Edmond Budina: Në ditën botërore të teatrit!
Dita Botërore e Teatrit u vendos në Vjenë, më 1961, në kongresin IX botëror të Institutit Ndërkombëtar të Teatrit (ITI). Prej 27 marsit 1962, Dita Botërore e Teatrit është shpallur nga Qendrat Kombëtare të I.T.I. që ekzistojnë në njëqind vende të botës. Shqipëria nuk bën pjesë në të. (E ç’i duhet? Në fund të fundit, për politikën teatri është vrima e fundit e kavallit.) ITI u krijua në vitin 1948 me iniciativën e UNESCO-s dhe personaliteteve më të shquara të teatrit. Është organizata më e rëndësishme botërore, jo shtetërore, në fushën e arteve skenike. Synimi i saj është: “Të nxitë shkëmbimet ndërkombëtare në fushën e njohjes dhe praktikimit të arteve skenike, të stimulojë krijimin dhe zgjerojë bashkëpunimin mes njerëzve të teatrit, të sensibilizojë opinionin publik për të marrë në konsideratë krijimin artistik në fushën e zhvillimit, të thellojë mirëkuptimin e dyanshëm për të ndikuar në forcimin e paqes e miqësisë mes popujve, në mbrojtje të idealeve e qëllimeve të përcaktuara nga UNESCO”.
Krijimi teatror ka të bëjë me shpirtrat njerëzorë, që i besohen njëri-tjetrit e hyjnë në komunikim mes tyre. Aktori, që jeton çastin e vdekjes, të themi, në një tragjedi dhe spektatori, që e përjeton atë çast si të vërtetë dhe emocionohet, vuan, qan, a nuk e bëjnë atë moment të papërsëritshëm dhe të shenjtë? (Çdo njeri, qoftë aktor a spektator, që e ka jetuar, e di se ç’dua të them.) E njëjta gjë ndodh edhe në një komedi, ku çlirimi, ngazëllimi, dëshira e të jetuarit është e dyanshme. Teatri vazhdon edhe përtej shfaqjes, në idetë që ai përcjell, në reflektimin që spektatori merr me vete. A nuk ndodh, që edhe kohë pas një shfaqjeje, njerëzit përdorin frazat e personazheve, njëjësojnë aktorin me personazhin ose i thërrasin me emra personazhesh? Sa herë në historinë e teatrit personazhe ose shfaqje kanë influencuar në jetën shoqërore e politike të një vendi. A nuk është aktori ai që mishëron, i jep jetë personazheve të së shkuarës e në mendjen e masave ata mbeten të tillë? Ringjallja, mishërimi, dhënia jetë e një personazhi, që ka ekzistuar ose jo, a nuk është një akt shenjtërimi? Dhe ky shenjtërim ndodh, pikërisht në një vend të shenjtë, në Teatër. Aktori është predikuesi dhe besimtarët e tij janë spektatorët. Teatri, ky komunikim tejpërfshirës shpirtëror ka brenda tij dramaturgun, regjisorin, skenografin, punonjësit e skenës, sallës, gjithë prapavijën. Të gjithë së bashku në harmoni ngjizin atë shenjtërim që ndodh brenda mureve të teatrit. Kjo ndërthurje energjish shpirtërore në një teatër ka të bëjë si me spektatorët pjesëmarrës në atë çast, ashtu edhe me miliona të tjerë që e kanë jetuar atë sallë në të tjera shfaqje. Është e ndërlidhur me shpirtrat e krijuesve, që e kanë jetuar në të tjera kohë. Sa më i vjetër teatri, aq më e madhe vlera shpirtërore që ai ruan brenda vetes në muret, dërrasat, karriget, kostumet e gjithë objektet, që ndodhen në të. I tillë është Teatri ynë Kombëtar, që në këtë ditë botërore të teatrit, ka marrë një vlerësim të jashtëzakonshëm. Ka hyrë tashmë në Europë, atje ku politika jonë troket e troket, por dera nuk e dimë nëse do t’i hapet. Ka hyrë falë rezistencës së pashembullt qytetare, që është bërë simbol i një mënyre të re të menduari. Shpesh na kanë anatemuar, fyer. Na kanë thënë e çfarë nuk na kane thënë! Ka pasur edhe intelektualë, artistë, që janë justifikuar se ne qenkërshim, vallaha edhe të politizuar. Mos vallë edhe Europa Nostra është