Petrit Ruka: PAS 16 VJETËSH, NJË LIBËR…NË 65-VJETORIN TIM!
Më në fund e ndava mendjen e dola pas 16 vitesh me një libër të ri poetik. I shtyrë vit pas viti midis mëdyshjes në se Ai ishte bërë, rritur, pjekur. I shtyrë nga miq të shumë të poezisë sime që më kanë nxitur pa pushim. Ia bëra vetes këtë “dhuratë” në 65 vjetorin e jetës sime të gjatë plot gëzime dhe mundime me fjalën, një nga gëzimet e pakta të jetës sime, në mos duhet thënë se është më i madhi i saj. Janë kaq të shumtë njerëzit që duhet të falënderoj dhe që i quaj botues të këtij libri. Duke filluar me Pëllumb Kullën, mikun tim të shtrenjtë, kryesori në këtë ngjarje, redaktorin e shkëlqyer të këtij botimi, shokun e një jete, Arben Bllacin (e kush tjetër mund ta bënte me aq dashuri, talent dhe vigjilence spartane) Shtëpinë Botuese prestigjioze “Toena” me drejtuesen e saj mikeshën time të vjetër Irena Toçi dhe sidomos përkujdesjen e jashtëzakonshme të Semi Haxhia për shtypjen me kaq dashuri dhe përkushtim.
Vjen në kohë të keqe mosleximesh, po si çdo vend Shqipëria i ka aq “të marrë” të bekuar që lexojnë dhe shijojnë ende poezi. Ndaj dhe kuturisa ta botoj, i bindur se brenda tij do të gjejnë këngë malli e dhembjeje, himne për dashurinë dhe balada popullore me bukuri tronditëse të ringritura nga harresa e ripunimit e rifreskimit të tyre, të vdekurit e mi të shtrenjtë që rëndojnë vit pas viti zemrën time dhe copëza të këtij Atdheu që sa më shumë plakesh aq më i dhembshur bëhet.
Thjesht kam dashur që me këtë libër të pjestohem me të tjerët, të ndahem me ta, të jap dashuri, me bindjen e patundur se ky mbetet një borxh që i jep jetës sime kuptim.
Shpresoj shumë të mos i zhgënjej ata që do ta kenë në duar.
Mbase është i fundit, ku i dihet, edhe pse nuk dua ta besoj.
Faleminderit të gjithë atyre që duke më lexuar vit pas viti kanë dëshmuar se më duan.
Unë ca më shumë ju dua dhe ky libër këtë kërkon t’iu thotë.