Argita Zalli: Zgjoni ëndrrat tuaja dhe bëjini ato realitet!
Iku nga Shqipëria në moshën 13-vjeçare, për t’u shkolluar në Londër, Argita Zalli, së bashku me motrën e saj binjake, Detinën. Pas vitesh të vështira studimi, pune dhe sakrificash, ato ia dolën mbanë dhe sot përfaqësojnë një zë të suksesshëm shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Argita Zalli, e diplomuar në University of Sussex dhe University of Birmingham, synon shkencën e mjekësisë. Skrupuloze, e fiksuar pas asaj që synon, sistematike dhe e vendosur, ia ka dalë mbanë, sfidë pas sfide. Asnjëherë nuk e harron atdheun, fëmijërinë që la pas, njerëzit e dashur të Shqipërisë. Nuk mendon vetëm për vete, por që sado pak t’i vijë në ndihmë edhe atdheut, me projekte që do të synojnë integrimin dhe kualifikimin e të rinjve shqiptarë. Mesazhi i saj është i qartë: “Nëse doni të realizoni ëndrrat tuaja, “veproni, mbi to!”
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë të mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Do të thosha se ka qenë një përzierje, meqenëse dëshirën për të vazhduar rrugën e mjekësisë e kam pasur që fëmijë, atëherë kur nuk e kupton vërtet se çfarë është mjekësia. Me kalimin e viteve, edhe me eksperiencën, udhëtimi më ka çuar në një dege paksa të ndryshe, tashmë fokusohem me dizenjimin e modulave e projekteve të shkollës së mjekësisë në Imperial College London, duke ofruar konsulencë pedagogjike drejtorëve të këtyre modulave, në një mjedis të ri dixhital fe duke e vënë studentin në qendër të vëmendjes, në mënyrë që Imperial College London të vazhdojë të jetë një nga universitetet leader në sigurimin e një edukimi të shkëlqyer për studentet dhe brezin e ri.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Momentet kryesore kanë qenë ardhja në Angli dhe marrja e dokumenteve, hyrja në Grammar school, e cila na ndihmoi të merrnin rezultat shumë të mira në A-levels që si pasojë ndikoi në hyrjen në Universitet edhe vazhdimi për mjekësi molekulare. Vazhdimi i doktoraturës për imunologji, si edhe eksperiencat në punë në UCL dhe në Imperial. Nuk mund të caktoj një moment kryesor. Ajo që do të theksoja është të qenit ambicioze dhe të menduarit, si i thonë anglezët, “outside the box”, të isha çdo herë një hap përpara nga të tjerët.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Unë mendoj se ka një çelës të unifikuar suksesi. Ky çelës nuk është një çelës sekret, por është një çelës që çdokush e ka. Diferenca është nëse arrin ta përdorësh. Çelësi sekret është ai çelës që më ka ndihmuar të ngrihem, sa herë që jam rrëzuar, sa herë që jam refuzuar në një punë që mendoja se e meritoja, sa herë që kam dyshuar tek vetja, sa herë që kam qenë e zhgënjyer… Është ai çelës që më ka bërë të marr rrugën më të vështirë “të suksesit”, kur rrethanat e situatat më çonin të merrja rrugën më të lehtë, edhe të kënaqesha më pak. Është ai, i njëjti çelës, që megjithëse tashmë jam bërë mami, dhe ndonëse kam përgjegjësi të mëdha në punë, pranë një projekti prestigjioz (ku punoj më tepër se full time), arrij të përfundoj Masterin për 4 javë. Njerëzit më thonë si ia del? Sigurisht, nuk është e lehtë. Është shume e vështirë. Çdo fundjavë është e zënë. Ndonjëherë e pyes veten nëse kam bërë zgjedhjen e saktë që e kam ngarkuar veten kaq shumë. Por, kur shoh në sytë fosfor të djalit tim gjithë atë dashuri, mund veçse të motivohem, dhe mezi pres të jem me të në ditën e graduimit, ta ngrij gjithë këtë udhëtim të ri në një foto të bukur. Dhe ëndërroj që kur të rritet, t’i tregoj një histori të bukur, dhe se ndryshe nge bebet e tjera që shkojnë në kopsht, ai, 10 javësh, shkoi në fillim në Universitet, të shoqëronte mamin e tij për Masterin.
