Nostalgjia e çative dhe hajateve të Tiranës
(Pas një udhëtimi në lagjen time të vjetër në Tiranë)
Tjegulla, qindra tjegulla, tjegulla shtëpish tiranase ngjizur në sytë e mi të fëmijërisë dhe rinisë. Tjegulla okër në të kuqe dhe kulmuar mbi ato shtëpi të përkulura nga pesha e kohës, mbi mure qerpiçi. Çati tiranase që sot gati janë zhdukur nga afresku i dikurshëm i këtij qyteti ku ato mbizotëronin në paqen dhe përgjimjen e tyre, ku rrugët e rrugicat kalonin drejt kopshteve të lulëzuara me hurmat e bahçes së Ali Osekut, fiqtë e Zerinës, muçmollat dhe pjergullat. Dikur vrapoja mbi çatitë, pa e ditur se duke thyer një, mund të humbja ekuilibrin dhe të bija…sigurisht në ato shtëpi të vogla dhe mund të shpëtoja, por kur vrapoja në çatinë e pallatit tim me katër kate, të modelit sovjetik në «Bulevardin Stalin», kjo padyshim do të ishte vdekjeprurëse. Ishim fëmijë…
Mbaj mend hajatin e vjetër të asaj shtëpie me tjegulla poshtë ballkonit tim. Një hajat i hapur, pa strehë, që ndante dy pjesët e asaj shtëpi përdhese, duke riparë në kujtesën time atë fëmijëri të çuditëshme, të lirë, që nuk dinim se ç’ishte koha dhe bota, pasi Gagarini kishte udhëtuar në kozmos rreth botës, priftërinjtë dhe hoxhallarët mbanin sytë të habitur nga qielli dhe gjithçka e rruzullit ishte ç’rregulluar. Prindërit duhej të punonin dhe ne ishim në lirinë tonë, veçanërisht në ditët e verës. Gjithnjë këmbëzbathur, jo se s’kishim këpucë, por se liria kuptohej dhe në ecjen zbathur, çka nganjëherë bënte që zifti i nxehtë i serës së bulevardit të na ngjitej në tabanin e këmbëve e të na përcëllonte. Dhe ja ku më shfaqet ajo ditë vere gjithë vapë, kur duke ndënjur në ballkon dhe picëruar sytë në diell, kushedi në ç’përfytyrim dëgjova ca nallane poshtë nga hajati dhe papritur pashë Florën, atë grua 30 vjeçare që si gjithnjë në koketërinë e saj këndonte dhe ndërkohë po hiqte këmishën. Vetëm atëherë kuptova se ajo mesa dukej do të lahej. Dhe kështu, si në një skenë felliniane, pashë tek hoqi sytjenat, fundin prej basme, të mbathurat e saj ngjyrë rozë dhe ja ku filloi të lahej në atë hajat të vjetër plot rrangulla, pasi ai me sa dukej ishte vendi ku laheshn gjatë verës. Me ato kaçurrelat e zezë që i binin mbi supe, Flora, këndonte si një mexosoprano dhe shkumohej gjithnjë e më shumë, por nuk ishte kjo që më bënte më shumë përshtypje, as nuditeti i saj, por një diçka e fryrë dhe e shëmtuar, një lloj topi i dhjamtë që i shfaqej në fund të barkut dhe të bënte kureshtar se përse ndodhej aty. Çfarë të ishte vallë? Sidoqoftë ishte hera e parë që shikoja një nudo. Në fakt, duke vështruar topin me dhjamë, solla në kujtesë gratë në plazh por tek asnjëra nuk kisha parë një top të tillë. Vërtet, ç’të ishte? Si dreqin ishte krijuar aty në atë gungë të çuditëshme? Mendoja kështu dhe imagjinata më çonte në lloj-lloj pamjesh, pasi atëherë fëmijëve u thonin se bebet lindnin nga sqetullat e mamave dhe broçkulla të tjera, pasi ato çka mbuloheshin mes shalëve ishin gjëra të fshehta që thonin se ishin të turpshme, çka gjithçka vazhdonte ta bënte akoma më misterioze në sytë tanë. Flora ndërkohë këndonte dhe me elokuencën e saj trupore e fërkohej në të gjitha pjesët e trupit. Ajo ishte koriste e Kishës Ortodokse dy hapa larg pallatit tonë. Çdo të djelë shkonte për meshë, dhe ne, trazovaçë të mëdhenj, ndërkohë që korri jehonte nën kubenë e bukur plot figura njerëzore që fluturonin në qiell dhe besimtarët bënin kryqin, ne nxitonim vetëm për të futur duart në tavolinat që shtroheshin pas meshes në oborrin e kishës. Flora fërkohej dhe nuk di pse një mjaullimë çjerrëse dhe e tmerrshme e bëri të ngrinte kokën e trembur dhe papritur sytë tona u kryqëzuan. U mundova të fshihem menjëherë, por ajo se çfarë tha duke sharë dhe pastaj rënia e ujit nuk u dëgjua më. Ngadalë zgjata kokën përsëri, por tashmë Flora ishte larguar majë nallaneve të saj. Sidoqoftë e kisha parë me ëndje atë trup të bëshëm femëror edhe pse me disa gropa të çuditshme mes shkumës së bardhë të sapunit.
