Prof. Hazir Mehmeti: FRAN GJOKA, NJERIU QË SHNDRIT POZITIVITET
Vjenë – Austri
Rruga jetësore ka përplot të panjohura dhe sfidat e saja. Veçanërisht për gjeneratat që përjetuam thyerje të mëdha kohe e sistemesh. U lindëm në robëri, u shkolluam dhe vepruam në robëri dhe tani koha e lirisë së brishtë, një shoqëri pa cak të definuar drejt progresit, sikur na gjeti me barrën e viteve. Aq më keq, shumë prej nesh u detyruam të lëshojmë përkohësisht atdheun, por si duket kurbeti do vazhdojë aq gjatë sa do pengohet edhe mundësia e kthimit të eshtrave nesër. Nga këta fatkeqë isha dhe unë, tani miku i Fran Gjokës, i atij që brenda qenies sime e pasuroi Shqipërinë, ato ëndrra që ushqenim gjithë jetën në Kosovën e përgjakur.
U njohëm nga shkrimet. Duke qenë lexues i rregullt i gazetës “Mësuesi”, lexova me kënaqësi shumë artikuj të shkruar nga Frani. Gradualisht me sistemimin tim dhe stabilizimin në punën e mësuesisë u shtua mundësia të shkruaj artikuj nga Vjena në të njëjtën revistë ku shkruante Frani, Mësuesi-n, duke zgjedhur sadopak mungesën e Shkëndijës, bashkëpunëtor i së cilës isha dikur në fundjetën e saj, kur sulmohej çdo gjë shqiptare, gazetë e cila u mbyll nga pushtuesi serb dhe nuk e pa dritën e botimit kurrë më. Hapësira shqiptare nuk do jetë më vetëm trualli etnik, por gjithandej globit, i cili gjithnjë e më shumë u bë i vogël përkundër largësisë fizike, falë teknologjisë së komunikimit modern. Kjo mundësoi leximet elektronike në çdo cep të botës. U mundësua njohja me shumë figura nga jeta publicistike e hulumtuese përmes shkrimeve. Njëri nga disa miq, që u njohëm në formë të tillë në kohën e komunikimit elektronik, ishte edhe Fran Gjoka.
Fillimisht ishte Mësuesi që na ofroi përmes shkrimeve të Fran Gjokës e pastaj, së voni, kur Mësuesi pushoi së foluri, lindi një margaritar tjetër kontakti, lindi Nacional, vepër e mikut tonë tani, Mujë Buçpapaj. Në Nacional rrallë mungonte prania e Fran Gjokës me shkrimet e tij përmbajtësore dhe me tema të veçanta të kapura rrallë nga të tjerët. Këto shkrime të lexuara të njëri-tjetri na ofruan derisa një ditë marr në e-mailin tim shkrimin. “Jam Fran Gjoka nga Lezha. Duke e parë punën tuaj që bëni për shkollën dhe mësimin plotësues në mërgatë, shkrimet e juaja, kontributin tuaj për shkollën në Austri, po ju dërgoj disa pyetje që të përgjigjeni. Këtë shkrim dua ta botoj së shpejti. Ju lutem mos harroni një foto portret tuajin”!
U gëzova aq shumë, sa u ngrita nga karrigia, shtyva laptopin dhe dola të meditoj sado pak në ballkonin e ndërtesës, nga i cili duken pjesë të qytetit të ndarë me Danubin lakadredhës. Mendova: “Një gazetar sikur Fran Gjoka të flasë fjalë kaq pozitive për punën time?! Tani do jem personazh i shkrimit të atij që me përvojën e tij, ndjesinë e tij në kapjen dhe rrahjen e temave ishte i shkathët, bindës dhe porositës”. U ndjeva krenar i papërmbajtur, fillova të lexoj pyetjet dhe mendoja në forcën time për përgjigje. Ky ishte momenti kur shtohet intensiteti kontakteve tona.
Fran Gjoka, me shkrimet e tij, ishte edhe një përvojë për mua që jetoja larg atdheut. Fillova më thellë të lexoja shkrimet e tij, nxirrja citate në fletoren time, krahas kësaj në fantazinë time vinte figura e mikut nga Lezha, nga Shqipëria e ëndrrave mbi ëndrra. Tani Shqipëria po afrohej fuqishëm në mua dhe mezi pritja të udhëtoj verës drejt Shëngjinit, pak përtej Lezhës së Fran Gjokës, mësuesit e gazetarit të njohur. Jo shumë vonë nga shkrimet e Franit, marr një shkrim tjetër nga Lezha, nga Gjovalin Gjeloshi, agronom, gazetar, një intelektual i njohur jo vetëm në Lezhë. Kështu Lezha e Gjergj Kastriotit Skënderbeu u ngulit në mua në dashurinë e ruajtur në thellësi, ku ruhen vetëm ata që janë vetë gjeni yt, i kombit.
