Erion Kristo: Triptiku i administratës
Për shkak të situatës politike (protestave të vazhdueshme), por edhe të situatës së kriminalitetit, shoqëria shqiptare në këtë periudhë është në një kontakt më të shpeshtë me policinë. Ndaj dhe policia është nën një breshëri sulmesh, të cilat duhen analizuar me kujdes. Natyrisht, duke u bazuar edhe te ndjesia e një ish-punonjësi policie si deputeti Pjerin Ndreu, i cili në shkrimin e tij mbi agresionin politik ndaj policisë, kërkon një trajtim më të kujdesshëm të policisë, edhe ne do të përpiqemi t’i trajtojmë me kujdes situatat që po përjetojmë, në mënyrë që të shmangim emocionalitetin për t’i lënë vend racionalitetit. A është policia që kemi policia që duam?
Policia sot nuk po akuzohet vetëm nga politika, por dhe nga shumë segmente të shoqërisë. Ka një pafundësi videosh publike për sjellje të policisë, të cilat nuk janë pasojë e politikës, por pasojë e një keqadministrimi dhe e një mungese profesionalizmi në radhët e saj. Policia shpesh e tepron me sjelljen e vet, duke u shfaqur ajo më së pari si një shkelëse ligji, para se të jetë një mbrojtëse e ligjit. Megjithëse flitet shumë për aspektin parandalues, prapë pak është bërë, edhe pse nuk duhet mohuar se disa krime janë ndalur vetëm për shkak të paraprirjes nga ana e policisë. Gjithsesi, krimet me karakter mafioz nuk janë ndalur. Vrasjet janë shtuar. Dhe vrasjet nuk janë vetëm statistikë.
A jemi ne dakord që polici të fyhet e të rrihet? Askush nuk mund të jetë me këtë mendje. Por nga ana tjetër, nuk duhet të lejojmë që as qytetari të fyhet e të rrihet. Dhe disa raste janë shumë flagrante, mjaft të përmendim rastin e djalit të deputetit të Fierit, që jo vetëm u dhunua padrejtësisht nga policë që janë më të politizuar se sa vetë politika, por që institucioni i policisë ka dashur ta çojë drejt ndjekjes penale, duke nxjerrë si shkak mosbindjen ndaj policisë. Pra, e dhunuan, e bënë dhe fajtor. Duhet pranuar se kemi disa policë jashtëzakonisht militantë, por kemi dhe organe policore që u shkojnë pas fillit duke e kthyer shkeljen e ligjit në atribut shtetëror, në pritje të shpërblimit politik. Mjafton të kujtojmë këtu emërimet e disa drejtuesve të policisë, si p.sh. rasti i Fierit, ku njerëz që kanë kaq shumë dashuri të shprehur për kriminelët dhe fëlliqësirat e shoqërisë, në vend që të flaken nga radhët e policisë dhe të shkojnë për ndjekje penale, promovohen.
Jemi në një mendje me deputetin Ndreu kur thotë se Policia e Shtetit është një institucion që ka vuajtur. PO. Ka vuajtur pasojat e politikës, të gjyqësorit dhe plot kusure të tjera, por duhet thënë që ende po vuan, ende nuk është çliruar. Nuk mjafton ta mbrosh policinë kur dikush e sulmon apo e kritikon. Duhet t’i dalësh në krah, të mos ia pranosh gabimet, ta nxitësh për më mirë.
Policia është pjesë integrale e shoqërisë, – thotë zoti Ndreu. Ide kjo me të cilën nuk pajtohemi. Pra, policia është njëlloj me kriminelët që janë shtuar më shumë se sa fara e hithrës. Dhe mos harroni që shumë kriminelë vuajnë dënimin në burgje ndërkombëtare, pra nuk janë fare në territorin tonë. Vajmedet po të mblidheshin të gjithë në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend. Policia duhet të jetë mbi shoqërinë. Shteti nuk mund të jetë si shoqëria, por një hap para. Nëse qytetari shkallon, ky luks nuk i lejohet shtetit. Shteti është i ftohtë, prandaj është shtet. Nuk po kërkojmë shenjtëri prej policisë, por të paktën tipari i vetëpastrimit duhej të ishte mbizotërues. Prandaj policia ka sektorë të posaçëm që merren me performancën, me rregulloret, me çështjet e brendshme etj. Dhe në të njëjtën kohë nuk mungojnë shembujt e largimit nga radhët e policisë të njerëzve që kanë shkelur ligjin ose nuk kanë shfaqur dinjitet në kryerjen e detyrës. Ka dhjetëra raste të tilla. Por ka dhe raste kur abuzohet kaq shumë me propagandën, sa na duket ndonjëherë se gishtat e ndonjë polici vlejnë më shumë se sa gishtat e Paganinit.
Policia vërtet është e keqpaguar, por për këtë duhet të interesohemi të gjithë si shoqëri, jo vetëm zoti Ndreu. Policisë vërtet ia kanë goditur gjithmonë elitën, por goditja është njëlloj për të gjitha elitat shoqërore. Vërtet krimi nuk luftohet vetëm me policë, por ky është dhe defekt i vetë policisë që është e mbyllur ndaj shoqërisë dhe ndaj intelektit shoqëror. Madje defekt i politikave qeverisëse. Dhe ne jemi gjithashtu në mbrojtje të jetës së policëve, në nderim të të rënëve të policisë që janë dëshmorët më të lartë të atdheut sot për sot, dhe në kujdes të familjeve të tyre.
Por thënë kjo, nuk mund ta trajtojmë këtë institucion si të bëhej fjalë për veteranët e luftës ku ka plot syresh që as nuk kanë marrë pjesë në luftë, por pensionet i marrin rregullisht. Fakti që policia ka dëshmorë, nuk duhet të na mbyllë gojën për të mos kritikuar ato gjëra që nuk i shkojnë fare një institucioni prestigjioz. Është institucioni më i parë me të cilin komunikon qytetari, sepse policin e gjen në rrugë, ndërsa një punonjës tjetër civil jo. Dhe nuk mund ta pranojmë se është institucion i painvestuar: në veshje, mjete, trajnim etj. Janë hedhur shumë resurse shoqërore në të mirë të policisë, resurse që policia natyrisht ia kthen mbrapsht shoqërisë si roje e rendit publik.
Më së shumti policinë e ka tradhtuar politika, por dhe gjyqësori i korruptuar nuk ka qenë prapa, pa harruar vetë drejtuesit e saj. Ne e dimë se në policinë e shtetit ka profesionistë kalibri që për pak minuta e zgërlaqin krimin dhe e bëjnë të mallkojë ditën që ka lindur, por është politika ajo që ia pret krahët policisë, që ia ul policit figurën përmes urdhrave partiakë etj. etj. Dimë gjithashtu që ka policë që paguhen nga krimi, që i japin informacion krimit, që dekonspirojnë operacionet.
Po në mbështetje të policisë mund të bëhen dhe disa kritika, sepse kritika nuk është doemos sulm, por dhe mbështetje. Sot, policia zotëron një flotë automjetesh goxha cilësore. Dhe pikërisht në çastin që policia ka mjetet më të mira se kurrë, automjetet e qytetarëve anekënd Shqipërisë po vuajnë tmerret e krimit, përmes djegies dhe shkatërrimit me mjete plasëse. Cili është plani operacional për ta kapërcyer këtë situatë kaotike?
Pse Policia është e shurdhër ndaj thirrjeve dhe klithmave të shoqërisë? Pse ajo nuk reagon kur disa videopërgjime e nxjerrin zbuluar? A është bërë ndonjë analizë serioze në Policinë e Shtetit për dështimin e madh lidhur me kanabizimin e vendit? Ende sot ky kanabizim mohohet. Edhe pse pohohet nga raportet e vendeve mike të Shqipërisë, edhe nga raportime serioze të mediave prestigjioze, nga sasia kolosale e drogës së kapur gjithandej nga policitë e vendeve fqinje, përsëri mohohet nga drejtuesit e Policisë. E vetmja thënie që përmendet është që këtë betejë kundër kanabisit e fituam. Thënie qesharake kjo, sepse njerëzit e njohin realitetin. Kanabis ka. Policia e fsheh, media botërore e nxjerr. A ka ndonjë analizë në sektorin kundër drogave në Polici? A ka mbajtur njeri përgjegjësi nga drejtuesit e lartë për drogën? Apo thjesht janë zhvendosur, a thua se zhvendosja do fshehë gjurmët.