Që nga ajo ditë, askush nuk u la më në atë hajat. Madje ditët në vijim ajo më shikonte me një vështrim të vëngër, sikur të kisha zbuluar një sekret të saj dhe ai imazh i topit të dhjamtë të ishte kthyer në një thashethemnajë. Por jo, gjithçka kishte mbetur midis meje dhe asaj, një e fshehtë midis nesh. Sa herë e ndeshja tek furra e lagjes për të marrë tepsinë e byrekut, po të ishte atje, largohesha pas furrës dhe vetëm kur ajo ikte, shkoja te furxhiu.
Imazhi i dytë që pashë në atë hajat ishte në një ditë zie, dy vjet më vonë, kur dy cigane të shëndetshme me gjinjtë që u vareshin dhe vithet e bëshme e të lëshuara po e lanin të vdekurën të shtrirë mbi një tavolinë, vendosur në mes të hajatit. Duhej të ishte fillim vjeshte. Ishte një pamje e çuditshme që e shikoja nga ballkoni qetësisht pasi askush nuk e kishte mendjen të ngrinte sytë, por shpejt e kuptova se plaka kishte e vdekur, sepse duart e saj ishin varur nga tavolina dhe binin poshtë duke qëndruar ashtu pa lëvizur, nga ku uji rridhte vazhdimisht. Mbi trupin e saj ngrihej një avull i nxehtë. Ciganet po e lanin para se ta varrosnin.
Nostalgji hajatesh, tjegullash, këngë operistike, korre kishash, ceremoni dasmash në oborrin e kishës françeskane dy hapa më tutje poshtë ballkonit dhe sigurisht maçokët, sepse maçokët fillonin me miaullimat e tyre nga mesi i natës, nën një qiell plot yje. Gjatë verës, nga dritaret e hapura, vinin dalogjet e aktorëve të filmave meqë kinemaja verore ishte gjithashtu shumë pranë. Atje në ekran luheshin jetë të tjera. Ishte jeta në film, ku kufiri midis realitetit dhe imagjinares zhdukej. Dhe atëherë ne ëndërronim, binim në prehërin e ëndrrave duke u bërë njëkohësisht bashkëaktorë me ata që luanin realisht. Dhe ndodhte ta shihnim veten jo rrallë në shtratin e aktores…edhe pse adoleshntë.
Të nesërmen, ndodhte që në telin e telefonit që lidhte dy pallatet të vareshin një palë brekë të mëdha, të hedhura kushedi nga cili kat. Të gjithë qeshnin me brekët që fluturonin hera-herës dhe që era i rrotullonte. Ato kapeshin fort pas telave duke qëndruar atje muaj me rradhë si dëshmitare të kushedi çfarë beteje, por duke qenë të ndotura, kuptohej se dikush ndihej keq gjatë mbrëmjeve dhe menjëherë i flakte tutje.