Prandaj, nëse doni të realizoni ëndrrat tuaja, “veproni, mbi to”. Mos harroni se të pamundurën e shkruajmë ne dhe secili prej nesh është i lirë t’i organizojë shkronjat sipas dëshirës dhe ambicies së vet.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Ardhja në Angli dhe si pasoj ndryshimi drastik i rolit – ku unë dhe motra ime, Detina, ishim të detyruara të ktheheshim të rritura, “adults”, në moshën 13-vjecare, në një kohë shumë të shkurtër prej një dite, si pasojë e përgjegjësive që morëm, si për shembull, duke mare takime me avokatë për punë dokumentesh, duke përkthyer në shërbime sociale për familjen tonë e për shumë shqiptarë, duke punuar pas shkolle në moshën 13-vjecare, duke jetuar me stresin e të mospaturit dokumente dhe një të ardhme të pasigurt, prej 6 vitesh, dhe duke përballuar bullying (se di siç i thonë sot) në shkolle etj. etj. Sfidat nuk mbarojnë asnjëherë dhe na rrethojnë gjatë gjithë jetës. Këto do t’i përcaktoja, sepse ndodhën në një moshë tepër të vogël, 13 – vjeçare.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
E kam të vështirë ta mendoj këtë gjë, edhe, me thënë të drejtën, nuk di si të përgjigjem. Zgjedhje të tjera nuk do t’i bashkëngjiteshin karakterit tim. Jam shumë përcaktuese, ambicioze, punoj fort dhe po t’i futem një pune, do ta përfundoj, duke përdorur gjithë aftësitë e mia, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Në këtë moment, arritje të madhe do ta quaja përfundimin e Masterit (pasi ta dorëzoj tezen J – nëse ia arrij), duke qenë se jam duke punuar shumë fort në një projekt shumë prestigjoz që, gjithashtu po e manaxhoj dhe, mbi të gjitha, duke pasur një dashuri të madhe (por të vogël fizikisht) me vete, që ka nevoje për shume përkujdesje.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Atdhe është rrënja e asaj që ne jemi sot. Është shtëpia e gjyshes, Lakos, dhe babait në Patos (gjyshërit e mamit nuk janë më), është gjyshi Llazi me nëna Lirën në Bubullimë, që na presin në mbrëmje të flasim në Skype, është dashuria që gjej tek dajat, tezet e hallat. Është copa e asaj jete të rëndësishme, e bërë nga shumë sakrifica dhe dashuri, që na bëri ato që jemi sot. Është ai vend ku unë e quaj shtëpi, ku marr frymë lirshëm, ku ha bukë me vaj, kripë, qepë e ullinj, edhe kur ndërsa shkoj për të blerë molto, apo kuleç rozë të kohës se Enverit, ndodh që ndonjëherë lexoj gazeta që flasin për mua dhe Detin, buzëqesh edhe them me vete “Vërtet jemi ne? Ndoshta, jemi bërë dikush në jetë?!”
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Dashuria e madhe dhe edukata e ushqyer nga prindërit. Përkushtimi edhe sakrificat që ata kanë bërë për ne që të vogla e deri tani. Varfëria dhe të mospasurit mundësi të kishim shumë gjera që na bën t’i vlerësonim akoma më shumë, atëherë kur kishim mundësi. Dashuria, forca, besimi dhe mbështetja që kemi pasur nga njëra – tjetra.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Emigrant, bazuar në eksperiencën time personale (si fëmijë) do të thoshte të ishte dikush i parëndësishëm, qe nuk meritonte kohën apo vëmendjen e të tjerëve. Dikush që duhej kritikuar vazhdimisht në mënyrë jo konstruktivem, sepse nuk mund të ishte në një nivel me te tjerët. Dikush që si pasojë e sjelljeve të adoleshentëve të tjerë, humbi në një moment besimin në vete dhe që vazhdonte të luftonte gjithmonë sa për dy.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Duke filluar nga nevoja dhe pranimi për një sistem më të mirë. Dhe si pasojë, dhënia e mundësive dhe bashkëpunimit. Shqipëria është me fat sepse ka shumë persona të suksesshëm nëpër botë që mund të ndikojnë në një mënyrë sinjifikative në ndarjen e njohurisë për një të ardhme sa më të mirë. Vetëm sikur t’i shfrytëzonin këto mundësi, do kishte më shumë përfitime e bashkëpunim.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Ajo që do të kërkoja nga Shqipëria është të shfrytëzonin talentet e ndryshme shqiptare. Si unë dhe Detina, besoj se kemi kontribuar në Shqipëri, duke organizuar konferenca në Tirane ku kemi shpjeguar projektet tona shkencore, Workshops të tjera që u janë ofruar studenteve falas, në lidhje me mjekësinë, aplikime për Universitet, si të shkruajmë CV / Cover Letter. Ndonjëherë reflektoj dhe mendoj: kam mbi 5 vite që punoj në një nga Universitet më të mirë në botë, në një nga projektet më prestigjiozë të shkollës së mjekësisë, ku kam një rol goxha të rëndësishëm dhe ndihem shumë e privilegjuar për këtë, përse të mos e bëj pjesë të kësaj gjithashtu edhe në Shqipëri? Ndoshta duhet të fokusohet edhe Shqipëria në curriculm review, dhe dizenjimin e programit të mjekësisë, duke i ofruar studentit një përvojë të shkëlqyer që do ta ndihmojë atë në përgatitjen e fillimit të një karriere të rëndësishme.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Pas një periudhe goxha të zënë dhe dorëzimit të Masterit në fillim të qershorit, planet e verës janë të shpenzoj sa më shume kohë me djalin tim dhe më vonë do të jem e gatshme të marr përgjegjësi të reja, të ndryshme në punë.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do të ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
“Zgjoni ëndërrtat tuja dhe i dizenjoni në realitet dhe përgatituni të vishni kapelën e luftëtarit. Është shumë e mundshme që në një pikë, realiteti apo jeta për arsye të drejtë apo të padrejtë, do t’ju pengojë të arrini t’i ngjyrosni ëndërrtat me të njëjtat ngjyra që ju i dizenjuat. Do ta gjeni veten përtokë dhe do t’ju bjerë kapelja. Ngrihuni dhe vendoseni përsëri. Dhe kështu vazhdoni.
Kujtoni se njerëzit e suksesshëm kanë lindur me superfuqi?! Ata janë kultivuar nga eksperiencat edhe mendjet e ndritura që kane hasur gjatë jetës. Mund të jenë fjalët e një doktori të suksesshëm, apo fjalët e mençura të një fshatari zemërbardhë, të rrahur nga jeta, ose ndonëse këshilla e pastër të një fëmije të pafajshëm. Kultivojini! Mos harroni se i suksesshmi dhe luftëtari janë 1, dhe se fitimtari i vërtetë nuk e harron kurrë ushtarin që ishte një herë.
Intervistoi: Petrit KuçanaThe Albanian