e politizuar? Të politizuar e militantë kanë qenë shembësit, ata që për hir të interesave të vockëla mediokre, i janë ligavitur pushtetit. Mund t’i kuptoj bindjet e ndryshme, por në rastin e Teatrit nuk ka bindje ndryshe. Ka vetëm mediokritet e injorancë nga njëra anë dhe dëshirë të sinqertë për të mbrojtur e dashur një vlerë të përbashkët kombëtare, nga ana tjetër. Fakt është, që kultura fitoi mbi injorancën. Me ç’moral do të kenë guximin të pretendojnë të luajnë në atë sallë, kur ajo të jetë rikonstruktuar, të jetë bërë nga më funksionalet e më të bukurat, ata që kanë firmosur prishjen? Po ata, që me heshtjen e tyre janë bërë pjesë e lojës së pistë të interesave mafioze? Me ç’moral Ministrja e Kulturës, që ka studiuar edhe për ruajtjen e objekteve të trashëgimisë, do të bashkëpunojë me Europa Nostra-n, po Kryebashkiaku, Kryeministri? Ata që na përrallisin se nuk ka fonde, që shkelën Kushtetutën e donin të vidhnin truallin publik? Po ata deputetë injorantë, që ngritën kartonat e votuan si derrkucë të nginjur? Jam i bindur, që edhe në të ardhmen do të mundohen të futin shkopinj nën rrota, por qytetarët do të jenë atje!
Është një rast i rrallë, jo vetëm në Shqipëri, që qytetaria mbron për një kohë kaq të gjatë, ditë e natë, një vlerë të përbashkët. Edhe për këtë intelektualët e mbarë kulturës europiane e vlerësuan maksimalisht. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se gjithçka mori fund, fituam. Jo! Lufta vazhdon deri në ristrukturimin e plotë, hapjen e dyerve të Teatrit në të gjithë shkëlqimin e tij. Gjithçka mund të presësh prej atyre, që nuk shkelin kurrë në teatër e si qëllim të vetëm të jetës kanë pasurimin e vjedhjen.
Mbase për herë të parë në historinë e njerëzimit, qysh prej krijimit të teatrit, ndodh që njëherësh në të gjithë globin (ose në pjesën më të madhe të tij) mbyllen teatrot prej një pandemie të përbotëshme. Në këtë gjendje të vështirë, që po kalojmë si vend, padyshim që nuk na duhen shfaqje teatrore të shëmtuara si ajo që na luan Salep Sulltani ynë, që bën dramaturgun, regjisorin, aktorin, skenografin (të paktën këtë e ka bërë një herë në jetën e tij) që na terrorizon me pamje të rreme. Do të na e shesë sapunin për djathë e Algjerinë, si padashje, të na e shesë për Spanjë. Apo telefonatat që u bën qytetarëve, ecja rrugëve të Tiranës, i shoqëruar prej hafijeve, zaptijeve, zabitërve e bekçinjve me gjithë taborin e çingijeve që i qyraviten sipas avazit.
Teatri do të rrojë e shpresojmë që e gjithë kjo eksperiencë qytetarie t’i ketë shërbyer sadopak politikës e demokracisë të së nesërmes.
Në vitin 1962, për herë të parë, mesazhin për Ditën Botërore të Teatrit e ka bërë Jean Cocteau. Qysh atëhere është bërë traditë që një personalitet i botës teatrore të japë një mesazh. Sivjet mesazhi i është besuar Shahid Nadeem, njëri prej dramaturgëve më të rëndësishëm të Pakistanit, udhëheqës i të famshmit Teatri Ajoka, i cili shkruan: “Në botën e sotme, në të cilën intoleranca, urrejtja dhe dhuna shtohen përherë e më tepër, ku planeti ynë po gremiset në katastrofën klimaterike, kemi nevojë të rigjejmë forcën tonë shpirtërore. Kemi nevojë të luftojmë apatinë, dembelizmin, pesimizmin, etjen për pasuri e shpërfilljen për botën ku jetojmë, për planetin ku jetojmë. Teatri ka një rol, një rol fisnik, për t’i dhënë energji e shtyrë njerëzimin t’i rezistojë rënies së tij në greminë. Teatri mund të transformojë skenën, hapësirën e shfaqjes, për ta shndërruar atë në diçka të shenjtë”.
27 Mars 2020.