky profesion është energjingrënës (énërgivore). Diskutimet e punës dhe shqetësimet mbi profesionin janë të shumta. Midis nesh ato ngrenë pasione, të cilat nuk të lënë te shkëputesh nga puna. Megjithëse diskutimet janë të zjarrta disa herë, në shtëpi kemi vendosur të diskutojmë për arsimin në mënyrë të hapur. Shqetësimet janë të përbashkëta dhe ndodh edhe nganjëherë të mos jemi dakord. Por zakoni e do që të ulemi dhe të themi: -Oui ma chérie, tu as raison!
A mund të na sillni disa kujtime që ju keni përjetuar gjatë kësaj periudhe të gjatë si mësimdhënës?
Nga t’ia filloj. Le të themi që situatat janë për t’u parë në tre kënde: Drejtorinë, kolegët dhe nxënësit.
Me drejtorinë
Nuk është i njëjti realitet të jesh mësues në Shqipëri dhe në Kebek. Në vendlindje e mbyll gojën dhe i jep të drejtë drejtorit dhe nuk mendoj se situata ka ndryshuar. Në Montreal, ke gjithë të drejtën të kritikosh sistemin, por deri diku. Në të përditshmen time, drejtoria është si një partner dhe lider pedagogjik, që të shoqëron në ushtrimin e profesionit. Por hierarkia qëndron. Megjithatë në Montreal mësuesit kanë një të drejtë që quhet autonomia profesionale. Le të themi që në shkollë vendos drejtori, por në klasë është shef mësuesi. Edhe përse kam pasur një marrëdhënie fërkuese me drejtoritë, e njoh vështirësinë e punës së tyre.
Me kolegët
Në vitet e para, kam mësuar shumë nga kolegët. Kam pasur fatin të punoj me profesionistë të shkëlqyer, përsa i përket pedagogjisë dhe metodologjisë. Megjithëse kam ndëruar 11 shkolla të mesme për arsye se postet dhe klasat me imigrantë hapeshin në territore të ndryshme gjeografike, kam pasur rastin të kem një njohje të mirë të qindra mësuesve në një marrëdhënie pak a shumë të afërt. Konkluzioni është që dinamikat janë pak a shumë te njëjta. Kam qenë në shkolla ku kush e kush të përfitonte nga avantazhet që kishte në dorë drejtoria. Lufta klanesh për pak pushtet dhe një të përditshme më të mirë. P.sh. një klasë më e madhe, nxënës më të mirë, orar pune me pak i lodhshëm, materiale të reja, kompjutera në klase para të tjerëve. Nga jashtë, një shkollë duket si vend paqe dhe ku të gjithë bashkëpunojnë për përmirësimin e rezultateve të nxënëse. Në realitet, është secili për vete. Dhe gjendja është keqësuar sidomos 5 vitet e fundit për shumë arsye. Buxhetet, politikat e qeverisë, etj. Mendoj se kolegët mund të jenë sa inspirues aq edhe demotivues në të përditshmen në punë. Është e rëndësishme të dish të krijosh marrëdhënie bashkëpunimi. Personalisht, nuk kam pasur asnjëherë vështirësi të kem marrëdhënie të shkëlqyera, por ka ndodhur që kam pasur edhe konflikte. Mendoj se konfliktet janë mundësia për të shkuar më larg dhe për t’u përmirësuar sepse janë reflektimi i problematikave ekzistuese që lejojnë përmirësimin e veprimtarisë si mësues. Por jo të gjithë e shikojnë në këtë mënyrë.
Me nxënësit
Kur kam qenë vetë nxënës kam pasur shumë pas mësues inspirues e shumta një. Mësues Engjëlli në shkollë të mesme. Mësues kujdestar, i qetë, i qeshur, mirëkuptues, mësues që fal. Një nga cilësitë e mësuesit, që ushtroj në të përditshme, është mos gjykimi i nxënësve. Është shumë e lehtë të kesh paragjykime për nxënësit dhe të mendosh se ai është kështu dhe ajo është ashtu. Pranimi i çdo nxënësi siç është të lejon t’i çosh shumë lart. Në frëngjisht fjala nxënës është domethenëse sepse do të thotë ta ngresh lart, nga ana e dijes. Por edhe në shqip fjala do të thotë shumë. Ai që nxë, që kupton dhe që mëson. Shpesh herë mësuesit mendojnë se nxënësit janë gdhë. Ai është gdhë, nuk nxë. Por është e pamundur sepse të gjitha studimet tregojnë se të gjithë personat sado të vegjël kanë të gjitha kapacitetet për të mësuar. Problemi është vlerësimi që ne bëjmë. Sistemi ynë është i bazuar në një sistem përqindje ku nota merr më shumë rëndësi sesa dija. Por mësimdhënia nuk është domosdoshmërisht mësimnxënia. Në këto 11 vjet, kam pasur me qindra nxënës edhe përse ata kanë qenë të ndryshëm, të gjithë kanë pasur dëshire të avancojnë. Vështirësia e mësuesit është të mos bjerë pre e paragjykimeve dhe trajtimit të nxënësve në të fortë, mesatarë dhe të dobët. Kjo ndarje është një realitet me të cilin nuk pajtohem. Në shkollë e denoncoj sa herë që mundem këtë realitet. Personat përballë, mësues, drejtori, keshilltarë pedagogjikë, por dhe aktorë të tjerë të arsimit, kur më dëgjojnë ngrenë supet duke më lënë të kuptoj që ky është sistemi dhe sistemi është sistemi. Por asnjë gjë nuk e pengon inteligjencën që të mendojë se sistemi mund ta këtë gabim dhe në këtë rast e ka gabim. Si njerëz të shpërndarjes së dijes, ne kemi përgjegjësinë të reflektojmë dhe të mbajmë mend historinë. Shumë sisteme kanë rënë dhe e dijmë tashmë se kanë qenë sisteme të gabuar dhe të padrejtë: sistemi feudal, sistemi komunist, etj.
A keni ju një mesazh për kolegët tuaj shqiptarë në të gjithë botën?
Ju uroj të jenë të lumtur në profesionin që praktikojnë. Mendoj se realitetet ndryshojnë sepse ne duam t’i ndryshojmë. Nuk është e lehtë të përmirësosh gjërat se ndryshimet kanë shumë rezistence përballë. Por konformizmi është i rrezikshëm. Më kujtohet një replike e filmit “Vdekja e kalit”, i vitit 1992. Në një nga sekuencat e fundit, spiuni i cili e futi në burg personazhin kryesor, Agronin, pasi ra regjimi ishte bërë deputet dhe kur e rastis në rrugë shfaqësohet duke thënë se ishte faji i sistemit. Është kollaj, për arsye nga më të ndryshmet, por mbi të gjitha frikë, të fajësosh sistemin apo të tjerët. Forca e mësuesit qëndron në shtysën që ky profesion na jep që ta transferojmë në dëshirë për të ardhmen; në motivim për të tejkaluar limitet; në zgjuarsi për të gjetur zgjidhje për një planet më të pastër dhe me barazi më të madhe. Festa e mësuesit më jep mundesinë t’ju uroj gjithë mësuesve shqiptarë në botë: Gëzuar festën e 7 Marsit!/Albanian Montreal Press/