Nertila Marku: Një histori e jetës sime, që më zgjat jetën
Para disa muajve u martua motra e ish-bashkëshortit tim, me të cilin jam e ndarë prej thuajse 3 vitesh. Pak kohë para dasmës, gjyshi i vajzës, më kërkoi të isha prezente në dasëm. Më pyeti nëse do e kisha problem, sepse është sigurisht e padëgjuar, sidomos në zonat tona, një grua e divorcume pas 3 viteve, të jetë pjesë e gëzimeve familjare tek shtepia e ish bashkëshortit.
Iu përgjigja: “Babë nëse nuk e kemi problem unë edhe ti, asht problemi i të tjerëve e jo i yni. Nëse jam në Shqipëri, do të vij! Megjithatë vajza, sigurisht, mund të vijë edhe një ditë më herët, ta marrë i ati te prindërit e mi”.
Ashtu ndodhi. Ditën e dasmës, ishte tmerr në trafik e bleva biletën më herët nga jashtë, që t’i plotësoja dëshirën gjyshit të vajzës, por padyshim edhe për respektin e kunatës më të cilën kam shku perfekt. Hyra brenda, e sigurisht iu drejtova menjëherë gjyshit të vajzës e më pas çiftit te tavolina. E pyeta se ku mund të ulesha dhe më tha: “Ti do ulesh këtu afër meje, në tavolinën e familjes”.
Sigurisht që e dija se gjë të keqe asnjë s’ka patur me mua, i njihja të gjithë prej viteve, por këtë nuk e prisja. Nuk e prisja që u çuan shumica e fisit të tij, herë pas here nga tavolinat e tyre për të më dhënë dorën, për të qeshur e përqafuar.
Kaloi kjo pjesë. Pjesën më të vështirë do ta kisha me familjen time. Ata e dinin se shkova deri jashtë sa me marr vajzën e jo të jem pjesë e dasmës. E kuptoj totalisht babën tim malësor, edhe nanën. Megjithatë, kur morën vesh nga të tjerët sesi më kanë pritur, ra qetësia.
Po mendoja për raste të tjera, kur ndodh e kundërta, çiftet kalojnë deri në hasmëri dhe ua nxijnë jetën vajzave të divorcueme sepse mungon respekti i ndërsjelltë.
Ndërsa unë kam qenë me fat!
Ah, sa pak duhet, që njerëzit të jetojnë të qetë!…
Shënim: Nuk i promovoj kurrsesi divorcet, më dhemb shpirti tek shoh se mund të kishte mundësi të mos ndodhnin, por kur gjërat bëhen të pakthyeshme, atëhere le të fitojë VAZHDIMËSIA E JETËS mbi bazën e respektit!