Ishte gusht, temperatura e lartë të zinte frymën, sidomos ne që tani ishim përshtatur në ajrin e freskët që buronte nga Alpet Austriake, vendosa të le veturën dhe të nisem për Shqipëri me autobus. Në Lezhë zbres, shkrepi vetëtimë aparati drejt Kalasë së Lezhës me rrënjë mbi gurët e ndrydhur, që nxirrnin kokën nga rendi i tyre dhe herë-herë dukeshin sikur do zbritnin në prehër të Mauzoleut të Gjergj Kastriotit Skënderbeu në fushëgropë.
Takimi me mikun ringjall në mua gjithë atë botë përjetimesh që kisha nga shkrimet e tij me tema te ndryshme aty ku kishte ndierë nevojën për ta dhënë fjalën shpeshherë fjalë proteste nga padrejtësitë shoqërore që shfaqeshin gjithandej vendit të liruar nga diktatura, por i futur në pështjellimet deri në anarki. Duke qenë edhe vetë mësues, shkrimet rreth shkollës dhe sfidave të saj na lidhnin akoma më fuqishëm. Me qasjen ndaj problemeve në arsim, si sfera më e njohur e tij, e lidhur kjo nga përvoja e tij e gjatë si mësues, të lenë përshtypje që ngulitën thellë në mendje. Karakterizohet me Gjuhë konkrete të thjeshtë, por e arsyeshme në trajtimin e problemeve. Ai e ka kuptuar që herët se edukata dhe arsimimi janë pjesa më qenësore e kombit, ajo që atë e mban gjallë në rrugën e progresit. Me një mprehtësi logjike e zbërthen problemin, burimin e problemit, e analizon aktualitetin akut dhe jep sugjerime për zgjidhjen e tij. Duke hulumtuar shkrimet e Fran Gjokës, tematikën dhe shtjellimin e tyre, bindesh se kemi të bëjmë me një person që jeton me problemet e shoqërisë pa urrejtje, pa fyerje, por vetëm me metodologjinë pozitive shtron zgjedhjen e tyre. Ai, me gjuhën e tij prej pedagogu e analisti, kultivon mirëkuptim e dashuri brenda personazheve të shkrimeve të tij dhe lexuesit që e njeh, do i kthehet në bebëzat e tij pamja e Fran Gjokës, zëri i tij, qetësia e tij, e cila flet dhe të mbetët në kujtesë. Njeriu ka nevojë të ketë afër njerëz të atillë që e kuptojnë rrethin, problemet e jetës, rrjedhat shoqërore. Unë që nuk i dija nga afër në imtësi problemet e jetës në Shqipëri, më la përshtypje Fran Gjoka që në takimin e parë me të në qendër të Lezhës, ku isha për herë të parë. Sikur në mua u hapën horizonte të reja të një bote të panjohur dhe të largët, e cila më duhej shumë.
Fran Gjoka në shkrimet e tij tregon se sa i vetëdijshëm është në rolin vendimtar për progres të gruas në shoqëri, ai shpesh temë të tij ka pozitën inferiore të gruas në shoqërinë shqiptare, dhunën e ushtruar ndaj saj. E demaskon me forcë padrejtësitë që i bëhen gruas: nënës, motrës, hallës sonë, në të gjitha nivelet dhe shtresat sociale. Dhuna fizike është burim krimi, veçanërisht në familjet ku niveli i edukimit dhe arsimimit është i ulët, e theksuar kjo në zonat rurale shqiptare të izoluara nga bota. Shkrimet e tij përshkohen me gjuhën e protestës ndaj këtyre padrejtësive që e shëmtojnë jetën dhe imazhin shqiptar. Pikëpamjet patriarkale dhe inferioriteti të shprehura ndaj gruas trajtohen në disa shkrime të Fran Gjokës, duke e lidhur me gjendjen në arsim dhe edukim. Ai me të drejtë shton: “Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që miratohen ligje, siç është prej vitesh ai për detyrimin shkollor dhe nuk zbatohen. Arsimimi i brezit të ri dhe trajnimi i asaj kategorie me probleme për mënyrat e të jetuarit, të sjelljes dhe të vepruarit në qendra të specializuara, përben një shans më tepër për parandalimin e krimit familjar.” Në shkrimet e tij analitike, faktike, ai ngre nevojën e reformimit të shkollës, e cila ka probleme të