Si kudo, edhe në lagjen tonë kishte një «vullnetar» të policisë, njerëz vigjilentë që ishin në të gjitha lagjet e që shkonin të tregonin se çfarë ndodhte në lagjet dhe blloqet e tyre. Tek ne ishte një analfabet i flaktë që kudo e shpallte patriotizmin dhe dashurinë e tij për udhëheqësin suprem. Një ditë ishte munduar ti hiqte ato brekë duke u hedhur gurë se mos kushedi binin, por brekët qëndronin të kapura fort dhe as që donin t’ua dinin gurëve të «vullnetarit». Më së fundi, bëri një shkop të gjatë dhe donte ti hiqte, por ato veç rrotulloheshin dhe s’donin që s’donin të shkëputeshin nga ai fill i nderur nga njeri pallat tek tjetri. «Ah, kjo është punë e armikut, – pëshpëriste «vullnetari» – n’a turpëruan tek stalinistët e botës! – shtonte ai dhe shtrëngonte dhëmbët, pasi ato ditë ishin dhe ditë kongresi dhe Tiranën e kishin pushtuar stalinistët e fundit që i kishin mbetur kësaj bote. Për më tepër dhe bulevardi quhej «Bulevardi Stalin». Çfarë do të thoshte shoku Stalin, baba Stalini, po ti shikonte ato brekë të tundeshin para hundëve të tij? Vërtet shqiptarët kishin mbetur besnikët e tij të vetëm, por kjo puna e brekëve që i tundete era në rrugë të madhe, ishte e palejueshme, e pamoralshme dhe punë që s’bëhej. “Vullnetari” shkonte e vinte dhe shikonte me rradhë ballkonet duke u munduar të pikaste se nga mund të ishin hedhur ato brekë. Vallë Erveheja?… Po ajo sikur nuk i kishte vithet aq të gjera sa të mbante brekë të tilla. Xhevrija, komshija tjetër, ishte grua e re dhe ato brekë nuk ia mbushnin mendjen se mund ti flakte ajo, në asnjë lloj rrethane. Sipër në katin e katërt ishte Dylberja…. Në fakt ajo kishte vithe që i përshtateshin, ashtu të bëshme dhe të kërcyera, që një shoku im, meqë ishte djali i një mekaniku fjalën e prapanicës e kishte zëvendësuar me fjalën “diferencial”, por Dylberja ishte puntore e dalluar dhe fotografia e saj me ato faqe të kuqe bënte ballë në tabelën e nderit. Ishte krenaria e fabrikës. Po në atë kat, djathtas ishte Qano. “Vullnetari” dyshonte se pikërisht ajo plakë plot humor dhe shaka të tepruara, mund ta bënte atë punë. Pra dhe kishte filluar ta ruante, se donte ta kapte me “presh në dorë” siç thoshte populli. Disa mbrëmje rresht ai doli në cep të pallatit dhe ashtu në errësirë si një skuth i sprovuar por pa diplomë vështronte ballkonin e Qanos. Por Qano veç pinte cigare dhe kushedi me çfarë merrej aty lart.
Pranë pallatit tonë ishte ngritur dhe një hotel i ri i quajtur «Peza» dhe në anën e pasme, dritaret e tij binin mbi oborrin tonë, pikërisht atje ku shtriheshin në ajër filli i telefonit dhe një tjetër për korentin. Në katin e tretë shpesh dilnin fytyrat e tre palestinezëve që vështronin e qeshnin. Ishin nga ata që kishin filluar luftën kundër Izraelit dhe rrëmbimet e sportistëve hebre në Olimpiadën e Munihut. Ndoshta njëri prej tyre, me ato mustaqe spic të zeza, duhej të ishte ndonjë i dërguar i Arafatit në tokën e shqiponjave heroike që mbante në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën grykën e topit. Shpesh vinte ndonjë kongolez, vietnamez apo brazilian, shokë të idealit, dhe ja ku formohej internacionalja mu në mes të Tiranës. Por kur brekët tundeshin në ajër, ata qeshnin dhe vullnetarit kjo nuk i pëlqente, madje e tërbonte. «Dhe më zgërdhihen, pale… çdo të thonin revizionistët atëherë… u përça kampi socialist, këtë do të thonin!..»
Kur shfaqej «vullnetari», ne futeshim në bodrumet e lagështa e të pista të pallatit apo ngjiteshim dhe strukeshim nën çati, në një botë tjetër, ku mbanim dhe pëlllumbat. Herë-herë ngjiteshim mbi tjegullat e mëdha, shumë më të mëdha se ato të çative të Tiranës (helbete pallat i modelit sovietik) dhe që andej hidhnim vështrimet tona mbi rrugët e qytetit. Qefi më i madh ishte gjatë verës, ku në trotuarin përballë pallatit, në anën tjetër, në një shtëpi dykatëshe tiranase dhe nën hijen e pishave të mëdha qëndronin nja tre-katër vajza dhe shëlleheshin në djell. Meqë porta ishte e mbyllur dhe muret ishin të lartë, dhe meqë ato ishin të sigurta se askush nuk i shikonte, atëherë i ngrinin fustanet gjer tek mbathjet dhe kështu bënin banjo dielli. E ku ta dinin ato se nga maja e çatisë së pallatit, ne shijonim spektaklin e veçantë gati të binim nga kënaqësia e masturbimit… ishte koha kur zgjoheshin dëshirat e para seksuale dhe kur ajo pamje e thjeshtë n’a dukej si diçka tepër erotike… Por «vullnetari» nuk dinte gjë për këtë, meqë nuk e kishte shijuar botën e hajateve dhe të çative. Sidoqoftë njëg jë ishte e sigurtë: vetëm kur vdiq Qano, nuk u pa më të fluturonin brekë drejt oborrit. Pas shiut, telat e telefonin tashmë shndrisnin për bukuri . Oborri buzë bulevardit të Baba Stalinit kishte shpëtuar nga shfaqjet e huaja…