Bardhyl Berberi: Të shkosh apo jo në shkollë të lartë, kjo është çështja?
Bardhyl Berberi
Një prind që ka djalin maturant sot kërkonte kredi në një bankë për të ta çuar në shkollën e lartë.
-Ja do të marrim kredi, po më pas, kur të mbrojë shkollën e lartë, djali ku do të vejë? Një numur i madh maturantësh do të regjistrohen në auditore për të vazhduar shkollën e lartë, por ka dhe një numër jo të vogël që edhe pse kanë mbaruar më rezultate të larta shkollën e mesme janë pesimistë…
– E pse të shkoj në shkollë të lartë, thotë një maturante tjetër, ja vëllai im mbaroi universitetin shkëlqyer, bëri dhe master shkencor dhe punon kamarier në Tiranë. Prindërit morën kredi në bankë që e shkolluan dhe ende nuk kemi larë kredinë!
Mirëpo, pas përfundimit të studimeve, pas një dëmi që i kanë bërë buxhetit familjar duke harxhuar para për qera, tarifa, libra, ushqim dhe veshmbathje, atëherë vjen një goditje e fortë, refuzim pas refuzimi për të zënë një vend punë. Kjo pasohet me një pesimizëm të madh tek çdo i ri.
Është e tmrrshme kur dëgjon që një student mbaron fakultetin me rezultate të larta të thotë se çfarë i duhet nëse mundohet të marrë nota të larta dhe përfundojnë njëlloj, të papunë ose të shtypur në ndonjë punë të rëndomtë që do e bënte edhe ai me arsim 9- vjeçar.
Është pikërisht ky pesimizëm që i shtyn të rinjtë të kërkojmë të parin rast për të dalë jashtë vendit sepse shteti ynë nuk na siguron as elementin më kryesor, sistemimin në një punë në bazë të diplomës dhe titujve shkencorë që ka fituar një i ri…
Me të vërtetë është diçka e tmerrshme të mendosh që diploma për të cilën punon fort disa vjet dhe mundohesh ta vlerësosh me nota sa më të larta, i vetmi vend ku do qëndrojë do jetë korniza në mur.
Personalisht mendoj që kjo është e keqja më e madhe që mund t’i bësh brezit të ri. E gjithë jeta varet nga puna, mënyra si do jetosh, sa do ndjesh kënaqësi nga jeta, si do vlerësohesh në shoqëri e shumë gjëra tjera, varen nga puna që bën, nga ajo diplomë që ke fituar me shumë sakrifica dhe kërkon të gjesh kënaqësinë e jetës duke punuar në profesionin që je diplomuar.
Është lodhur rinia në Shqipëri. Djem të talentuar që kanë mbaruar fakultetin të pajisur me master, të cilët punojnë nëpër bare, restorantet dhe kafetë dhe vajza me fakultet edhe me master që punojnë si shitëse butiku…
E dhimbshme, plot të rinj që dikur kanë pasur ëndrra të mëdha për të ardhmen katandisen në kamarierë apo shitëse butiku. Kështu siç funksionon kjo gjë në Shqipëri është mënyra më e shëmtuar që ka shkatërruar edhe më të voglën shpresë.
Momentalisht ka disa vjet pas diktaturës komuniste në këto vite të gjata trazicioni, në Shqipëri mbizotëron nepotizmi dhe klientelizmi.
Sot nuk pranohesh në punë sepse në vend tendin punësohet një familjar i një titullari institucioni ose dikush që dikur punëdhënësit ia ka bërë një nder ose favor dhe ka ardhur koha t’ia shpërblejë- me një vend pune. Ajo që është më e keqja se këta persona të punësuar në këtë mënyrë nuk kanë lidhje me atë karrike që ju jep “titullari mik” të cilët do të punojnë si të të paaftë dhe të pakualifikuar.
Nepotizmi dhe klientelizmi po na mbyt si metastaza kanceroze shfaqen herë pas here. Kjo është arsyeja pse në administratë nuk kryhet punë efikase sepse drejtojnë këta dështakët që i kanë zënë karriket pameritë, ndoshta jo se nuk duan, por sepse nuk dinë. Janë ulur në ato karrike thjesht për atë pagë dhe për të bërë ndonjë pisllik për të marrë ndonjë para të jashtëligjshme, nëpërmjet ndonjë tenderi apo akroballëku tjetër.
Kështu shoqëria jonë bën hapa mbrapa dhe rrezikon që të mos bëhet pjesë e Bashkimit Evropian?
Rinia është vërtetë shumë e çmueshmë për një vend, ne si shtet duhet të krenohemi me rininë e shëndetshme, inteligjente dhe të mrekullueshme që kemi dhe shteti duhet që të punojë fort që t’i ndërtojë rinisë rrugët në të cilat çdo i ri do mundet ta dëshmojë veten dhe atë çfarë ai di të bëjë më së miri. Shteti duhet të kujdeset për mirëqenien e tyre dhe t’u ofrojë vende pune, çdo i ri të punësohet aty ku e meriton, në atë post për të cilin është shkolluar dhe kualifikuar.
Shumë gjëra kanë nevojë të ndryshohen në Shqipëri, më të vërtetë shumë, mirëpo besoj që edhe ne si popull po durojmë pak më tepër seç duhet. Mjaft më me gënjeshta, fjalë dhe premtime të kota. Është e papranueshme që kryeministri mburret duke thënë që në mesnatë e çon në shtëpi me taksi një djalë i ri që ka mbaruar juridikun! Është e turpshme që djem e vajza atë reja papunë jetojnë na pensionet e varfëra të prindërve të tyre, krse një pjesë tjetër, e atyre dështakëve që kanë marrë karrike me mik apo të blerë me para, jetojnë në një luks të shfrenuar. Kjo duhet të ndryshohet, nëse doni që Shqipëri të mos ngelet në këtë gjëndie të mjerueshme.
Rastet e tilla kanë kaluar limitin prandaj është tmerrësisht e nevojshme që njerëzit të kenë në dorë komandën e ndryshimit. Një vend që drejtohet nga njerëz të paaftë që e kanë marrë karriken me mik apo e kanë blerë me para apo me një tesër partie po e çojnë vendin drejt greminës dhe nëse punët tek ne na ecin kaq keq padyshim që është kjo kategori drejtuesish. Ja pra sepse sot të rinjtë janë në dilemë që të vazhdojnë apo jo një shkollë të lartë sepse më pas nuk dihet se mund të përfundosh kamarier apo taksist…