Le të marrim një aspekt tjetër: seriozitetin e tepruar në zbatim të ligjit lidhur me protestuesit e opozitës apo të protestave të tjera qytetare. Është e qartë fare se policia po përdoret politikisht. Opozita kërkon leje për protestë dhe nuk e merr atë. Njerëz të kapur rastësisht nga turmat, procedohen me shumë rreptësi dhe përpikëri nga policia. Ndërkohë nuk e gjejmë të njëjtin zell me shkelës të tjerë të ligjit, si për shembull me kalamajtë që marrin tenderë shumë milionë euro.
Po lidhur me vrasjet, pse policia po del në dritë të keqe? Pse hiqen drejtorët dhe kush mban përgjegjësi? A mundet ta luftojë krimin policia në disa qytete të vendit? Kush e ka kontrollin aty, shteti apo antishteti?
Edhe komunikimet e Ministrit të Brendshëm lënë shumë për të dëshiruar. Protagonizmi i tij ngjall më shumë depresion se sa vetë krimi. Dëshira e tij për ta identifikuar atë vetë te çdo polic, është një dëshirë e shkuar dëm. Mendoni veç për një proces që mund ta pastronte policinë, vettingu. Proces i zvarritur. Policia reagon në mënyrë të mefshtë. Policia shpërfaq arsenalin e saj luftarak, me gaz e autoblinda, a thua se jemi në ndonjë grusht shteti. Policët kërcënojnë protestuesit.
Policia e reklamon veten si institucioni që më shumë ngjall besim te qytetarët. Numri i telefonatave është shtuar, e kjo prapë nuk tregon besim, por thjesht frikë në popullatë. Njerëzit e marrin policinë jo se presin zgjidhje, por se kanë nevojë. Pra, të lexohet më saktë statistika. Kjo nuk do të thotë besim automatik.
Policia duhet të heqë dorë nga arrestimet vend e pa vend të qytetarëve, nga thërritja e tyre në komisariat sikur të gjithë janë kriminelë. Policia duhet të heqë dorë nga demonstrimet me dronë apo me video, apo me aparatura teknologjike. Ligji nuk zbatohet me fushata, as me video. Për të mos folur fare për dy elemente të çuditshme në polici: kalimi i ushtarakëve në polici (gjë fare e pashpjegueshme) dhe krijimi i një policie private shtetërore (deledash quhet në shqip).
Për ta mbyllur këtë shkrim që nuk është mbrujtur si një sulm, por si një vëzhgim i ftohtë i ngjarjeve, mund të themi se jemi në krah të policisë, edhe pse policia shpesh nuk është në krahun tonë. Nuk i kemi trajtuar me themeli çështjet e policisë që janë të pafundme, por vetëm disa aspekte të perceptimit të punës së policisë, disa situata të kohëve të fundit, apo disa çështje të debatueshme. Nuk është e mundur që në një shkrim të japësh një panoramë të plotë, aq më tepër, kur ka njerëz që zotërojnë shumë më tepër ekspertizë. Ekspertizë që e mirëpresim në këtë debat që sapo kemi hapur.
Ne e mbrojmë policinë, por nuk jemi dakord me drejtuesit e saj që shërbejnë si shoferë taksie hera-herës. Do të donim një polici që vetëpërsoset si rezultat i lëvizjeve të saj të brendshme, jo si rezultat i presioneve nga jashtë. Një polici që di të renditet jo vetëm në rast protestash, por edhe në çdo rast tjetër. Duam që politika të mos e sulmojë, por as ajo të mos e sulmojë politikën si një vegël qorre. Duam ta kuptojmë deputetin Pjerin Ndreu, por duam që dhe ai të na kuptojë, se dimensioni shoqëror i policisë është një dimension që duhet farkëtuar. E duam policinë, por duam që edhe policia të na dojë.