Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Pushteti i Edi Ramës mbrëmë mori vizën

Fotografia e Cerciz Loloci

Ajo që është më paradoksalja në vendin tonë, janë akuzat papushim karshi opozitës. Një frymë e tërë vërshon e përmend dhunën, si një mjerim idesh për të marrë pushtetin në tavolinë. Dhe ai që është i pari i cili fryn këtij zjarri është pikërisht kryeministri i vendit kur del e paraqitet nga pas derës me deklarata irritive mbi kapsollat që s’e trembin etj., dhe në fund me një kërkesë gjoja ulëritëse se kur do flasim, se ai në fakt po kërkon dialog.

Këtu fillon e gjitha dhe çfarë krahasimesh e dhimbje sysh shikon, një qaravitje për njëshin a një keqardhje mjerane se po i pritet rruga vendit drejt Europës dhe se kurrë Shqipëria nuk ka qënë në armiqësi me perëndimin se sot. Nuk janë asgjë tjetër, por forca reale e makinerisë së propagandës që paguhet nga ai deri në detaje dhe emra të përveçëm, por me reputacion, ku përpjekja për të hedhur fajin opozitës është sot kryefjala e ditës.

Vulgariteti i webeve të tij është i dukshëm sa që thuajse 99% e analizave a opinioneve janë me nervozizëm dhe me arsyetim të humbur. Nga njëra anë promovojnë emrat në lista e Kuvendit, me idenë më vrastare të demokracisë si krijimin e një opozite fiktive, nga ana tjetër kërkojnë dialog me opozitën reale. Nuk e di se sa kohë u duhet atyre të listave ta kuptojnë se janë bërë si kasetat për të ngjallur shijet perverse të Ramës dhe kastës së tij. Por kjo është çështje tjetër dhe as që ia vlen të diskutosh më, pikërisht pas asaj gjindje në shi që del e kërkon një realitet të ri shqiptar në lidhje me votën dhe demokracinë.

Asnjëherë mëkati nuk qëndron tek opozitarizmi, por tek ai që nuk hap rrugë. Eshtë vrastare për vendin të mbash pushtet duke nëpërkëmbur e bërë lojra fjalësh me Monën a pleqërinë e Berishës, me vokalin e Lulit, me rakinë e Dashit etj., duke ia kaluar me kompani mëkateve të tyre. Shqiptarët pozitarë edhe sot e kësaj dite shqyhen për gjynahet e Berishës, duke mos i vënë re fare mëkatet e pushtetit. Presin të shohin Berishën në burg, përmes një gjoja reforme që mban erë të fëlliqur sapo sheh që dy gra të komanduara, njëra me background nga diktatura dhe tjetra nga kafenetë e Tironës, bëjnë kuorumin e një reforme në drejtësi e cila do të gëlltisë peshqit e mëdhenj.

Eshtë një absurditet kolektiv sepse reformat nuk bëhen me njerëz të kontestuar, por me të tillë që kanë një pranim të gjerë. Eshtë vrastare për vendin të mbash postin duke çuar vendin në një dasim social, në një konfrontim shtresor për një karrike me pretekstin e votës së shpartalluar që ti e quan të lirë dhe të shenjtë, ndërkohë që i ofron një shpurë që lyhen e ngjyhen se do bëhen deputetë.

Pushteti i Edi Ramës ka marrë fund dhe kjo mori rrugën që me protestat studentore, me grevat e minatorëve dhe ato të fermerëve tek derdhnin prodhimet e tyre në rrugë. Nuk ka pse ju dhimbset si dikur Enveri. Mori fund dhe çfarë po ndodh janë ato përpjekjet teknike që zakonisht i bëjnë sojet a tipat e fortë nga kategoria ‘one man rule’. Ka marrë fund jo se do Lulzim Basha, por ekonomia e dështuar e tri P-ve, krimi dhe droga. Kaq…, shikoni strukturën ekonomike të vendit, si përshembull sa mundësi keni të gjeni punë, sa të kënaqshme i keni pagat, sigurimet shoqërore etj. Ka marrë fund dhe do kishte thyer qafën me kohë sikur në krye të protestave të mos ishte Lulzim Basha. Por të paktën ky i fundit po ofron disa risi dhe ktheu besimin me një akt të madh si djegia e mandatave. Hiqeni nga mendja se ata që marrin mandatet janë vërtetë zgjidhje sociale. Janë ai soji që fërkon duart teksa firmos dhe ka planikuar që tani pushimet familjare në ndonjë resort me qëllim që të ketë se me çfarë të mbushi statutet e fb verës që po afron. Shkurt janë ai soji gangrene që po e ha të gjallë atë vend prej tri dekadash. Mjaft promovuam skuthët…

Risitë e kësaj proteste janë së pari ekonomia. Po ofron zgjedhjen e presidentit nga populli, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kufizim të mandatave qofshin këto deri tek kryeministri. Në një farë mënyre është si të thuash provojeni, po nuk i mbajti jo Lulëzim Basha të jetë por perëndia, zbytheni. Se ta dini nuk ka perëndi tjetër veç atij që njeh shpirti juaj. Jo inati për këtë e atë. Dhe jo të qani se po iku Edi Rama, një mbetje nga bulizmi shqiptar nuk ka burra të tjerë vendi jonë.

Edi Rama është një investim i shushunjave të gjoja parteneritetit privat me publikun. Mirëpo sa herë jeni zgjuar me fadromat tek koka. Dëmet e paraardhësit nuk mund të fshihen me një logjikë pse i hodhën lekët kur nuk i kishin letrat etj., dhe fut fadromën. Janë mëkate jo për të drejtën sociale dhe mirëqenien e shoqërisë, por të farsës së tri p-ve dhe investime të kartelit të drogës e pastrim parash. Kurse ju avazin, nuk ka, nuk kemi, nuk del, nuk na mjafton, rrogën nuk e morëm, pensioni është kot.

Ja kjo është e përditshmja jonë. Dhe në fund, poshtë Saliu, rroftë Edi Rama…

Fotografia e Ilir Levonja

Please follow and like us: