Ndue Ukaj: Sipërfaqja e vërtetë
Ne kemi humbë shtigjet dhe jemi në pyll.
E sheh: qielli është i pikëllua dhe qan.
Rreth nesh sillen silueta njerëzish.
Ata duken si në një kortezh
Dhe po varrosin dëshirat e tyre.
Të kujtohet: ti mbrëmë ma rrëfeve andrrën tënde
Me një piano të moçme. Ishe e veshur me të bardha dhe i kurseve fjalët,
Të cilat i zëvendësove mrekullueshëm me lojën e gishtave të tu.
Oh! Ata janë magjikë dhe të ëmbël.
I shprishnin kujtimet,
Në sytë e mi të mbytur nga malli.
Ti e di: ne gjatë u mashtruam
Kur besuam se po hynim në pyllin e së vërtetës,
Dhe po mbyllnim portat e frikës.
Jo.
Në atë hapësirë dikush mbolli lule të këqija.
Atëherë me arkitekturë fjalësh të vjetra
Thurëm histori pa heronj për ne dhe për ata
Dhe ngadalë u rrokullisëm derisa ramë në teatrin marrëzisë.
(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, Om, 2017)