Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Mimoza Pulaj

 

Ditëlindjes
Të gëzuara ishim: të dyja vogëlushe.
E sikur të kisha zgjedhur.
Se mbas çdo marrje fryme të prisja.
Treqind e gjashtëdhjetekatër ditë. Çdo vit.

Tani të ndërroj: në darkë gjyshe e çdo mëngjes çupëlinë.
Nuk jam ajo që duan të tjerët.
As qiri nuk blej…peshojnë më shumë se torta!
Sforcim bëj dhe asaj për t’i buzëqeshur.
Kur për ty më uron.
Shtrati
Derdhet në det.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka ndryshuar shtratin.
(Nuk mund të marrë me vete pasqyrimet e pemëve!)

Çdo lumë është histori: UJË+KOHË.

 

Në kohën time

Nuk jam gjë tjetër veçse një trëndafil.
Në rrugën Kashta e Kumtrit.
Në çdo çast: yjet rrëzohen. Gurët erëmojnë dëshira.
Dyshoj: mos jam dhe vetë një ëndërr?
kthyer në varg?
Humbas keq!
Parajsa nuk është larg
nga Dielli që lind.
E pres të kalojë. Nga rruga ime. Në kohën time të dashur.
Ku zemra më ndal.
Lojë Marsi
Shi tingujsh të fshehtë.
Në të gjitha gjuhët.
Pa e ditur hënë e shkretë:
në dritare krejt yjet.
Lag gjithçka. Fal e harron. Gjurmë agimi.
Gjethe vargjesh hedh Aurora
mbi cati vegimesh.

Diell që lind e përvëlon.
Me një lojë Marsi.
Hënë e verbër që shikon një dritare përrallash.

 

Ndryshimi

Tingull i një tjetër fjale:
bregu i një deti që arratiset.

 

Jam e sigurt
Pikëllimi në kupolën e kësaj galerie
mund të më ngjisë.
Nga një ditë e kotë.
Dil nga pëlhurat e pikturave Chagall!
Si ato, kokëposht, të mund të rri dhe unë!
Por këmbanat e zemrës sime me hare
do të binin.
Jam e sigurt.
Kur botën që nuk më kupton
ta shija të ecë. Gdhendur në kujtesë: dhe hijen e saj të lumtur.

 

Kopraci
Velë e shpirtit të tij: frikë nga mjerimi
në të cilin lundron.
Ngjyer me këtë ngjyrë
çdo moment që prek. Me qepalla mbyllur.
Qan gjithnjë vetveten. Nga agu në ag. I pangopur.
I takon të ardhmes koha e gëzimit. Kurrë sot!
Në udhëtimin e fundit:
pa bagazh. Pa timon. I pasur. I vdekur.
Oborri

Re mbi ylber.
Ulur mbi to: një kumbull, një pjergull
e pusi ku fshihet Hëna.
Për të mos u ndjerë e vetmuar,
dy duar gjelbëroshe
te vetja e tyre më mbjellin: vogëlushe oborri.
Gonxhe shpërthyer: vargje mbi trëndafila.
Me emër më thërresin. Për të më parë
si rritem.
Lundrimi
Dallgë: shtëpi e vërtetë.
E ftohtë dhembja
mbi kërthizën e detit të tërbuar.
Shtrëngo në fyt, pikëllim i lëvizshëm
e nëse ke peshë të madhe…ulëri fort!
Por mos e humb zërin!
Mos harro: nuk ka ndalim. Nuk ka lundrim
nëse nuk bën dhe ti dallgë.
E nëse duart dhe këmbët nuk i lëviz dot
lundro me ato të zemrës.
Lumi
Thërret një lumë. Me gojën te burimi.
Kaskatë e turbulluar
drejt portës së thellësive rend. Për të trokitur.
Mijëra pengesa, për të ikur. Duke ndenjur.
Më e lehtë është t’i ndërrohet shtrati.
Qan. Rrëqeth.
Por nuk mbahet shpirti
midis syve grabitës.
Brenda tij lumi: bukuria.
E tëra brenda një deti.

Please follow and like us: