Tradhtia e konfirmuar e Hashim Thaçit duhet të hetohet dhe ndëshkohet!
Nuk ekziston problemi i Kosovës, por çështja Thaçi!
Shkruan: Idriz Morina
Është e habitshme se si kaq qetë, dhe madje pa asnjë kritikë po kalon çështja Thaçi. Në fakt, ajo që për dekada quhej çështja e Kosovës, tashmë nuk ekziston esencialisht.
Çështja kryesore sot për ne është çështja Thaçi, i cili është kthyer në simbol të shkallmimit të shtetit të Kosovës dhe të interesit të shqiptarëve në Kosovë, e madje edhe përtej saj.
I akuzuar dhe dyshuar nga mediat më prestigjioze botërore, europiane e amerikane, që nga lufta e pas saj, si organizator apo i përfshirë në vrasje politike;
I akuzuar dhe i dyshuar nga institucione kredibile, shërbimet inteligjente perëndimore, KFOR-i e NATO-ja, si një njeri që gjendet në ‘Grupin e Drenicës’, grupit më të madh të krimit të organizuar, që merrej me vrasje politike; frikësim, haraç, uzurpime;
I akuzuar nga po të sipërpërmendurit dhe nga rivalë politikë dhe nga media shqiptare për përfshirje në krim të rëndë ekonomik, në privatizime të kurdisura; në tenderë, në punësime; në intriga politike, rrëzime kundërshtarësh dhe miqsh nga pushteti etj;
Njëri nga figurat kryesore që organizoi trazirat e 2004-ës, të cilat u bën baza, lajtmotivi për përmbysjen e imazhit të shqiptarëve para perëndimit, duke u kthyer nga viktima të Serbisë, në viktimizues të serbëve, pavarësisht që bilanci i vrasjeve ishte shumë më i lartë ndër shqiptarët në raport me numrin e popullsisë, se sa i serbëve;
Thaçi me kompani u kthyen në figurat qendrore të zvarritjes së rishpalljes së Pavarësisë dhe njohjes formale nga perëndimi, po me trazirat e 2004-ës dhe me pengesa tjera më pas;
Thaçi me kompani, Xhavit Halitin, Kadri Veselin dhe të tjerët janë ata që e shtyn Kosovën furishëm drejt kompromiseve të dhimbshme në Vjenë;
Thaçi në dy mandate kryeministër u shndërrua së bashku me grupimin e tij, në zhvatës të Kosovës, denigrues të dinjitetit shqiptar, vazhdues të shkatërrimi të sistemit shëndetësor, arsimor, ekonomik, politik etj, të cilin proces e kishin nisur me QPK-në, dhe nëpërmjet instrumenteve tjera;
Thaçi në dy mandate kryeministër me bisedimet në Bruksel, fillimisht me pranimin e Projekt-rezolutës për Asamblenë e Përgjithshme, e sollën fatin e Kosovës buzë ekzistencës, madje duke shkatërruar edhe rezultatin kulminant, Vendimin e GJND-së, që e njohu si legjitime dhe të drejtë Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës nga një IPVQ, në këtë rast nga institucionet e Kosovës, që ndodheshin nën administrimin e UNMIK-ut;
Kur, të gjitha këto nuk mjaftuan, që Hashim Thaçi &co ta fitonte amnistinë nga Serbia, përkatësisht pafajësinë nga gjykata speciale, ai iu kthye një dialogu sekret në partneritet apo mbështetës në relacionin Moskë-Beograd, duke e vënë krejtësisht në dyshim ekzistencën e shtetit të Kosovës.
– Takimet me Putinin, dhe të pareshtura me presidentin serb Vuçiq, disa prej tyre sekrete, në qendra europiane si Roma dhe të tjera.
Për të arritur pafajësinë, madje përtej çdo dyshimi, për t’i garantuar në tavolinë, ai shkoi edhe më tej: Ndërtoi projektin e faljes së një pjese të territorit të Serbisë, e cila e vetëdijshme se ka gabuar me Millosheviçin, i cili e humbi përfundimisht tërë Kosovën, iu rikthye idesë për marrjen e një pjese të territorit të Kosovës.
Për të realizuar këtë projekt, dhe për t’u dukur edhe si një projekt ndërkombëtar, Thaçi lansoi mashtrimin e madh, se demarkimi me Malin e Zi, duhet të bëhet ashtu, që të rivendosen kufijtë e vjetër me Malin e Zi, jo ashtu si administroheshin nga të dyja vendet. Profesionistët e mirëfilltë argumentuan se me rishikimin e kërkuar nga Thaçi dhe mbështetësit e tij, përfshirë të mbiquajturin komisioni Meha, Kosova do të humbte 8.230 hektarë tokë.
Këtij projekti i shkoi deri në fund, duke gjetur mbështetjen e të gjithë atyre që u luhatën, dhe me presion medial të paparë, ku mbi 95 % e mediave, ishin pro tij (demarkacionit). Por, siç tregoi koha, dhe siç kam argumentuar në vazhdimësi, të gjitha kompromiset me Serbinë Thaçi po i bënte me qëllim të shpëtimit nga Gjykata speciale.
Për ta përmbushur qëllimin më idiotik dhe më ANTISHQIPTAR, ai doli me tezën se Leposaviçi është dhuratë e Rankoviçit, për të vulosur kështu tezën serbe se veriu është i Serbisë, dhe që sipas mbështetësve të pseudohistorianëve serb, ai kurrë s’ka qenë i Kosovës.
Pjesëza mohuese, kurrë, më së paku ka vend në historinë serbe në Ballkan.
