Odë për gruan në ballë të poezisë
Petrit Ruka
Sado e marrëzishme që të duket nuk besoj se është thjesht një përkim i rastit në shqip rima e fjalës grua dhe krua. Kushedi pse, nga të gjitha përçartjet që e ndjekin kuturimthi njeriun e shkretë në jetë, kjo që sapo thashë nuk m’u shqit asnjëherë nga koka. E po ja ndodh dhe kaq…
Megjithatë sikur të kesh guximin e të bësh pyetjen naive se çdo të ndodhte sikur artit, (gjithë artit botëror,) t’i heqësh gruan? Sigurisht që të merren mend vetëm ta mendosh. Është njësoj si t’i heqësh kroin, ta lësh pa krua, ta thash, ta vdesësh për një pikë ujë. Dhe ashtu si uji, që për jetën nuk është thjesht i domosdoshëm, sepse është vetë jeta, ashtu edhe për poezinë gruaja (femra, dashuria,) është vetë shpirti i saj.
Nuk ka punë më të kotë dhe më të skëterrshme për ta shpjeguar këtë… e megjithatë mundimi “për të thënë gruan” është një nga përpjekjet më madhështore të artit si i tillë. Ndoshta zhytja në foshnjërinë e njerëzimit, aty ku u vendosën shenjtërisht kodet (shenjat) e para të botës është rruga më e lehtë për të kuptuar diçka nga ky mister. Me siguri që zbulimi i gruas prej burrit duhet të ketë qënë më tronditësi i të gjitha kohërave.
Në qoftë se Ata të dy (gjithmonë janë vetëm dy) Eva dhe Adami, gjatë nëntë muajve të parë, pasi provuan dashurinë në të gjitha shfaqjet, si rrahje zemre, seksin si kënaqësi trupore, boshllëkun, çudinë e fryrjes së barkut, lëvizjen e një gjëje aty brenda e njëmijë gjëra të tjera, ende nuk ishin përballur me zbulimin e gruas. Të gjitha këto ishin me siguri ca vogëlima të vogla me ditën kur do të ndodhte ajo e madhja e të mëdhave.
…Asaj në fillim i plasën ujërat. Njësoj siç i plasin tokës krojet. Dhe ai burri i parë i botës u ul i tronditur në gjunjë (uli edhe më poshtë kokën ) për të parë se çfarë po ndodhte.
Ajo gjëja e bukur po hapej si një trëndafil. Ai i kish parë ndërkohë si hapeshin trëndafilat, (tërë lulet) dhe gjithë jetën më vonë prandaj i dhuroi trëndafilat, i dhuroi si një himn për kroin e jetës. Po lindtte prej gruas njeriu. Ai pa se si ajo po rilindte atë vetë. Pikërisht atë çast truri i tij duhet të jetë çarë më dysh dhe lindi perëndia e parë, fjala e parë, truri i parë, mendimi i parë, thirrja: o zot!, e qara e parë, (domethënë kënga e parë,) Lindi çdo gjë për herën e parë. Dhe ai zbuloi gruan si herë të parë. Doemos që kjo ka qenë edhe perëndia e parë.
Pas (sa?) mijëra vjetësh një këngë e jona përsërit të njëjtën gjë:
“Perëndeshë e bukurisë ti më je..”
Atëherë ai ishte “injorant,” “i paditur,” dhe s’íshte bërë i “mençur” si ne që kemi shpallur luftën “heroike” për të drejtat e grave. Ai atëherë ishte i pagdhendur dhe ra në gjunjë para “kroit” të gruas, i mrekulluar nga gjëja më hyjnore, akti i lindjes së njeriut. Ne të mençurit sot i quajmë këto gjëra turpërira dhe presim pas telefonit një lajm nga maternitetet. E megjithatë çojmë lule pa e vrarë mendjen se në duar shtrëngojmë fort si një flamur nderimi atë, kroin e vogël në ngjyrë të purpurtë të jetës në qendër të trupit të gruas.
Në të vërtetë ne burrat jemi të ngrirë përjetësisht atje; në atë çast e në atë pozicion të përjetshëm (me gjunjët në tokë e kokën të ulur.) Gjithë zhurma tjetër mijëra vjeçare për të pohuar të kundërtën është vetë dëshmia e kësaj ngrirjeje…
Amen!…
Më vonë vetëm se u ngatërruam më keq në shpjegime të rrejtshme. Po asnjëherë nuk e kuptuam dot si burri i parë, se Ajo… për të na ribërë kishte ikur në ato nëntë muaj mes përmes çifligjeve të vdekjes, kish hukatur frymë për frymë fytyrën e Mortjes, kish mbledhur gjithë dritërat e qiejve për të shpikur beben e syrit të fëmijës, kish….
Këtu fillon poezia për gruan. Këtu e tremijë vjet më parë. Këtu e tri mijë vjet më vonë. Gruaja do të kapte ballin e poezisë. Dhe nuk do ta lëshonte kurrë. Kurrë më. Nga Homeri deri tek adoleshenti në klasën e shtatë, që sapo ndjen t’i piqet guri mitik i sisëve. ( Edhe burrit i piqen sisët, mbase për të kuptuar më vonë ca llahtarira të dashurisë. Punë shumë të ngatërruara… )
“Ja dil ti,…/ ja të dal unë…”
thotë një varg i një poezie popullore shqiptare. Ose dil ti dhe bëjë natën dritë, ose po dal vetë unë për të bërë të njëjtën gjë me bukurinë time.
Pa kurrfarë kompleksi, vajza, femra, gruaja, flet si e një barabartë me hënën, një trup qiellor. Me një thjeshtësi të skajshme, a thua se flet me komshien e vet përtej gardhit dhe jo me një planet qiellor. Vetëm një vetëdije kaq e lartë i jep asaj dritën që ajo e ndjen se e ka njësoj si perëndia. Si mund të ish ndryshe, në se nuk do të ndihej instiktivisht e barabartë?! Nuk është çështje besimi, thjesht është më shumë se kaq.
“Do të tretem e venitem,/ si kandili kur s’ka vaj,/ baltë e pluhur do të bëhem /të më shkeli këmbë e saj…”
Pohimi i sinqertë i përulësisë ndaj femrës i babait të poezisë shqipe, Poetit tonë të madh kombëtar, Naim Frashërit, është drithëronjës. Për të mos shkuar më tej tek vargje të tjera popullore, ku mund të mbytesh në një det vetëmohimi të burrit ndaj dashurisë për Atë, gruan e jetës,- këtë magje ku mbruhet tërë letërsia botërore.
Në letërsinë shqipe qysh në fillimet e saj ka një shembull të shkëlqyer të himnit të merituar ndaj gruas. Dhe ky është Lasgush Poradeci, i cili bëri revolucionin e parë emancipues të poezisë shqipe, duke vënë në ballë të këngës së tij brilante dashurinë. Është një botë e tërë blatimi, ku me një guxim marramendës, gruan, femrën e dashuruar e vërtiti në tërë kufirin e lidhjeve njerëzore të shpirtit e të gjakut nga shoqja deri tek motërza…
Ndër katër – pesë metaforat universale me të cilat mbahet në këmbë prej tri- katër mijëvjeçarësh trupi i gjithë poezisë njerëzore, të paktën dy prej tyre i takojnë femrës. Ndër dhjetë – pesëmbëdhjetë elementët më sundues të galaktikës sonë, të paktën më shumë se gjysma e tyre janë përsëri të saj, duke filluar që nga lulet, drita, ujërat, pemët, yjet, dielli, hëna, Afërdita, ylberet e të tjera. Nuk ka ndonjë rast që burri të krahasohet me lulet apo hënën, por, edhe po të kish, ky guxim do të ish i përçudshëm duke thyer një nga kodet më jetik të njerëzimit edhe në art, aty ku kapriçot janë vetë ekzistenca e tij.
Nuk është rastësi që ndër përfytyrimet e para të njerëzimit prej gruas u krijua personazhi madhështor: E Bukura e Dheut. Nuk ekziston I Bukuri i Dheut, përveç ndonjë përpjekjeje mjerane si ato të spektakleve ekzibicionisto – komerciale të Mister Bukurisë, që në të shumtën e rasteve të kujtojnë do protesta homoseksualësh.
Ndërkohë po të vazhdohet më tej me shembuj të tillë, do apo s’do, është njësoj si të biesh në një gropë pa fund, nga ku nuk del dot kurrë.
Është e kotë t’í përgjigjesh kësaj të vërtete me një “Përse?”
E megjithatë gjithë mundimi fisnik i njerëzimit për një përgjigje të mundshme i ka siguruar botës, ekzistencën e letërsisë dhe të artit, pa të cilin vetë jeta nuk mund të ishte.
Folëm për gruan si femër dhe të dashur, sepse këtu është ndoshta edhe pjesa më e ndritshme dhe që këtej fillon më tej vazhdimi i poemës. Po se mos është më i vogël dhe mahnitës vazhdimi i himnit ndaj saj me sinfonitë e tjera të të qenit si motër dhe si nënë.
“- Sa vjet zi do mbash për mua, moj nëno?!
– Sa të zbardhet pendë e korbit, o biro!…”
Fjala koment është një fjalë e shpifur dhe është mirë të heshtim në raste të tilla…
Kur Zoti i hoqi burrit një brinjë për të bërë gruan, këtu nuk ish fjala për të bërë pjesën apo për ta plotësuar atë, ishte fjala për të ruajtur ekzistencën dhe përjetësinë e tij. Më kujtohet mirë se në zbulimin e dashurisë, aty nga rinia e hershme, përjetimi i parë që kam ndjerë ishte se nuk ngopesha mirë me ajër dhe dhimbjen e ndjeja në kraharor, pikërisht tek brinjët. Unë kisha humbur me siguri një brinjë dhe me të ish krijuar Ajo…, ajo që ishte bërë uni im. Prej saj u rilinda dhe bota u bë më e ngjeshur dhe më e qartë për të parë në të, njëmijë e një gjëra që nuk kishin ekzistuar më parë, duke përfshirë edhe këngën si këngë apo si lot. Kështu u ndodh fatmirësisht të gjithëve.
Së fundi, me gjithë tundimin e madh të shkruash për (dhe mbi) Gruan është njësoj si të nisësh një ndërmarrje jashtë fuqive të tua. Thjesht nga që të shkruash për Të, është një kuturisje pothuajse pa asnjë shpresë për të qenë i kënaqur. Por këtë duhet ta bëjnë burrat e unë e pranoj edhe si një “dënimin tim” këtë kuturisje. Në fund të fundit dikush duhet “të linçohet” herë pas here nga ne burrat, duke bërë përpjekjen mjerane (se nuk është asnjëherë e mjaftueshme,) për të nderuar deri në fund dhe me çdo çmim Princeshat e Mëdha të Jetës.
Amen!