mëdha kur shoqëria nuk merret me përmirësimin e rrethanave që e mundësojnë mësimin normal. Shtron nevojën e zbatimit të ligjit, i cili detyron përfshirjen e secilit fëmijë në shkollë brenda territorit të Shqipërisë. Ai prek afër realitetin shkollor, ku figura e mësuesit është nëpërkëmbur nga të gjithë: shteti, shoqatat, prindërit, nxënësit deri në skajshmëri, duke e kuptuar këtë si anormalitet me pasoja shkatërruese në funksionimin e shkollës, e cila objektiv ka formimin e personalitet të edukuar dhe arsimuar për shoqërinë shqiptare. Në formë të dëshpërimit, ai, mes tjerash ,do shprehet: “Asnjë shoqatë, asnjë institucion, asnjë ligj nuk kemi deri tani që të mbrojë dinjitetin e këtij intelektuali të mjerë”. Nga leximi i shkrimeve të Fran Gjokës, më rikthehet kujtesa tek shkolla ime dikur në Kosovën e robëruar, kur me dhunë na dëbuan forcat armike serbe nga shkollat tona dhe ne u detyruam të vazhdojmë mësimin në shtëpi private, bodrume, salla, garazhe e objekte të tjera. Po sot, përse nuk i duam, mirëmbajmë ato shkolla, nuk lexojmë dhe respektojmë mësuesin?! I bashkëngjitëm revoltës së mikut tim, Fran Gjoka në gjykimet e tij largpamëse, ku shprehet brenga për kombin, të ardhmen e tij. Nuk ka të bëjë këtu me qëndrim thjesht ndaj individit, por ka të bëjë me arsimin dhe edukimin e brezave shqiptare, ka të bëjë me ardhmërinë e kombit. Kjo gjendje e shkollës shqiptare në të gjitha trevat e tij, më binte ndërmend kudo që vizitoja shkolla në shumë vende me grupin e mësuesve hulumtues (Studienreise) nga Austria. Asnjëherë nuk pushuan shqetësimet, përkundrazi u thelluan akoma më shumë; sa larg jemi nga të tjerët! Vetë rezultatet e PISA-së e arsyetojnë revoltën e drejtë të mikut tim largpamës, Fran Gjoka.
Me Fran Gjokën tani e disa vite na lidhen shumë gjëra: mësuesia, publicistika, shqetësimet. Në takimin e dytë me Franin, ku ishte edhe miku ynë, Gjovalini, mësova me keqardhje mbi dhembjen e madhe që fsheh brenda tij miku im, Fran Gjoka. Tani e kuptova se artikullin që ai kishte shkruar për humbjen e vajzës sime, Dr. Vlorës, e cila iku në vlugun e jetës dhe sukseseve të saja, Frani e kishte ndierë thellë në shpirtin e tij, e kishte përjetuar po ashtu copëtim shpirti me humbjen e të vetmit djalë, krejt të ri. Me dhembje e shikova drejt në sy e në ballin e tij sikur kërkoja gjurmë, por jo, gjurmët nuk duken as tek Frani, as tek miku i tij përballë. Ato janë thellë brenda aty ku gjaku i ushqen deri në përjetësi. E mendova, sa i fortë njeriu, sa moral të fortë që ka dhe sikur mora forcë në qenien time. Në çdo takim, edhe pse të shkurtër, mësoja shumë nga Fran Gjoka, merrja orientim në hapësirën e nevojshme për veprime pozitive, për dashuri ndaj secilit dhe çdo gjëje shqiptare. Në të takoja mikpritjen e mikut, nderimin e tij, një virtyt i trashëguar shekujve shqiptar dhe nuk mund të shpëtoja pa një dhuratë për familjen. Nuk do ta harroj kurrë mjaltin e dhuruar nga Gjovalini, me të cilin mëngjeseve hanim petullat tradicionale me familje mu në zemër të Vjenës, rakinë e shtëpisë e pjekur dy herë e shumë të tjera. Këto takime ruhen gjatë në biseda familjare mbi traditat e shkëlqyera shqiptare për nderimin e mikut e biseda lidhej me Franin, Gjovalinin e gjithë Shqipërinë.
Të kesh një mik sikur që është Fran Gjoka, është një pasuri e madhe, një privilegj fati. Jam i bindur se vepra e tij prej mësuesi e edukatori do jetë inspirim brezave në punën e tyre. Pena e tij e artë do shndritë moteve në pavdekësinë shqiptare bashkë me emrin e respektuar Fran Gjoka.