Sllavët erdhën në Mesjetë në Ballkan, në Kosovë, pak argumente ka se gëzuan ndonjë pushtet të organizuar, aq më pak të kishin formacion shtetëror- mbretëri. Edhe dinastia e Nemanjidëve, sot kontestohet nga historianë seriozë shqiptarë dhe të tjerë, pasi mbiemri i tyre edhe sot ka mbijetuar në Kosovë, në formën Nimani, vetëm tek shqiptarët.
Ndërsa, në kuptimin e mirëfilltë të shtetit serb, – stricto sensu – shteti serb krijohet në shekullin e XIX, por deri në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, përkatësisht në Kongresin e Berlinit (1878), ai shtet nuk e përfshinte as Sanxhakun e Nishit, e lë më Sanxhakun e Novi Pazarit, e aq më pak veriun e Kosovës, i cili ishte në këtë kohë pjesë e Vilajetit të Kosovës, dhe më par i Elajetit të Kosovës.
Veriu i Kosovës u bë pjesë e Serbisë, vetëm pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, pra pas vitit 1918, dhe madje me vendim të Komisionit për caktimin e kufijve të Shqipërisë të Konferencës së Londrës, i cili punën e vet e mbylli, pa e përfunduar kurrë, në vitin 1925. Pra, në rastin më të mirë, Serbia administroi jo me veriun e Kosovës, si me gjithë Kosovën, deri në vitin 1945, por me Leposaviçin, deri më 1956-1959 (Më 1956 është bërë propozimi dhe me 1959 është përfunduar), pra maksimalisht për 41 vite, por nëse zbriten edhe 4 vite të pushtimit gjerman, ulet në maksimalisht 37 vite administrim serb!
Pra, Leposaviqi ka qenë vetëm 37 vjet pjesë, bile e Mbretërisë Jugosllave, madje si pjesë e Banovinës së Zetës!
Dhe për 10 mijë vjet, ka qenë pakontestueshëm pjesë shqiptare, e banuar në vazhdimësi, përveç për shkak të vrasjeve masive dhe dëbimeve masive, si dhe po ashtu të konvertimit masiv, të shqiptarëve ortodoks në serb!
Pra, pohimet e këtilla të analistëve apo gazetarëve të sojit të Baton Haxhiut, dhe të tjerëve, se veriu është dhe ka qenë serb, është e tmerrshme, përveç se mashtrim dhe gënjeshtër!
Deklarimi i Hashim Thaçit se nostalgjikët e Rankoviçit (figurës serbe më antishqiptare dhe më të urryer pas Millosheviçit) po e duan veriun e Kosovës (dhuratën e Rankoviçit), dëshmon, pakontestueshëm se ai e kishte pranuar projektin ruso-serb, për shkëmbim të territoreve, në dëm të Kosovës!
Prandaj, deklarimet e mëvonshme të presidentit Thaçi se Kosova nuk do ta jap asnjë centimetër territor, por vetëm se do t’ia bashkojë Kosovës, Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën është mashtrim. Ndërsa, mbrojtësit e tezës se Hashim Thaçi nuk po tenton tradhtinë, dhe se nuk është pajtuar për humbjen e mbi 10 % të territorit deri në 15%!, por vetëm po e bën si kundërpërgjigje ndaj kërkesave serbe, janë jo serioz dhe aspak shkencor!
Ndërsa, informacionet e publikuara edhe nga zyrtari i lartë gjerman Bodo Weber, konfirmojnë katërçipërisht ujdinë e Hashim Thaçit për tradhti, humbje të territorit të Kosovës: “Mes politikanëve perëndimorë që me të vërtetë interesohen për këtë vend është një vlerësim unanim se presidenti juaj është duke e bërë këtë vetëm për një arsye dhe kjo është për t’i ikur Gjykatës Speciale”, ka deklaruar në KTV Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i politikave të demokratizimit për Ballkanin Perëndimor në Qeverinë e Gjermanisë.
“Unë nuk mund ta vërtetoj këtë por mund të ju them se kam dëgjuar për drafte të ndryshme të marrëveshjes prej zyrtarëve të lartë të BE-së dhe ato përmbajnë një element të amnistisë”, ka deklaruar Weber.
Pra, vetë dokument-marrëveshja përmban kërkesën qendrore të Thaçit, faljen nga gjykata speciale, përkatësisht tërheqjen e akuzave nga prokurorët e Hagës.
Me këtë akt, Hashim Thaçi ka vërtetuar se në qendër të interesit të tij është fati personal, dhe jo Kosova, e aq më pak shqiptarët! Pra, egocentrizmi i tij është shndërruar në rrezik për shtetin dhe kombin!
Nisur nga faktet e këtushme, përveç atyre të publikuara në vazhdimësi ndër vite, e bëjnë të domosdoshme ndërmarrjen e disa veprimeve të menjëhershme:
- Inicimin e hetimit të presidenti Thaçi për tradhti kombëtare;
- Inicimin e hetimeve për shkelje të Kushtetutës, nga:
- Prokuroria dhe
- Nga Kuvendi i Kosovës;
- Inicimin e procedurës së shkarkimit nga Kuvendi i Kosovës;
- Inicimin e një revolte popullore, që e bën të parezistueshëm, dhe ia bën të pamundur qëndrimin në pushtet.
Ato parti dhe subjekte që nuk ndërmarrin tani hapa esencial për dhënien fund të politikave të Hashim Thaçit, e konfirmojnë se drejtohen nga njerëz që kontrollohen nga Thaçi dhe kompania e tij, dhe janë shndërruar qoftë indirekt në mbrojtës të interesave të Serbisë në Kosovë.
Në rast të dështimit, dhe që duket se ka pak shanse të ndodhin këto propozime, mbetet e vetmja alternativë që të krijohet një lëvizje e re politike, që do t’i jepte fund kësaj klase politike!/gazetashqiptari.com/