URGJENCA E NJË DEKRETI TË TRETË PRESIDENCIAL
Dr. Astrit GJUNKSHI
Përpiqem të jem gjithnjë i paanshëm në analizat që bëj.Pa ç’ka, sidoqë kam qenë dhe mbetem i tillë, nukmungojnë përpjekjet për të më rreshtuar patjetër me njërën apo me tjetrën palë. Siç duket, mentaliteti i sistemit të kaluar “o me ne, o kundra nesh!” mbetet ende i fortë. Militantët apo adhuruesit e secilës pale nuk duan apo nuk janë në gjendje ta konceptojnë se njerëzit që përpiqen t’i quajnë gjërat me emrin e tyre janë më të dobishëm se secili prej tyre që fërkon duart edhe kur vendi digjet, mjafton që ngjarjet të jenë në favor të parties së tyre. Historia e tranzicionit të zgjatur demokratik do të kishte qenë më e shkurtër dhe më pak e dhimbshme po të ishin dëgjuar zërat e ftohtë e të paanshëm të njerëzve apo të studjuesve kritikë dhe jo zërat që nxisin aksione e deformime në dobi të partive.
Në këtë opinion të shkurtër, për shkak të urgjencës së situatës, do të përpiqem të shmang analizën për përgjegjësitë e aktorëve të ndryshëm politikë dhe do të fokusohem më tepër në dhënien e ndonjë mendimi që ndihmon në tejkalimin e situatës. Pret koha që analiza dhe studime më të thella të bëhen më pas. Nisur nga tensionet që ndodhën dje në Shkodër, Tropojë e gjetkë, duket se tensioni do të marrë përmasa akoma më të larta më 30 qershor, në ditën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale sipas dekretimit të bërë më herët nga presidenti i Republikës, pavarësisht se mazhoranca paralajmëron për pasojat që do të kenë ata që do të pengojnë zgjedhjet. Historia jonë jo e largët dëshmon se njerëzit e tensionuar nuk kanë pyetur për ndëshkimin nga ligjet dhe pasojat e veprimeve të qoftë pak personave i ka paguar një pjesë jo e vogël e popullit.
Prandaj është urgjente që, të gjitha palët, të marrin përgjegjësitë që dikton moment për të shmangur çdo zhvillim të pakëndshëm. Hapin e parë e pres që ta hedhë presidenti i Republikës. Dua të mos hyjnë akuzat që i bëhen se, me dekretin për anullimin e dekretit të mëparshëm për zgjedhjet e 30 qershorit, “presidenti është bërë palë me opozitën; apo ka frikë nga vetting etj, etj”.
Dua të besoj fare thjesht se presidenti e nxorri dekretin e dytë për të shmangur tensionet midis mazhorancës dhe opozitës. Por, në fakt, si çu pa dje, ky dekret i dytë e tensionoi më tej situatën. Mazhoranca filloi procedurat për shkarkimin e tij, që duket se do të thellojë më tej tensioned dhe kjo, mbi të gjitha,nuk shërben si zgjidhje për tejkalimin e situatës. Në një fare mënyre, ky dekret i dytë më tepër dekretoi veprimet e opozitës për të quajtur të ligjshëm çdo aksion për të ndaluar zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor.
Ajo që mbetet urgjente, është nxjerrja e një dekreti të tretë nga presidenti, dekret që duhet të përcaktojë patjetër një date të re për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, mbase për nga mesi i shtatorit të këtij viti.Caktimi i një date nga ai mbyll nevojën për interpretime kushtetuese, sepse ai do të zbatonte një të drejtë të tij kushtetuese. Kështu që tejkalohet edhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Me shpalljen e dekretit të tretë, me datë, presidenti duhet të thërrasë menjëherë kryetarët e tre partive kryesore parlamentare dhe të shtrojë kërkesën për pranimin pa kushte të dekretit të ri.
Mazhoranca duhet të heqë dorë menjëherë nga zhvilimi i zgjedhjeve më 30 qershor dhe nga shkarkimi i presidentit. Në fund të fundit është dëmtuar tashmë një pjesë e dokumentacionit në KZAZ-të që u sulmuan, ndërsa vetë KQZ nuk funksionon i plotë dhe është vënë në pikëpyetje kushtetueshmëria e tij. Edhe shkarkimi i presidentit duket nja kalvar i gjatë dhe pa bukë.
Tërheqja e qeverisë nga 30 qeshori nuk do të merrej si shenjë dobësie, përkundrazi, do të vlerësohej nga masa e madhe e qytetarëve të arsyeshëm që duan zgjedhje dhe jo votime. Nëse ajo mendon se është e suksesshme me reformat, mund t’i fitojë zgjedhjet edhe pas dy apo tre muajsh.
Opozita duhet të pranojë gjithashtu këtë datë zgjedhjesh dhe të heqë dorë, të paktën për këta tre muaj, nga precedenti për dorëheqjen e kryeministrit. Mendoj se ajo ka arritur të sensibilizojë opinionin tonë publik dhe atë ndërkombëtar përmes protestave që ka bërë dhe botimit në shtypin e huaj prestigjioz të përgjimeve për deformimin e zgjedhjeve të kaluara. Nëse ajo është e sigurt se populli e ka humbur besimin te mazhoranca, le të hyjë në zgjedhje, të garojë dhe t’i fitojë. Kështu do të rrëzojë edhe akuzën që i bëhet se nuk i do zgjedhjet sepse ka frikë vettingun.
Për tavolinë që do të organizojë presidenti pas nxjerrjes së dekretit të tretë, të kërkojë edhe mbështetjen e fortë të ndërkombëtarëve, veçanërisht për një vëzhgim masiv e të rreptë ndërkombëtar të zgjedhjeve lokale në afatin e ri. Me këtë hap, të gjitha palët do të fitonin pikë te populli, jo vetëm sepse do t’i shmangnin një tension më tepër në vwrgun e tensioneve që i kanë sjellë, por edhe sepse do t’i tregonin se janë pjekur si elitë politike.
Nga ana pragmatike, Shqipëria do t’i jepte Bashkimit Europian një dëshmi të fortë se e meriton marrjen e ftesës për hapjen e negociatave menjëherë pas zhvillimit normal të zgjedhjeve lokale, para se të merret një vendim i tillë në tetor, menjëherë pas zgjedhjeve.
Në tavolinën e presidentit të merret gjithashtu angazhimi për të hartuar një Kod të ri Zgjedhor menjëherë pas zgjedhjeve lokale si dhe për përgatitjen e zgjedhjeve të para parlamentare sipas standardeve vërtet demokratike. Në fund të fundit, do t’ju vijë në ndihmë shumë shpejt edhe vetingu që është në proces.
Më në fund, për këdo që do ta gjykonte si të njëanshëm këtë opinion, ju them paraprakisht se është shumë e lehtë të luash rolin e indiferentit apo të shtiresh duke u treguar i njëanshëm herë me njërën palë, herë me tjetrën. Të kesh integritet si njeri dhe si studjues është vërtet e vështirë, por jo e pamundur. Dhe në Shqipëri ata nuk mungojnë.
Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban MSc për sigurinë nga Cranfield University i Britanisë së Madhe, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, është autor librash dhe shkrimtar. Ka shërbyer si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.