Kënga fatale: Kafe ‘Flora’, burra plot!
Mimoza Koka
Duke dëgjuar këtë këngë të Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion në vitin 1971, më vjen ndërmend ajo ҫ’ka ndodhi pas këtij festivali. Në kujtimet e Todi Lubonjës, Fatos Lubonjës, Spartak Ngjelës, Ismail Kadaresë, Agim Meros, etj, ka një episod të përbashkët për këtë periudhë. Në vitin 1970 pati një përpjekje të Enver Hoxhës për t’u lidhur me perëndimin. Po përgatitej prishja e marrëdhënieve me Kinën dhe ai e ndjeu që vendi do të izolohej dhe gjendja ekonomike do të përkeqësohej. Kështu, ai jep disa sinjale lehtësimi dhe liberalizimi. Flet frëngjisht në mbledhjen e Byrosë Politike, gjë që s’kishte ndodhur kurrë më parë. Ndërkohë, thërret Agim Meron, që mbulonte problemet e rinisë në Tiranë dhe i thotë që duhet t’i kushtohet më tepër vëmendje rinisë dhe nevojave të saj, duke rekomanduar që t’u plotësoheshin disa kërkesa dhe të liheshin më të lirë.
Nisur nga ky rekomandim Todi Lubonja dhe Nefo Myftiu që drejtonin Televizionin Shqiptar, i cili ishte institucioni me i rëndësishëm i regjimit për propogandën, organizojnë Festivalin e 11-të, në një frymë krejt të re. Regjisor i Festivalit ishte Mihallaq Luarasi, i cili ishte dalluar për talentin e veҫantë në vënien në skenë të dramave (njëra prej tyre, megjithatë, i ishte ndaluar, konkretisht drama “Njollat e Murrme”).
Festivali kishte realisht një frymë të re, si në formë ashtu dhe në përmbajtje. Ishin risi veshja elegante e këngëtarëve, mënyra e prezantimit të Festivalit nga Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, por, dallonin sidomos tekstet e këngëve, të cilat ishin rinore, dhe, në asnjërën prej tyre nuk përmendej Partia dhe shoku Enver. Gjatë tre netëve mendohej se ҫmimin e parë do ta fitonte kënga “Kafe Flora, burra Plot”, kompozuar nga Agim Krajka dhe kënduar nga Lindita Sota, por e fitoi kënga “Kur vjen pranvera”, kompozuar nga Pjetër Gaci e kënduar nga Tonin Tërshana.
Përpjekjet e Enver Hoxhës për t’u afruar me perëndimin dështuan keqas. Së pari, perëndimi nuk iu përgjigj sinjaleve të tij. Duket që krimet që ai kishte kryer nuk mund të faleshin. Kadareja thotë se më shumë se Enver Hoxhën perëndimi me izolim dënoi popullin shqiptar, i cili nuk ishte përgjegjës për krimet që ai kishte kryer. Një arsye tjetër, ishte dhe rezistenca e fortë e grupit më të egër dhe konservator të shefave komunistë, që ishin: gruaja e diktatorit, Nexhmija Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, dhe Kadri Hazbiu. Thuhet se e shoqja duke shfrytëzuar sëmundjen e tij, i filtronte të tëra mesazhet dhe informacionet që i jepte. Kështu, fitoi krahu konservator. Duke parë qëndrimin krejt hermetik të perëndimit, tërbimi dhe mllefi i Enver Hoxhës ishte i jashtëzakonshëm.
Goditja e parë ju dha Festivalit të 11- të. Pak ditë pas përfundimit, nisur nga një letër kinse nga gjimnazistët e një shkolle të mesme, filloi dënimi i tij. Goditja ishte e pamëshirshme; dënohen me burg regjisori Mihallaq Luarasi, dhe këngëtari Sherif Merdani. Ndërkohë shumë këngëtarë dhe kompozitorë largohen nga vendet e punës, dhe internohen. Unë kam jetuar në Fushë – Arrëz të Pukës në këtë periudhë dhe kam njohur nga afër këngëtarin Francesk Radi, të cilin e sollën aty si të internuar. Ai ishte një djalë i talentuar dhe njeri shumë i mirë. Pukjanët ja njohën meritat dhe e kanë mbështetur dhe mbrojtur për sa kohë ai jetoi aty. Ndonjëherë, njerëzit e thjeshtë janë me mendje më të hapur se elitat. Dënimi i Festivalit i hapi rrrugën krijimit të grupit armiqësor në art dhe kulturë të drejtuar nga Fadil Paҫrami dhe Todi Lubonja. U rrezikua Ramiz Alia, por ia doli të shpëtojë.
Pas dy apo tre vitesh, u dënuan të ashtuquajturit grupet armiqësorë në ekonomi, të drejtuar nga Koҫo Theodhosi dhe Kiҫo Ngjela, si dhe në ushtri të drejtuar nga Beqir Balluku, Petrit Dume, Sadik Bekteshi etj. Një pjesë e tyre u pushkatuan, të tjerët u dënuan me burgime të gjata. Sipas Enver Hoxhës, këto grupe kishin bashkërenduar veprimet për të rrëzuar pushtetin popullor dhe atë vetë. Kjo ishte një paranojë e mirëfilltë. Të gjithë këta që u përmënden kishin qënë besnikë të palëkundur të tij. Në vitin 1982, ai asgjëson Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Feҫor Shehun, Mihallaq Ziҫishtin etj, duke i hapur rrugë mbajtjes së pushtetit prej familjes së tij, por dhe duke e ҫuar Shqipërinë përfundimisht drejt falimentimit. Ka një kuriozitet për Enver Hoxhën që përmendet nga Kadareja, dhe që e kishte dëgjuar nga një prej mjekëve të tij personalë. Shiu ndikonte shume keq në psikikën e tij, mjerë ata njerëz për të cilët ai merrte vendim në një ditë me shi.
Kur dëgjon “Kafe Flora, burra plot”, këtë këngë të thjeshtë rinore, habitesh se si mund të kishte ajo lidhje me një grup armiqësor.