Sadik Bejko: Reja mbi mal
Prapa një reje mbi mal jam,
mbi mal e mbi ag
ku erërat më flakën
e ç’të bëjnë me mua nuk dinë.
Dimri ka dalë. Si kalë rend para
Prej hundësh shfryn ngrica, acar e borë,
fshatra, qytete me dhëmbë akulli i kullot,
prej jelesh shkund e shkund terror.
Nuk i ndiej gjëmat hata,
as kalin dimër, as botën e ngrirë.
Më kanë flakur në ag te reja përmbi Dajt
të mpirë.
… në hone pasmëngjesi
tek hënat rrëzohen në golle
tek diejt thyhen në errësirë
me net udhëhumbura që firaksin
si beduinët në shkretëtirë…
…me sy reje jam
fytyrë reje, gjymtyrë reje
somnambul hëne
gremisur në qiell –
në dhera mjegulle.
Errësirat në mua
marrin trup, frymojnë, grinden,
më shkulin mishrat, sytë,
më grimcojnë re më re
më hedhin prapë në rrugë.
Filxhan plot kafe
mbetur pa pirë,
Pa u ngrohur nga gishta e buzë
Filxhan në disk akulli
Dhe re që agu e josh me errësirë.
Një çelës rrotulluar ters në botë,
Një shtjellë erërash me poshtë e lart.
Një kalë dimri prej akulli
botën ha rrafsh gjer në baltë.
Eci në rrugë, punoj, flas,
ulem ndër njerëz… e gjitha rutinë.
… jam pas një kaçube reje mbi Dajt,
Re… mbase nga truri im e mbirë.
Shkurt 2014.